MUSLI DUMOSHI-PODVORICA-KY SHTET ËSHTË I HUAJ DHE KURRË NUK E PRANOJ PËR TIMIN, DO TA LUFTOJË DERI NË FUND TË JETËS

0

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1904-u likuidua nga OZN-a, më 21.3.1948)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Musli Dumoshi u lind me 1904 në fshatin Dumosh të Podujevës, nga babai Sadri Dumoshi, i cili edhe të parët e tij kishin luftua dhe ishin angazhuar për ruajtjen e kufijve etnik shqiptarë. Në kohën kur kishte ndodhur dëbimi i Shqiptarëve gjatë viteve 1877-1878 me dhunë të popullatës shqiptare nga zonat që iu bashkëngjiten Mbretërisë së Serbisë dhe Mbretërisë së Malit të Zi, në vitin 1878. Këto luftëra, së bashku me Luftën Ruso-Osmane (1877-1878) përfunduan me disfatën e Perandorisë Osmane. Si pasojë, Perandoria Osmane humbi territore te gjera bazuar ne vendimet e Kongresit të Berlinit. Mu në këtë kohë familja e Musli Dumoshit vinte nga Podvorica e Toplicës dhe vendoset në fshatin Dumosh të Podujevës. Kjo shpërngulje që kishte ndodhur në ato vite ishte bë me një të vetëm qëllim- largimin e popullsisë shqiptare nga këto rajone që të bënte pastrimin etnik të tyre. Kjo popullsi (refugjat) shqiptare e ikur nga Toplica dhe pasardhësit e tyre u bënë të njohur si Muhaxhirë, një term i përgjithshëm për refugjatët myslimanë që kishin ardhur në Kosovë e gjetiu. Ngjarjet e kësaj periudhe siç dihej më vonë gjeneruan shfaqjen e konfliktit serbo-shqiptar dhe marrëdhëniet e tensionuara midis të dy popujve që kishte për qëllim spastrimin e atyre viseve nga shqiptarët dhe të popullimit me popullsi sllave, përkatësisht serbe.

Sadri Dumoshi, duke e parë se djali i tij ishte i etur për dije, vendos që ta shkolloi. Por, pasi se shkollat ishin të pakta në Kosovë, e ato që  ekzistonin, ishin në gjuhën serbe. Megjithate ai vendos që ta dërgoi në mejtepin e Sibovcit, te Mulla Hajdar Kutleshi. Musliu pasi përfundon mejtepin në afat të caktuar, atë e dërgojnë që të vazhdoi shkollimin  në shkollën fillore në gjuhën serbe e që zgjati katër vite. Këtë shkollë e përfundoi gjithashtu me afat rekord, ku për shokë kishte edhe dy nxënës shqiptarë, ndërsa të tjerët ishin  serb. Musli Dumoshi pas përfundimit të kësaj shkolle, kishte lëshua shtat dhe ishte burrëruar. Në atë kohë si në shumë vite më të mëvonshme, shqiptaret e urrenin ushtrinë e huaj, andaj edhe bënin çmos vetëm e vetëm të mos shkonin në të. Një fat të tillë e pati edhe djaloshi nga Dumoshi, i cili vetëm për të mos shkua ushtar, babai e vendos që ta largojë nga Kosova duke e dërguar për shkollim në Stamboll. Atje Musliu i kishte vëllezërit e njerkës dhe mu nga ata gjeti përkrahje dhe u përshtat shumë mirë. U regjistrua në shkollën e mesme fetare-Medresen, të cilën e kreu me sukses shumë të mirë. Po ashtu, aty mësoi edhe gjuhën turke që e fliste dhe e shkruante pa asnjë problem.

Musliu në Stamboll qëndroi tri vite, dhe pasi e përfundoi shkollën u kthye në vendlindje për pushime. Në shtëpi e pritën familjarët, të cilët u gëzuan shumë. Ky gëzim nuk zgjati shumë, dikush kishte lajmërua tek pushtetarët okupator, dhe pas një kohe vijnë në shtëpinë e tij dhe e arrestojnë duke e detyruar me dhunë që të shkoi ushtar. Shërbimin ushtarak e kreu në qytetin e Suboticës, i cili i zgjati dy vite.

Musli Dumoshi gjatë tërë jetës ishte nisur nga një parim: “Çfarëdo pune që kryen, kryeje mirë”. Edhe pse ishte me një ushtri që nuk ishte e tija, ai me përkushtim i kryente të gjitha obligimet ushtarake. Gjatë shërbimit u dallua për perfeksionim dhe kujdes të jashtëzakonshëm gjatë obligimeve që bënte. Mu kjo ndikon që për punën e treguar, mori edhe gradën e dhjetarit. Kohën e lirë në ushtri e shfrytëzonte për mësime ushtarake, se ai për kah natyra ishte vizionar dhe mendonte, një ditë populli shqiptarë do e ketë ushtrinë e vet dhe do të kenë nevojë për ushtarak të mirë e profesionist. Përfundoi me sukses shumë kurse ushtarake.

Musli Dumoshi pas dy viteve  në shërbimin ushtarak kthehet në vendlindje. Por nuk vonon shumë përsëri Musliun e thërrasin që të paraqitet në komunë. Atij, nëpunësit serb me kujdesin më të madh i kishin lexua biografin dhe sukseset e treguara atje. Andaj kishin vendosur që përsëri ta angazhojnë diku ku kishte të bëjë me mbrojtje dhe siguri të përgjithshme të qytetarëve. I propozojnë që të punësohej si komandir i policisë në qytetin e Maqedonisë, në Shtip, diku në afërsi të Bullgarisë.  Musliu heziton të japi menjëherë përgjigje, dhe merr qëndrim që të konsultohet me babain. Pas bisedës që bënë me baba Sadriun, ai e miraton shkuarjen e tij në Shtip.  Musliu me rinin e pa rini dhe me lirin e pa liri, niset në Shtip dhe aty qëndron  deri me  fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Me fillimin e luftës, në Kosovë, në këtë pjesë të Llapit vendoset pushteti shqiptaro- gjerman,  dhe për shqiptaret fillon një etapë e favorshme  historike. Ai i ndikuar edhe nga qarqe përparimtare të kohës vendos të paraqitej në komunë  duke iu treguar për shkollimin e tij. Pas informatave që marrin nga ai, e emërojnë komandant të policisë, në fshatin Dumnicë e pastaj në Herticë. Si komandantë policie punoi edhe në Podujevë.

Musli Dumoshi kishte gradën e nëntogerit dhe ishte ushtarak i suksesshëm. Fjala e mirë për ushtarakun e ri ishte përhapur shpejt dhe një ditë në zyrë i troket edhe Xhafer Deva, duke e urdhëruar që ti grumbulloi rreth 400 ushtar- vullnetar dhe të nisën për Shqipëri për ta luftuar komunizmin shqiptaro serb. Në këtë mision ai merr me vete dy shokët e tij më të mirë: Hasan Seferin e Llapashticës dhe Kajtaz Zherovën. Nuk vonon shumë dhe Dumoshi kthehej në Podujevë, dhe për sukseset e treguara, Xhafer Deva e gradon me urdhër të Klasit të Parë. Musli Dumoshi edhe pse kishte pozita të ndryshme dhe me përgjegjësi, ai gjente kohë që të mbante kontakte të vazhdueshme me njerëzi më trima të kohës si: Gjon Serreqin, Ajet Gurgurin, Bahtir Dumnicën, Mulla Ramë Govorin, Ahmet Selacin, Azem Bellaqevcin e shumë veprimtarë të organizatave të ndryshme ilegale patriotike shqiptare.

Me mbarimin e Luftës Dytë Botërore,  Kosova e dërrmuar nga Pushteti i Administrimit ushtarak , do të arrij në Kuvendin e Prizrenit që u mbajt, me 8-10 korrik 1945, në qytetin e Prizrenit. Ky kuvend, duhet theksuar se nuk ishte as i pari, e, as i fundit i cili solli vendime, që Kosova të aneksohej nga Serbia e Jugosllavia. Aneksimi nga kjo njësi federale kishte filluar qysh më herët, ndërsa nga ky Kuvend, pushtetarët jugosllav kërkonin formalisht vetëm një “verdikt të popullit”. Në shkurt të vitit 1945, në KQ të Partisë Komuniste Jugosllave, u organizua një mbledhje, ku veç debateve tjera, u fol edhe për Kosovën dhe statusin e ardhshëm të saj. Nga e tërë kjo doli se zgjidhja më e mirë dhe më e drejtë ishte se, citoi: “Kosova e Metohija t’i bashkohen Shqipërisë, kurse Shqipëria të hyjë në federatën jugosllave, por, meqenëse rrethanat ndërkombëtare nuk ishin të favorshme për një hap të tillë, Kosova e Metohija duhet ti bashkohen Serbisë”. Kishte edhe aso propozime që Kosova ti takojë vetëm Malit të Zi, ngase kishin një “histori të ngjashme” dhe një mentalitet të përafërt me shqiptarët.

Në dokumentet e Kuvendit Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Serbisë, që u mbajt me 7-9 prill të vitit 1945, në Beograd, thuhej se nga Kosova merrnin pjesë si mysafirë: Dushan Mugosha dhe Mehmet Hoxha, të cilët në seancë, kishin diskutuar dhe sipas dokumentit thuhej se kishin shprehur “dëshirën” në emër të popullit të Kosovës, që “Kosova të jetë nën Serbinë federale”.  Nga këto diskutime që u bënë në Beograd, mund të konkludohet se Kosova iu bashkua Serbisë në mënyrë arbitrare, në bazë të diskutimeve që u bënë nga dy mysafir, e dihej se në bazë të dokumenteve, se Kosova dhe populli i saj, asnjëherë nuk diskutoi, nuk u pyet dhe nuk votoi që ajo të ngeli në kuadrin e Serbisë federale. Për të qenë “çdo gjë në rregull dhe e ligjshme”, Serbisë dhe Jugosllavisë iu nevojit edhe ana formale për të marrë “pëlqimin, e popullit në një Kuvend” sado formal që të jetë, meqë para opinionit të gjerë donte që ta justifikojë tradhtinë e menduar me aq dinakëri. Kjo gjendje e saj, u legjitimua më 10 korrik 1945, në Kuvendin, që në popull më tepër njihej si Kuvendi i Prizrenit. “Kuvendi i Prizrenit”, ishte një tubim i një trupi jo të zgjedhur nga populli, dhe në të morën pjesë 137 delegat dhe të ftuar të tjerë, nga të cilët vetëm 32 ishin shqiptar.

Sipas të dhënave thuhej se, rreth rezolutës dhe përmbajtjes së saj nuk u hap ndonjë debat. Shumë pak delegat diskutuan në mbledhje. Ata, që ishin dhe shprehen pakënaqësinë dhe kundërshtimin e bashkimit me Serbin, më vonë, patën pasoja të mëdha. Ata, u përcollën nga organet e OZN-es, e më vonë të UDB-së, u arrestuan, u dënuan me vite të shumta burgu. Bile, disa nga ata, edhe u likuiduan fizikisht.  Më 8-10 korrik 1945, Kosova edhe zyrtarisht do të aneksohej nga Serbia.

E tërë kjo që pasoi, ndikoi që forcat nacionaliste në Kosovë të reagojnë ashpër për vendimet që solli kuvendi në mënyrë arbitrare. Aneksimi i Kosovës nga Serbia, do të shohim më vonë se, ishte vetëm një pjesë e padrejtësive që u bëhej shqiptarëve në Jugosllavinë komuniste. Sepse, çështja e Kosovës nuk ishte krejt çështja shqiptare. Padrejtësia që i bëhej popullit shqiptar në Jugosllavi, e rëndonte edhe më tepër copëtimi i trevave, në të cilat, shqiptarët ishin popullatë e vetme apo shumicë dërmuese në tri republika jugosllave: si në Republikën e Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Kosova, jo vetëm që u shkëput nga trungu amë, por asaj iu shkoqën, jo, vetëm trevat e banuara kryekëput ose kryesisht me popullatën shqiptare në Maqedoninë Veri-Perëndimore dhe në Mal të Zi, por edhe Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, në të cilat shqiptarët ishin shumicë dërmuese.

Ato forca nacionaliste dhe ata patriotë, që kishin luftuar gjatë tërë kohës për një Shqipëri etnike, pas kësaj që ndodhi, vendosën që në mënyrë të organizuar, legalisht, por edhe ilegalisht të luftojnë dhe të veprojnë për bashkimin e tokave shqiptare. Ata u detyruan që të kërkonin përkrahjen, mbështetjen dhe bashkëpunimin e forcave demokratike në vendet perëndimore. Ilegalja shqiptare duke e parë se tokat shqiptare po rrëshqitnin në prehrin sllav, filluan organizimet për t’iu kundërvënë qëllimeve gllabëruese të tyre. U formuan shumë organizata patriotike shqiptare, e, që manifestoheshin sidomos pas vitit 1944 dhe në fillim të vitit 1945.

Pas aneksimit të Kosovës, për popullin shqiptar filloi një etapë e errët, një kalvar i vërtetë. Filluan përsëri masakrat masive mbi popullatën e pafajshme, dhe likuidoheshin patriotët dhe intelektualët e paktë.

Duke ditur se Musliu ndodhej në male, Selim Obraça e merr për sipër për ta dorëzuar tek pushteti dhe të kthehej në shtëpi. Ai-Selim merr përsipër për ktë të bisedoi me Qeda Topalloviqin. Topalloviqi pranon po vetëm me një kusht që Musliu paraprakisht ta njohë pushtetin komunistë. Me ti treguar Musliut kushtin, ai nuk pranon duke i thënë Selimit se” Ky shtet është i huaj dhe kurrë nuk e pranoj për timin, do ta luftojë deri në fund të jetës”, dhe pas kësaj  pushtetarët komunist e burgosin. Me të, burgoset edhe miku i tij Ajvaz Podvorica. Me këtë rast, Musliut i shqiptohet dënimi me vdekje- pushkatim, Ajvazit i shqiptohet dënimi me 15 vite burg të rëndë. Por fati, nga njëherë është mbreti i botës, Musliun nga pushkatimi i sigurt e shpëton roja e burgut- Avdullah Kutleshi duke e ndihmuar që të iki nga kulmi i burgut. Pasi, Musli Dumoshi pati sukses që të ik nga burgu, ai vendoset në fshatin Kaqubek, dhe strehohet tek nipi, dhe nga aty i dërgon fjalë gruas që ti sjell rrobat dhe orën.

Musliu, këtu u frikonte se do e kërkonte policia, andaj largohet duke u strehuar tek motra e tij  në fshatin Batllavë, tek Sheqë Boshnjakut. Sheqa i gëzohet ardhjes së tij e Musliu e lut Ahmetin që ti siguroi një pushkë deri sa ta bëjë të vetën, e atë do ia kthej. Ahmeti pranon. Musliu me pushkën e mikut del në mal dhe së shpejti i ndodhë një përleshje me dy ushtarë të “Mbrojtjes Popullore”, të cilët i vranë  dhe iu merr armatimin dhe pasi armatoset, mikut ia kthen pushkën, të cilën ia kishte huazuar. Musliu ishte i vetëdijshëm se po i ngushtohej rrethi, andaj shokëve iu propozon që të dalin në Shqipëri.  Në këtë rrugë me Musliun nisën edhe atdhetaret Aziz Zhilivoda dhe Sherif Tërstena. Por rruga për Shqipëri ishte me plotë të papritura, atyre iu ndodh një përleshje me forcat e OZN-es. Pastaj duke ecur drejt kufirit, në atë pjesë malore e përfshin një mjegull e dendur sa nuk dukej asgjë. Atdhetaret e lodhur ecin e ecin, dhe në fund mendojnë se kishin kalua kufirin, por ja, ata përsëri ishin në Kosovë.

Pas këtij dështimi, grupi ndahet. Musliu përsëri kthehej në vendlindje dhe këtu i bashkohen edhe Zymeri i Tafë Shajkovci. Në ndërkohë, Azem Bellaqevci, zbulohet nga organet e ndjekjes dhe arratiset në mal. Në ndërkohë merr vesh se Musli Dumoshi po jeton në një bunker në fshatin Shajkovc, në familjen e Babatincëve. Aty takohen Azemi me Musliun dhe nga ai moment ata jetojnë maleve, duke rezistuar kurdo që haseshin në pengesa dhe natën strehoheshin në bunker. Pushteti e përcillte Musli Dumoshin dhe Azem Bellaçevcin në çdo hap. Por assesi që ti arrestonte. Andaj ata bënë një plan: ti arrestojnë të gjithë anëtarët e familjes së Musliu. I arrestuan gratë, fëmijët dhe të moshuarit në shtëpinë e Ramadan Podvoricës. Burrat i kishin burgosur në odë, të cilët i malltretojn brutalisht ushtria dhe policia e  Milija Kovaqeviqi, kriminel i njohur serb. Ai me dhunë e dërgon vëllain e Musli Dumoshit- Sejdi Podvoricën, te bunkeri i Musliut dhe Azemit me porosi, që këta duhej të dorëzoheshin tek organet e shtetit. Musliu dhe Azemi edhe pse e dinin çfarë po ndodhë me familjaret e tyre, nuk paranojën që të dorëzohen. Malltretimet edhe më tej vazhdonin ndaj familjarëve të tyre. Ata , Musliu e Azemi erdhën në përfundim se në Shajkovc qëndrimi i mëtejmë ishte i pamundur, atëherë Musliu propozon për me u strehua tek një shok i tij, në Prapashticë, tek Maliq Kallapaku. Vëllai i Maliqit,( R. K.) ishte aktivist i SKOJ-it, dhe posa vendosen këta të dy në familjen e Maliqit, lajmëron OZN-en. Musli Dumoshi-Podvorica dhe Azem Bellaçevci-Jashanica, duke qenë të bindur se besa shqiptare është virtyt i shenjtë i popullit tonë para se të ulën për të ngrënë bukë në sofër lirohen nga armët. OZN-a, posa këta strehohen aty, ajo bënë planin: Ata dy, duhet zënë me tradhti, dhe kështu u veprua. “Miku” i ofron mikpritjen dhe si e donte rendi, iu shtron sofrën me ushqime, ndërsa pushkët iu largojnë duke iu thënë se këtu janë të sigurt. Dhe, posa fillojnë të darkojnë ata lidhën dhe punëtorët e OZN-s kryen punën e vet. Me disa rafalë i pushkatojnë trimat e atdheut Musli Dumoshin dhe Azem Bellaqevcin.

Pas pushkatimit, që ndodhi më 21 mars 1948, Musli Dumoshit oznashet ia marrin kufomën, siç e kishin bërë zakon në atë kohë, kufomën e tij e ekspozojnë në Podujevë duke i detyruar shqiptaret që të shohin të vrarë e dërmuar nga plumbat e shumtë. Pas kësaj pushtetarët urdhëruan që kufomën e tij ta dërgojn diku larg dhe të humbin çdo gjurmë të tij. Por, Rashit Hoxha s bashku me Hetem Podvoricën, Shahin Podvoricën, Behë Hysenin, nip nga Batllava nuk lejojnë një gjë të tillë. Ata i përcjellin oznashët dhe kufomën e Musliut, pasi largohen ata, fshehtas e varrosin Musliun në një fushë të Obrançës, duke e kufizuar varrin me gur që mos ta zhdukin vitet. Pas 60 vitesh, djali i tij, Osman Dumoshi e zhvarros babain e vet dhe e rivarrosin në fshatin ku kishte lindur, në Dumoshin e tij të dashur të Podujevës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok