06/12/2024

KODI ETIK I FAQEBARDHËSISË

0
Mehmetali-Rexhepi2

Ese

Nga Mehmetali Rexhepi

Selatin Novosella, djali i tretë i Nënës Naile i ka shkruar Kujtimet e tij në katër vëllime, me titull “NGA KOHA NË KOHË”, në 1.560 faqe, të ilustruara me 463 dokumente, faksimile dhe fotografi. Autori, me një pedanteri për lakmi në Kujtimet e tij e ka paraqitur në mënyrë kronologjike, jetën e vet, jetën e familjes së tij dhe, veprimtaritë e shumë brezave të atdhetarëve, pjesë e të cilave ishin edhe anëtarët e familjes së madhe Novosella. Me vëmendje dhe përkushtim të veçantë, autori flet për nënën e tij, nënën Naile. Posaçërisht flet për nëntë burgosjet e tre djemve dhe nipit të nënës: dy burgosjet e djalit të dytë, Sabriut; katër burgosjet e djalit të tretë, Selatinit; dy burgosjet e djalit të katërt, Bedriut dhe një burgosje e nipit, Ilirit.

Këtu do të nënvizoj ngërthesën e uratat, porositë ose amanetet e nënës Naile, të cilat ia thotë djalit të dytë, Sabriut, më 8 qershor 1964; me rastin e burgosjes për herën e parë, së bashku edhe me Adem Demaçin dhe rreth 300 anëtarë të organizatës atdhetare Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve.

Për shumëçka që është thënë në Kujtimet e Selatin Novosellës dhe, që zbërthen kursin familjar të sprovimit, kuptohet si duhet qëndruar, duke pasur parasysh fjalët e nënës Naile, kur i drejtohet të birit të prangosur, Sabriut;

N‘dorë të Zotit djali jem dhe m`u kthefsh faqebardhë!

Varianti tjetër i uratës së nënës, pas dorëzimit të djalit në policinë e UDB-së (Shërbimi Shtetëror Jugosllav), në Prishtinë, më 8 qershor 1964, ajo i thotë të birit:

N`dorë t`Zotit, djali jem dhe banu burrë!

Në të dy tendosjet kulmore shpirtërore, në pritjet e nënës para policisë së pushtuesit, nuk shfaqet vaji, as britma, as gjëma, as kuja. Le t’i qasemi më shtruar kësaj rrethane psikologjike, për ta forcuar bindjen e pohuar të brumosjes kombëtare dhe morale të Nënës Naile dhe familjes së saj.

Si mund t`i zbërthejmë ndryshe uratat dhe përballjen emocionale të nënës shqiptare në të dy situatat?

Forca e stoicizmi, e qëndresës së nënës, ngërthehet në kodet e pashkruara etike porse funksionale, të akumuluara ndër shekuj!

Kodi i parë i uratës, përballjes së paepur, është Zoti. Po të donim ta përimtonim nëntekstin, do të hynim në përmbajtjen e ngërthesës.

Zoti është i Gjithë Fuqishëm, i Gjithë Mëshirshëm!

Ai na sheh dhe na drejton, na ruan dhe na shpëton nga e keqja, nga hasmi, nga të ligat…

Hasmi nuk ia ka dhënë shpirtin djalit tim, as mund t’ia marr, pos Zotit që ia ka dhënë atë, dhe vetëm Ai mund t’ia merr…

I qofshim falë Atij!

Kodi i dytë i uratës përshkohet nga trajta e fjalisë dëshirore: M`u kthefsh faqebardhë!

Në uratën e dytë: pos strehës shpirtërore, që është dora e Zotit, djalit, krijesës më të dashur të jetës, nëna ia dëshiron kthimin në vatër, veçse si faqebardhë! Ky është një kod etik jetik, tej hamendësimit të akëcilit karakter! Atë e ngërthente nëna Naile! Pikërisht në brendi të këtij kodi burojnë: guximi, qëndresa, durimi, burrëria, heroizmi, faqe-bardhësia, çiltërsia dhe sakrifica e karakterit, por karakter i sakrificës me faqe-bardhësi! Kushtëzim i fortë! Porse, pa këtë nuk përmbushet faqja e bardhë pa njolla të zeza! Është një veçanti kush e shqiptoi këtë kod me një kriter kaq të rreptë, pa dyshim sakrifikues? Sa herë që i arrestoheshin, me vrazhdësinë më armiqësore, djemtë veprimtarë kësaj nëne, këtë kod etik-epik e shqiptonte pikërisht kjo nënë! Sado që për natyrën e nënës pritej një përulje në dhimbjen amnore për djemtë… Porse, veçantia ishte mbjellë në ideale më të lartë se sa dhimbja amnore… Kjo veçanti ishte rritur e forcuar në karakterin stoik, heroik dhe pastërtinë etike të një nëne heroinë e tillë, sikurse ishte nëna Naile.

Ky është një parim i ngulitur brenda kodit të pashkruar, por të trashëguar.

E vetëdijshme për dhunën e shfrenuar të UDB-së, që do të përplasej mbi të birin, megjithatë, ajo birit i dëshiron të mos ligështohet, por nga ai kërkon pathyeshmëri: banu burrë! Pra, pa burrëri nuk ka atdhedashuri!

Kjo trajtë e shprehjes në mënyrë urdhërore dhe banu burrë, shfaq përtrollitje të kodit të vlerave të burrërisë, si njëri nga tiparet më karakteristike në traditën e vlerave njerëzore shqiptare. Pikërisht ky kod tradite i burrërisë e ruajti etninë nga zhbërja.

Sipas këtij diskursi, kush do ta shpëtojë kthimin “faqebardhë të djalit, në qoftë se jo burrëria dhe qëndrimi i tij burrëror?

Për këtë, një nënë e brumosur kësisoj, aq sa peshon dhimbja për djalin veprimtar të burgosur, po aq peshon vlera e tij e kthimit faqebardhë! I pa njollosur!

Në rastin e uratës së parë, në gjendje të tendosur dhe të turbulluar të shpirtit, të dhimbjes për djalin, situatave të këtilla të përballjes, shpalohen kodet etike, që ua zënë vendin dhe i përjashtojnë tronditjet, si ndjeshmëri personale, sepse pesha e trajtës dëshirore “m’u kthefsh faqebardhë” është përcaktuese dhe përfaqësuese e krejt një çështjeje madhore.

Faqja e bardhë, kthimi me faqe të bardhë, ngre flamurin e kodit të ngadhënjimit etik mbi antonimin e faqes së zezë. Filozofia e stoicizmit shqiptar e njerëzor është ngërthyer thellë në kodet etike të qenies së tij. Këto kode të forcës morale mbrujtën qëndresën, vazhdimësinë e identitetit, përmes frymës heroike, duke kapërcyer shekuj me radhë deri në të sotmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok