(Çaste përsiatjesh poetike)

Nga Prend BUZHALA

Përse harrove të flasësh, kur u desh ta thoshe fjalën të plotë? Ç ‘ndodh në ato raste kur ti flet e flet dhe harron të heshtësh?

1.

Nën pushtetin e qetësisë së plotë të natës. Harresë lumturie. Kjo qenka e vërteta e jetës,, pëshpërit herë pas here.

Bota moderne gjithçka krijoi: krejt teknologjinë për t’u marrë vesh krejt bota,

krejt teknologjinë për ta ushqyer secilin njeri pa bukë në rruzullim,

krejt teknologjinë për të mos mbetur askush pa strehim e vatrën e ngrohtë,

krejt teknologjinë për të mos mbetur askush pa punë,

krejt teknologjinë për të mos pasur më nevojë të shpërthejnë luftëra,

2.

Vetëm që ndodhi dhe një Akt Harrese për të gjitha këto:

Teknologjia pa shpirt harroi Njeriun:

i rrethuan zemrat me hekur, me napalm, zemrat me mure,

zemra fliste tjetër gjë e truri lëvizte në kahe të kundërt,

ndodhi që edhe të zhgënjyerit ta humbin zemrën në zemërimin e tyre, duke harruar se vetja mbrohet me zemër e jo me mungesën e saj,

3.

Njerëzit luten: o Zot, më beko me Harresë! Dhe jepen pas pijes apo harresës spirituale të hashashit,

Gjithçka po ndodh me këtë harresë të shenjtë: harrohet edhe plaga që djeg e që ther prej përfundimit të luftës,

Harrohen njerëzit që nuk dinë të përshtaten, dhe duan të mbesin vetvetja e vetvetja i lëndon,

Harrohen njerëzit e lodhur nga jeta, të mbuluar nga ankthi e frika, dhe shkelin gjithçka të bukur që bënë,

Harrohen të vetëvrarët, të therurit në rrugë, të mbyturit në trafik apo ata që marrin plumbin e hakmarrjes për të shtegtuar në një botë tjetër,

Harrojnë të rrëzuarit për tokë të ngrihen, të humburit duan të mbesin me humbjet që kanë pësuar në jetë,

4.

Është Harresë e Shenjtë, ajo vetëm pret, ajo nuk të kërcënohet, as nuk të thotë asnjë fjalë, s’të rrëfen për asnjë ngjarje, për asnjë fakt, nuk të zbulon asgjë dhe nuk ta jep asnjë dëshmi për ta kuptuar gjendjen tënde të vërtetë,

Është Haresë Hyjnore ku gjen prehje dhimbja,

Është fuqi e fshehtë që t’i merr përdore mendimet e shqetësuara,

Harresë e Bukur: është dëshmi se ti je gjallë, sepse vdekja as këtë harresë nuk ta dhuron,

Harresë shërimi: asgjë nuk na kujton se nga erdhëm e ku shkojmë, ku ishim para lindjes e ku shkojmë pas vdekjes;

Harresë magjike, që na mbulon me velin e saj të butë në foshnjëri e me velin e saj blu të errët mbi ëndrrat tona: as ato të mos i mbajmë në mend,

Harresë që na dërgon në gjumë, në gjumë ku nuk duam të ngrihemi, sepse ende nuk e gjejmë përgjigjen e pyetjeve të shqetësuara në rrethin e mbyllur të gjallimit,

Harresa bëhet motër me Utopinë, por të nesërmen edhe atë e dëbon, sepse ajo na i kujton botët e bukura,

Harresa e ka vëlla fatin, duke na bërë të ndërgjegjshëm se vuajmë (ky qenka fati ynë), por Fati përsëri na kthen me fytyrë dikah tjetër e na thotë: harrojeni dhimbjen! Ky është fati ynë i shenjtë,

E na thotë: mirë është që harroni se si t’i thoni JO Të Ligës në Botë, sepse kush do të na i shëronte plagët e vjetra, po qe se nuk do të lindin plagë të reja – ky është fati i njerëzimit,

5.

Harresa është lule e bukur që rritet në varre, ashtu siç e tha një poet,

Merrni erë kësaj luleje të bukur!

Nga aroma e saj do të shihni se si humbasin pa gjurmë qytete antike e deri te këto të botës teknologjike,

Shekspiri e thoshte se harresën duhet ta regjistrojmë në listën e krimeve të njerëzimit,

E ne na pëlqen ky Krim i Bukur,

ku gjithçka bie në fashë, ku shpirti lundron në qetësi të plotë dhe ku paqja e kërkuar e pasjetës na merr përdore,

s’ka liri e paqe më të bukur se t’i humbësh të gjitha!

(26 dhjetor 2022)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok