16/04/2026

TRAGJEDIA “OTELLO” – SHEKSPIR

0
William-Shakespeare

Nga Prof. Xhelal Zejneli

Otello” është një nga katër tragjeditë e mëdha të tragjediografit dhe poetit anglez Uilliam Shekspir (William Shakespeare, 1564-1616). Është shkruar rreth vitit 1603. Është një nga veprat më të luajtura në teatrot botërore. Trajtohet tema e xhelozisë shkatërruese, e dashurisë, e tradhtisë, e racizmit dhe e manipulimitFlitet për pasigurinë, hakmarrjen dhe pendimin.

Titulli i plotë i kësaj tragjedie në pesë akte është: “Tragjedia e Otellos, Maurit të Venedikut” (The Tragedy of Othello, the Moor of Venice). Titulli i kësaj tragjedie haset edhe si “Otello, Arapi i Venedikut”.

Personazh kryesor është Otello. Është një gjeneral i fuqishëm maur (nga Afrika Veriore), në shërbim të Republikës së Venedikut. Edhe pse një ushtarak i zoti, ai bie viktimë e dilemave të veta. Antagonisti Jago konsiderohet si një nga personazhet më dashakëqij në letërsi. Ai e manipulon Otellon me mjeshtëri duke e bindur rrejshëm se bashkëshortja e tij, Desdemona, e tradhton. Viktima Dezdemona është bashkëshorte besnike dhe e pafajshme e Otellos. Ajo bëhet viktimë e xhelozisë së verbër të të shoqit E shkruar rreth vitit 1603, kjo vepër mbetet një nga katër tragjeditë e mëdha të Shekspirit.

Shënim: Titulli i tragjedisë në shqip haset edhe si “Otello” edhe si “Othello”.

Në botimet në shqip, emri i haset edhe si Desdemona por edhe si Dezdemona.

*   *   *

Historia e kësaj tragjedie fokusohet në rënien tragjike të Otellos. Jago, i shtyrë nga urrejtja dhe ambicia, krijon një intrigë të ndërlikuar duke përdorur një shami si “provë” të tradhtisë së Dezdemonës me oficerin e Otellos – Kazion. Tragjedia arrin kulmin me vrasjen e Dezdemonës nga Otello, i cili sapo zbulon të vërtetën e tmerrshme se Jago e kishte mashtruar, vret edhe veten.

Mendohet se është shkruar rreth viteve 1603-1604. Është bazuar në tregimin “Un Capitano Moro” (Kapiteni maur) të poetit dhe dramaturgut italian Cinzio (Giovan Battista Giraldi Cinzio; Ferrara, 12.11. 1504 – Ferrara, 30.12. 1573), ndjekës i shkrimtarit dhe poetit italian Xhovani Bokaço (Giovanni Boccaccio; Certaldo, Itali, 16.06.1313 – Certaldo, Itali, 21. 12.1375), të botuar në vitin 1565 në përmbledhjen “De gli Hecatommithi” (E Hekatomitëve) të shkruar sipas shembullit të “Dekameronit”

Akti i parë zhvillohet në Venedik, kurse aktet e tjera në një qytet portual të paidentifikuar në Qipro. Otelo është një gjeneral i famshëm i ushtrisë veneciane, Maur të cilit i besohet edhe administrimi i Qipros. Në fshehtësi, martohet me venedikasen e re Dezdemonën, e cila është dashuruar tek ai. Drama hapet me bisedën midis Jagos dhe Roderigos. Nga biseda e tyre mësojmë se Otelo, zëvendës të vet e ka caktuar Kasion (Cassio) dhe jo Jagon, i cili mendon se me shërbimin që kishte kryer e meritonte një gjë të tillë. Xheloz për sukseset e Otellos dhe për avancimin e Kasios, Jago me anë të intrigave ndikon që Otello të besojë se Dezdemona dhe Kasio (Cassio) janë dashnorë. Kjo shpie në një fund tragjik.

Shënim: Në vitin 1858, vdekjen e Dezdemonës e pikturon edhe piktori romantik francez Ezhen Delakrua (Ferdinand Victor Eugène Delacroix; Saint-Maurice, Francë, 26.04.1798 – Paris, 13.08.1863).

*   *   *

Përshkrimi i personazheve

Rolet kryesore të tragjedisë i luajnë Otelloja, Dezdemona dhe Jagoja.

Otelloja është një arap i Mauritanisë dhe gjeneral i Republikës së Venedikut. Ka lindur në një familje mbretërore. Ka shëtitur tërë botën dhe jetën e ka kaluar nëpër luftëra. Është trim, besnik, i ndershëm , i drejtë, i padjallëzuar dhe kryelartë. Por venedikasit e quanin të zi. E pranojnë në shtëpitë e tyre por kurrë s’e quajnë shok ngase është zezak. Bie në dashuri me Dezdemonën, të bijën e senatorit Brabant të kësaj republike. E rrëmben dhe martohet fshehurazi me të. Jagoja, nënoficer i Otellos, ia mbush mendjen se e shoqja e tradhton me një oficer të tij të quajtur Kasi. Otelloja e vret gruan në shtrat të. Kur mëson se ajo ishte e pafajshme, vret edhe veten.

Dezdemonën e përshkruajnë “si më të bardhin dhe më të ëmblin pëllumb që fluturon në këtë botë. E rritur mirë, muzikante e mbaruar, luan me delikatesë dhe me një elegancë aristokrate. Flet ëmbël dhe me mirësi, nikoqire dhe e zonja në gjilpërë, e qetë dhe e urtë. Të gjithë djemtë e Venedikut vdisnin për të, por ajo nuk ua kthen as syrin dhe nuk dëshiron të  martohet me asnjërin prej tyre.

Jagoja është intrigant, mollë grindjeje, i lig, shpirtzi, ziliqar dhe xheloz, djall në formë njeriu.

Personazhet:

– Otelo – prijës i famshëm ushtarak i zi në shërbim të Venedikut;

– Dezdemona – gruaja e Otellos, viktimë e intrigave, vajzë e Brabantit;

– Jago – një nga antagonistët më makiavelistë në letërsi i cili e mashtron Otellon

për ta bërë të besojë se Dezdemona e tradhton; flamurtar jobesnik i Otellos;

– Kasio (Cassio) – djalosh i hijshëm, i drejtë dhe toger besnik ndaj të zotit – Otellos;

– Bjanka (Bianca) – e dashura e Kasios (Cassio);

– Emilia – gruaja e Jagos;

– Brabanzio – senator i Venedikut, baba i Dezdemonës;

– Roderigo – venedikas me autoritet, i dashuruar te Dezdemona

– Dogj i Venedikut (zyrtar më i lartë i Venedikut)

– Graciano (Graziano) – vëlla i Brabantit;

– Ludoviko (Lodovico) – kushëriri i Brabantit

– Montano – guvernator i Qipros para Otellos;

– Bufoni – në shërbim të Otellos;

– Senatorë;

– Zotërinj;

– Oficerë, nëpunës, muzikantë, shërbëtorë etj.

*   *   *

Tragjedia “Otello” është shkruar dhe është interpretuar në vitin 1604. Është botuar për herë të parë në vitin 1622. Është marrë kryesisht nga tregimi i shkurtër “Un Capitano Moro” (Kapiteni maur) i botuar në përmbledhjen me tregime “De gli Hecatommithi” (1565) të poetit dhe dramaturgut italian Xhanbatista Xhiraldi Cinzio (Giambattista Giraldi Cinzio, 1504-1573). Flitet për histori dashurie, xhelozi dhe tradhti. Sidoqoftë, personazhet, temat dhe idetë e dy veprave janë shumë të ndryshme. Shekspiri jep një pasqyrë më të qëlluar të natyrës dhe të psikologjisë njerëzore. Për lexuesit modernë është interesant fakti se si Shekspiri i ka përshtatur këto histori duke i shndërruar rrëfimet e zhveshura në një dramë gjithëpërfshirëse. Shekspiri në veprat e veta, e sidomos në “Otello”  bëri analiza të ndryshme të sjelljeve njerëzore në situata të caktuara. Otello është tragjedi ku bie në sy kompleksiteti i marrëdhënieve ndër-personale, inteligjenca, manipulimi, naiviteti dhe impulsiviteti. Një nga devijimet kryesore nga burimi është motivimi për paraqitjen e personazhit Jago. Jago i Cinzios ishte i motivuar për hakmarrje kur Dezdemona refuzoi të kishte një lidhje me të, ndërsa motivimet e Jagos nuk janë aq të qarta si në versionin e Shekspirit. Për subjektet e dramave të veta Shekspiri ka përdorur edhe burime të tjera. Disa i mori nga historia (për shembull Makbeti bazohet në “Kronikat e Holinshedit të Anglisë, Skocisë dhe Irlandës (Holinshed’s Chronicles of England, Scotland, and Ireland) të historianit anglez Rafael Holinshed (Raphael Holinshed ; rreth vitit 1529 – 1580) si dhe në librat e historisë të kohës.

Shënim“Holinshed’s Chronicles” njihet edhe si “Holinshed’s Chronicles of England, Scotland, and Ireland (Kronikat e Holinshed të Anglisë, Skocisë dhe Irlandës) është vepër në te vëllime e historianit anglez Rafael Holinshed. Botimi i parë në vitin 1577, i dyti në vitin 1587. Pasqyron në mënyrë gjithëpërfshirëse historinë britanike.

*   *   *

“Otello” prek gjithashtu një problem të madh të Evropës së asaj kohe – përzierjen e fesë dhe të kulturës islame me qytetërimin perëndimor. “Otello” është shkruar vetëm një shekull pasi myslimanët u dëbuan nga Spanja si pjesë e Rekonkuistës. Origjina maure e Otellos dhe konvertimet fetare dhe kulturore të tij bëhen tema të dukshme armiqësie brenda dramës. Armiqësia midis Perëndimit dhe Lindjes vërehet edhe në konfliktin midis Venedikut dhe turqve. Venedikasit e krishterë duan ta mbrojnë krishterimin nga ndikimi i turqve myslimanë dhe për ironi, Otello maur dërgohet për ta përfunduar këtë mision. Ai bëhet personazhi kryesor   dhe më i popullarizuar zezak i letërsisë së hershme perëndimore.

“Otello” paraqet shembull kryesor të dramës aristoteliane*. Kemi një numër shumë të vogël personazhesh, si në asnjë vepër tjetër të Shekspirit. Ka pak shpërqendrime nga personazhi kryesor dhe përqendrohet vetëm në disa tema qendrore. Si e tillë, është një nga dramat më intensive të Shekspirit. Ka gëzuar popullaritet të madh që nga koha kur është shfaqur për herë të parë e deri në ditët e sotme.

ShënimDrama e Aristotelit, siç është përkufizuar në “Poetikën” e tij, është një formë e imitimit (mimezis) të veprimit serioz dhe gjithëpërfshirës që ngjall ndjenja keqardhjeje dhe frike (katharsis). Ai i vuri bazat e fabulës me fillim, mes dhe fund dhe përcaktoi gjashtë elementet kryesore: fabula, karakteri, ideja, shprehja gjuhësore, muzika dhe spektakli.

*   *   *

Personazhi i Jagos është një variant që haset në dramat e mëparshme të moralit. Ai shmanget nga ky model në mungesë të motivimit të qartë dhe portretizimit të tij si një personazh shumë i lig. Sidoqoftë, Jago është më pak një personazh dhe më tepër një komplotist i paqëndrueshëm. Në këtë kuptim, ai është një pasardhës i qartë i figurës së kudondodhur të “vesit”. Aftësitë dinake dhe manipuluese të Jagos dhe perceptimi pothuajse mbinatyror nënkuptojnë se ai është edhe një armik shumë i rrezikshëm, gjë që rënien e Otellos e bën edhe më të pashmangshme dhe tragjike.

Drama është përqendruar në dy njerëz që sfidojnë shoqërinë për të ndjekur zemrat e tyre. Për këtë arsye ajo ka fituar një popullaritet të madh.

Studiuesi i Shekspirit Uolltër Koen (Walter Cohen) thotë se “Otello” ka arritur një popullaritet të theksuar në kohë rebelimesh dhe trazirash të mëdha. Shfaqja ka qenë më popullore gjatë luftërave në Evropë kah mesi i shekullit XIX, rënies së Rusisë cariste dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore në Amerikë.

Këto rrethana nxorën në sipërfaqe fisnikërinë e tragjedisë dhe ngjallën dashurinë për Otellon dhe Dezdemonën. “Rënia” e tyre u konsiderua si tragjike dhe e paarsyeshme.

“Otello”, si të gjitha dramat e Shekspirit, është shkruar në kombinim të prozës (fjalimit) dhe poezisë (vargjeve). Kompozimi përbëhet nga të ashtuquajturat “vargje bosh” në të cilat nuk ka rimë dhe theksohet vetëm rrokja tjetër.

Objektiv i tragjedisë është komplot. Narratori flet në vetën e tretë. Vepra karakterizohet nga fjalime motivuese dhe dialogë të fortë. Kemi një komplot të unifikuar dhe një strukturë me pesë pjesë.

Pjesa e parë e shpjegon situatën. E njofton lexuesin me karakterin e personazheve kryesore. Pas kësaj fillon veprimi. Pjesa e dytë ka të bëjë me formën e veprimit dhe me zhvillimit. Veprimi vazhdon dhe shfaqen ndërlikimet. Pjesa e tretë ose kulmi çon në komplotin kryesor. Në këtë pjesë ndryshon drejtimi. Pjesa e katërt përfshin lëvizje të mëtejshme që në mënyrë të pashmangshme çojnë në pjesën e pestë në të cilën pasqyrohen krizat përfundimtare të veprimit, zbulimet dhe zgjidhjet.

*   *   *

Elementet e tragjedisë:

Gjinia letrare – dramë;

Lloji letrar – tragjedi në 5 akte e shkruar me kombinim proze (fjalimit) dhe poezie (vargjeve);

Vendi ku zhvillohet veprimi – në aktin e parë veprimi zhvillohet në Venedik, kurse në aktet e tjera veprimi zhvillohet në një qytet port të Qipros;

Koha kur zhvillohet veprimi 0 Veprimi zhvillohet në vitet 1489 – 1570;

Tema e tragjedisë  Flitet për dashurinë tragjike të Otellos dhe Dezdemonës. Otello është një gjeneral maur, zezak.  Xhelozia i shkakton Otellos pasiguri dhe reagim të tepruar. Në fund e çon edhe në  vrasje. Flitet edhe për manipulimet dhe veprimet e tjera të Jagos të cilat  nuk kanë një motiv të qartë;

Ideja e tragjedisë – Xhelozia është një obsesion që eklipson logjikën e shëndoshë dhe respektin për drejtësinë. Paragjykimi racor çon në shkatërrimin e individit dhe duhet të shmanget në mënyrë që të shmangen skenarët tragjikë. Prova e së vërtetës duhet të jetë vizuale. “Të vërtetosh” diçka do të thotë të hetosh deri në atë pikë sa të zbulosh natyrën e vërtetë të veprës. Ndërtimi i besimit në një martesë kërkon kohë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok