02/12/2024

Faktet që na ndihmojnë të njohim më mirë gjeniun e çuditshëm të fizikës, Albert Ajnshtajn

0
Einstein_1921

Albert Einstein, Vjenë, 1921

Nga Albert Vataj

A e quani me vlerësim mikun tuaj ‘Ajnshtajn’, për cilësitë e tij gjeniale? Nëse po, atëherë nuk jeni i vetmi që e bëni këtë. Njerëzit në mbarë botën nderojnë miqtë dhe të njohurit e tyre me titullin “Ajnshtajni”, për shkëlqimin e papërlyer dhe mendjen gjeniale të personit. Ndërsa mund të ketë shumë mendje gjeniale të vendosura në punë deri më sot, vetëm një herë në shekull lind dikush si Albert Ajnshtajni. Shekulli i 19-të, jo vetëm që dëshmoi lindjen e Albert Ajnshtajnit, por bashkë me të, lindjen e Fizikës moderne. I njohur me të drejtë si babai i fizikës moderne, Albert Ajnshtajni ishte, pa dyshim, fizikani më me ndikim i shekullit të 20-të. Me kërkimin dhe gjetjen e tij, Ajnshtajni krijoi një revolucion në fushën e shkencës. Ndër veprat e tij të shumta: (a) teoria e përgjithshme e relativitetit, e cila ofroi një përshkrim të unifikuar të gravitetit si një veti gjeometrike e hapësirës dhe kohës, dhe (b) efekti fotoelektrik që themeloi teorinë kuantike brenda fizikës, janë më të rëndësishmet. Gjatë jetës së tij, Ajnshtajni botoi më shumë se 300 punime shkencore, përveç 150 punimeve joshkencore. Ai ishte marrës krenar i çmimeve të shumta, si Çmimi Nobel në Fizikë, Medalja Copley, Medalja Matteucci dhe medalja Max Planck. Përveç këtyre, ai është vlerësuar edhe nga revista Times si Personi i Shekullit. I tillë ishte kontributi i tij për njerëzimin, saqë emri i tij Ajnshtajni është bërë sinonim i të qenit “gjeni”.

Mbamendja e historisë njerëzore nuk ruan në kujtimet e saj një të dytë si ai. Asnjëherë nuk ka gjalluar faqe kësaj toke një krijesë kaq e jashtëzakonshme dhe kaq me të papritura. Një jetë të tillë të stuhishme dhe rrapëllitëse, s’kishte kapluar as marinari më i stërvitur i deteve. Ai u dha vullnetlirë nëpër krejtçka përbën ndryshesat, kapërcyellin dhe kaplimin në kreshtën më të lartë të famës, ku u ngjit, për të mos zbritur sandejmi askurrë. Ç’skutë e errët e mendjes njerëzore, universit dhe kureshtisë ishte, ku ai nuk u kredh si një eksplorator triumfues. Si krejt gjenitë e tjerë edhe Albert Ajnshtajn e gatuan çdo mozaik të jetës së tij në shtjellën e të papriturave dhe befasive, diku-diku cingëritëse, të debatueshme dhe të larë nga shkëlqimi i lavdisë, tjetërkund. Ai erdhi dhe iku si një përjashtim.

Ajnshtajni ishte një bebe e shëndoshë me një kokë të madhe

Kur nëna e Albertit, Paulinë e lindi, koka e tij ishte kaq e madhe dhe e shtrembëruar, sa ajo kujtonte se mos ishte i deformuar. Ngaqë fundin e kokës e kishte shumë të madhe, familja mendoi mos ishte monstër. Megjithatë, ndërsa javët kalonin, ata e kuptuan se ishte një fëmijë gati normal me të tjerët. Thuhet se gjyshja e tij ka klithur “është i shëndoshë, është i shëndoshë”, kur e ka pritur të lindte. Ndryshe nga përshtypja e parë, Alberti u rrit normalisht, vetëm se ishte pak i ngadaltë.

Ajnshtajni-fëmijë kishte vështirësi në të folur

Kur ishte fëmijë, Ajnshtajni fliste rrallë. Kur e bënte, fliste shumë ngadalë. E mendonte të gjithë fjalinë në kokë dhe e pëshpëriste para se ta thoshte. Këtë e bëri rregullisht deri në moshën 9-vjeçare. Prindërit trembeshin mos ishte i vonuar, por sigurisht më vonë doli se frika e tyre ishte pa baza. Kjo është quajtur sindroma e Ajnshtajnit. Një historian ka krijuar një barsaletë. Prindërit e tij ishin të shqetësuar se nuk fliste fare. Kur një mbrëmje foli dhe tha “Supa është e nxehtë”, prindërit e pyetën pse nuk kishte folur më parë. Ai i përgjigjet: “Sepse gjithçka ishte në rregull”.

Ajnshtajni është frymëzuar nga një busull

Kur Ajnshtajni ishte pesë vjeç dhe i sëmurë në shtrat, babai i tregoi diçka që i ndezi interesin në shkencë: një busull. Ndërsa qëndronte i shtirë, babai i nxori një busull të thjeshtë xhepi. Ajo që i interesonte Ajnshtajnit të ri ishte se sa herë që kutia ndërronte pozicion, gjilpëra kthehej në të njëjtin drejtim. Ai mendoi se duhet të kishte ndonjë forcë në atë që konsiderohej si hapësirë boshe që e bënte gjilpërën të lëvizte. Ky incident i zakonshëm në shumë “fëmijërira të famshme”, është përmendur shpesh në shumë rrëfime të jetës së tij.

Ajnshtajni ngeli në provimin e hyrjes për në universitet

Në vitin 1895, në moshën 17-vjeçare, Albert Ajnshtajn aplikoi për të hyrë në Shkollën Politeknike Federale Zvicerane (Eidgenössische Technische Hochschule). Ai kaloi provimin e matematikës dhe të shkencës tek provimi i hyrjes, por ngeli tek të tjerat. Ndër lëndët ku nuk shkonte mirë ishte historia, gjuhët e huaja, gjeografia dhe të tjera. Ajnshtajni duhet të regjistrohej në një shkollë tregtare para se ta ribënte provimin dhe më në fund u pranua tek i njëjti universitet një vit më vonë.

Ajnshtjni kishte një fëmijë të paligjshëm

Në vitin 1980, letrat private të Ajnshtajnit kanë zbuluar diçka të re për gjeniun. Kishte një vajzë të paligjshme me ish-studenten Mileva Marić, të cilën më vonë e martoi. Në vitin 1902, një vit para martesës, Mileva lindi në familjen e prindërve në Berne një vajzë me emrin Lieserl, të cilën Ajnshtajni kurrë nuk e pa dhe për të cilën nuk dihet gjë. Ajo është pagëzuar dhe jetoi me familjen e Milevës. Më vonë ajo thotë se vdiq nga ethet në shtator 1903. Në korrespondencën e çiftit shkruhet se është dhënë për birësim pasi ka lindur. Në letrën e 19 shtatorit 1903, Lieserl Einstein-Maric përmendet për herë të fundit.

Ajnshtajni u largua nga gruaja e parë, pastaj propozoi një “kontratë” të çuditshme

Pasi ai dhe Mileva u martuan, patën dy djem, Hans Albert dhe Eduard. Suksesi akademik dhe udhëtimet nëpër botë kishin çmimin e tyre. Ai u distancua nga gruaja e tij dhe për disa kohë çifti u përpoq të merrej me problemet. Ajnshtajni propozoi një “kontratë” të çuditshme për të jetuar me Milevën. Kushtet ishin që rrobat të ishin të pastra dhe të hekurosura, që t’i çonte tre vakte të ngrohta në dhomë, që dhoma dhe studioja të ishin të pastra, përveç tavolinës së punës, që ajo të pushonte së foluri kur ai t’ia kërkonte. Ajo pranoi dhe ai i premtoi se do ta konsideronte të huaj çdo grua tjetër.

Ajnshtajni nuk shkonte mirë me djalin e madh

Pas divorcit, marrëdhënia e Ajnshtajnit me djalin e madh u lëkund. Hansi fajësonte të atin për ndarjen nga Mileva dhe pasi Ajnshtajni fitoi Çmimin Nobel dhe paratë, se i dha asaj vetëm interesat dhe jo shumën e madhe të çmimit. Grindjet mes tyre u shtuan kur Ajnshtajni kundërshtoi martesën e djalit me Frieda Knecht, sepse ajo ishte “më e madhe dhe e shëmtuar”. Kur ata u martuan, Ajnshtajni i kërkoi djalit të mos bënin fëmijë, pasi kjo do ta bënte divorcin edhe më të vështirë. Edhe mamaja e Ajnshtajnit e kishte kundërshtuar martesën me Milevën. Kur i biri emigroi në Amerikë, ata mbetën të ndarë.

Ajnshtajni ishte i preferuari i grave

Kur Ajnshtajni u divorcua me Milevën në vitin 1919 (tradhtia cilësohet si një nga shkaqet), ai u martua me kushërirën, Elsa Lowenthal. Në të vërtetë ai donte të martohej edhe me vajzën e Elsës nga një martesë e mëparshme, Ilse, 18 vjet më e re se ai, por ajo e kundërshtoi. Ndryshe nga Mileva, shqetësimi kryesor i Elsës ishte të kujdesej për burrin e saj të famshëm. Ajo i dinte dhe i toleronte tradhtitë dhe lidhjet dashurore të tij, të cilat zbulohen më vonë tek letrat e tij. Fillimisht e tradhtoi me sekretaren, Betty Neumann. Korrespondenca e tij tregon se ishte i lidhur me gjashtë gra, mes tyre dhe një spiune ruse.

Ajnshtajni, një pacifist lufte, sugjeroi ndërtimin e bombës atomike

Në vitin 1939, i alarmuar nga shumimi i Gjermanisë naziste, Leo Szilard e bindi Ajnshtajnin t’i shkruante një letër presidentit amerikan, Franklin Roosevelt, ku e paralajmëronte se Gjermania naziste po zhvillonte një bombë atomike dhe i sugjeronte Shteteve të Bashkuara të zhvillonin bombën e tyre. Letra e Ajnshtajnit dhe Szilardit konsiderohet si një nga arsyet që Roosevelti filloi Projektin Manhattan për të zhvilluar bombën, edhe pse më vonë u zbulua se bombardimi i Pearl Harbor në vitin 1941 e bindi më shumë qeverinë se sa letra e tyre. Edhe pse ishte fizikan i shkëlqyer, ushtria e konsideronte si rrezik sigurie dhe nuk e ftuan në projekt.

Truri ka shëtitur në kavanoz për 43 vjet

Pas vdekjes në vitin 1955, truri i Ajnshtajnit u hoq pa lejen e familjes nga Thomas Harvey që kreu autopsinë. Ai e mori trurin në shtëpi dhe më vonë u pushua nga puna për shkak se refuzoi ta dorëzonte organin. Shumë vite më vonë, kur Harvey mori leje nga Hansi ta studionte trurin, i dërgoi copëza disa shkencëtarëve në të gjithë botën. Njëra prej tyre ishte Marian Diamond nga Universiteti Berkeley, e cila zbuloi se ai kishte më shumë qeliza në atë pjesë të trurit që ishte përgjegjëse për sintetizimin e informacionit. Neuronet e trurit të tij, që ishte më i madh se normalja, komunikonin më mirë me njëri tjetrin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok