03/05/2024

KUR LUHET DHE PAS FILMAVE TË DIKURSHËM?…

0

Nga Visar Zhiti

Dom Gjergj Meta me maturi dhe përkujdesje dhe nostalgji të natyrshme solli një ndjesi, po dhe një qortim me të drejtë për digjitalizimin e një filmi tjetër të radhës të Realizmit Socialist…

Pashë dhe komentet. Dhe më kujtoi çështjen e ngritur herë pas here për atë arsenal filmash të mbetur nga diktatura që në duhen shfaqur ende apo duhen ndaluar?

Dhe më duket sikur flitet për një depo të rrezikshme me municion, ku ka armë aktive e bomba me sahat… Ndërkaq ẽshtẽ kaluar me kohë jo në demontimin e tyre, por në rikonstruktimin teknik, në ngazëllimet e kësaj arritjeje filmike si një “antiGërdec”, etj, etj.

Më ka mbetur në mendje si i vlefshëm radikalizmi i shkrimtarit Agron Tufa, që me guxim dhe forcë, edhe si drejtor i Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, shfaqte mos honepsjen ndaj atyre filmave si ndaj njẽ arti propagandizues dhe madhtrues, pra të dëmshëm. Dhe e kanë shoqëruar debate të shumta, me egërsi të kundërt.

Po kështu kujtoj që dhe shkrimtari Ardian Vehbiu, eseist dhe gjuhëtar, ka bërë zbërthime me vlerë dhe estetikë mbi këta lloj filmash me rastin e riparimit teknik të ndonjërit prej tyre me gërnetë të socrealizmit.

Dhe janë ringjallur debatet…

Ndërkaq më është dukur absurd hovi revolucionar për t’i dalë për zot këtyre lloj filmave pse ke luajtur një rol pozitiv në ta, dy apo dhjetë, qoftë dhe mirë, me talent, madje me talent të madh, kur tjetër gjë është interpretimi aktoresk dhe tjetër përmbajtja e filmave, ideologjizimi i skajshëm si qëllim i tyre parësor.

Duke mos qenë kritik filmi, as teknik i riparimeve të tyre, as ideolog propagandistik, etj, nuk i jap vetes të drejtën të hyj në debate profesionale, por si qytetar, që i ka pësuar ata filma,  me këtë dua të them se jam emocionuar prej tyre dhe më kanë diktuar një qendrim timin, qoftë dhe të heshtur, por në statusin e sotshëm të Imzot Gjergj Metës pata dëshirën të komentoj dhe unë, i nxitur dhe nga komentet e tjera.

Gjithsesi çështja e filmave të socrealizmit shqiptar më duket e pambyllur dhe e lënë pas dore si shumëçka me rëndësi.

Ndërhyrjen time ndërkaq unë po e sjell dhe këtu, nis thjeshtë me pyetje, që mund të jenë dhe përgjigjet e mia ndaj disa prej komenteve:

– Mos duhen bërë filma të tjerë?…

– Se nuk mund të ushqesh të sotmen, aq më tepër njẽ të ardhmen me gjellë të djeshme të prishur, madje helmuese, qoftë dhe duke i ndẽrruar pjatat me të reja…

– Se edhe kujtesa helmohet…

– Filmat e Realizmit Socialist nuk e kanë propaganden vetëm nga prapa, por edhe nga para, edhe në mes dhe janë realitet i shtrembëruar…

– Një i burgosur politik në Spaç i quante me humor të trishtë “filma tẽ rreno-socializmit”. Na i shfaqnin jo vetëm si propagandë, por dhe si mjet torture… etj, etj.

– A thua jemi popull që u mësua me të keqen e s’bën dot pa këtë drogë?…

– Etj, etj.

– Ta japësh historinë gabim, do të thotë se ke fshirë histori të vẽrtetë, pra histori…

– T’i vazhdosh ato, është si të vazhdodh krimin ideologjik, që paraprin…

– Nuk po them as t’i ndalojmë me zell e as t’i ndreqim me kaq përkushtim e t’i mbrojmë me fanatizëm…

– Po sikur me ato para e atë vullnet, por me mendësi tjetër të bëjmë filma të rinj? S’mjaftohet? Se ato kishin dhe diktaturën..

– Atëhere të paktën të mendojmë filma të rinj, të lirë! Kaq mund ta bëjmë…

Dhe këtu e ndërpreva komentin tim. Në botë ka dhe muzeume të filmit siç ka dhe të krimeve të nazifashizmit, edhe të komunizmit tani, ka dhe muzeume të torturës. Edhe aty mirëmbahen instrumentet e dhunës, por për t’i parë dhe kujtuar…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok