Për poeten Drita Kasumi-Syla lirika është këngë e shpirtit …

0

Nga botimet dhe promovimet e veprave tona me te reja letrare

Nga Hasan Hasanramaj

Në tekstin e recesionit kushtua librit të poetes Drita Kasumi- Suyla e cila u botua këto ditë me titullin “Lirikat vallëzojnë me ritëm” të prof. Prend Buzhales në me tjerash thuhet: “ Për poeten Dritën lirika është këngë e shpirtit. Është dritë, është sinonim i hyjnores, është dashuri. universit, është mirësisë, është sinonim vetjak i dhurimit të saj, mu ashtu si e hap librin e saj poetik. Është dhe ditar i pambarimtë. Është tekst që nuk përfundon asnjëherë…

Një këngë e shpirtit

Nuk ndalon kurrë

Udhës së kthesave dhe sfidave

Bëhet flamur

Një këngë e jetës

Ndërron melodi

por ajo ruan ritmin

për një mëngjes të ri

Një këngë e shpirtit po më përcjellë gjithnjë

S’ka gjë edhe nëse ndërron melodi.

Madje, cikli i parë është i mbushulluar me lirikat që i kushtohen këngës, fjalës, poezisë, dritës, melodisë… ndonjë artisti të fjalës (Gani Xhafolli, Azem Shkreli, Naim Frashëri) apo urtisë së fjalës (Anton Çetta). Kësisoj poetja këndon te cikli i parë “Në udhëtimin tim”, ku vijnë lirikat intime për të afërmit, vetminë, evokimet e mallit a të çasteve që shndërrohen në lirikë. Nëse cikli i parë shënjon lëvizjen, udhëtimin, edhe cikli i dytë parapëlqen lëvizjen, rrugën (“Një rrugë me dy shikime”), veçse tani lirika është krejtësisht intime, që i këndon emocionit të bukur të dashurisë. Cikli i tretë “Ora e shekujve” tashmë sjell lirikën për rrënjët tona, qëndresën, të rënët, atdhesinë e shenjtë.

Lirika në poezitë e Drites  janë intime, që i këndojnë emocioneve të bukur të dashurisë …

Që në titullin e librit lexojmë nocionet poetike lirikë dhe ritëm, madje dhe vallëzim. Ritmi, vallëzimi, lirika janë personifikim i ndërkëmbimit të vlerave estetike të arteve, kurse komunikimi thuret me përjetim, do të thoshim, thuret me një ligjërim engjëllor, të butë. Ky ritëm kënge ka lartësinë e saj: “Bota pushtohet në ritmin hyjnor”: ka brendinë e përjetimit (“E mbulohesh me ritmin e zemrës,/ Unë zbulohem në ëndrrat e ditëve”.)

Së bashku me ritmin shpesh e shpesh këto vargje i popullon edhe fjala melodi. Nëse melodia e rimti janë parametrat e strukturës muzikore, atëherë poetja na sugjeron që, krahas nocionit vallëzim, ato janë edhe parametrat themelorë të poezisë së saj. ndonjëherë ndodh që poetja këndon: Në këngën dhe pse s’ka rimë e melodi

Kjo do të thotë që këto dy fjalë të orkestruara nëpër vargje, personifikojnë, jashtë parametrave metrikë, lirikë apo strukturorë, diçka tjetër: personifikojnë disponimin e brendshëm të folëses lirike. Poetja e ndien këtë tik-tak kënge, si ritëm jete e gjallimi, aty ku fjala shfaqet si vallëzim i gjakut. Ritmet e brendshme të qenies shkrihen me ato të lashtësisë, natyrës, kozmosit, jetës, E rëndësishme është që në brendi ajo melodi ka ritmin e frymëmarrjen e vet.

Jeta jetohet mirë

Dëgjohet me ëndje

Shoqërohet me melodi

Kalohet me ëndrra,

Jeta merr këngën,

Lundron në ishullin e qetë,

Brenda dritës me yje,

Ndriçon e bukura jetë

Vallja shfaqet si dashuri, kurse ritmet e brendshme të shpirtit ndjehen herë me vrull, herë qetas mu ashtu si lëviz e udhëton folësja lirike, siç na sugjerojnë edh emërtimet e dy cikleve të para; s’ka lëvizje, s’ka udhëtim as rrugëtim pa ritëm. Ky rrugëtim ka thelbin e saj semantik: ato, përpos që shënjojnë në drejtim, një vendqëndrim, apo vetëm kryqëzime udhëkryqesh se kah duhet të drejtohesh a të shkosh nëpër ravën e jetës; ato janë edhe:

Ato janë ura të ngarkuara

Me shpresa dhe dhembje

Janë nisje dhe ardhje…

Me ne bashkëjetojnë

Ato asnjëherë nuk perëndojnë…

Kurse poezia është si engjëlli që këndon, ashtu siç janë me ligjërim të tillë, të butë, këngët e Dritës. Shtegtimet, udhëtimet, kanë ekstazën e vet të përjetimit e të lëvizjes. Duke lëvizur së jashtmi, folësja lirike hynë në qetësinë e vetvetes. Në qenësinë e thënies lirike. Ky çast është i shenjtë, ku universi dhe brendia shkrihen, ecin në një hap. Ndryshe, nuk ka se si të përfytyrohet as lirika intime e dashurisë, përveçse me ritmet e tilla të ndjesisë. Melodia është sinonim i jetës, lumturisë, bukurisë. Një situatë e pritjes së mrekullisë, krahasohet me këtë ritëm melodik:

Dhe pres të ndodhë mrekullia

Nën melodinë e bilbilave…

Duket sikur poetja e ka përvetësuar atë thënien e Amit Ray-it (këshilltar spiritual indian): “Jeta nuk është një betejë për ta fituar, por një melodi për ta kënduar.” Pa këtë tregues themelor estetik, as që do të kishte kuptim kënga. Duket sikur me këta tregues poetikë ajo do ta mposhtë egërsinë dhe kaosin e jetës e të realitetit, duke e kërkuar gjithnjë harmoninë. Për ta mposhtur ecjen nëpër dhembje a pakënaqësi.

Se pakënaqësitë e kohës

Kanë larguar meloditë e jetës

Ngjyrat e pranverës i pres çdo ditë

Edhe aty ku ka një zemër të thyer, at krijohet një ritëm i ri jete:

Këngë dhe dhembje

Më përcolli jeta

Herë me melodi

Herë me trishtim

Melodia është aty, pra, si një motër tjetër e këtij ritmi. “Jeta është si një melodi e bukur, vetëm teksti është ngatërruar”, do të thoshte Hans Christian Andersen.

Melodia në poezitë e poetes Drita janë sinonim i jetës i lumturisë dhe i bukurisë…

Krijuesja investon artin e saj në realizimin e vlerave të qenies vetjake, për ta sfiduar pakënaqësinë e dhimbjen, për t’i sfiduar padrejtësitë dhe përplasjet me realitetin. Ligjërimi poetik na e ofron shansin e mundësive për të dalë nga ky rreth fatal i botës reale, në kërkim të magjikes, mrekullisë:, mu ashtu siç personifikohet qenia grua.

Bukuria e diellit,

Dritë e kurdisur

Për botën engjëllore,

Valë e qetë e detit të trazuar

Krua për etjet e mbrëmjeve.

Hënë që të vënë në gjumë

Gëzime me erë trëndafili,

Pasqyrë e yjeve

Ka aromën e mrekullive

Nën misteret e diellit,

Ikonë e nyejve të shpirtit!

Krijimet e poetes  Drita Kosumi- Sylës, duan ta paraqesin kërkesën për të dëshmuar jo vetëm kohën, por thelbin që ngjet aty, thelbin e një sakrifice, ngjarjeje, kujtimet a memoriali kombëtar. Kërkesën për të mos i harruar plojat e së kaluarës, të plagosurit, të rënët.  Sado që ka poezi të panumërta që iu kushtohen dëshmorëve; kur poetja ata i emërton, kjo do të thotë se ata e kanë emrin e tyre edhe pas vdekjes. E kaluara merr fytyrën e kohës sonë, atë të lirisë. Te kjo kërkesë dëshmie lirike, te cikli i tretë, vjen si një rrëfim lirik i bukur.

Gjyshi në kokë e mbante plisin e bardhë

E ruante si dy sytë në ballë.

Thoshte nga Pellazgët e kam amanet

Është simbol e krenari përjetë.

Shkëmb plisi i gjyshit faqebardhë.

Ta ruajmë si besën si fjalën si dritën,

Me krenarinë për plisin u rritëm.

(poezia “Mbi kokë t’ shqiponjës”)

Ky libër poetik- na tha në vazhdim prof. Prend Buzhala vjen pas një përvoje relativisht të pasur krijuese të Dritës. Poetja na i shqipton, përmes vargjesh, edhe atë që vështirë e thotë gjuha e përditshme, madh je edhe ati ritme të brendshme endet të pathëna, përmasash të realitetit. Fjalët ngjizen që në embrionin e frymëzimeve të muzës, si qenie, madje ato marrin formë e përmbajtje, marrin zë; jehojnë e jetojnë me peshën e mesazhit:

Stuhitë e kohës krahët ti rënduan

Bora e ftohtë ta ndrydhi fjalën.

Po fjala lindi e ngrohtë dhe shkriu akuj.

Ose:

fjala e artistit

Rritet, jeton, peshon.

Sidomos fjala shqipe, e lindur në acarin e dhunës, e ka kryer edhe një mision, atë të krijimit të një realiteti tjetër, realiteti artistik ,atë të dhurimit të shpresës, ngrohtësisë së shpirtit; poeti është si ai mbreti që tërë mbretërinë e ka të veten dhe asgjë nuk ndal për vete. Vargjet i dhuron për të tjerët, mu si Naimi që dhuroi aq shumë dashuri. Kurse këndvështrimi i poetes për realitetin dhe jetën, për njeriun dhe atdheun, për dashurinë dhe ndjesitë e situatave të mallit e vetmisë, i rikthehen fjalës së artit.

Fjala shqipe, e lindur në acarin e dhunës,  ka kryer edhe një mision, atë të krijimit të një realiteti …

E pra, habitusi poetik i  poetes Drita Kosumit është i gjerë. Kund e kund, ndonjë poezi, që pikësynon thënien e lartësuar, kërkimin e të magjishmes, engjëllores, duan ta shqiptojnë një poetikë të sugjestionit figurativ. Ky edhe është funksioni sugjestiv poezisë:

S’qenkam e zonja të  përshkruaj.

Çdo gjë e jotja është një poemë

Është simfoni me melodi zemre

Je magji…

Libri lexohet si një lirikë e së bukurës në art, në jetë, në dashuri, në përmasat e atdheut de në ato të jetës. Poezia, posi dashuria, është ajo forcë që udhëheq me rikthimin në këtë harmoni unike, pothuajse si një ri-integrim në një forcë të re kozmike, posi vallja e yjeve lasgushiane.

Është ai krijim që mbështet pasionin e qenies për ta realizuar vetveten në lëvizje, në udhëtim, nën ritmet e vallëzimit të këngës. Përjetimi i tillë, i së bukurës, mëton t’i mbizotërojë ato antagonizma, dhembje a pakënaqësi, t’i asimilojë ato forca të ndryshme të rrjedhave të tilla ekzistenciale, dhe t’i integrojë ato në një unitet harmonik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok