13/12/2024

“MALLKIMI” I FORCËS SË MUJIT

0
Ndue-Dedaj

(Varacion satirik)

NGA NDUE DEDAJ

Nëse në asgjë që ka të bëjë me qytetarinë europiane nuk kemi diçka për t’u shënuar, jemi ndërkohë kampionë të lëndimit të tjetrit, të dhunës gjithëfarëformshe, që shpesh shkon deri në hakmarrje. Thuhet se kështu janë ballkanasit, gjaknxehtë, që grindën për pak e pa shkak. Kjo sikur e zheh disi atë retorikën e epikën heroike, sado që ajo më së shumti është e lidhur me qendresën ndaj krajlive të huaja pushtuese e sunduese në viset ballkanike për shekuj e shekuj.

E kemi “mallkim” forcën që nga Muji i kreshnikëve, që ishte “çoban lopësh” dhe i tillë ka mbetur dhe sot që nuk është më kreshnik e nuk ka zana që t’i japin “tamël gjiu”.

Rapsodia e famshme thotë:

“A don forcë, Mujo, me qindrue?

A don luftë, Mujo, me luftue?

A don gja, Mujo, a don mall?

A don dije, Mujo, a don gjuhë?”

Edhe pse zanat e pyesin “a don dije… a don gjuhë”, Muji lyp veç forcë me rrah shokët, me ua kalue atyre, me i mund e me i koritë:

“Shpesh po m’ngucin çobanija,

Shum inad çobajt si më kanë,

Paj me forcë me jau kalue un due”.

Ja kështu përgjigjet Muji ynë legjendar, nuk don forcë me qendrue e as me luftue, nuk don gja e as don mall, nuk don me qenë i ditur, as njeri i gjuhës e i fjalës, i duhet veç forcë me “jau kalue” çobanëve të tjerë. Kot që qenkemi mburrur me Mujin, që e kemi kthyer në mit, ai paskësh pasur vetëm “kultin” e forcës, ani se në kohë duelesh kalorsiake apo barinjsh në male. Mbase kështu duhet shpjeguar Muji në shkolla, që zanat kanë bërë “gabim” të madh që i kanë dhënë forcë me u ndesh me shokët, se Muji e ka shpërdoruar dhuntinë e tyre gati hyjnore, ai mbasi ka rrah shokët, ka kthyer e ka vënë dorë si harbut bash mbi ato që i kanë dhënë forcë, zanat e malit…, përndryshe, ka dhunuar nënën, gruan, motrën, gjithë graninë e këtij dheu. Është treguar cub e shkuar cubit ai që ishte kreshniku i kreshnikëve, që mund të bënte gjithë ato trimëri e sojni në Lugjet e Verdha e kudo tjetër, si vëllau i tij Gjergj Elez Alia, që e përdori forcën për të shpëtuar nderin e së motrës dhe atdheun nga bajlozi i zi që kishte dalë prej detit.

Nuk duam asesi ta bëjmë “tokësor” Mujin, mbase mundja e shokëve ishte vetëm një çast dobësie e tij, por si t’ia bëjmë me këta “Mujit” e sotëm të shekullit XXI që kanë zbritur nga logu i bjeshkëve veriore e jugore e kanë hyrë në Kuvendin e Shqipërisë si burra trima, që mund të luajnë me duar dhe me gratë deputete… e poete!? Dy të tillë i pamë të mërkurën t’i hiqnin mikrofonin e t’i tresnin dosjet nga tavolina drejtueses së komisionit parlamentar të Edukimit dhe Medias, bash si Muji atëherë që nuk donte dije e gjuhë, por “grusht” me u rrah me shokët…

Grushti është simboli ynë i djeshëm në totalitarizëm dhe sot në demokraci. Edhe nëse në kohën e sotme nuk është më nëpër logo, është në dhjetëra qendrime e fjalime të liderëve politikë, është grusht dhe kur nuk duket, sespe kjo është psikologjia e mbartur nga udhëheqësia shqiptare, që në jemi të epërmit. Njihni ndonjë akt “rebelimi” të ndokujt nga ministrat, nën-ministrat apo kryebashkiakët ndaj shefave të tyre më të mëdhenj në këto dhjetë vjet? Asnjë për be! Nëse kjo do të kishte ndodhur, sot do të kishim më pak klientë nga radhët e qeverisë në SPAK, që kurrë nuk kanë qenë kaq të shumtë. E thënë shqip, sot qeverisët më gjuhën e forcës, të urdhërit të pakundërshtueshëm, bindjes së detyruar të vartësve ndaj eprorëve, ani se veprimet shpesh bien në kundërshtim me ligjin.

E si mund të ishte ndryshe në kohë moderne “mallkimi” i Mujit? E kemi prej tij dhunën. Ajo është kryetema e përhershme e ditës dhe e natës, sepse gjatë njëzet e katër orëve raportohen ngjarje të dhunshme, në rrugë, familje. Ne nuk bëjmë dot pa lënduar të tjerët fizikisht e psikologjikisht. Në një tokë të fortish asgjë nuk është normale, e qetë, e sigurtë. Përkundrazi është e frikshme. “Unë të sfidoj” është një shprehje politikanësh, por dhe e ndonjë gazetarje. Çfarë do të thotë unë të sfidoj? Që jam më i zoti se ti? Se e di iks gjë më mirë se ti. Po ku është dëgjuar kjo ndonjëherë në njerëzit e mendjes? A nuk është më e pakta bullizëm, bullizim i të tjerëve kjo lloj krenarie boshe? E kush e sfidoi kë, në këtë Shqipërinë tonë. Me ndonjë të vërtetë që nuk e dinë të tjerët? Me zbulimin e ndonjë “Uotërgejti” shqiptar?…

Ëh, “sindroma” e Mujit, me i mund shokët me çdo kusht e me çdo mënyrë, kundërshtarët politikë, ata brenda llojit, apo të profesionit!…

Ndjesë i papërsëritshmi, legjendari Mujo që të “trazova” paksa aty në guvën ku fle prej pesëqind vjetësh, po vetë e kishe lyp forcën atëhere, or mik!…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok