24/07/2024

KADARE, ÇMIMI I VEPRËS DHE PËRÇMIMI BIOGRAFIK

0

NGA NDUE DEDAJ

Nganjëherë thua kanë qenë me fat shkrimtarët e mëdhenj që kanë vdekur jo në kohën e internetit, pasi kanë shpëtuar nga jargët e sharjeve dhe “biografizimi” i tipit bolshevik, si dhe nga “klasifikimi” popullor kush është i pari, kush i dyti, kush i treti, a thua se bëhet fjalë për krushq të një dasme që shkojnë të marrin nusen. Marria shkon deri atje sa t’i kundërvënë Kadaresë një tjetër shkrimtar të madh si Fishta. Është po ajo mendësi që për gjysmë shekulli Fishtën e denigronte për vargjet “Le ta marrë vesh gjithë bota mbarë…”, pa ua ditur kuptimin, siç i përmendin Kadaresë një shprehje për refugjatët e 2 korrikut ’90, që shkrimtari nuk e ka pranuar dhe nuk ka ndonjë dëshmi se e ka thënë. Puna është se mosleximi i veprës këtë “çmim” ka, atë të përçmimit me anë të biografisë…

Po e gjitha kjo është një kotësi, Kadare tashmë është përtej vetes dhe kohës. Janë vetëm gjashtë shkronja, për të thënë të gjithin atë, qoftë dhe pa emrin Ismail përpara, si në rastin e De Radës, Fishtës, Migjenit, apo Kafkës, Kunderës, Borgesit etj. I takoi gjeneratës sonë, apo më saktë dy-tri gjeneratave të fundit, për ta përcjellë në amëshim, por shkrimtari i përket lexuesit shqiptar prej shtatëdhjetë vjetësh, që nga viti 1954, kur solli “Frymëzimet djaloshare” gjirokastrite, që parathoshin një talent të madh të letërsisë shqipe. I llogarisni vetë lexuesit e tij, prej atëherë, këtu dhe në Kosovë, ku ato gjeneratat e para që e njohën atë si krijues, janë shuar. Por llogarisni dhe lexuesin e tij shqiptar të nesërm, që nuk do të jetë i dyzuar si një pjesë e lexuesit të sotëm, që e sheh shkrimtarin mes letërsisë dhe biografisë, duke i mëshuar kësaj të fundit, a thua se Kadare duhej të ishte një gjysmëperëndi në tokë! E ky është vetëm njëri, lexuesi i gjuhës dhe i gjakut të tij, por është dhe ai lexuesi i huaj i dyzet e pesë gjuhëve të botës, që vetëm sa shtohen. Pra, ato gjashtë germa dhe s’ka nevojë për tjetër, si gjeniu i letërsisë, kolosi i letrave shqipe, shkrimtar me përmasa botërore etj. Ai do të jetë dhe letërnjoftimi ynë jashtë vendit. Ju jeni të… Kadaresë? Dmth vini nga vendi i tij? Nga gjuha shqipe? Kaloni!…

Ndokush nesh, që është duke kaluar nëpër atë “aeroportin” pa ulje dhe ngritje avionësh, mund të ngurrojë për një çast. Si? Ju po thoni Kadareja është një mit? Po ai… nuk foli për shembjen e Teatrit, nuk e kritikoi qeverinë për pazotësinë në luftën kundër e kanabisit, as atë tjetrën dje për lejimin e “piramidave”! Nuk mori kazmën të shembte kampin socialist! Ka aq shumë mëkate. Nuk i shkruam më kot në të tijtë Stokholmit që të mos i jepej “Nobeli”. Ai, i huaji, atje përtej shtetit tënd, që është duke të dëgjuar ty e ka gati përgjigjen, por nuk ngutet. Në fund të le pa fjalë: “A ishte ai një shkrimtar?” Ti sigurisht që nuk mund të thuash se nuk ishte… A, po, vijon ai “apologjinë” për Kadarenë, kam dëgjuar se ju shqiptarët bëni një dallim të çuditshëm, mes shkrimtarit dhe njeriut, thoni se si shkrimtar është i madh, kurse si njeri jo!? Po ku tjetër ndodh kjo ndarje mes krijuesit dhe njeriut? Ju dini se Shekspiri është i madh si shkrimtar, por nuk dini asgjë se si ishte ai si njeri! Apo Balzaku, Dostojevski, Zvajgu. Mos duhej ta modelonit ju shkrimtarin tuaj si karakter, sa i censhëm të ishte? Atëherë ai nuk do të ishte ai që ishte dhe për rrjedhojë do të mungonte vepra e tij!…

O Zot kanë guxuar gjer hierarkë të lartë tuajt në demokraci ta cilësojnë “shkrimtar oborri”, për të qitur vetën më lart se shkrimtari. Por, më thoni, ku janë ata tani? E ku do të jetë nesër, kur nuk do të jenë më presidentë, ministra? Por nuk është kjo ajo çfarë dua të të nënvizoj unë i huaji, si një qytetar i botës, për këtë shkrimtarin tuaj të madh dhe njëherësh tonin, Kadarenë. Ka një kontradiktë që ju bën qesharakë. Nuk mund të rrijë një shkrimtar i madh në lëkurën e një njëriu të vogël!? Një shkrimtar i madh është njëherësh një njeri po aq i madh. Nguliteni këtë njëherë e përgjithmonë në vetëdijën tuaj të lodhur. Mirëpo ka gjasë që ju të mos çliroheni lehtë prej sindromit të biografisë. Për një gjysmë shekulli keni bërë biografinë e njëri-tjetrit me një zell të madh, atë bëni dhe sot dhe ku ta gjenit një “Peshk të madh” si Kadarenë që t’ia numëroni një më një të gjithë mëkatet e detit. Por jeni ju të gabuar, ngaqë jeni të ideologjizuar deri në palcë. Ju duhej të dinit se ndërsa Kadare shkruante “Dosjen H”, duke shtegtuar nëpër gjurmët e dy studiuesve amerikano-irlandezë, që në vitet ’30 të shekullit të kaluar endeshin në Alpet shqiptare, në kërkim të bardëve të fundit të eposit të kreshnikëve, në labirintet e errëta të sherbimit sekret shqiptar gatuhej dita-ditës “Dosja K”, që nuk kishte asgjë homerike. E nuk do të ishte rasti i parë në historinë totalitare të Europës kur një shkrimtar do ta shpëtonte “llogaria” e famës, pushteti më shumë fitonte apo humbte me martirizimin e tij?

Kadare është cilësuar nga të huajtë si “rapsod i Europës” dhe kjo ka logjikën e saj, edhe pse dihet se ai ishte një shkrimtar modern dhe jo një rapsod. Por në fillim ishin rapsodët ata që e qitën katundin e tyre përtej malit tjetër, me fjalët dhe zërin e tyre mbi lahutë. Pastaj përtej nëntë maleve, në popuj të tjerë ballkanas apo europianë. Ideali i tyre ishin kreshnikët, që përballeshin në një mënyrë apo në një tjetër me Krajlitë. Kjo ishte dhe saga moderne kadareane, me “Kështjella”, “Dimri i Madh”, “Koncert në fund të dimrit” etj. Ky “Rapsod” bashkëkohor i përcolli Europës baladat shqiptare të besës dhe ringjalljes së njeriut për shkak të saj, në romanin “Kush e solli Doruntinën”, siç pëmes “Prillit të thyer” evokoi kanunin e shqiptarëve, as pa e glorifikuar si në të kaluarën e as pa e denigruar siç ishte vija politike e kohës. Ndërkohë që “Pallati i Ëndrrave” ishte mënyra se si shkrimtari e pa botën, pa ëndrravrasës të asnjë stine. Përmbledhur në një fjali, merita e shkrimtarit është se shkroi letërsi të lirë në diktaturë. Kadare iu qas me germa të mëdha dhe me një metaforë sipërore të vetmit fenomen letrar shqiptar të shekullit XX, që ishte Migjeni, duke e quajtur “uragani i ndërprerë”, çka e lartëson personalitetin e tij dhe do të ishte dobësi njerëzore nëse nuk do ta bënte.

Lexuesi shqiptar jo i ri ka një marrëdhënie të veten me këtë shkrimtar qysh nga fëmijëria, ia ka lexuar poezitë apo romanet, ka folur për to në shkollë, ka shkruar në shtypin letrar etj. Kështu ka ndodhur dhe me ne, një bashkërrugëtim i gjatë me shkrimtarin, qëkur në duart e mësuesve tanë dhe intelektualëve të tjerë të qytetit shihnim të dilnin romanet e tij “Kështjella”, “Kronikë në gur” etj. Më vonë jemi përpjekur dhe ta themi ndonjë fjalë për veprën e tij. Nga shkrimet e mia për Kadarenë, veçoj dy analiza, njërën për romanin “Prilli i thyer” dhe tjetrën për librin me novela “Tri këngë zije për Kosovën” botuar në “ExLibris”, linkun e të cilave po ia bashkangjesim këtij shënimi modest.

https://shqiptarja.com/…/prilli-i-thyer-gjorgu-i…

https://exlibris.al/ndue-dedaj-kadare-tri-kenge-zie-per…/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok