27/07/2024

Në atmosferën e 1 Qershorit

0

Mes fëmijëve, Vimmberb, Suedi, 2011

Nga Viron KONA

Prindërit duan që Bubulinoja të bëhet i famshëm

Bubulinoja gjashtëvjeçar, së bashku me të dy prindërit po shëtisnin nga parku i  liqenit. Ishte një ditë e bukur  marsi dhe sipërfaqja e liqenit shndriste nga rrezet  e  diellit. Tufa patash dhe rosash notonin qetësisht  dhe herë – herë kridheshin në ujë për të kërkuar ushqim. Zogj të shumtë fluturonin në ajrin e pastër, duke gjallëruar me cicërimat e tyre hapësirën mbi liqen dhe pyllin që po vishej me gjelbërim. Mes shkurreve shfaqeshin të freskëta, të verdha dhe plot aromë mimozat, lulet e para të pranverës. Vogëlushi shkëputej nga duart e të dy prindërve dhe vraponte andej-këndej si një zog i vogël, që i gëzohej natyrës, diellit, ajrit të pastër, gjelbërimit dhe flladit që frynte nga kodrat përreth.

Ndërkaq të dy prindërit bisedonin për vogëlushin e tyre të dashur dhe për të ardhmen e tij.

-Muaji mars që ka lindur biri ynë, – po i thoshte babi i Bubulinos bashkëshortes, – është jo vetëm muaji i ardhjes së pranverës dhe i përtëritjes së natyrës, por edhe muaji i lindjes së shumë njerëzve të mëdhenj e të famshëm.

-Marsi mua më bën më shumë të lumtur, sepse në këtë muaj ka lindur djali ynë, – tha mami i Bubulinos, duke i hedhur një vështrim plot dashuri vogëlushit çapkën, i cili ato çaste po vraponte pas një tufe fluturash.

-Edhe ti,  edhe unë e kemi marsin muaj të shënuar, – i tha babi i Bubulinos bashkëshortes, – por këto dita lexova në internet se ata që kanë lindur në këtë muaj, kanë disa karakteristika dhe cilësi të vyera

-M`i trego edhe mua, – i tha me kureshtje bashkëshortja.

-Po, ja, lexova se ata që kanë lindur në mars janë me kurajë, pa vese, të sinqertë dhe shumë të suksesshëm. Ata  janë origjinalë, kanë ide interesante, si dhe  aftësi krijuese për poezi dhe muzikë, por ata kanë dhe një imagjinatë të jashtëzakonshme, madje dikush shkruante se “muaji mars është muaji i ëndërrimtarëve dhe i heronjve”.

-Qenka interesant dhe fatndjellës marsi! – tha mami i Bubulinos e mikluar dhe vijoi: – Mua më duket se të gjitha cilësitë që ti burrë i dashur përmende, i shoh si në pasqyrë edhe te vogëlushi ynë. Ja shikoje, ka disa minuta që po vrapon pas fluturave dhe nuk u ndahet asnjë çast, duket sikur do që t`u bashkohet atyre në fluturim.

-Shikoje dhe vështrimin e  tij ëndërrimtar drejt zogjve që fluturojnë në qiellin e  kaltër apo ulen nëpër drurët e parkut, – tha babi i Bubulinos. – Duket se ai po dëgjon me vëmendje cicërimat e zogjve, mënyrën sesi ata komunikojnë me njëri-tjetrin! Shikoje sesi ai ndjek fluturimin e tyre të lirë. Kurse tani po qëndron pranë një dege mimoze me lule të verdha. Unë e di që mimozat  janë lulet e para të pranverës, por shprehin edhe liri, ndjeshmëri, bukuri dhe gëzim, cilësi këto që harmonizohen me cilësitë e vyera të vogëlushit tonë. Ja, tashmë ai po i vëren ato lule si një studiues i vërtetë, si të ishte vetë “princi i botanistëve”, Karl Lineu.

-Ke të drejtë, – i tha mami i Bubulinos, – pak minuta më parë, e vura re tek po ngrinte gjithë kujdes e delikatesë nga toka një filiz bime të shkelur nga këmba e ndonjë njeriu të pakujdesshëm, kurse këto çaste vogëlushi ynë po vëzhgon me interesim shkencëtari rosat dhe patat që kridhen në  thellësi të liqenit për të kapur peshq.

-Aman, aman, pa shiko me sa natyrshmëri po i afrohen dy qen të vegjël dhe një mace. Po i vijnë rrotull, si të duan t`i kërkojnë shoqëri, teksa ai tregohet kaq i butë, i dashur dhe miqësor, madje i gostit me biskota dhe i përkëdhel me kujdes e dashuri…

E dua akulloren aq të madhe, sa ajo të mos mbarohet asnjëherë

Mami dhe babi i Bubulinos bisedonin me entuziazëm dhe dashuri për vogëlushin e tyre, duke mos i ndarë për asnjë çast vështrimin dhe duke komentuar të ngazëllyer çdo veprim të tij. Në ato çaste, vogëlushi kishte përqendruar vështrimin te një kioskë lëvizëse, që e shtynte një burrë, i cili thërriste: Akullore! Blini akullore! Kemi akullore me krem karamele, me  luleshtrydhe, me krem kakao, me qershi, me ananas…Ndërkaq, shitësi me kioskën me akullore, ndaloi pranë tyre. Vogëlushi erdhi vrap te kioska dhe po shihte me lakmi akulloret.

-Bubulino, si e do akulloren? – e pyeti babi.

-Me luleshtrydhe, po të madhe, o ba!

-Akulloret njëlloj janë nga madhësia, – i tha mami duke bërë buzën në gaz.

-Unë e dua ndryshe, ajo të jetë aq të madhe, sa të ngjitem me shkallë deri lart dhe sado që unë të ha, ajo të mos mbarohet asnjëherë! – tha vogëlushi pa e hequr për asnjë çast shikimin  nga kupat e mëdha e të mbushura me akullore shumëngjyrëshe.

-Po mirë, o Bubulino, – deshi të bënte pakëz humor babai, – ta zëmë se ne e porositëm atë akullore aq të madhe,  por ajo nuk do të qëndrojë në këmbë, sepse  fundi i kaushit është i hollë dhe pjesa tjetër vjen duke u ngritur. Ai kaush aq i lartë, do të bjerë në tokë dhe ti do të mbetesh pa e ngrënë akulloren, – i tha babi duke qeshur.

Vogëlushi heshti vetëm një çast dhe i tha:

-Kaushin e madh me akullore do ta mbash ti, o ba, që ai të mos bjerë derisa unë të mbaroj të gjithë akulloren.

Babi, mami dhe shitësi qeshën dhe shumë shpejt vogëlushi nisi të lëpinte me qejf e kënaqësi dy akullore të mëdha, një me luleshtrydhe dhe tjetrën me kremkakao, ndërkohë që shoqëronte me vështrim kioskën e akulloreve.

-Dua edhe një akullore tjetër, por  me krem karamele, pastaj, o ba, një me qershi, pastaj…

-Do që të shëtisim, apo do që të qëndrojmë këtu tek akulloret? – vërejti mami. – Duket se ti, Bubulino ende nuk e di se ngrënia e shumë akulloreve të sëmur nga grykët dhe atëherë ne do të detyrohemi të shkojmë në ambulancën e lagjes të marrim mjekim.

-Mirë, sot nuk do të kërkoj akullore të tjera. Po këto që kam në duar do t`i ha, – tha vogëlushi duke vijuar të lëpijë, herë njërën akullore dhe herë tjetrën.

Prindërit duan që Bubulinoja të bëhet i famshëm

Ndërsa shëtisnin, babi  i tha Bubulinos:

-Ne po bisedojmë për ty dhe për të ardhmen tënde. Po i thosha mamit  se ti je me fat që ke lindur në muajin mars, pasi shumë njerëz  që kanë lindur në muajin mars, janë bërë të famshëm. Do që të dish emrat e disave prej tyre?

-Po, – tha vogëlushi.

-Në muajin mars, – u përgjigj babi i Bubulinos, –  ka lindur Ameriko Vespuçi, një lundërtar i famshëm, emrin e të cilit sot e mban Amerika. Ka lindur Juri Gagarini, i cili u bë njeriu i parë që udhëtoi në hapësirën përreth tokës me një satelit artificial. Në muajin mars ka lindur fizikani dhe shkencëtari i madh Albert Ajnshtajni, ka lindur skulptori me famë botërore Mikelanxhelo, ka lindur piktori  Vincent van Gog. -Në muajin mars, – vijoi mami, – kanë lindur edhe shkrimtarë dhe muzikantë të mëdhenj. Unë dhe babi, besojmë që edhe ty Bubulino të pëlqen të bëhesh si ata njerëz  të famshëm, por ti mund të bëhesh edhe  kozmonaut, që të fluturosh me raketë si Armstrongu, i cili është njeriu i parë që shkeli në Hënë. Apo të lundrosh me anije në dete dhe në oqeane si Kolombi dhe Magelani, të bëhesh piktor i famshëm si Leonardo da Vinçi, muzikant si Bethoveni, shkrimtar si Shekspiri, matematikan si Gausi, botanist si Lineu, bamirës si Nënë Tereza, futbollist si Maradona…

Mami dhe babi, herë njëri dhe herë tjetri,  përmendnin pareshtur emra njerëzish të famshëm, kurse Bubulinoja po u jepte fund akulloreve dhe vijonte të mos e hiqte vështrimin nga kioska, që tashmë po humbiste diku në fund të rrugës.

-Si thua Bubulino, ke dëshirë të bëhesh njeri i madh dhe i famshëm si ata që ne përmendëm?

Bubulinoja ka një dëshirë tjetër

Bubulinoja gëlltiti çfarë kishte mbetur nga dy akulloret, pa mamin dhe babin në sy dhe iu përgjigj:

-Unë kam një dëshirë tjetër, ta them apo të mos ta them?

-Thuaje, o bir, thuaje dëshirën tënde!  – e nxitën thuajse me një zë mami dhe babi.

-Unë e them, por e di që ju do të mërziteni kur ta dëgjoni.

-Ti thuaje njëherë dëshirën, Bubulino, thuaje, ne prandaj të pyetëm. Të dy prindërit po vrisnin mendjen të gjenin se ç ‘dëshirë fshihte në kokë  vogëlushi i tyre i shtrenjtë. Duket do kishte në mendje ndonjë emër tjetër të famshëm, që prindërit ende nuk e kishin përmendur. Ata  dinin plot raste që Bubulinoja kishte qenë befasues në përgjigjet e tij. Kujtuan se një ditë, një mik i familjes, duke dashur të dinte se sa i zoti ishte Bubulinoja në matematikë, e kishte pyetur: “Ta zëmë Bubulino se ti ke një kokërr mollë dhe atë ta mora unë, sa kokrra të mbetën ty?” Dhe, ndërsa miku i familjes dhe të gjithë në shtëpi prisnin me kureshtje përgjigjen e Bubulinos, ai e kishte parë mikun me sy të përshkënditur nga zemërimi dhe i kishte thënë: “Pse ma more mollën ti, ore!” Edhe në kopsht kishte ndodhur një episod i ngjashëm. Edukatorja kishte pyetur fëmijët për kuptimet që kishin emrat e shtatë ditëve të javës. Fëmijët ishin përgjigjur njëri pas tjetrit. Kur i kishte ardhur radha Bubulinos, edukatorja e kishte pyetur: “Bubulino, çfarë kuptimi kanë dita e shtunë dhe dita e diel?” Bubulinoja, ngaqë nuk e dinte përgjigjen, i kishte thënë: “Edukatore, e  shtuna dhe e diela janë pushim!”

Këto kujtonin të dy prindërit, pa ia ndarë vështrimin vogëlushit, por dhe vazhdonin të prisnin me kureshtje e ankth përgjigjen e tij. Ndërkohë Bubulinoja nisi të përgjigjej:

-Unë, dua  që të bëhem…

-Ambasador! – e ndërpreu babi i bindur se e gjeti përgjigjen përpara se vogëlushi ta shprehte.

-Jo, o ba, jo ambasador!

-Aktor i madh si Aleksandër Moisiu, – u hodh e tha mami dhe vijoi: -Më duket se e gjeta, Bubulino, apo jo?

-Jo, o ma, jo, nuk e gjete! – tha vogëlushi.

-E po na i thuaj atë përgjigje, o Bubulino, mos na mundo më, – i tha babi.

-Ju, mos më ndërprisni, më lini t’jua them, – u shpreh vogëlushi.

-Nuk të ndërpresim, por na e thuaj shpejt se na plase! – i tha babi.

-Shitës akulloresh! – u përgjigj shkurt Bubulinoja.

-Çfarë?! – sigurisht të dy prindërit nuk e dëgjuan mirë përgjigjen e vogëlushit. Apo jo?!

-Unë, o ma dhe ba, – përsëriti Bubulinoja, – dua që të bëhem shitës akulloresh.

Të dy prindërit kishin shtangur pa e besuar dot atë dëshirë, që po u dukej fare e pa vlerë dhe e çuditshme.

-Pse paske kaq shumë dëshirë të bëhesh shitës akulloresh? – e pyeti mami.

-E po, ky i përkëdheluri ynë do që të bëhet shitës akulloresh, sepse nuk do që të mësojë, – vërejti babi i mërzitur.

-Jo se s`dua të mësoj, o ba, por ju më pyetët dhe unë ju përgjigja se çfarë dëshiroja. Akulloret mua më pëlqejnë më shumë se çdo gjë tjetër. Në qoftë se  unë bëhem shitës akulloresh, mund të ha akullore sa të dua gjithë ditën dhe gjithë natën dhe nga të gjitha llojet. Edhe juve nuk do t`ju mërzit, duke ju kërkuar vazhdimisht të më blini akullore, por edhe do të kem miq gjithë kalamajtë e lagjes, madje do të jem i rëndësishëm përpara tyre. Gjithë ditën ata do të përmendin emrin tim: “Bubulinoja shet akullore të shkëlqyera!” “Po vjen Bubulinoja me akullore!” “Eh, sikur të ishim edhe ne si Bubulinoja!” Sa herë që fëmijët do të kujtojnë akulloret, do të përmendin emrin tim. Kështu, unë do të plotësoj, jo vetëm dëshirën time, por edhe dëshirën tuaj që të bëhem i famshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok