Një qiri drite në 121-vjetorin e lindjes së Kardinalit Mikel Koliqit si i pari në historinë e krishtërimit ndër shqiptarë

0

Refleksione rreth librit “Simfonia e një jete:

Kardinal Mikel Koliqi 1902-1997” (Itali, 2001) të muzikologut prof. Gjon Simoni

Gjatë studimeve teologjike, në Milano, Mikelit i besuan drejtimin e korit të kolegjit. Siç duket, Mikeli nga Shqipëria ishte më i afti nga muzikantët seminaristë që kishte kolegji. Ai tregonte se për të shoqëruar korin, caktuan një tjetër seminarist që kishte përfunduar studimet në konservator dhe luante mjaft mire”. – Prof. Gjon Simoni (1936-1999), pedagog, muzikolog, studiues

Nga Klajd Kapinova – Ish redaktor i revistës “Kumbona e së Dielës” themeluar nga Kardinal M. Koliqi, dhe sot editor i revistës “Jeta Katolike”, New York

Çdo libër i shkruar nga studiues seriozë, prelat dhe intelektual të mirëfilltë, shkrimtarë të anatemuar dhe bashkëkohorë dhe kryesisht ato të shkollës së traditës shumë shekullore veriore geg, njerëzit e artit dhe kulturës, është gjithëmonë një dritare diturie për mua, për të njohur me kënaqsi personalitetet e shquara dhe të përbaltura dhe harruara të botës shqiptare këtu në SHBA dhe atje në vendlindje përtej Oqenianit Atlantik.

Kardinal Koliqi, është një nga figurat më të ndritura të Kishës Katolike Martire Shqiptare, njeriu që u bë simbol i gjallë i persekutimit të katolikëve dhe popullit shqiptar gjatë regjimit komunist 1944-1990, dëshmitar i gjakut të martirëve, derdhur për Fé e Atdhé në rrethana rrënqethëse e shumë tragjike, nën diktaturën komuniste ateiste në Shqipëri.

Ati i Shenjtë papa shën Gjon Pali II (1920-2005) e emëroi prelat nderi (Monsinjor) në janar të vitit 1992, dhe e takoi personalisht, një vit më pas, gjatë vizitës së tij historike në qytetin dhe katedralen e madhe të shën Shtjefnit (protomartir) të qytetit të Shkodrës, më 25 prill 1993, duke e emëruar me titullin më të lartë të hierarkisë së Kishës Katolike si Kardinal (Cardinal) më 26 nëntor 1994, me një ceremoni madhështore, që u zhvillua në kishën e shën Pjerrit në Selinë e Shenjtë në qytet-shtetin e Vatikanit.

Menjëherë pas fillimit të proçeseve demokratike të Shqipërisë, kardinali Mikel Koliqi u nderua së pari me titullin “Pishtar i demokracisë”, më pas me titullin “Nënë Tereza” dhe, vetëm pak ditë para vdekjes, me titullin më të lartë “Nderi i Kombit”.

Ai kaloi në amshim qytetin e tij të lindjes në Shkodër, më 28 janar të vitit 1997.  Prelati i ynë, ka një jetë të veçantë siç qe ajo e dom Mikel Koliqit, që shtrihet në gjithë hapësirën e shekullit të kaluar, një jetë e jashtëzakonshme për Fé e Atdhé që mbeti hallkë e pashkëputur nga tmerri i persekutimit ateist të komunizmit.

E thënë shkurt, jeta tij është si një testament shpirtëror e kombëtar dhe është për të gjithë shqiptarët shembull e testament shpirtëror e kombëtar, pra, një udhërrëfyes për të gjithë shqiptarët, se si duhet punojmë të bashkuar e në mirëkuptim gjithëmonë me njeri-tjetrin, për një të ardhme më të mirë për popullin, me një përkushtim e përvujtëri, duke kërkuar e përvetësuar gjithmonë vlerat e vërteta e të shëndosha, njerëzore, shoqërore e shpirtërore, kulturore dhe kombëtare.

Eshtë nder, kënaqsi dhe privilegj të rishfetosh me etje të reja diturie një libër me vlera, rrëfyer përmes një përshkrim shumë tërheqës dhe me një stil fin narrativ shumë të bukur joshës një nga më interesantet, që sapo përfundova së rilexuari këto ditë këtu në Manhattan, New York, në zemër të kryeqytetit të kulturës metropolitane botërorë dhe SHBA-së.

Saktësisht 212, është numri i faqeve të veprës së re jetëshkrimore, që studiuesi muzikolog i njohur shkodran prof. Gjon Simoni (1936-1999), i ka përkushtuar Kardinalit të parë në historinë e krishtërimit në popullin shqiptar, Shkëlqësisë së Tij Mikel Koliqi, të përmbledhur esencialisht në tre studime rë mirëfillta interesante shkencore: “Jeta”, “Veprat” dhe “Dëshmi”.

Vepra e re cilësore për nga përmbajtja e saj hapet me një Parathënie të shkruar nga atë Francesco Botta S.J. E parë me një sy kritik dhe analitik, vepra muzikore e Kardinal Mikel Koliqit ruan vlerën e rëndësishme për veprën muzikore të Kardinalit, të studiuar si bleta punëtore me skrupolozitet dhe profesionalizëm nga prof. Gjon Simoni, duke bërë një shprehje dhe nderim zemre ndaj një prelati, për një mik shumë të dashur të një bashkësie, dhe famullisë katolike së kishës së “Zemrës së Krishtit” në Tiranë, për një meshtar besnik shembullor dhe të përvuajtur të klerit katolik shqiptar.

Në faqet e librit shohim, se “Jeta”, përfshinë pjesët interesante, që kundrohen me andje copëzat, si: Koha e parë: Allegro Giusto; koha e dytë: Adagio Lamentoso; koha e tretë: Allegro Maestoso dhe Coda, kurse në kapitullin e dytë “Veprat”, bëjnë pjesë melodramat: “Rozafa”, “Rrethimi i Shkodrës”, “Ruba e kuqe”.

Më rej kapitulli i tretë “Dëshmi” përfshinë tre nënçështje: “Një pikë referimi” (Gjon Kapidani 1933-2009), “Veprimtaria muzikore e imzot Mikel Koliqit” (Tonin Zadeja 1926-2011) dhe mbyllet me biografinë, shembujt dhe veprat, dhe disa fotografi origjinale historike.

Vepra e mirëseardhur, në komunitetin tonë shqiptaro-amerikanë, është shtypur me estetikë, cilësisht dhe me parametra bashkëkohore nga Shtypshkronja e njohur “Laurenziana” në Napoli të Italisë.

 

Kardinali, i pari i tetë fëmijëve të Koliqëve

 

Mikel Koliqi, lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. I ati, Mark Koliqi, ishte tregtar dhe e ëma, Age Simoni, ishte bijë tregtari. Mikeli, qe fëmija i parë i një vargu prej 8 fëmijësh, ndër të cilat pesë djem dhe tri vajza: Mikeli, Ernesti (babai i përhapjes së arsimit dhe shkollave shqipe në Kosovë, shkrimtari dhe prozatori i shquar modern prof. Ernest Koliqi, Ministri i Kulturës së Shqipërisë, një ndër yjet e letërsisë shqiptare si shkrimtar dhe njëri me kulturë shumë të madh) Leci, Gulielmi, Margerita, Antonieta, Viktori dhe Terezina.

Koliqi i ri studioi dhe arriti të luante në piano pjesë nga Moxart dhe Bethoven. Studioi pjesë pianistike të Shopen-it, duke luajtur sidomos valset dhe nokturnet e këtij autori. Ai asokohe njohu autorë bashkohorë, si: Debysi, Ravel etj.

Mikeli student i etur për dije dhe kulturë bashkëhore tradicionale botërore dhe italiane, lexoi dhe studioi me kënaqësi muzikën operistike, ndoqi me intensitet zhvillimin e veverizmit muzikor, por në të njëjtën kohë kishte adhurim të veçantë për Vagnerin, veprat e të cilit i njihte shumë mirë.

Ai shkonte për të ndjekur shfaqjet operistike në Milano dhe në qytetet e tjera të Italisë, dallonte qartë karakteristikat interpretuese të njërit këngëtar apo tjetrit, përshkruante atmosferën e koncerteve dhe operave si spektator.

Në periudhën kur vinte në qytetin e lindjes Shkodër, Kardinali shpirtëror i ardhshëm Koliqi shkonte në piknik në periferi të qytetit antik me histori të lashtë dhe të lavdishme ndër shekuj, si fshatrat piktoreskë në Shirokë, Zogaj e gjetkë, dëgjonte në shtëpitë e shokëve dhe miqve muzikë me gramafon.

Libraria e madhe e librave të tij filloi të pasurohej dhe zgjerohej në mënyrë të vazhdueshme me veprat dhe kryeveprat e autorëve të ndryshëm, si: Moxart, Verdi, Puccini, Vagner, Rossini, Donixetti, Maskanji, Leonkavalo, Boito, Hendel, Bach, Hajden, veprat vokale nga Palestrina, Laso, Kerubini, Perozi, Kasimiri, Paxhela etj.

Pas mbarimit të shkollës së mesme, ai filloi studimet e larta në Politeknikumin e Milanos, në degën e inxhinierisë mekanike.

Por, gjatë kësaj periudhe mori vendimin për t’u bërë prift, duke lënë përgjyshëm studimet në vitin e dytë për të vijuar studimet teologjike në seminarin Corso di Venezia të Milanos dhe më vonë në seminarin Vonogonos.

Atje studioi nga viti 1928 deri më 1930. Në 30 maj 1931, në moshën 30 vjeçare, u shugurua meshtar në Kishën e Jezuitëve të Shkodrës, nga Arqipeshkëvi i Shkodrës imzot Lazër Mjeda (1869-1935).

Studiuesi muzikolog shqiptar Simoni, me veprën e vet përkushtuar Kardinal Mikel Koliqit, hedh dritë për herë të parë në pasionin e madh që meshtari kishte për muzikën, krahas adhurimit për meshtarinë dhe punën e përditshme me rininë shkodrane në Veprimin Katolik, me shtypin, themelues dhe drejtues i revistës popullore të përjavshme shkodrane “Kumbona e së dielës” (1942 e cila vijon edhe sot me hapjen e kishave në Shqipëri me të njëjtin emër dhe tematikë fetaro-kulturore).

Gjatë studimeve teologjike, vlerëson studiuesi prof. Gjon Simoni, në Milano, Mikelit i besuan drejtimin e korit të kolegjit. Siç duket, Mikeli nga Shqipëria ishte më i afti nga muzikantët seminaristë që kishte kolegji. Ai tregonte se për të shoqëruar korin, caktuan një tjetër seminarist që kishte përfunduar studimet në konservator dhe luante mjaft mirë“.

Duke ditur se priftërinjtë katolikë që shërbenin në atë kohë në Shqipëri konsideroheshin nga Selia e Shenjtë si misionarë, ky “status” u jepte lejen dhe mundësinë që, sipas rastit, të studionin e të diplomoheshin edhe në fusha të tjera të tjera të kulturës dhe artit.

Kështu, sapo mbaroi studimet, para se të vinte në Shkodër për të filluar punë (misionin e bariut shpirtëror) si ndihmësfamullitarë, Mikeli iu drejtua imzot Luigj Bumçit (1872-1945) që t’a dërgonte në ndonjë shkollë muzikore për të mësuar muzikë.

Me rekomandimin e Ipeshkëvit, Mikeli shkoi në Austri (kryeqytetin e muzikës operistike botërore, ku çdo vit jepet me 1 janar Koncerti i Madh i Vjenës, shënimi im K.K.), pranë një kori të famshëm.

Siç duket atje studioi elementët e dirigjimit lokal, duke vënë në bazë profesionale njohuritë, që ai kishte marrë nga leksionet private  autodidakte dhe nga përvoja artistike e pasur.

Të gjithë e moshuarit e qytetit të Shkodrës dhe nga antarët e Veprimit Katolik asokohe, korit të famshëm të qytetit e katedralës së shën Shtjefnit (sikurse njihet nga të gjithë si Kisha e Madhe) e kujtojnë portretin e tij si një njeri të qeshur, të dashur, optimist, me kulturë të gjërë, amator i muzikës, fjalë ëmbël dhe të qetë nga karakteri, me të cilin kishte bërë për vete shumë miq e shokë.

Në libër, për këtë natyrë të dashur popullore, muzikologu dhe kompozitori produktiv prof. Gjon Simoni shkruan: “Të gjithë në mënyrën e vet pritnim shumë prej tij, por më shumë se shoqëria, më shumë se Shkodra priste prej tij familja, e cila po kalonte një periudhë të vështirëshisë financiare dhe të gjithë shpresat për të dalë nga kjo gjendje i kishte mbështetur tek djali i madh. Ishte plotësisht e natyrshme. Megjithatë, e ëma, me një “U bëftë vullnesa e Zotit”, duhet të ketë hequr mendjen nga kjo shpresë, duke iu nënshktruar vullnetit të Perëndisë.”

Dhe natyrshëm, sikurse kishin vepruar gjatë 2000 vjetëve, edhe dom Mikeli nuk erdhi në Shkodër si prift i zakonshëm për t’iu nënshtruar rutinës, për të kryer vetëm detyrat fetare si ndihmësfamullitarë dhe më vonë famullitar në qytetin e tij të dashur.

Plane ambicioze dhe realizimin e menjëherëshëm të tyre kishte në kokë prifti i ri. Ai e kishte të qartë se çfarë duhej bërë dhe si duhej bërë sa më mirë. Me një përvojë të pasur evropiane, menjëherë i hyri punës për t’i shërbyer sa më mirë bashkësisë së tij katolike, dhe jo vetëm asaj.

Profesor Simoni, duke hulumtuar mbi jetën dhe veprën e Kardinal Koliqit, ndër të tjera vlerëson: “Gjatë kësaj periudhe arriti të organizonte korin e Katedrales, të cilit i vuri emrin ‘Scola Cantorum’ (1932).

Kompozoi dhe realizoi në skenë tri melodrama me theks të fortë patriotik. Kompozoi edhe 30-40 pjesë të ndryshme korale, shumica me objekt kishtar. Këto pjesë kishin formën e motelit që ishte shkruar për violinë dhe kor vajzash, ndonjëra edhe për solist e kor.

Themeloi dhe drejtoi për shumë vjet revistën e njohur “Kumbona e së diellës” dhe e drejtoi atë si kryeredaktor nga numëri i parë (1938), deri sa u mbyll nga censura komuniste në vitin 1945.”

Kardinal Koliqi, kishte një aktivitet të pasur si muzikant, ekzekutues, drejtues kori dhe kompozitor. Pra, edhe pse famullitar, pasioni i tij për muzikën bëri që ai të merrej ne të seriozisht dhe në një masë më të madhe se i takonte.

Si intelektual me kulturë të gjërë muzikore, i hyri menjëherë punës për krijimin e korit të Katedralës në baza profesionale… Ky grup koral përbëhej nga burra të aftë për të interpretuar meshën dhe pjesë të tjera të muzikës fetare gjatë ceremonive kishtare. Ai qe një fillesë e traditës së muzikës korale Scola Cantorum që do të lulëzonte më vonë“, vlerëson muzikologu i njohur shkodran dhe nxënës i Kardinal Koliqit, muzikologu prof. Gjon Simoni.

Dom Mikeli, sikurse e thërrisnin të gjithë asokohe në qytet, mendoi të organizonte shfaqje skenike, në të cilat kori dhe elemëntë të tjerë angazhoheshin si elementë si aktorë që recitonin dhe ndonjëherë, edhe këndonin sipas rolit. Kështu, ai filloi t’u përshtaste muzikë të huaj teksteve teatrale të shkruar nga poeti i ëmbëlsisë, dom Ndre Zadeja (pushkatuar barbarisht nga komunistët më 25 mars 1945) ose nga poetë të tjerë shqiptarë.

Me interes është përshkrimi që muzikologu dhe ish nxënësi i tij prof. Simoni i bën bashkëpunimit të ndërsjelltë midis poetit dhe kompozitorit që, njëkohsisht, ishin edhe vëllezër në Krishtin, respektitivisht dom Ndre Zadeja dhe dom Mikel Koliqi.

Drama të ndryshme shqiptare u përshtatnin melodi këngësh të huaja, e kështu kori dhe solistët merrnin pjesë si aktorë në veprimet skenike.

Nuk dimë sa kohë vazhdoi kjo lloj pune artistike, kur një ditë erdhi dom Ndreu në studion e dom Mikelit dhe, duke vënë “soleminisht” libretin e dramës “Rozafat” mbi tavolinën e punës, i tha: “… shkruaje vetë muzikën.

Një dramë shqiptare kërkon muzikë shqiptare…“, dhe iku duke lënë tundimin pas vetes.

Dom Mikeli, që vetëm, një shkak donte, i hyri menjëherë punës dhe kompozoi shpejt, brenda pak javësh, muzikën për dramën “Rozafat”…

Kompozonte në mbrëmje, kur kthehej në qelë, në selinë e famullitarit dhe pas aktiviteteve të tjera.

Meqenëse nuk kishte shumë kohë, muzikën e shkruante pa e zbardhur në të pastër.

Këngët (ariet) dhe pjesët e tjera solistike, ndonjëherë gjenden të shkruara në një vijë melodike dhe shoqërimi i tyre pianistik ka vetëm disa kthesa harmonike dhe shënime të fakturës së shoqërimit si dhe ndonjë figurë instrumentale, e cila shërben për të përcaktuar emocionalisht edhe nga ana dramatike figurën artisitike, që ta karakterizojë dhe ta vendosë atë mirë në mjedisin artisitko-dramatik.”

Autori i veprës kushtuar Kardinal Koliqit, ka bërë një studim profesional shterrues të të gjithë vlerës krijuese artistike muzikore, duke i paraqitur sot të freskëta pas shumë dekadash.

Ai me dashamirësi, respekt të thellë e nderim për maestron e tij të parë, ka ruajtur në thellësi të kujtesës dhe shpirtit dashurinë për çdo partiturë dhe notë muzikore nga perndjekjet e përbinshme komuniste që kërkonte të asgjesonte çdo notë dhe muzikë të progresit botëror, një pjesë të të cilat i trashëgoi edhe Kardinali ynë Koliqi.

Prof. Gjon Simoni, përmes një pune hulumtuese, sistemuese dhe analitike të materialit faktografik, ka mundur të na dhurojë meshtarin e krijuesin, Krishtin dhe muzikën kushtuar Atij në emër të një populli që ndër shekuj i ka qendruar besnik fesë dhe traditës kulturdashëse të të parëve.

Përmes një stili ta pasur narrativ dhe një elegance në të shkruar ofron për lexuesin mbarëshqiptar melodramat e muzikuara nga dom Mikeli, sikurse njihen sot, si: “Rozafa”, “Rrethimi i Shkodrës” dhe “Ruba e kuqe”, të tria të shkruara nga poeti i njohur i ëmbëlsisë dom Ndre Zadeja (1891-1945).

 

…Ideologjia e Revolucionit të kuq kinez përsekutonte intelektualët e klerikët katolikë shqiptar

 

Muzikologu dhe studiuesi prodhimtar prof. Gjon Simoni, gjatë hulumtimeve të kujdeshme shumë vjeçare ka dhënë të shkrira në linjat e veprës së vet për Koliqin të gjithë jetën e tij dhe për të parë në një profil më të ngushtë, si muzikolog i gurrës shqiptare.

Por, autori ynë nuk ka lënë pas dore edhe gjeografinë e kalvarit komunist me të cilin u përballë drejtpërsëdrejti Kardinali ynë Mikel Koliqi.

Kështu në vepër mësojmë se në vitin 1952-1953 filluan presionet dhe përpjekjet e diktaturës për të krijuar Kishën Katolike Autoqefale, pra të pavarur nga Selia dhe Ati i Shenjtë në Vatikan. Në vitin 1953-1954 kjo valë arrestimesh përfshiu shumë intelektualë nga mbarë Shqipëria dhe Shkodra më së shumti dhe më e madhja.

Prof. Gjon Simoni, duke shkruar për këtë dramë tragjike që preku mbarë popullin shqiptar dhe më së shumti klerin katolik shqiptar në Shkodër, për Kardinalin Koliqi vë në dukje: “Mbaroi kështu koha e parë e simfonisë së jetës së tij. Akordet dramatike mbyllnin këtë pjesë. Megjithatë, buzëqeshja e tij e vazhdueshme që vinte nga qetësia shpirtërore bënte që tragjedia e kësaj jete të merrte një pamje pothuaj joreale, gati-gati teorike. Si lufta e së mirës kundër së keqes. Kështu për dom Mikelin filloi epoka më e zezë e jetës, ajo e privimit të përhershëm të lirisë, pa asnjë kuptim për botën e tij intelektuale dhe të misionit të tij si meshtar. Gjithçka për te zbret në banalitet. Nga ana e tjetër vuajtjet dhe torturat rriteshin, duke lënë përshtypjen se do të vazhdonin përgjithmonë.”

Megjithëse i burgosur ose i internuar, ai vazhdoi të kryente detyrën e vet fetare fshehtas. Ai ushtronte dhe zhvillonte me shumë kujdes ungjillizimin e bashkëvuajtësve, kur ata e kërkonin, kryente ritet fetare, si pagëzim dhe kungimin, dhe megjithëse larg nga Shkodra, jepte këshilla dhe udhëzime dhe së bashku me kolegët meshtarë merrte vendime për problemet e famullive, që ishin në gjendje përndjekjeje të jashtëzakonshme.

Kështu në vitet 1954-1986, kaloi në burgim dhe internim edhe 32 vjet të tjera. Në vitin 1977, në moshën 75-vjeçare, dënohet për të tretën herë me 15 vjet burgim.

Absurdi kishte logjikën e vet djallëzore. Vitet e burgimit dhe internimit i kalon mes vuajtjeve në disa krahina të Shqipërisë, si në Lushnjë, Fier, në zonën e maleve të Vlorës dhe në vende të tjera syrgjynimi.

Më vonë do të tregonte për torturat e tmerrshme që pësonin në burg: rrahje deri në gjakosoje, elektroshok, varje nga duart e lidhura disa ditë me radhë, përve urisë, etjes e të ftohtit.

Gjatë kohës së gjatë të burgimit shumë qenë shokët e tij klerikë, por edhe bashkëvuajtës të tjerë, që u vranë ose vdiqën nga torurat mizore.

Pra, me të drejtë çuditemi kur shohim se dom Mikelin nuk e zhdukën fizikisht, që në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist të hurit dhe litarit, gjatë viteve të errëta 1945-1950 dhe më pas gjatë kohës së sundimit dhe zgjedhimit të dhunës sistematike kudo dhe kudohere.

Me të drejtë konstaton në librin e tij prof. Simoni, se siç duket, ishte një peng i çmuar në dorën e diktaturës për t’i bërë presion vëllait të tij shkrimtarit dhe burrit të shtetit dhe kulturës geg prof. Ernest Koliqit, që të mos merrte inisiativa dhe të zhvillonte aktivitet politik kundër pushtetit komunist në Shqipëri. Madje kur e pyetnin dom Mikelin për vuajtjen e tij përgjigjej: “… të tjerët kanë vuajtur më shumë se unë nga torturat…”.

Gjithsesi, ai kaloi 40 vite burg… dhe Zoti shtriu dorën pranë Nënës Shqipëri, për të vlerësuar prelatin e përvuajtur deri në madhështi si Kardinal… Për këto dhe shumë episode të rëndësishme të jetës së Kardinalit Mikel Koliqi, do të mësoni më shumë në veprën në fjalë.

Autori dhe studiuesi muzikolog prof. Gjon Simoni, në planin human kryen një detyrë dhe detyrim të madh moral ndaj qytetit të tij të lindjes Shkodërlocës, si besimtarë i devotshëm katolik dhe ish nxënës në korin e njohur Scola Cantorum dhe në Veprimin Katolik të qytetit të lashtë, që drejtohej nga themeluesi i saj Shkëlqësia e Tij Kardinal Mikel Koliqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok