24/04/2024

Kontributi i kapedanit Haxhi Hoxha jeton në histori dhe në këngë

0

Nga MSc. Albert HABAZAJ

Thuhet që kapedanët si Haxhi Hoxha i lind koha kur i duhen vendit, sepse trimat kanë shokë shqiponjat e malit. Nga rrjedhat e historisë lokale, ai ngrihet në përmasat e trimave të kryengritjeve popullore të Shqipërisë së Jugut, në luftë për mbrojtjen e tërësisë tokësore. Me kapital të ardhur e të mirëmbajtur, ai e shpuri përpara ekonominë e tij dhe u shfua për fisnikëri, krahas bujarëve të tjerë, si Tartar Memushi e Demir Ago Curri, që, që emrin që la në histori e kulturë i folën Demir Ago Vlonjati.

Haxhi Hoxha ishte trim i tërbuar. Thonë që syri i tij ishte aq i fortë, sa devijonte dhe flurudhën e plumbit. Ai e hante plumbin me sy. Të hante të gjallë!… Emri i Haxhiut radhitet me dinjitet krahas trimave të tjerë të shpatës shqiptare, si Gjoleka, Cane Miftari, Zoto Mahmuti, Lulo Habazi, Shako Xhaka, Dervish Aliu, Selam Hasani, apo Rrapo Hekalit, Hodo Nivicës,Tafil Buzit,  Çelo Picarit, Zylyftar Podës, Sinan Malos, Leskodukajve pallëlarë e atyre trimave të tjerë, ujq të tërbuar në luftë, bujarë të qetë me fshatarët.

Haxhi Hoxha e lartoi emrin e fshatit të vogël të Matogjinit, por emërmadh në histori. Shpirti liridashës i këtij labi, që “shtinte në dritë të vetëtimës”, nuk u mposht as nga topat dhe as nga dekretet e Sulltanit. “Armët e lara” të kapedanit Haxhi Hoxhë Smokthina  bënë jehonë që emri i tij edhe sot e kësaj dite në hapësirat e pamata të historisë lavdimbuluar të fluturojë i cilësuar “Shqiponja e Matogjinit”. Haxhi Hoxha e Tartar Memushi tok me Dule Zoton, Zoto Mahmutin, Cane Miftarin janë simbole trimërore jo vetëm për pesë fshatrat emërdëgjuar të Smokthinës, por bëmat e tyre marrin dimensione historie.

Duke qenë shumë falënderues për poetin sentimental, ndërkohë historian i palodhur dhe studiues referencial, mësuesin veteran Ruzhdi Sherif Bajrami, i cili, fatmirësisht me albanologun e njohur prof. Bardhosh Gaçe janë bashkautorë të monografisë “Kapedani Haxhi Hoxhë Smokthina”, Tiranë, Maluka, 2022, me 256 faqe, me foto, kushtuar Beut bujar të Matogjinit, dua të argumentoj se përse themi që emri i Haxhi Skëndo Hoxhës e tejkaloi kufirin e historisë lokale.

Ai ka qenë kryeplak i Smokthinës, por qe zotni me kapital e moral të lartë, derë e madhe e derë e hapur mikpritjeje fisnikërisht me mirësi.

Historia e tij merr udhë përpara kuvendeve të Labërisë e pjesëmarrjes në organizatën kombëtare “Besa-Besë’ të Beratit, që organizoi Kuvendin “Lidhja Shqiptare” më 7 nëntor 1828 dhe ngrihet trimërisht gjykimtare në Kuvendin ndërkrahinor të Picarit, Gjrokastër, 1846 dhe në Kuvendin e Mesaplikut për organizimin e kryengritjeve antiosmane në Shqipërinë e Jugut, mbajtur më 21 Qershor 1847, kuvend i cili u shpreh kundër reformave të Tanzimatit dhe për vetqeverimin e Shqipërisë dhe zgjodhi Zenel Gjolekën si komandant të forcave kryengritëse.

Përveç materiali të pasur gojor të trashëguar dhe të transmentuar brez pas brezi, emri i tij figuron edhe në libra të mirëfilltë historikë të nivelit kombëtar. Futemi në kohë.  Jemi në kohën e zjarrin që po ndizte kryengritja e madhe fshatare antifeudale dhe kundër reformave  të Tanzimatit e vitit 1847 dhe organizatorja e saj “Besëlidhja shqiptarë” që përbëhej nga udhëheqësit e fshatarësisë. Revolta e shqiptarëve ndaj padrejtësive, shtypjes e shfrytëzimit bëri që, sidomos në Jug, krerët e fshatrave dhe krahinave të mobilozojnë, të mbledhin e të organizojnë trimat si një ortek i fuqishëm popullor kundër feudalëve gjakpirës dhe kundër të ashtuquajturave reformat të Tanzimatit, të cilat ishin vetëm në funksion të Perandorisë së egër Osmane. Një dokument i shkruar nga një konsull i huaj më 6 gusht 1847 në Janinë thotë: “Dhuna dhe keqpërdorimet e familjes së fuqishme të Vrionasve janë ndoshta shkaku kryesor i kryengritjes së tanishme”

Thuhet se Hysen pashë Vrioni (sundimtari i Beratit) e thirri Rrapo Hekalin në Berat së bashku me krerët e tjerë kundërshtarë të kësaj krahine dhe kërkoi ndihmën e tyre për zbatimin e rekrutimit të detyrueshëm ushtarak. Në këtë mbledhje, pashai i Beratit gjeti rezistencë të madhe nga krerët e Mallakastrës me në krye trimin Rrapo Hekali. Atëherë Hysen pashë Vrioni, i tërbuar nga inati i kërcënoi mallakastriotët se në krahinën e tyre do të rekrutonte jo vetëm jo vetëm djemtë, por edhe vajzat!…

I preku keq në sedër burrat e luftës e të kuvendeve, të nderit e të lezeteve, i provokoi në nder burreci, prandaj e meritonte shpagimin popullor pamëshirshëm. Pikërisht në këtë peruidhë nis stuhia çlirimtare dhe ngjizet gjaku atdhetar i fillimit të Rilindjes sonë Kombëtare.

Ashtu siç pritej, luftëtari Rrapo Hekali, në këtë kohë, shkoi në Sinjë të Mallakastrës dhe organizoi një mbledhje të shpejtë me krerë të thirrur nga mbarë krahina. Përveç burimeve të tjera, Mexhit Kokolari shkruan, se nga krahina e Mallakastrës “Aty erdhën Zeqo Xhafo Karbunara, Orhan Bardhanji nga Bardhaj i Fratarit, Shabanpeshtani, Zenel Xhafo nga Aranitasi, Veiz Cakrani, Sulo e Muço Zeneli nga Greshica, Lulo Duranji dhe Yzeir Mahmuti nga Kalenja, Luman Elmazi nga Drizari, Sulejmën Çelo Toçi, etj. Dhe nga kazaja e Vlorës Beqir Velo e Hadër Sulo Kanina, dervish Aliu dhe Elmaz Rodaku nga Dukati, Kamber Delo Tragjasi, Haxhi Hoxha, Tartar Memushi e Dule Zoto nga Smokthina, Imer Kudhësi etj.”

Dimë nga historia dhe epika historike e kësaj periudhe, se në këtë mbledhje Kapedani mallakastriot i vuri kryetrimat në dijeni për kërkesat dhe kërcënimet që i bëri pashai vrionas në lidhje me rekrutimin e detyrueshëm ushtarak. Ai u bëri thirrje këtyre burrave që kërkesave të pashait t’i përgjigjeshin me grykën e pushkës. Krerët e të dy krahinave e përkrahën njëzëri Rrapo Hekalin dhe në mbledhjen e Sinjës u vendos që asnjë ushtar të mos i jepej Turqisë osmane, që kërkonte “Nizam Xhedid”. Sipas marrëveshjes, forcat e Mallakastrës dhe të kazasë së Vlorës u takuan në Povël dhe andej u nisën në drejtim të Greshicës, ku ishin përqëndruar tre batalione të Hysen pashë Vrionit, nën kryesinë e vëllezërve të tij: Isuf beut, Sulçe beut e Lamçe beut. Folklori është thesar për këtë ngjarje. Kush nuk i di përmendësh dhe si këndon me krenari nga trevat tona kreshnike këngën e famshme: “Doli Rrapua në Sinjë,/ Seç e mblodhi miqësinë:/ – Del, o Lum’ i Vlorës-o,/ Del, se do të dalim-o,/ Të mëdhenj, të vegjël-o,/ Të pjekur në Povël-o,/ Kemi hall me Virjon-o,/ Na kërkon nizamin-o,/ Nizam e xhepelet-o…” apo elegjinë epike “Moj Greshica maja-maja,/ për tri dit’ u bë hataja…/ o ju grat’ e greshiciote…,/ qani djemt’ e smokthinjote…”, etj.

Historia na jep këto njohuri: “Forcat e bejlerëve ishin vendosur në pjesën verilindore të fshatit Greshicë, në lagjet: Muça, Zotaj dhe Ferobeaj. Ishte verë e vitit 1847. Lufta filloi në mbrëmje. Greshiciotët, nën kryesinë e bashkëfshatarit të tyre, Sulo Zenelit e mbajtën vetë luftën një natë e një ditë. Ata luftuan me trimëri duke kthyer dhe gurët në barrikadë”, duke kujtuar dhe zbatuar taktikat e luftës popullore me jehonën gjëmimtare të Epokës Skënderbejane. Informacioni rrjedh i plotë, që këtë kohë nga jugperëndimi arritën forcat kryengritëse të Lumit të Vlorës me në krye matogjinasit e papërkulur Haxhi Hoxha e Tartar Memushi dhe kaninjotin Hadër Sulo që luftonte në këmbë. Ata u përleshën me trupat e rregullta të vrionasve në kodrën e Ferobeajit, ndërsa forcat e Rrapo Hekalit u hodhën në sektorë të tjerë.

Lufta vazhdoi e egër për tri ditë rresht. Pati dëme të ndjeshme në njerëz nga të dy anët. Pas një beteje të rreptë trup me trup kodra e Ferobeajës ranë duart e luftëtarëve të kazasë së Vlorës. Dëmet e armikut ishin të mëdha, por edhe ato të Lumit të Vlorës nuk ishin të pakta. Atje u vranë rreth 60 smokthinjotë. Edhe sot në Greshicë dihen varret e smokthinjotëve, që  ranë si u ka hije trimave dhe me vdekjen e tyre e ngritën më lartë moralin e kryengritësve, që ua morën hakën si dinin ata, që siç e thotë dhe kënga: “Prenë sa u deshi dora!”

Emri i Haxhi Hoxhës udhëton lart në histori, jo thjesht se kishte kalë të bardhë e mbi kalë luftonte burrërisht, pa e njohur humbjen në betejë. Ndër anëtarët më aktivë të “Besëlidhjes”, emri i tij figuron në krahë të emrave të përfaqësuesve që kanë firmosur Letrën e Madhe drejtuar mbretit Oton të Greqisë nënshkruar më 15 gusht 1847 nga 89 krerë, që përfaqësonin krahinën me të dy Mallakastrat, Kazanë e Vlorës dhe kazanë e Delvinës, në “Besëlidhjen” shqiptare. Ku ka nder më të madh kur në histori gjendesh në krahun e duhur?! Ku ka vlerësim më të lartë për të pasmit, kur emri i një prijësi lokal, siç ishte Haxhi Hoxha të ndodhej në krah të Zenel Gjolekës, Çelo Picarit [Xhelil Mehmet Sefer Bega] e Rrapo Hekalit [Rrapush aga Kamdibashi]?!

Ndërkohë, Porta e Lartë synoi që në pranverën e vitit 1847, Labërisë t’i vishte rrobat e zisë me ngjyrat e egra osmane. Luftëtarët e Vranishtit së bashku me ata të Tërbaçit të udhëhequr nga Mete Çobo e Lulo Habazi, të vëllazëruar dhe me trimat e Kuçit, Kallaratit, Bolenës e Smokthinës e organizuan më së miri mbrojtjen ndaj vërsuljes barbare osmane. Në fakt, armiqtë nuk kaluan nga grykat ku i pritnin kryengritësit, por u drejtuan nga ana e Mesaplikut, pasi ishin informuar më parë nga një pjesë e parësisë otomane të Vlorës. Lufta plasi në Horë, ku turqit kishin ngritur çadrat e tyre. Toka e Horës u përgjak krejt nga gjaku i ushtarëve osmanë dhe i luftëtarëve shqiptarë që nuk lejonin të përjetësohej sundimi i huaj në vatrat e tyre.

Janë dëshmi heroike këto që shkruhen në Horë, Bogdan e Gjomihà (toponime në Tërbaç), ku tok me vëllamin e tij, kapedanin e Tërbaçit Lulo Habazi, me trimat e tjerë tërbaçiotë Dulo Koka, Dino Drëri, Beqir Selimi etj., ishte dhe i tmerrshmi për turqit e zinj kreshniku Haxhi Hoxha. Ata u dalluan për trimëri të rrallë dhe zbatuan me mjeshtëri taktikën e luftës së çetave, duke i sulmuar osmanët edhe natën në çadrat e tyre.

Betejat e përgjakshme me pushtuesit otomanë në Mesaplik, Shushicë, Hundëxhepe, Pajamè, Kallarat e Grykat e Kuçit, dëshmuan qartë trimërinë e Haxhi Hoxhës dhe luftëtarëve smokthinjotë, por edhe vetëmohimin e kapedanëve dhe luftëtarëve të tjerë të Bolenës, Mavrovës, Gumenicës, Tërbaçit, Vranishtit, Velçës, Kaninës, Sevasterit, Bratit e Bregut të Detit me Gjikë Thanasin dhe Sokrat Lekën në krye.

Ka një gojëdhënë popullore që është përcjellë gojë më gojë dhe ka ardhur deri në brezat e sotëm. Këto burime gojëdhënore rrëfejnë se kjo luftë qe aq e ashpër dhe e rreptë, saqë u kuq uji i Shushicës, Lumit të Vlorës, me gjakun e ushtarëve osmanë, me të luftëtarëve shqiptarë, që kishin vendosur të rronin të lirë në vendin e tyre, në punë të tyre, pa i rënë në qafë kujt, pa lejuar kënd t’u bjerë në qafë.

Haxhi Hoxha rrojti, u bë lis gati shekullor dhe në këmbë sa qe. Se ishte burrë kuvendi e kapedan lufte, se kishte këto virtyte e cilësi humane dhe vlerat e larta atdhetare, Haxhi Skëndo Hoxha u quajt Haxhi bej Smokthina.

Vlorë, 26.12.2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok