12/12/2024

FETIJE KELMENDI-DRAGUSHA-HEROINA QË LUFTOI PA U TREMBUR PËR BASHKIMIN KOMBËTAR

0
Fetije-Kelmendi-Dragusha

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1926- e theren me thika më 1947)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Fetije Kelmendi-Dragusha, ishte e lindur në fshatin Ribar i Vogël, komuna e Lipjanit, nga babi Qazim dhe nëna Gjyzide Kelmendi. Në të dhënat biografike që i kam hasur ( e që janë të pakta, sa i përket atdhetares Fetije Kelmendi). Familja Kelmendi ishte një familje me tradita atdhetare. Dhe ishte absurde të mos binte në sy të okupuesve. Andaj pushtetarët ndaj familjeve dhe individëve të tillë ishte e pamundur që të mos merrte masa të jashtëzakonshme presioni. Një gjë e tillë ndodhi edhe ndaj familjes ku ishte martuar vajza krenare e Kelmendëve.

Prindërit e saj duke e parë se sa e zgjuar ishte Fetija, ata vendosin që ta dërgojnë në shkollë. Edhe pse në atë kohë, shkollimi i femrës ishte herezi, ata e dërgojnë në një fshat tjetër që të kryente atë. Në fshatin Rufcë e përfundoi shkollën me sukses të shkëlqyeshëm. Si e vogël ishte fëmijë i zgjuar dhe e hareshme, por kjo lumturi fëmijërore nuk i zgjati shumë, ngase i vdes nëna, dhe mu nga ky moment, fillon jeta kur Fetija e kupton se çfarë do të thotë të humbësh më të dashurit tuaj. Babai i saj pas një kohe martohej me Zepën, që njëherë veç që ishte gruaja e babait, ajo u mundua që të jetë edhe nënë e dytë e Fetijes. Ajo e donte njerkën dhe ishin shumë të afërta në mes veti. I besonte shumëçka dhe u këshillonte me të, por, megjithatë nënën askush nuk mund të zëvendësonte për të. Me rriten e saj ajo dallonte nga moshataret e saja. Bëhej më e kujdesshme, më e pjekur, më trime dhe më e bukur. Kishte një bukuri të rrallë mahnitëse të femrës shqiptare. E gjatë si lis, fytyrë të mprehtë e inteligjente, flokët korb të zeza dhe si mal i dendur. Fliste qetë dhe kishte një sjellje të urtë që të ofronte qetësi dhe në të njëjtën kohë siguri. Për të afërmit sakrifikonte shumë dhe ishte e gatshme të ndihmonte çdokënd. Robërinë, luftërat dhe skamjen nuk i duronte dot. Andaj filloi të mendoj nga të gjitha këto ndeshtrasha për të afërmit dhe popullin e saj në përgjithësi. Mendonte se gjithsesi se duhet të ketë zgjidhje për të gjitha këto. Dhe e gjeti zgjidhjen, duhet luftuar dhe çliruar nga okupuesi që kishte marr me dhunë trojet shqiptare.

Fetije Kelmendi u martua e re, thuhej se i kishte 18 vjet dhe thuhej se fisnikëria, virtytet dhe trimëria e saj erdhën, dhe u bënë më të shprehura, kur u martua me trimin e njohur Ismail Dragushën. Në martës ishte e lumtur dhe bisedat e gjata me burrin e binden se çlirimi, liria dhe jeta e mirëqenë vijnë vetëm po qese e dëbojnë okupuesin që iu kishte marr çdo gjë, e mbi të gjitha iu kishte rrëmbyer lirin që nuk e kishin. Pas njohurive që mori nga burri për ri okupimin e Kosovës, ajo e ndjente veten ngushtë, diçka e ngufaste, andaj bashkë me të, kapi pushkën dhe doli maleve për të luftuar për çdo pëllëmbë të Kosovës. Ajo e donte mbi të gjitha lirin dhe çlirimin e tokave shqiptare. U betua se do e largoi okupuesin edhe me çmimin e jetës. Ismail Dragusha ishte anëtar i organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, andaj edhe pritej që edhe Fetija të jetë pjesë e saj. Shpejt u anëtarësua dhe ishte aktive duke punuar fortë në organizatë e NDASH-së.

Duhet theksuar se një kaptin të veçantë në historinë e popullit shqiptarë pa dyshim zënë edhe gratë. Ajo, asnjëherë nuk u pajtua me padrejtësitë, që i ndodhën gjatë historisë. Jo vetëm që nuk u pajtua me të, por lirisht mund të thuhet se ishte pjesëmarrëse aktive në të gjitha lëvizjet dhe organizimet, që u ndërmorën për daljen nga robëria shekullore, që populli shqiptar me sakrifica të mëdha pagoi çdo gjakim të lirisë. Në mesin e këtyre grave zëntë vend meritor edhe Fetija e jonë. Ajo me dashurin që kishte për lirinë, gjeti mënyra dhe mundësi për tu aktivizuar në të gjitha format e rezistencës që u ndërmorën për lirinë e popullit, herë në mënyrë direkt, e herë në prapavijë, ajo me një dinjitet të lartë ishte aty, ku ishin burrat dhe ku vendosej për fatet e mprehta të vendit.

Më 1945 Kosova dhe viset e tjera shqiptare përreth pa vullnetin e tyre mbetën nën kthetrat e sllavëve. Mu nga kjo kohë filloi edhe një aktivitet i dendur për ruajtjen e unitetit kombëtar. Në moshën 20 vjeçare ajo u anëtarësua në radhët e ONDSH-së. Gjatë kësaj periudhe ajo nuk deshi të jetë vetëm vështruese indiferente e ngjarjeve që ndodhnin në vend. Me aftësitë që kishte mori pjesë drejtpërdrejt në aksione që organizonte ilegalja shqiptare. E dinte se aktiviteti i saj në organizatën ilegale shqiptare kishte synim kryesor çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet-Shqipëri. Shumë gra nga OZN-a e UDB-eja u zbuluan dhe u pushkatuan, e disa vepruan me stoicizëm në ilegalitet dhe duke iu ndihmuar shokëve ilegalistë.

Vlen të përmendim se edhe porosia e profesor Ymer Berishës, (patriot i shquar dhe ideolog i Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare në Kosovë) dhe e krerëve tjerë të Lëvizjes kombëtare ishte dhe kërkonin me këmbëngulje që në radhët e NDSH-së të angazhohen dhe të përfshihen sa më shumë gra. Dhe si detyrë primare shtrohej që ato të angazhohen në bartjen e postës, në mbledhjen e ndihmave, në shpërndarjen e tyre, në shpërndarjen e afisheve në qytet, në grumbullimin e materialit sanitar, në vizitat e shumta që do t’u bëhen familjeve të anëtarëve që ishin të arratisur në male, që ishin të pushkatuar etj. Gruaja shqiptare rol të veçantë luajti në aspektin e propagandës, duke iu dhënë zemër grave të tjera se liria është afër dhe shumë shpejt do ta gëzojmë atë.

Pas vitit 1945, Gruaja shqiptare ishte po ajo grua e Rilindjes Kombëtare, vetëm ca më e avancuar në kuptimin e ngritjes arsimore. Ajo nuk mundi të qëndronte duarkryq duke i parë sulmet e një pas njëshme dhe masakrat e shumta, që ndodhnin ndaj popullsisë shqiptare. U angazhua duke treguar trimëri të rrallë në organizatat nacionaliste dhe luftoi me këmbëngulje për realizimin e qëllimeve më të larta kombëtare.

Numri i tyre, që dolën për të mbrojtur pragun e shtëpisë dhe lirin aq shumë të pritur ishte i madh. Vepruan ato, në mënyrë të organizuar, por edhe aty ku e lypte nevoja. Me formimin e organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, në kuadrin e saj, në komitete komunale të NDSH-es, si formë organizimi, u aplikuan edhe komitetet e grave të NDSH-së, që vepronin kryesisht me gra, ndonëse ato vepronin edhe në forma të tjera, ngase në disa pjesë të Kosovës organizimi i tyre nuk ishte edhe aq i mundshëm.

Sipas shumë shënimeve që kemi, në shumë pjesë të Kosovës nuk kishte ndonjë organizim të veçantë të grave. Por, duke hulumtuar në terren, del se gratë e këtyre anëve, ku mungonte organizimi, më tepër vepronin në kuadër të NDSH-së, por aktiviteti më i madh i tyre vije në shprehje në prapaskenat e veprimtarisë së NDSH-së, duke iu ndihmuar burrave në mënyra të ndryshme.

Situata e krijuar si brenda ashtu edhe jashtë kufijve ndikoi që organizata e NDSH-së të mbante tri kongrese partiake brenda një viti. Kongresi V, u thirr të mbahet më 25 korrik 1946 në malet e Lipovicës (Blinajë), në Drenicë, por për të humbur gjurmë nga organet e sigurimit jugosllav lajmërohet se do të mbahet në Kozmaç. Kjo taktikë nga ana e udhëheqësve  të ONDSH-së u tregua e suksesshme, sepse kongresi u  mbajt pa u zbuluar nga organet e ndjekjes. Në kongres merrnin pjesë mbi 250 delegat ndaj edhe ishte më masivi në historinë e NDSH-së.  Në kongresin e pestë kishte marr pjesë edhe Ismail Dragusha, andaj do të  ishte krejt e natyrshme dhe e drejtë se në kongres ka marr pjesë edhe Fetija trime, ngase ajo ishte e pandarë nga burri. Gjatë zhvillimeve të punimeve do të vijnë në kundërthënie dy rryma politike, të cilat artikulonin mënyrat specifike të luftës. Rryma e parë përfaqësohej nga Osman Bunjaku, i cili konsideronte se atdhetar është ai luftëtar që nuk e lëshon Kosovën, dhe këtu zhvillon luftën; ndërsa rrymën e dytë e përfaqësonte Ajet Gurguri i cili konsideronte se në vitet e pasluftës nuk kishte kushte për të zhvilluar luftën në atdhe, prandaj duhet përgatitur për luftë nga jashtë dhe më përkrahjen e forcave demokratike në mënyrë të organizuar të kthehen në atdhe për të vazhduar rezistencën aktive.

Fetija bashkë me burrin ishte në grupin e Ajert Gërgurit dhe Gjon Serreqit. Ismail Dragusha ishte komisar, dhe në rrugën për largim nga Kosova për Greqi, UDB-eja i përcillte hap pas hapi dhe kishte njohuri të mjaftueshme se kah do të shkonin luftëtaret. Më 1946, në muajin gusht, forcat e mëdha jugosllave i zunë pritën. Në Bilushë, afër Hoqës së qytetit të Prizrenit bënë rezistencë duke luftuar me udbashët. Aty u zhvillua një luftë e madhe, ku u vranë shumë atdhetar por edhe nga ana jugosllave mbetën shumë të vrarë. Këtu Fetija tregoi heroizëm të paparë duke luftuar bashkë me burra. Duhet përmendur se në të gjitha këto rrugëtime Fetija ishte shtatzënë dhe më vonë kishte lindur, por kjo gjendje e krijuar edhe më tepër i epte kurajë për të qëndruar dhe luftuar për vendin e vet.

Pas kësaj, grupet e rezistencës shpartallohen dhe Ismail Dragusha bashkë me gruan Fetije, gjatë vitit 1946/47 strehohen në Krojmir në shtëpinë e Xhemë Islamit. Aty, te kjo familje kishin besim dhe ndjeheshin të sigurt. Ata ishin informua se UDB-eja i përcillte, andaj ishin të detyruar që të ndërronin kohë pas kohe vendstrehimin e tyre. Në fund ishin strehuar në një plevicë të lagjes Tërpeza, të Ribarit të Madh. Familjen atdhetare tre anëtarësh e zënë në gjumë: Udbashët e çartur Ismail e Fetije Dragushën dhe fëmijën e tyre që nuk kishte më shumë se gjashtë muaj i therin me thika e bajoneta, më 1947, duke i mbytur dhe varrosur në një vend afër fshatit, “Te lisat”, në dalje të Ribarit të Madh, duke i humbur çdo gjurmë. Lavdi trimes shqiptare Fetije Kelmendit- Dragushës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok