20/04/2024

Në shtëpinë e Mark Twain në Harford, Connecticut

0

Nga Keze Kozeta Zylo

Faleminderit Qemal, për këtë dhuratë që është nga ato lule të rralla që përhap aromën në shumë lëndina dhe nuk është thjesht një bizhu që ta var në qafë, sepse atë e heq para se të fle, por librin poshtë jastëkut nuk mundem kurrë…

Një popull që vlerëson shkrimtarët e vërtetë dhe një shtet që kujdeset për të ruajtur vlerësimin e popullit medoemos që jeton gjatë…

Vazhdoj të jetoj me atë emocion, të lexojë satirën e tij dhe të qesh pandalur edhe pasi e vizituam shtepinë e shkrimtarit, dhomat e punës, dhomat e tri vajzave të tij, jetën me bashkëshorten i cili për dashurinë thotë se:

Jeta është e shkurtër, thyeji rregullat…  Fal shumë shpejt, puth ngadalë.  Dashuro me shpirt.  Qesh pa kontrolluar, sepse kurrë nuk të vjen e keqja nga buzëqeshja.

Njeriu gjatë jetës ka ëndrra të ndryshme të parealizueshme, ëndrra që mund t’i realizojë me imagjinatë dhe ëndrra që në një ditë të bukur bëhen realitet.  Zakonisht këto lloj ëndrrash mund te ndodhin për të takuar njerezit botërorë që kanë lënë gjurmë, që kanë ndryshuar rrjedhën për mirë të historisë dhe të perfshirë në këtë rrjedhë të pandalur padyshim janë shkrimtarët dhe artistët që s’vdesin kurrë!…

Në një ditë të bukur dhjetori që mund ta ngatërroje me një ditë mbjelljesh pranverore shetitëm gjatë në disa qytetete të Connecticut me dy çifte miqsh të afërt artdashësish, por qëllimi kryesor ishte vizita në shtepinë e shkrimtarit, publicistit, eseistit, satiristit të famshëm botëror, Mark Twain në Hartford në kryeqytetin e Connecticut.   Gjithmonë i kam pritur me emocion vizitat nëpër muzetë e ndryshme, ngase kanë brenda historinë e një individi, të një populli apo të një bote të tërë, por vizita tek shkrimtari Mark Tuen do të më ngelet gjatë në kujtesë.  Takimi me “Tuen” se ç’kishte dicka që të futej në gjak dhe prej andej lufton që ta mbash gjatë, të fut në ëndërrime që edhe pse s’mund t’i realizosh ato bëhen aq të bukura sa dhe realet, përjeton artin e magjishëm të Tij që shkruajti aq bukur me majën e hollë të penës.  Vendndodhja e shtëpisë së tij në një kodër të bukur me bar të gjelbër dhe pemë, zogjtë në qiell që cicërinin dhe ketrushat në tokë që bënin balet përbënte një spektakël të vërtetë rreth këtij kompleksi muzeal.

Ciceronja amerikane, një vajzë simpatike dhe plot elegancë pasi hapi derën e shtëpisë me çelës e cila bëri një zhurmë sikur vinte nga thellësitë e shekujve, dhe çelësat i posedonin të gjithë ciceronët që shoqëronin grupet e ndryshme dhe pambarim na lajmëroi se nuk do të preknin asgjë brenda dhe nuk do të bënim foto, pasi shumica e sendeve, materialeve janë shumë të vjetra, origjinale dhe nuk duam që të thyhen, prishen, ndërsa për fotot jemi krejtësisht konservatorë e kemi për këtë muzeum, shtëpinë në të cilën ai jetoi dhe shkruajti.  Hyrja brenda në shtëpi të jepte një ndjesi gati mistike dhe të shenjtë, nën efektet e ngjyrës së kafes së errët të mobilimit, lartësitë e tavaneve me ngjyrat dhe figurat marramendëse, oxhaku që kishte dritare pasqyre nga ku lejonte të kishte lidhje me dhomën tjetër dhe të bënte shkrimtarin të shikonte oborrin, pemët etj ishte një lloj përshtatje  dhe bukuri arkitetktoriale që të ngjallte shumë kërshëri për mjediset e tjera.

Ciceronja e filloi me shpjegimin e emrit të Mark Tuen e cila tha se emri i tij ishte Samuel Clement, dhe para se të vinte në Hartford kishte punuar në avullore bashkë me timonierin e saj, dmth si ndihmës i tij.  Në libra dhe në shkrime përdori emrin Mark Twain në nderim të pilotit të avullores.  Fotot që kishte me bashkëshorten Olivian e cila vinte nga një familje e pasur, por liberale, edukimi i saj ishte 10 vjet më shumë se Twain,  dhe që iku para kohe më 1904, vajzat e tij aq simpatike si Susy e cila në vitin 1896 ndërroi jetë nga milingjiti, Jane më 1909 iku nga kjo bote pak më vone, lanë vragë të thellë në shpirtin e babait të tyre shkrimtar.  Ai e dashuronte jetën, familjen ndaj dhe thote: “Jeta është e shkurtër, thyeji rregullat…  Fal shumë shpejt, puth ngadalë.  Dashuro me shpirt.  Qesh pa kontrolluar, dhe kurrë nuk të vjen e keqja nga buzëqeshja”.

Vajza e dytë Clara rrojti gjatë ajo jetoi deri në vitin 1962.  Shkrimtari Tuen ishte gjallë kur dy vajzat e tij ikën përpara babait dhe doemos e çuan atë në depresion të thellë.

Dhomat e vajzave muret i kishin të veshura me figura kafshësh të ndryshme që Twain i donte aq shumë.  Në lidhje me dashurinë për kafshët ai thotë:  ”Eshtë kotësi e njeriut dhe pafytyrësi për ta thirrur kafshën memece sepse për këtë kjo është memecëri për perpectimet e tij të shurdhëra”.

Shumë intersant ishte fakti qe Mark Tuen ka qenë njeriu i parë në botë që ka pasur telefon të dhuruar nga miku i tij i ngushtë, shpikësi i telefonit Alexander Graham Bell, ndërkohë “sot” pas një shekulli e një dekadë të gjithë vizitorëve iu është thënë të fiknin celularet gjatë vizitës në shtëpinë e tij.  Mark Tuen nuk ishte vetëm njeriu i parë që përdori telefonin, por ishte dhe shkrimtari i parë që përdori përsosmërisht shtypshkronjën.  Edhe pse shtëpia dukej shumë lluksoze në pamje të parë, jetesa nga më lluksozet fëmijëria e tij kishte qenë tejet e vështirë çka e bëri atë të shkruante realitetin dhe ta ndihmonin në frymëzimin dhe mënyrën se si shkruajti libra.

Mobiljet e dhomës së gjumit i porositi në Itali dhe të ishin antike.  Në fakt kur ato erdhën në shtepi Tuen mori një specialist për t’i parë, e vërteta doli që ato ishin krejtësisht prodhim i ri dhe nuk ishin antike nga Italia.  Koka e krevatit ishte punuar mjaft bukur dhe m’u duk impresionuese ngase ishte e rrethuar me ëngjëj të shumtë, por ajo që do më bënte përshtypje ishte se jastëkët e krevatit i mbante tek këmbët, sepse i dukej sikur gjatë natës në gjumë do i shtypte ëngjëjt dhe ndërkohe s’do i mbronin ata dhe paranë e fituar.

Kati përdhes ishte guzhina që gatuanin shërbëtorët e tij dhe që shkrimtari i trajtonte aq mirë.  Ja: tha ciceronja të martuarit flinin në dhomat më lart, kurse beqarët vinin nga dera e jashtme që shikoni përballë.  Në një liber të tij ai kishte lënë përkushtimin që ja kushtone shërbyesit të tij me ngjyrë të zezë dhe që e respektonte aq shumë.  Tek guzhina më zuri syri dhe një llokan, çark për minjtë që e përdornin për t’i gjuajtur minjtë.

Në dhomën e tij që ishte dhoma e argëtimit dhe e qetësisë ishte dhe tavolina e lojës, dritaret kishin pamje në pika të ndryshme të qytetit, tek njera prej tyre dukej lumi.  Tavani ishte me piktura të ndryshme, veçanërisht dominonte cigarja, tymi i kalter i saj që dilte nga llulla që përdorte Tuen.  Në lidhje me cigaren ai ka thënë se:  Gjëja më e lehtë në botë është të leshë cigaren, e them këtë pasi e kam provuar mijëra herë.  Muri ishte në ngjyrë të kuqe, ngjyra më e preferuar e tij.  Në atë mori dhomash, kjo ishte e vetmja dhomë që ai kishte vënë dorën dhe shijen e vet.

Ne u larguam me librat e tij në mendje, librat më të bujshme si: Aventurat e Tom Sojerit, Aventura e Hakelberri Fin, Wilsoni kokëtrashë, Mosha e artë, Të pafajshëm në dhe të huaj, Princi dhe i varfëri,  e shumë të tjera, ku me të drejtë Heminguej në lidhje me librin “Aventura e Hakelberri Fin” do të shprehej se çdo roman modern amerikan e ka origjinën tek Hakelberri Fin.

Magjia e shkrimeve të Mark Tuen, arti i i mahnitshëm i ndërtimit të shtëpisë që është nje muezum i gjallë dhe që ruhet me aq kujdes, dekorimi dhe arkiva brenda shtëpisë të bëje ta ndjeje në çdo qelizë të trupit gjithçka që pame me sytë tanë në Harford.

“National Geographic” e ka cilësuar si nga 10 shtëpitë me të mira historike në botë.

Duke vizituar çdo dhomë nuk kishte se si të mos më shkonte mendja në Shqipërinë tonë të shumëvuajtur konkretisht në Tepelenë meqënse jam më konfidente për të folur, në qytetin tim të lindjes ku dikur është ulur kembëkryq shkrimtari i madh anglez me famë botërore Xhorxh Bajroni, më shkonte mendja se atje duhet te ngrihet nje monument për Bajronin, duhet te jetë muzeu brenda kalasë ku Bajronin e pritën me aq madhështi dhe ndere të mëdha Ali Pashe Tepelena dhe populli tepelenas, saqë ai u magjeps nga bujaria tepelenase.  Ndërkohë kemi dhe shkrimtarë të tjerë që kanë dhenë kontribut me shumë vlera në fushën e letrave si psh Fehmi Bej Mezhgoranin, firmëtarin e Pavarësisë, avokat në qeverinë e Ismail Vlores, publicist i shquar, botues i gazetës Zgjimi në Greqi ku publikoi 120 artikuj për Kombin.  Pse mos te ketë një shtëpi muzé për të, a nuk do të ishte shumë interesante për brezat që të mësojnë historinë reale të penave të ndritura të Kombit?  Dhe nuk e kam fjalën vetëm për ata që përmenda më lart, por dhe për të tjerë në vende të ndryshme që me zërin dhe penën e tyre kanë emancipuar dhe civilizuar shumë mendje njerëzore.

Një popull që vlerëson shkrimtarët e vërtetë dhe një shtet që kujdeset për të ruajtur vlerësimin e popullit medoemos që jeton gjatë…

Megjithatë unë e mendoja ngritjen e muzeumeve në vendin tone, nderimin e tyre, gjë që besoj se ndodh dhe me shumë miq të tjerë, por ndërkohë më bëhej sikur ndodhte siç ka thënë vetë Mark Tuen se: “Është e vërtetë që një herë në jetë, fati troket në jetën e çdo njeriu, por shume herë në këtë kohë, njeriu rri në pijetoren fqinje dhe nuk e dëgjon trokitjen e tij”.

Shpresoj që trokitja e tingullit që dëgjova kur ciceronja hapi derën për të hyre brenda në shtëpinë e Mark Tuen të jetë një tingull këmbane për pushtetarët që kanë në dorë paranë, por dhe për ne që e duam dhe e përjetojmë profesionalisht artin dhe letërsinë, harmonia e të dy palëve me siguri që sjell ndryshime cilësore.

Le të shpresojmë.  Mark Twain na frymëzon, le t’i zbatojmë.

Dhjetor

Hartford, Connecticut

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok