09/11/2024

Familja shqiptare nga Leskoci që gjatë Luftës së Dytë Botërore e strehoi hebreun Ahim Kohen

0

Dr. Sc. Qazim Namani

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, IKMM, Prishtinë

qazimnamani@hotmail.com

Dr. Sc. Faik Sahiti

Gjimnazi “Zenel Hajdini” Gjilan

faiksahiti@yahoo.com

Abstrakt:

Në ketë punim trajtohet gjendja e popullatës hebraike në qytetin e Nishit e Leskocit gjatë Luftës së Dytë Botërore, roli dhe kontributi i shqiptarëve, ndjeshmëria e humaniteti, ndërlidhja e fatit të tyre, nga spastrime e gjenocidi serb, me përjetimet që kishin hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore. Në këtë kohë të fushatës kundër hebrenjve, familje shqiptare nga Leskoci, rrezikoi shumë për shpëtimin e një të riu hebre.

Pas pushtimit të Leskocit nga forcat gjermane, aleate besnik të gjermanëve u bë administrata e qeverisë së Nediçit, formacionet e çetnikëve, të mobilizuara nga Kosta Peçanci, aparati qeverisjes shtetërore, si dhe popullata serbe në përgjithësi, u mobilizuan në krah të forcave naziste gjermane për arrestimin e hebrenjve.

Popullata shqiptare që mbeti brenda kufijve të shtetit të Nedicit, duke e respektuar traditën dhe besën, ndjenjat e përjetimeve të ngjashme në vazhdimësi nga politika shtypëse serbe, si dhe me urdhrin e Xhafer Devës, u vu në shërbim të shpëtimit të hebrenjve të përndjekur nga ushtria gjermane dhe formacionet e çetnikëve.

Ahim Kohen ishte një i ri hebre i cili, gjatë kohës së arrestimeve dhe pushkatimit të hebrenjve në qytetin e Leskocit u strehua në familjen shqiptare të Sadik Mehmetit nga fshati Novosellë.

Ahimi edhe pse ishte i sapo martuar me një vajzë serbe, dhe axha i kësaj vajze ishte në pozita të larta ushtarake, besimin për të shpëtuar nga ndjekjet e gjeti, pikërisht aty ku shpresonte te familja shqiptare.

Sadiku për ta shpëtuar të riun hebre, me sfida të mëdha, e dërgojë në shtëpinë e tij, dhe pas një kohe e organizoj, depërtimin e këtij të riu në zonën italiane, në kufirin italo-bullgar.

Ky është një shembull për të treguar humanitetin, dhe virtytet e larta që treguan shqiptarët, për shpëtimin e hebrenjve.

Fjalë Kyçe: Lufta e Dytë Botërore, Sadik Mehmeti, Ahim Kohen, hebrenjtë, shqiptarët, gjermanët, antisemitizëm, serbët, kufiri, italianët, bullgarët.

Familja shqiptare nga Leskoci që gjatë Luftës së Dytë Botërore e strehoi hebreun Ahim Kohen

Historik i shkurtër për qytetin e Leskocit

Vendbanim me gjurmë nga parahistoria, resurse nëntokësore me hapësirat e luginave të begata, ndikuan që nga një vendbanim i hershëm të shndërrohet në qytet të zhvilluar që nga periudha e sundimit romak në iliri (shekulli I era jonë). Gjetjet arkeologjike në kodrën e Hisarit, e vendosur në buzë të luginës së Leskocit, ndërmjet lumenjve Jabllanicë dhe Veternicë, kanë dëshmuar një vazhdueshmëri  banimi  nga epoka e bronzit deri në shekullin e 19-të. Hisari shërbeu si vendbanim i fortifikuar për shumë shekuj, ashtu si pllaja përreth tij. Gjetje të tjera arkeologjike të lidhura me ilirët, trakët, dakët, romakët dhe keltët ndodhen kudo brenda rrethinave të Leskocit.

Pozicioni me rëndësi gjeostrategjike, nyje rrugore që mundësonin dalje në Adriatik, Mesdhe, Egje e Marmara, ishin atribute që këtij qyteti të mos i ulej vlera në asnjë periudhë historike. Pikëmbështetje e fuqishme e perandorit dardan Justinianit, e perandorëve tjerë bizantinë, ashtu si do bëhet pjesë e planeve të para të pushtimeve osmane më 1454 janë dëshmi të tjera për zhvillim në vazhdimësi. Qyteti sipas dëshmive të udhëpërshkruesve ishte i banuar me shumicë nga shqiptarët (deri në fund të dekadës së tetë të shekullit XIX), konkretisht deri në spastrimin etnik serb ndaj shqiptarëve më 1877/78.

Pas rënies së Plevnës dhe marshimit të ushtrisë ruse drejt Stambollit, forcat serbe depërtuan drejt Kosovës dhe arritën në Gjilan (janar 1878). Ushtria Malazeze okupoi Tivarin, Ulqinin dhe arriti deri në lumin Buna. Ushtria serbe dhe malazeze ushtruan terror ndaj shqiptarëve të viseve të okupuara. Andaj për të ndryshuar strukturën etnike të këtyre viseve gjatë dimrit 1877 – 1878, u dëbuan dhunshëm rreth 150.000 banorë nga 640 vendbanime nga sanxhaku i Nishit.

Luftërat ndërmjet forcave serbe dhe osmane zhvillohen kryesisht në viset e sanxhakut të Nishit, sidomos në pjesën jugperëndimore, që ishin të banuara me shumicë shqiptare (ku shtrihej Toplica, Pusta Reka, Jabllanica, viseve tjera të rrethinave të Leskocit, të Vrajës si dhe në qendra të tjera të sanxhakut në fjalë).

Situatë e njëjtë terrori e diskriminimi ndaj shqiptarëve mbizotëron edhe në periudhat tjera, para dhe gjatë Luftës së Parë Botërore. Atyre u mohohej liria e qarkullimit dhe e drejta e të shprehurit lirisht, ata nuk gëzonin të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare në jetën publike, as në shkollë, nuk lejohej veprimtaria për ngritjen e individualitetit kombëtar, as veprimtaria botuese në gjuhën shqipe. Kjo politikë shkombëtarizuese dhe shfarosëse ndaj popullit shqiptar vazhdoi gjatë 23 vjetëve të Mbretërisë Jugosllave. Madje zyrtarët serb pohonin hapur: “shqiptarët duhet të mbeten të gjithë të prapambetur, të pa emancipuar; ata nuk duhet të mësojnë as gjuhën zyrtare (serbishten), sepse kjo mund t’u ndihmojë në luftë kundër nesh. Është në interesin tonë që ata të mbeten edhe për nja njëzet vjet të tjera në të njëjtin nivel kulturor, kohë e nevojshme për ne që të realizojmë asimilimin e tyre kombëtar në këto zona”[1]. Sipas projektit të Vasa Çubrilloviqit, për zgjidhjen e “çështjes së arnautëve” duhet të përdoret forca brutale nga pushteti, dhe propozoheshin masa të tilla dhune, pos fizike edhe psikologjike. Pra shqiptarët ndonëse ishin të rrezikuar në masë ekstreme nga pushteti, gjejnë forma ndonëse nën masa shtetrrethimi të bandave çetnike të përziera me partizanë, të mos mbeten jashtë traditave dhe humanitet.

Gjatë viteve 1939-1940 organizata fashiste serbe “Zbor” që e drejtonte Lotici dhe përkrahej nga një pjesë e klerit serb i bëri listat për likuidimin e hebrenjve. Në vitin 1941 kjo organizatë e qarqeve gjermane ju dorëzoi listën e të gjithë hebrenjve që jetonin në Kosovë.[2]

Gjatë kapitullimit të Jugosllavisë në muajin prill të vitit 1941, Leskovci u pushtua nga gjermanët më 12 prill 1941. Në këtë periudhë qyteti udhëhiqej nga administrata e Nediqit. Në dhjetor të vitit 1941, në Leskoc u pushkatuan 310 qytetar të pafajshëm, në mesin e tyre 6 hebrenj. Ushtria gjermane u tërhoq nga Leskoci me 11 tetor të vitit 1944.[3]

Nga burimet e shkruara mësojmë se Johann georg Von Hahn, gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Leskocit, veprën e tij madhore në tri vëllime Albanesische Studien (Studime shqiptare), që u botua në vitin 1854, shkruan se në këtë qytet kishte 10 shtëpi hebraike.[4]

Mita Rakici, shkruan se gjatë kohës së luftës 1877/78, Leskoci kishte 29 shtëpi hebraike, me 157 banorë, prej tyre 75 meshkuj dhe 82 të gjinisë femërore. Sipas regjistrimit të vitit 1879,  në Leskoci jetonin 167 hebrenj, prej tyre 79 ishin meshkuj dhe 88 femra.[5]

Philip Cohen në librin e tij “Lufta sekrete e Serbisë, propaganda dhe falsifikimi i historisë” dokumenton pastrimin e të gjithë hebrenjve nga bashkëpunëtorët nazist të Serbisë, i cili shkruan se ishte kryetar i qeverisë së Serbisë gjenerali Milan Nedici i cili mburrej se Beogradi është kryeqyteti i parë evropian i pastruar nga hebrenjtë.[6]

Vojvoda Kosta Peçanci, nën patronimin e gjermaneve shkoi në Beograd, dhe e formoi shtabin e aradheve çetnike.[7]

Të gjithë komandantët gjerman me urdhër të Komandës së Lartë 65, u informuan për gatishmërinë e Kosta Peçancit, dhe çetnikëve të tij, se do ta pastrojnë territorin e kësaj zone prej komunistëve dhe kundërshtarëve tjerë të ushtrisë gjermane.[8]

Kosta Peçanci e pranoj detyrën, se do ti pastroj territoret prej Leskoci, Luginës së Ibrit, Kralevës, Rashkës dhe Raçës. Për këtë çështje më 17 shtator 1941, u informua edhe Shtabi i ushtrisë gjermane, Divizionit të Kosovës 717-të.[9]

Ndjenjat patriotike shqiptare, dashuria për atdheun, bashkimi kombëtar, jo vetëm që nuk u përfillën nga askush, për më tepër strukturat e PKJ – së i konsideruan si qëndrime “shqiptaro mëdha”. Nën presionin e fuqishëm të qarqeve serbe, çështja e Kosovës u mbyll në mënyrë të panatyrshme[10], me dhunë, përndjekje, burgosje e gjenocid nga fushatat e forcave çetnike[11] të konvertuara në partizanë.

Kosta Peçanci dhe çetnikët e tij, duke qenë të pakënaqur, me administratën e Acimovicit, ata e formuan qeverinë kuislinge në krye më gjeneral Milan Nedicin, të cilit ju besua detyra, që të punoj me forcat e armatosura gjermane, për likuidimin e partizanëve, kundërshtarëve tjerë,  dhe vendosjes së pushtetit të rregullt.[12]

Vojvoda Mashan Gjurovici, në një nga letrat që ja kishte dërguar Kosta Pecancit, lavdërohej se si i kishte depërtuar në kampin e qëndrimit në qytetin e Nishit, një grup prej 28 partizanësh. Milan Nedici në fillim të vitit 1942, e gradoi vojvodën Mashan Gjurovicin, duke i dhënë edhe gradën e kapitenit të klasit të dytë.[13]Nga këto burime tani më bëhet e qartë se të gjithë hebrenjtë e zonës së Nishit, Prokuples, Kushumlisë e Leskocit, të cilët u kapën nga grupet çetnike, u dërguan në kampin e Nishit e më pas në kampin e Sajmishtës, në Beograd.

Duke e parë se mbrojtja e hebrenjve ishte e vështirë një familje serbe që jetonte në Lëskoc, e strehoi dhëndrin e tij te një familje shqiptare që neë ato vite jetonte në Leskoc.

Në prill të vitit 1941, në Leskovc u krijua Komanda Rajonale, në varësi të Komandës Fushore 809, dhe një degë e BdSa-së funksionon që nga vera e këtij viti.

Si kudo, forcat gjermane, edhe pse kishin pushtet absolut ushtarak dhe civil, mbështeteshin te kuislingët, kryesisht në degën lokale të Policisë Speciale, xhandarmërinë, forcat e Loticit, formacionet e çetnikëve, dhe anëtarët e aparatit administrativ. Në zonën e Leskocit. mjaft aktiv ishin edhe vullnetarët e Kosta Peçanacit.[14]

Kosta Peçanci, rajonin e qytetit të Leskocit e njihte, mjaftë mirë, sepse ky kishte një përvojë të gjatë, të veprimeve në ato anë, që me çetën e tij, veproi për spastrimin e territorit dhe vrasjen e popullatës shqiptare, edhe para Luftës së Parë Botërore. Veprimet e tij barbare kundër popullatës shqiptare, por edhe komuniteteve tjera, nuk pushuan kurrë për tre dekada rresht.

Në fillim forcat e Nedicit dhe organizata e çetnikëve të Kosta Pecancit, filluan arrestimet dhe identifikimin e lagjeve të romëve dhe hebrenjve në qytet. Pas qetësimit të situatës, të paktën përkohësisht, më 9 dhjetor 1941, xhandarët bllokuan sërish lagjet e romëve, këtë herë Vinarcën dhe Peçenjevcin. Së bashku me gjermanët, ata kapën burra dhe i futën me forcë në kamionë. Të nesërmen, të gjithë u pushkatuan në vendin e quajtur Gavrina dolina, në malin Hisar, afër Leskovcit. Gjithsej 293 romë u vranë, së bashku me 11 serbë dhe 6 hebrenj.[15]

Në vitin 1942, pasi kampi u shpërtheu, gjermanët vranë të gjithë hebrenjtë e Nishit, mes tyre edhe hebrenj nga qytetet përreth, në periudhën ndërmjet 17 dhe 19 shkurtit në kodrën Bubanj. Asnjë nga ata që u arrestuan dhe u sollën në kamp nuk e pa fundin e luftës.[16]

Nga veprimet e formacioneve çetnike të Kosta Pecancit, Mashan Gjurovicit, administratës ushtarake të Nedicit dhe ushtrisë gjermane, hebrenjtë e arrestuar në Kushumli, Prokuple, Pirot, Leskoc, Vrajë, i dërguan në kampin e qytetit të Nishit. Në këtë kamp, u sollën edhe hebrenjtë të cilët arrestoheshin, në përpjekje për tu larguar drejt vendeve të lindjes. Duke e parë rrezikun dhe fushatën e arrestimeve dhe vrasjeve në Greqi, e sidomos në qytetin e Selanikut, për hebrenjtë e vetmja rrugë me e sigurt ishte depërtimi në drejtim të tokave shqiptare në Malësinë e Galabit.

Hebrenjtë e Nishit ishin ndër të parët që u vendosën në një ndërtesë kampi në kushte jashtëzakonisht çnjerëzore. Ata u burgosën edhe në kampin ” Kryqit të kuq” në Nish, u vranë në kodrën e Bubanjit ose u transferuan në kampin e Sajmishtës ku u mbytën me gaz.[17]

Kampi i Nishit u hap në shtator të vitit 1941 dhe prej atëherë deri më 14 shtator 1944 kaluan rreth 30.000 njerëz. Ata konsideroheshin qytetarë të respektuar, ndër të cilët kishte mjekë, tregtarë dhe artistë të shquar, dhe fillimi i luftës u prit nga rreth 400 hebrenj në Nish.[18]

Kontributi i shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve që vinin nga Sanxhaku i Nishit

Kontributi i shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore është vlerë kombëtare që duhet kultivuar.

Sipas rrëfimeve të Ruzhdi Behlulit (1940), baba i tij Sadik Sadiku (1902-1996) i lindur në fshatin Novosellë, komuna e Bujanocit, është njëri nderë shqiptarët që bëri shumë, për shpëtimin e një të riu hebre.

Fshati Novosellë dikur i  banuar me popullatë shqiptare, kufizohet me fshatin Terstenë, i cili është i banuar me popullatë serbe, dhe me fshatrat tjera të banuara me popullatë shqiptare si : Suharna, Zarbinca, Priboci, Qarri, Ramabuça, Gjergjeci dhe  Muhoci.

Sadiku,  gjatë vitit 1941 në qytetin e Vrajës, e takon një serb të cilin e kishte njohur më parë. Serbi kishte një hallë në familjen e tij, andaj kërkoi nga Sadiku që ta merr në strehim dhëndrin e tij hebre, pasi që ishte i rrezikuar nga vet serbët, të cikët bënin çmos, që ti dorëzonin hebrenjtë te ushtarët gjerman.

Sadiku e mori në besë hebreun e ri, dhe e dërgoi në shtëpinë e tij, duke e mbajtur në fshehtësi, nga fshatarët tjerë dhe  të fqinjëve të tij.

Hebreu ishte rreth 20 vjeçar, dhe sa po ishte martuar, me një të re serbe nga Leskoci. Sadiku për ta ruajtur me besnikëri, hebreun e ri të quajtur Ahim Kohen ia ndërroi emrin dhe e quante Mehmet. Sa qëndroi në shtëpinë e Sadikut, hebreu i ri filloj të flinte me tesha veshë, nga frika që po i zbulohet ari i fshehur në rrobat e tij. Pas një jave duke e vërejtur këtë gjest të Ahim Kohenit (Mehmetit), Sadiku e pyeti : Pse Mehmet, nuk po i hekë teshat, kur po donë me fjet. Mehmeti i përgjigjet, po ja kështu e kam vetë shprehi, të flejë me tesha veshë. Sadiku tani e kishte kuptuar se hebreu i ri, tërë trupin e kishte të veshur me arë, dhe prapë i kërkoi që të lirohet të flejë i qetë dhe pa frikë. Sadiku afrohet duke i thënë: Mehmet liroju flejë lirshëm se më parë e mbyti djalin tim, se sa të mbys ty, unë ty të kam marrë në besë dhe mbrojtje, andaj aspak mos u friko.

Hebreu qëndroi më shumë se një muaj, në shtëpinë e Sadikut, por nga frika se po e zbulojnë hebreu kërkonte, që ti ndërrohet vendi dhe të dërgohet në Shqipëri.

Sadiku e kishte pas mik Shefki Bunjakun nga Desivojca, e të cilit i tregoi rastin e hebreut të ri, duke kërkuar mendimin e tij, për të gjetur rrugën më të sigurt, për  ta dërguar hebreun në Shqipëri.

Shefkiu, i kishte thënë Sadikut, se nëse e kalon hebreun këndej Gurit të Pribocit atëherë edhe mundë të bëhet ndonjë zgjedhje.

Guri i Pribocit në atë kohë, ishte bërë pikë kufitare, në mes Bullgarisë dhe Shqipërisë.

Sadiku për ta realizuar me sukses qëllimin e tij, e kishte pjekur një pulë, dhe e kishte veshur hebreun e ri me një tërlik (mantel) të grave. Kur Sadiku me hebreun e ri te veshur në rroba të grave shqiptare, afrohet në kufirin bullgar-shqiptar, ushtarët bullgar i ndalën, dhe  e pyeten Sadikun, se ku donë të shkoi. Sadiku ju thotë ushtarëve bullgar, se po shkon me grua te miqtë e tij, dhe ja ofron ushtarit bullgar pulën e pjekur. Ushtari bullgar e liroi Sadikun, që ta kaloi kufirin me hebreun e ri të maskuar në tesha të grave.

Sadiku së bashku me hebreun e ri shkojnë te Shefkiu, dhe së bashku e sjellin hebreun në Gjilan. Pas arritjes së tyre në Gjilan, ata kërkojnë të gjejnë lidhje në qytetin e Gjakovës. Pasi i sigurojnë lidhjet përmes Gjakovës, e dërgojnë hebreun në qytetin e Vlorës në Shqipëri. Hebreu në qytetin e Vlorës qëndron afër tre vite, dhe nga Vlora, arrin që të shkoi në Amerikë. Pas vendosjes së tij në Amerikë, përmes lidhjeve tjera,  arrin që edhe gruan e tij serbe, që e kishte lënë në Leskoc ta sjellë në Amerikë.

Pas Luftës së Dytë Botërore,  Sadiku në qytetin e Vrajës së bashku me vëllanë e tij dhe djalin Ruzhdiun kishin filluar të punonin dhe e  mbanin  një ëmbëltore.

Në vitin 1956, hebreu me gruan e tij serbe, vejnë nga Amerika në qytetin e Vrajës, ku tani jetonin familja e gruas së tij, dhe pyet për Sadikun.  Hebreun në ëmbëltoren e Sadikut, e sjellin Dragolubi, babai i gruas së tij, dhe axha i saj Filipi, që tani pas lufte, ishte bërë kolonel armate në ushtrinë e Jugosllavisë.

Por sa u takuan, hebreu përqafohet ngrohtë me Sadikun. Sadiku nga ëmbëltorja e merr hebreun, dhe e qon në shtëpinë e tij. Ata së bashku bisedojnë gjatë, për ato moment të vështira që i kishin kaluar gjatë luftës.

Në vitin 1981 hebreu, vjen prapë te miqtë e tij, dhe e viziton Sadikun, në qytetin e Gjilanit, ku tani Sadiku me familje, kishte filluar jetën në truallin e ri, pas shpërnguljes nga fshati i lindjes së tij Novosella, në komunën e Bujanocit.

Përfundim:

Kur të analizojmë numrin e hebrenjve të vrarë nga kolaboracionistet dhe shovinistet e shteteve fqinjë të shqiptarëve, shqiptarët si popull mundë të krenohen me virtytet e tyre njerëzore dhe morale për të cilat janë shquar në të gjitha luftërat rajonale.

Kontributi i shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore është vlerë kombëtare që duhet kultivuar edhe popujt tjerë. Kur të gjithë popujt e Ballkanit, ishin mobilizuar për arrestimin dhe vrasjen e hebrenjve, shqiptarët rrezikuan familjet e tyre për shpëtimin e hebrenjve. Kjo është dëshmuar nga shumë familje shqiptare në Shqipëri, në Kosovë, në Maçedoni, Malin e Zi por edhe familje shqiptare, që gjatë Luftës së Dytë Botërore jetonin në Serbi.

Gjatë kësaj periudhe, shumë familje shqiptare, treguan virtyte të larta njerëzore, dhe kjo tregohet në shumë raste, kur i strehuan dhe mbrojtën hebrenj.

Hebrenjtë nga Serbia dhe Kroacia filluan të zhvendosen në trevat ku jetonin shqiptarët, ku ndiheshin të trajtuar më mirë prej shqiptarëve. Sido që të ketë ndodhur, mënyra se si shqiptaret i trajtuan hebrenjtë mbetet e pakrahasueshme me atë çfarë bënë të tjerët ndaj tyre. Shqiptarët as nuk i dorëzuan listat e hebrenjve tek gjermanët e as nuk morën pjesë në arrestimin e tyre, por organizuan depërtimin e tyre në zona të sigurta në shtetin shqiptar.

Siç shihet kontributi i shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve, gjatë Luftës së Dytë Botërore, është për tu vlerësuar lartë, që në ato vite të vështira për popullin hebre, ky solidaritet nuk është parë te popujt tjerë të Evropës.

Tiparet e larta njerëzore dhe humane të shqiptarëve në të kaluarën i kanë vërejtur edhe shumë udhëpërshkrues, diplomat dhe shkrimtar të huaj, që patën rastin të qëndrojnë në trevat shqiptare. Po veçojmë thënien e diplomatit dhe shkrimtarit Charles Telfort Ericson, lindur në vitin 1867 në llinois, i cili kaloi rreth 30 vite jetë në Shqipëri, dhe i njihte mirë shqiptarët, ka shkruar:“Nuk ka popull më shpirtmirë e më të sjellshëm (gjentil) në Evropë se shqiptarët. Ata, përbëjnë një element të fuqishëm burrërie. Janë besnikë ndaj atdheut dhe japin jetën për fjalën e dhënë”.[19]

 

[1] Hajrullah Koliqi, Historia e arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, vep. cit. f. 395.

[2] Hakif Bajrami, Gazeta, “Koha Ditore”, Koha për kulturë, e shtunë, 20 maj 2006.

[3] https://en.wikipedia.org/ëiki/Leskovac

[4] Dragolub Trajkovic, Iz Proslosti Leskovca I okoline, Leskovac, 1977, fq.86

[5] Mira Rakic, Iz nove Serbije, Leskovac, 1987, fq. 77

[6] Nexhat Bushati,  Gazeta “Gazeta Shekulli” 23.Qershorë 2006

[7] Aradha Partizane e Kopaunikut e Shalës, e Ibrit: Branislav Bozevic, Dr. Hakif Bajrami, Milotin Folic dhe Milorad Vavic, Beograd, 1981, fq. 123

[8] Po aty, fq 124

[9] Po aty, fq 124

[10]  Lefter Nasi, Ripushtimi i Kosovës (shtator 1944 – korrik 1945), Tiranë 1994 f. 52.

[11] Çetnikët ishin pjesëtarë të ushtrisë mbretërore serbe (jugosllave), të udhëhequr nga disa lider si Mashan, Gjurovici, Kosta Pecanci, Drazha Mihajlloviq etj. Në  periudhën midis dy luftërave botërore, por veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore këto formacione të çetnikëve, kryen  krime e masakra mbi popullsinë  jo serbe, por  në veçanti ushtruan terror të shfrenuar te shqiptarët.

[12] Po aty, fq 124

[13] Po aty, fq. 411

[14] Hranislav Rakić, Teror i zločini okupatora i domaćih izdajnika u Leskovačkom i

Vranjskom kraju 1941-1944, Narodni Muzej Leskovac i međuopštinski odbor SUBNOR-

a Južnomoravskog regiona, Leskovac, 1986, str. 42.

[15] Po aty, fq. 36

[16] Po aty, fq.46

[17] https://www.juznevesti.com/Drushtvo/Dan-secanja-Skoro-celu-zajednicu-Jevreja-u-Nisu-izbrisao-je-Drugi-svetski-rat.sr.html

[18] https://www.juznevesti.com/Drushtvo/Dan-secanja-Skoro-celu-zajednicu-Jevreja-u-Nisu-izbrisao-je-Drugi-svetski-rat.sr.html

[19] https://konica.al/2020/07/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok