14/12/2024

MEHMET GRADICA- TRIMI QË U KTHYE NË LEGJENDË PËR MBROJTJEN E TOKAVE SHQIPTARE

0
Mehmet-Gradica

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1913- u likuidua më 21 shkurt 1945)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Trimi i madh, Mehmet Gradica u lind më 1913 në fshatin Gradicë të Drenicës, nga babai Isuf e nëna Qamë Berisha nga Gllanasella e Drenicës. Gjyshi i tij Lec Gradica në kohën e Azem Bejtës, i kishte bërë rezistencë të madhe regjimit serb dhe ishte vrarë trimërisht në Çiçavicë. Mehmeti u rrit në një familje të varfër ekonomikisht, por të pasur me burrëri, e virtyte të larta njerëzore e atdhetare. Qysh si fëmijë ishte i zgjuar dhe në çdo hap të jetës vërehej burrëria e trimëria ndaj të padrejtës dhe robërisë. Në familjen e tij të ngusht kishte një vëlla më të madh- Ukën dhe motrën më të vogël-Shehiden. Me ata ishte shumë i afërt dhe i donte tej mase, sidomos motrën e vogël, për të cilën tregonte një afërsi dhe dashuri më të madhe, ngase iu duktë se femrat nuk respektoheshin ashtu siç e meritojnë. Edhe pse babai ishte i pashkolluar, ai donte që fëmijët e tij të din shkrim lexim, andaj Mehmeti posa i mbushi shtat vjet e dërgoi në shkollën e fshatit- Dobrashec, jo larg Gradicës. Edhe pse mësimi bëhej në gjuhën serbe i vogli Mehmet e donte mësimin. Si shtatëvjeçar që ishte, në mësime u tregua i shkëlqyeshëm. Duke i parë në shkollë padrejtësitë, ai edhe si fëmijë reagonte, andaj e përjashtuan nga shkolla.

Sbashku me vitet e Mehmetit rritej edhe urrejtja, ndaj okupuesit. Duke e parë pakënaqësinë dhe urrejtjen e tij, në moshën 15 vjeçare forcat serbe e burgosin në burgun e Mitrovicës. Nga aty ik, duke e thyer derën e burgut dhe që nga ajo kohë ai jetonte ilegalisht dhe pas një kohe kaloi në Shqipëri. Në qytetin e Tiranës, vazhdon dhe përfundon shkollën e mesme ushtarake dhe merr gradën e nëntogerit. Atje gjatë studimeve u njoh me shumë patriot të tjerë që po ashtu ishin strehua në Shqipëri. U njoh me Alush Smajlin, Aziz Zhilivodën, Banush Sedllarin e shumë të tjerë. Ai me takimet e shpeshta dhe bisedat e gjata që bënin për fatin e shqiptarëve në përgjithësi dhe të ardhmen e Kosovës në veçanti, kthehej në vendlindje dhe ishte i brumosur me një atdhedashuri të paskajshme për vendin e tij.

Më fillimin e luftës së Dytë Botërore, më 1941 kthehej në Kosovë, në Drenicën e tij të dashur. Kur Gjermania sulmoi Jugosllavinë, më 6 prill 1941, Mehmet Gradica me njëzet e pesë luftëtarë kthehet në Kosovë me gradën e nëntogerit. Ata në fillim vendosen në Samadrexhë të Vushtrrisë. Dhe mu në këtë kohë ai iu kundërvihet forcave çetnike serbe që kishin filluar të depërtonin nga Kollashini , Merdari e Shala e Bajgorës. Pas dy ditësh sulmojnë burgun e Vushtrrisë, ku serboçetnikët po mbanin mbyllur shumë shqiptarë. Dhe, vetëm pas dy ditësh, u shkon në ndihmë artakollasve për sprapsjen e çetnikëve të Kaliçaninit.

Duhet përmendur sidomos një reagim të shpejt që kishte ndërmarrë ndaj një treni që kishte ardhur plot me forca çetnike në fshatin Prelluzhë, me qëllim që të bënte masakra në fshatrat rrëzë Çiçavicës, si në Bivolak, Strofc, Beçuk, Zhilivod, Sibofc, Mihaliq, Dërvar, Shipitull dhe Grabovc. Por çetniket nuk e lënë me kaq, të zhgënjyer e të dëshpëruar nga humbjet, vazhdojnë ardhjen e tyre me një tren tjetër të mbushur me çetnik të tjerë. Mehmet Gradica ishte një strateg i mirë i luftës dhe një organizator i shkolluar për raste të këtilla, dhe ai pa hezituar fare grumbullon fshataret e kësaj ane  duke i përgatitur mirë me armatimin që kishin, edhe këtë tren e dëbojnë, duke lënë pas humbje të mëdha. Nga ky moment, Mehmet Gradica nuk lejoi kurrë më, për së gjalli, që në tokat e Drenicës të bëjën masakra mbi popullin e kësaj ane. Pasi se Kosova gjatë luftës u nda në tri zona, këtë pjesë të Kosovës e morën Gjermanet. Mehmet Gradica pasi se kishte thirrjen e togerit e caktojnë që të merr detyrën e shefit të Xhandarmërisë. Pasi se ai njihej për organizim dhe si strateg i luftës, atë e thërrasin që të marri pjesë me regjimentin e Xhafer Devës, për të bërë rezistencë kundër depërtimit të komunistëve në Shqipëri.

Pasi kthehej nga Shqipëria, emërohet shef i xhandarmërisë në Skenderaj dhe në këtë detyrë qëndron deri në kapitullimin e Gjermanisë. Më 1941, Mehmet Gradica në vitin 1943 mori gradën e togerit, duke iu përgjigjur ftesës dhe inkuadrohet në regjimentin e Xhafer Devës. Përfundimi i LDB-së, Gradicën e gjene në ilegalitet dhe më vonë formon një grup të rezistencës kundër çetnikëve dhe partizanëve- komunist.

Më 16 shtator 1943, ishte formua organizata patriotike Lidhja e Dytë e Prizrenit, e cila ishte organizata më e rëndësishme politike-ushtarake në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare. Ajo u organizua sipas shembullit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ( 1878), dhe u angazhua deri në fund për çlirimin dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të përbashkët. Me formimin e saj mbrojtja e shqiptarëve ishte më e organizuar. Duhet theksuar se shumica e popullsisë shqiptare e përkrahu Lidhjen e Dytë të Prizrenit dhe vendimet e saja që i mori Komiteti Qendror i saj. Lidhja e Dyte e Prizrenit në mënyrë të veçantë u angazhua për organizimin e forcave mbrojtëse-ushtrisë dhe formacioneve vullnetare të saj. Kuvendi Themelues proklamoi bashkimin e Kosovës, Dibrës, Tetovës, Strugës, Ulqinit dhe Tuzit me Shqipërinë, si pjesë integrale të saj dhe kërkoi bashkimin me të, edhe të Qarkut të Mitrovicës që i takonte Zonës gjermane të pushtimit si dhe të Anamoravës. Këto vendime patën jehon në tërë Kosovën andaj edhe Mehmet Gradica me grupin e vet i kishte miratuar dhe përkrahur në tërësi.

Kur po ofronte për të mbaruar Lufta e Dytë Botërore, Mehmet Gradica i bashkohet Shaban Polluzhës, dhe brigadës së tij antikomuniste. Mehmet Gradica ishte kundër çdo lloji të komunizmit pa marr parasysh se çfarë ngjyrimi kishte. Shaban Polluzha ishte komandant i brigadës antikomuniste, ndërsa Gradica u caktua zëvendës komandant i tij. Ata ishin një binom i shkëlqyeshëm për luftë dhe rezistencë të pa kompromis kundër armikut. Ata bënë një luftë të përmasave të mëdha si në Drenicë po ashtu edhe në Shalë të Bajgorës. Lufta e Drenicës ishte një luftë për jetë a vdekje, dhe këta trima të papërsëritshëm u dalluan  për heroizmin e paparë kundër forcave çetnike e partizane. Ky binom i trimërisë, mblodhën luftëtarët, grumbulluan tërë forcat për tu bërë bashkë, ata, duhet thënë lirshëm, se me rezistencën e tyre të pa kompromise sfiduan historinë. Pasi u kthyen nga Podujeva, luftuan, qëndruan, përballuan në çdo cep të kësaj ane pa iu trembur syri.

Më 17 shkurt 1945, fillon një lufte e rreptë me forcat e përqendruara të ushtrisë jugosllave. Mehmet Gradica dhe Shaban Polluzha, me rreth gjashtëdhjetë luftëtarë, ishin pozicionuar në tri kullat e Dvoranëve, në atë të  Hasan Sylës, Hajriz Dvoranit dhe të Zeqir Dvoranit, në Tërstenik. Nga luftëtarët e Drenicës dëgjohej kushtrimi: Liri a vdekje! Po në një moment nga forcat jugosllave, një gjyle e topit, kishte rënë mbi kulmin e kullës duke e shkatërruar kulmin e kullës, dhe duke i plagosur Shaban Polluzhën dhe Mehmet Gradicën. Mehmet Gradicës iu kishte këputur këmba nga granata. Megjithatë, trimi nuk jepej. Ashtu i plagosur rëndë kishte kaluar tre rrathë me mikun e tij Shaban Polluzhën, duke lënë shumë të vrarë e të plagosur mbrapa.

Mehmet Gradica vdes në afërsi të shkollës së Dobrashecit, i përcjell nga Isuf Gilani, Brahim Luta dhe Rexhep Gjeli. Mehmet Gradica gjatë gjithë kohës kishte qenë i shoqëruar nga miku i tij Xhemë Zeqiri, i cili, edhe në fund u kujdes për amanetin e tij që kufoma e atdhetarit assesi nuk guxon kurrë të bijë në duart e armikut. Miku i tij ia dërgon amanetin në vend duke e varrosur në vreshtat e  Brahim Lutës në Gllanasellë, në vendin e quajtur Makresh. Oznashët u munduan një kohë të gjatë që të gjenin trupin e patriotit por më kot. Andaj filluan të shtonin torturat tek popullata vendëse por askush asnjë fjalë nuk thoshte për vendin e varrosjes.

Pas një kohe, OZN-a e arreston edhe Isuf Gilanin, i cili ishte pjesëmarrës në varrimin e heroit. Oznashët kishin bërë mbi të, tortura të hatashme, duke kërkuar që të tregohet vendi se ku ishte varrosur Mehmet Gradica. Megjithatë edhe pse ishte torturuar e rrahur brutalisht, atij “nuk i kujtohet” vendi, por në ndërkohë e arrestojnë edhe mikun e Gradicës, Brahim Lutën, (i cili kishte marr pjesë në varrimin e tij). Edhe atë po ashtu, e kishin rrahur e malltretuar deri në alivani nga forcat jugosllave, dhe në ndërkohë gjendet vendi ku ishte varrosur trimi Mehmet Gradica. Pasi se e identifikojnë trimin, familjarëve iu epet leja që ta rivarrosin në varrezat e fshatit të tij në Gradicë.

Duhet thënë se, Mehmet Gradica gjatë luftës tregoi një heroizëm të paparë, duke luftuar me qeta të ndryshme çetnike e komuniste. Ai e urrente komunizmin dhe shpesh thoshte se komunizmi është  një s’mundje e cila sjell vetëm kob e fatkeqësi për shqiptarët. Andaj ai nuk ishte luftëtar që luftonte për ofiqe e pasuri. Ai ishte një shqiptarë i cili luftoi për lirinë e vendit dhe për bashkim gjithëkombëtarë, luftoi për një Shqipëri etnike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok