24/07/2024

KALIVARJA, HISTORI NË KUMBONË KISHE

0

NGA NDUE DEDAJ

Jemi ndaluar për një kafe te “Tuneli” i Kalivares. Ta themi që në krye të herës, do të kishim dashtë që aty në ballë të urës, ku merr udha për në Kalivare e Kimzë, të shihnim një obelisk të gurtë, ku të shkruhej: “Ky vend është i dëshmuar në një kumbonë kishe që në vitin e largët 1154”. Dhe jo vetëm për turistët që marrin përpjetë Munellës. Tash që katundet e malësive tona po zbrazën nga banorët, nga Alpet në Trebeshinë, lypet qe disa shenja të vjetra historike t’i theksojmë më shumë, në emër të së ardhmes, që asaj të mos i mungojë gjuha e së shkuarës, “pasaporta” e identitetit shqiptar.

Kështu, në rastin e Kalivares, fshat i vjetër i Mirditës, në këmbë të malit të Munellës, që nga ana administrative më 1949 i ra të shkonte me rrethin e Pukës, ashtu si krejt lugina e epërme e Fanit të Madh, është interesante historia e kumbonës njëmijëvjeçare të kësaj kishe, që në vitet ’30 na e përcjell përmes një rrëfimi të shkurtër famullitari i athershëm i Kalivares, historiani Dom Nikollë Kimza, ku sa herë i kthehem më bëhet se po lexoj skicën e një novele ende të pashkruar.

Me dy fjalë, ishin kohët e rënda të pushtimeve otomane dhe kumbona kishte qenë mbartur në krah nga kalivarasit për ditë të tëra dhe ishte fshehur në Va-Spas, në anë të Drinit. Banorët ishin të ndërgjegjshëm për rëndësinë e saj, pasi ajo mbante mbishkrimin latinisht Anno Domini (Viti i Zotit) 1154, çka e bënte atë kishën më të hershme në Mirditë. Kishin kaluar mote të përgjakshme, luftërat kishin zgjatur, kumbona ishte zbuluar rastësisht nga një vajzë myslimane, të cilës i kishte hasur kiza në një send të fortë, që kishte qenë kumbona, të cilën më pas burrat e kishin mbartur për në Kalivare. Ndoshta ndonjë ditë ai obelisku i kumbonës së lashtë do të vihet nga bijtë vullnetmirë të këtyre anëve, por tani për tani aty po punohej për ngritjen e një hidrocentrali dhe fjalët tona në këtë rast dihen! Janë veçse kritike, pasi, përpos dëmit ekologjik, mjedisor, ujor, askush nuk mendon për këtë vend e këta njerëz, se si ata të përfitojnë nga pasuritë natyrore që u përkasin me shekuj. Mjafton të themi se ka tridhjetë vjet që trajlat me bakër kalojnë orë e çast mbi këtë urë të betontë, nga miniera e Munellës në Fushë-Arrës dhe banorët kanë pasur vetëm një “përfitim”, pluhurin e vazhdueshëm mbi rrugë, shtëpi e bashtina, edhe pse rruga laget rregullisht me autobotët e minierës. E, pra, këta njerëz nuk janë “jetimë”, qeverisen nga socialistët në pushtetin qendror e nga demokratët në atë vendor.

Sot, në të vërtetë nuk jemi nisur për ndonjë reportazh, por “instinkti” i vjetër i lajmësit nuk na le të qetë, edhe pse kritikat mediatike me gjasë janë një kambanë e shurdhët, pasi nuk dëgjohen më. Mësuese Pashkë Gjoka (Prendi), që kthehet pas disa kohësh në vendlindje, për të vënë një dorë lule në vendin ku prehen dy prindërit e saj, na tregon për njerëz dhe ngjarje të një kohë, kurse për të sotmen fjalët janë aq të pakta. Jemi katër veta dhe në bisedat tona hyjnë aq shumë njerëz, sa na duket se i kemi njohur të gjithë, përmendim më së shumti emra mësuesish që i kemi pasur kolegë në vite, por dhe të tjerë miq të hershëm, si Pashk Deda, që bën zakonin e vendit duke u ngritur nga diku matanë e ardhur për respekt në tavolinën tonë sa për t’u përshëndetur.

Sa herë merr një rrugë për diku, të zgjohen dhe kujtimet e herës së parë atje. Ishte prilli i vitit 2006, dhe në përgjigje të ftesës së kryetarit të komunës së Gjegjanit të asaj kohe, Mark Mesuli (me të cilin kishim “folur” me shkrim, por nuk ishim takuar deri atëherë), bashkë me birin e këtyre anëve, inxhinierin ekonomist Anton Ndoj, që punonte në Bankë, me të cilin ishim komshinj, kishim marrë rrugën nga Rrësheni dhe me Benz-in e tij po ngjiteshim tërmales për në Kimzë, pasi atje organizohej përkujtimi i “Qeverisë së Kimzës”, në një festë të vërtetë. Ishte kënaqësi takimi atë ditë me Pal Nikoll Markun, me të cilin gjithashtu takoheshim për së pari, edhe pse ai më 1999 kishte shkruar ca rreshta miradije në kopertinën e librit “Toka e Katedraleve”, që ia kishte marrë një të afërmit tim në traget dhe e kishte lexuar, siç më tha, për disa orë që ia kishte marrë gjumit. E përsëritëm të njëjtën rrugë, po për “Qeverinë e Kimzës” dhe pas pesë vitesh, sërish me Antonin e paharruar, por kësaj here me ftesën e një tjetri kryetari komune të Gjegjanit, Dr. Ndue Carës.

Rri e kundroj “ujëvarën”, por ajo sot nuk paska ujë dhe kujtohem për fotografinë e përbashkët me Antonin aty, të cilës asnjëherë nuk do t’i mungojë buzëqeshja e tij e dëlirë…

Largohemi nga kjo faqe e Munelles me kurreshtjen e një vargu toponimesh, si Kalivare, Kimëz, Nredi, Vigjaj, Kodra e Bollave, Fusha e Plorit, Guri i Dragoit, Mushtë, Mesul, Tuç, Qafë Bari, që jo të gjitha mund t’i zbërthejmë, duke sjellë ndërmend një shënim që bënte pardje mbi një shkrim tonin shkrimtari dhe gjuhëtari i njohur Mehmet Elezi: “Më ka bërë përshtypje gjithnjë edhe toponomia e Mirditës, e cila është thjesht shqip…”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok