21/06/2024

KULTURA E TAKIMEVE…

0

– Për ata vatranë që duan të takohen dhe për ata vatranë që s’duan të takohen, miq të mi –

Nga Visar Zhiti

Takimet janë kulturë dhe duhet të jenë të kulturuara patjetër, më dobiprurëse se mostakimet, prandaj duhet punuar në këtë drejtim që të jenë të tilla, vërtet “vatër” bashkëpunimi dhe arritjesh të përbashkëta. Ndryshe s’ka pse…

Të zhvillojmë kulturën e takimeve, porosit dhe Papa Françesku.

Kultura e takimeve. Këtë do të doja t’u thosha vatranëve tani, miqve që duan një takim të ri me njëri-tjetrin sa më parë, sot dhe miqve që takimin nuk e duan sot, e mendojnë të nxituar, të panevojshëm, për herë tjetër…

Flas nga jashtë “Vatrës”, duke mos qenë anëtar i kësaj shoqate, Federatës Panshqiptare në SHBA, si një qytetar që i kërkohet një mendim, të thotë diçka tani, kur ka dhe moskuptime e përçarje, përjashtime e gjyqe si kurrë ndonjëherë.

Jam njëri nga ata që e do “Vatrën”, e ka vizituar dhe bashkëpunin dhe ka shumë miq ndër vatranët e saj, që i dëshiron mbarëvajtjen, kalimin e krizave, ringritjen në lartësinë e historisë së saj mbi një shekullore, e themeluar në të njëjtin vit me pavarësinë e Shqipërisë, madje para shpalljes, që mbart vlera të çmuara patriotike e kulturore e njerëzore që uron t’i çojë më tej e jo t’i humbë, të mbetet një Vatër e Hapur e shqiptarëve të Amerikës.

Do flas hapur dhe thjeshtë, aq sa më takon, me dorë në zemër, shqiptarçe. Ta nisim nga takimi sot, që s’e di në do mbahet a jo, sot a ditë tjetër, në “Vatër” a jashtë saj. Rëndësi ka tjetër gjë…

Duhet mbledhur, them unë, çdo grupim është i lirë, qoftë dhe për t’u gëzuar për atë që është bërë dhe sidomos kur është bërë mirë dhe patjetër për t’u shqetësuar për atë që s’është bërë dot dhe pse, sidomos kur është bërë keq dhe ç’të bëjmë për ta tejkaluar…

Takimet, pra, janë detyrë qytetare, veprimtari për grupimet e lira, që janë bashkuar me dëshirë si në një vatër të madhe, që i ngjan asaj familjare, ku i përbashkon prania me njëri-tjetrin dhe mirëkuptimi, një qëllim dhe një ideal.

Takimet duhet t’i shërbejnë vazhdimit dhe mbarëvajtjes, njohjes dhe më shumë të prurjeve dhe mosprurjeve, të njohjeve më thellë të çështjeve dhe përgjegjësive, që i janë vënë vetes për grupimin dhe grupimit për veten, kur është pranuar të bashkëveprohet për të mirën, progresin dhe risitë që na duhet të gjithëve ashtu si tradita. Me më besim te të rinjtë, të rritur dhe shkolluar në SHBA…

Mostakimet, qofshin dhe të pjesëshme dhe të rralla, ia heqin kuptimin dhe përmbajtjen Vatrës së përbashkët dhe, nëse duhet lënë për më vonë diçka, është mostakimi që duhet shtyrë dhe të afrohet takimi. Të mbledhurit bashkë për të parë gjendjen dhe analizuar për të ditur ç’është bërë e ç’do të bëhet sipas Kanunores së miratuar e jo shkeljeve të saj e as për të goditur anëtarë e pjesë të grupeve.

Takimi krijon besim në bashkëveprim, mostakimi është mënjanim dhe mosbesim, takimi sjell entuziazmin dhe sinergjinë e duhur, mostakimi përkundrazi sjell moskomunikimin dhe ndarjet, keqkuptimet, lënien e detyrave pas dore. Me takimet gjenden rrugët për të kaluar veshtirësitë dhe pengesat, kurse mostakimi krijon vështirësi dhe bëhet vetë pengesë.

Së bashku, sepse prandaj është pranuar për të qenë bashkë, etj, etj.

Biseda të tilla do të doja të thuheshin sot me seriozitet dhe dashamirësi, pa mërira dhe inate, se si çdo bashkëqytetar me vatranët e përkushtuar, edhe unë do të doja të dëgjoja për ringritjen dhe bashkëpunimin e hapur me njëri-tjetrin dhe me qytetarët e vendeve tona me SHBA-në dhe dy Shqipëritë siç do të thoshte poeti ynë Ali Podrimja, pra dhe me Kosovë e kudo ku ka shqiptarë, duke mbetur e pacënuar “Vatër Shqiptare në SHBA”, siç e themeluan të mëdhenjtë, krahë për krahë që në mbledhjen e parë: europiani Faik Konica dhe Imzot Fan Noli, me Kristo Floqin e Marko Adams e Paskal Aleksin, etj, që ideuan bashkimin e të gjitha shoqatave dhe krijuan “Diellin” e tyre, gazetën, që tani është më e vjetra e të gjitha gazetave të të gjitha diasporave në SHBA. Vepër të madhe, të mençur dhe sublime na lanë që është dhe identitet dhe integritet, kulturë forcë dhe frymëzim, por dhe detyrë.

Kështu u mbërrit deri në ditët tona. Natyrisht që pati kontradikta dhe konflikte e zemërata, por më të lartë pati idealet, qëllimin dhe punën, arritjet e shkëlqyera, historike. Kryetarët e saj me radhë dhanë nga vetja dhe mbetën emblematikë. Dua të veçoj këtu Profesor Arshi Pipën, që doli nga burgjet e Shqipërisë dhe u arratis nga diktatura e saj me librin e soneteve në gji, të shkruara në burg, erdhi në SHBA dhe drejtoi dhe “Vatrën”, po kështu dhe i arratisuri tjetër, poeti i përndjekur çam Bilal Xhaferri, që iu bashkua gazetës së saj. Ndërkaq dua të kujtoj me nderim dhe të arratisurin tjetër nga burgjet komuniste, Profesor Sami Repishtin.

Me të mbaruar Lufta II Botërore, i ikën regjimit komunist një plejadë patriotësh dhe ideatorësh të shquar, Frashërllinj, Luzaj, Agaj, Mirakaj, Dine, Markagjoni, Cakraj, etj, etj. Është një e kaluar e lavdishme, duket e paarritëshme. Por është dhe rrugë e shtruar dhe horizont dhe apel. Ka patur ngritjet e saj dhe uljet dhe na kujton shpesh atë që thoshte Konica i ndritur në një buzagaz shpotitës, që shqiptarët bëhen bashkë vetëm në valle. Po siç thotë dhe një filozof tjetër i kohëve tona, francesi Andrea Gluckman, që askush nuk ka të drejtë që të mirën e vet t’ua imponojë të tjerëve, por të gjithe bashkë duhet të mblidhemi dhe të themi se ç’është e keqe.

Kohërat, edhe kjo jona, kanë shqetësime, rreziqe dhe luftra, jo vetëm suksese e begati e gëzime. Ndarjet dhe moskuptimet na bëjnë keq, edhe sherret e mënjanimet, duhet të qenit bashkë dhe si identitet dhe gjuhë e njerëzishme, në mbrojtje të tyre dhe në përparimin e tyre. Ashtu siç na mbështet dhe siç prin Amerika, “Zëri…” i së cilës flet dhe shqip.

Që të jemi dorë për dore si në valle, siç thoshte Konica dikur, ta bëjmë punën të bukur dhe të gëzueshme si një valle. Edhe në biznes si në shkolla…

Ta rinisim që sot. Pra, ta duam “Vatrën” dhe ”Diellin” e saj! Të mbrohet ajo dhe nga ato mbrapshtitë që vijnë nga korrentet politike të Tiranës a nga e kaluara e saj e errët. “Dielli” dhe “Vatra” janë në SHBA, institucione me vlerë, moral dhe ndërgjegje dhe kulturë. nuk janë pronë e ndokujt, por e të gjithëve! Aq sa e atyre që ikën dhe e atyre që do të vijnë…

Chicago, Roselle, 14 tetor 2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok