21/12/2024

“KAÇAKËT” E MALIT DHE KÇK-TË E BULEVARDIT

0
Ndue-Dedaj

(Në vend të fejtonit)

Nga NDUE DEDAJ

Kaçakët kanë qenë gjithmonë problem i pushteteve, qeverive, tash së voni dhe i biznesit politik. Ata, me pushkë në krah, bam këtu e bam atje, nga Shahin Matraku e këndej…

Nuk durohen cubat atje në mal, skërkave të thepisura ka ha pula gurë, le pastaj të zbresin në fushë e të bëjnë prokopi. Ku ju zihet bëse atyre, ulën si shigjetë nga maja e malit, me arushën përdore dhe të zënë plazhin buzë detit, që ti e ke marrë në pronësi, si e ke marrë, edhe pse, dreqi ta hajë, ai copë bregdet është dhe i atij “kaçakut”, që i thotë njëlloj atdhe si ti çdo pëllëmbe toke shqiptare. Mirëpo ata duhet të dinë se fjala e urtë “Afër detit, afër mbretit” nuk është për të gjithë, sidomos për “kaçakët”, apo malcakët, siç po na vjen të krijojmë një fjalë fejtonike. Ata nuk duhet të kenë asnjë punë me detin, në mos vetëm si peshkatarë perlash, që të zënë peshk të majmë në rrjetat e fryra të anijeve për zotërinjtë që i ka pjellë fusha me kimet…

Ah, po, “kaçaku” nuk është gjithmonë i zi, ku ta gjeshë atë në kohë fushate elektorale atje në mal e të heqësh me të një tallava vendçe. Të këndosh e të qash, krye më krye e faqe më faqe, nga gëzimi i fitores. T’i hidhësh në qafë, megjithëse atij i vjen erë “mal”. Puna është se ai malcaku nuk gëzohet me aq lumturi sa i fal udhëheqja kur e kacarron, por kërkon shumë më shumë, nuk e lëshon arushën që e mban përdore, jo në cirk, por në plazh. Kjo është e keqja e tij, që nuk di të mbajë vendin. Le pastaj kur kaçakët duan të bëhen kapedana e t’i bëjnë karshillëk “Oborrit”… Ku i dihet me këtë turr të atyre të malit! Edhe Marash Uci, në vend që të bëjë trimërira në mbrojtje të kufijve të atdheut prej shkjaut, i hip kalit e kur ta ndalë vrapin në plazh!…

Po a janë “kaçakët” e vërtetë ata të malit? Apo pushtetarët e rinj të bulevardit, që shpesh identifikohen me “KÇK”-të, një specie e re e tranzicionit korruptiv shqiptar? Qofshin ata dhe me statusin e favorizuar të investitorit strategjik! Ata të malit, njerëzit e thjeshtë, që besojnë se qeveritarët punojnë për të mirën e popullit, zor se e kuptojnë mirë e bukur se çfarë është ky hall i madh, që i ka zënë disa njerëz, me qenë investitorë strategjikë? Ore, më mirë mos u bëfshin këto hotelet “strategjike” në bregdet, përderisa u shkaktojnë kaq shumë andralla atyre që po sakrifikojnë për këso investimesh me rrezik. Pak kanë hallet e popullit disa deputetë e ish-deputetë, ministra e ish-ministra, kryebashkiakë e ish-kryebashkiakë, në burg apo jashtë tij, e deri në arrati, që u dashka t’i fusin zavallë kresë, siç do të thoshte Fishta, edhe për këto pronat në bregdet, nga Velipoja në Himarë e deri në Sarandë. Ore, më mirë ta linin zonë ushtarake bregdetin, siç ishte që nga 44-a, se sa të ngatërroheshin me “telashet” e tij zyrtarët e lartë! Se ja zbresin ata të malit dhe të rroftë ty or mik “cicmici”, i vënë ata shezlonget në rërën “tënde” strategjike! E, nëse është për t’u marrë me “frutat e detit”, o të jesh Kushner dhe e fut Sazanin në xhepin e vogël pa të hyrë ferrë në këmbë, o hiç!

KÇK-të, termi që e e kanë shpikur vetë pushtetarët për veten, janë kaçakë me vula shteti e tendera, inceneratorë e komplekse pallatesh me pikëpyetje, që e kanë inat malin, si i e egër që është, ndaj sot kanë pushtuar bregdetin, por mos harroni se nesër ata do të pushtojnë edhe malin, ani se nuk do të quhen malësorë, apo “malokë”. Se si do të thirrën pak rëndësi ka, ama ata do të jenë zot të zabeleve, krojeve, deleleve, dhive të egra, doganave, HEC-eve e minierave (janë dhe sot) etj. Kullave dhe resorteve turistike. Se nuk do të mbetet asgjë pa u “privatizuar” në këtë vend! Me ligj a pa ligj. Zonë e mbrojtur apo e pambrojtur. Do të kenë shpëtuar vetëm njerëzit, pasi ata do të jenë shpërngulur përtej republikës së tyre amtare, në dhera të huaj…

Kështu që nuk është asesi lapsus kur ndokujt nga qeveritaro-parlamentarët e bulevardit politik i rrëshqet goja pa dashje në ndonjë televizion e thotë: “ata të malit”!…

Post scriptum: Kjo kohë hajdutërie është e pamëshirshme me të gjithë. Babëzia për të futur në “kadastrën” tënde çdo kokërr rërë nuk të lejon me pa përtej vetes. Por kur je në bregdetin e Jonit nuk ke sesi të mos kujtohesh për “Shpellën e Piratëve” të Petro Markos, shkrimtarit idealist që pushon në këtë vend të magjishëm, i befasuar me çka sheh e ndjen (?!) dhe si një bohem i përjetshëm shkon “mes reve e gurëve”, me dorën futur në kaçurrelat e zbardhur nga kripa e detit.

Mbase nuk është më koha që peshkatari plak i romanit t’iu rrëfejë fëmijëve se si ai kishte mundur peshkaqenin! “Peshkaqenët” e detit dhe të tokës me gjasë nuk do të jenë më personazhe negativë?!…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok