Një ndarje tragjike për të cilën gjuha njerëzore mezi gjen fjalë
Nga Prof Blerim Latifi
Atë mëngjes të 12 prillit 1999, ushtarët serbë po ktheheshin edhe një herë në Prekaz. Katundi, i kthyer krejtësisht në gërmadhë, ende u dukej i pamposhtur. Një ditë më herët, një njësi ushtarake serbe kishte rënë në pritën e UÇK-së në rrugën Mitrovicë–Skenderaj, dhe tani ata po vinin për t’u hakmarrë.
Por, para se të hynin në katund, duhej ta bombardonin. Kështu filluan granatimet.
Ata pak njerëz që kishin mbetur mes rrënojave, kryesisht gra e fëmijë që nuk kishin mundur të largoheshin më herët, vrapuan të fshiheshin në bodrumet e shtëpive të shkatërruara.
Kur granatimet pushuan, këmbësoria serbe filloi depërtimin në katund.
Në lagjen e Bregajve, në një bodrum, ishin fshehur një grup grash dhe fëmijësh. Ushtarët që kaluan aty dëgjuan një zë fëmije. Menjëherë filluan të qëllonin drejt vendit nga erdhi zëri.
Plumbat e goditën në bark djaloshin 9-vjeçar, Sinanin.
Britmat e grave dhe fëmijëve arrinin deri në qiell. Nana e Sinanit nuk e lëshonte nga duart djalin e plagosur. Ai ende ishte gjallë dhe, mes dhimbjeve që po ia copëtonin trupin, i kërkonte ujë nanës.
Ushtarët hynë brenda. Kur panë Sinanin të gjakosur për vdekje, i urdhëruan të tjerët të dilnin jashtë. Nanës, që po e shtrëngonte fort për trupin e saj birin e plagosur, ia morën me forcë dhe dolën jashtë.
Këto ishin çastet e fundit të tyre bashkë.
Një ndarje mes britmave, lotëve, gjakut dhe dhimbje. Një ndarje tragjike për të cilën gjuha njerëzore mezi gjen fjalë.
Sinanin e plagosur rëndë e nisën drejt Mitrovicës, gjoja për mjekim. Por që nga ajo ditë, asgjë nuk u mor vesh për të. Emri i tij u shkrua në listat e personave të zhdukur.
Njëzet e shtatë vjet më pas, mbetjet e tij mortore u identifikuan në një varr pa shenja, në lagjen Suhodoll të Mitrovicës.
Të shtunën ai do të rivarroset në vendlindjen e tij, në Prekaz, në Luginën e Atavës, shumë afër vendit ku ndodhet varri legjendar i Prenk Kuçit, njeriut që shekuj më parë themeloi Prekazin.
Në atë luginë, Sinani i vogël kalonte çdo ditë për të shkuar në shkollë. Aty luante me shokët dhe ruante bagëtinë, pa e kuptuar se një ditë emri i tij do të bëhej shenjë e historisë dhe kujtesës së saj.
