24/07/2024

HAMËZ DHE ADEM JASHARI ISHIN KRYEÇETANIKËT E DRENICËS

0

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Hipokrizia dhe falsifikimi e përshkoi tërë manifestimin, në të ashtuquajturën “Epopeja e UÇK-së” në Prekaz. Dhe, ky falsifikim nis qysh në titull:

1) Për çfarë “epopeje” bëhet fjalë, kur familjarë të ngujuar, në përdhesin e kullës, goditën me armë të rënda, pa asnjë mundësi për t`u kundërpërgjigjur apo shpëtuar?! Epopeja presupozon ndeshjen e formacioneve luftarake në fushë-betejë, ku përgjakja është e rrëkeshme, nga të dy palët ndërluftuese. Pra, nëse pellgjet e gjakut nuk arrijnë -deri në zog të këmbës, të paktën, deri një opangë po-. Këtë na mëson historia e lashtësisë, me epoperat e asaj kohe, prej nga vjen edhe emërtesa. Dhe, kjo nuk ka pasur as mundësi teorike të ndodhë ke Jasharajt, sepse epërsia armike ka qenë enorme, gjuajtjet në cak, me armë të rënda, nga largësia, kanë qenë të njëanshme dhe fatale. Raporti i forcave, tmerrësisht, i shpërputhshëm, i pabarabartë.

2) Një falsifikim i rëndë, madje, kriminal, i bërë qëllimshëm, nga banda SHTAB-iste, për arsye tërësisht politike, është ndarja e Vëllezërve Jashari, Hamzës nga Ademi! Asnjë pushkë, asnjë betejë, asnjë veprim luftarak, nuk ka bërë Ademi pa Hamzën. Andaj, janë meritorë të barabartë. Dhe, si të tillë duhet të trajtohen me barabarësi: në emërtime, shtatore, fjalime. Të gjithë shqiptarët e dinë këtë, ashtu siç e dinë edhe qëllimin e poshtër dhe kriminal të SHTAB-istëve të “Rognerit”. Andaj, edhe dështuan, turpshëm, në qëllimet e tyre banditeske.

Për rrjedhojë, për të mos e thelluar më tej marrëzinë dhe krimin – njëherësh, institucionet e Kosovës, duhet t`i bashkojnë dy Vëllezërit Jashari: në shkrime, libra, emërtesa institucionesh, rrugë, sheshe, në buste e shtatore, në këngë dhe histori.

3) Cinizmi dhe tallja e heroit Adem Jashari janë edhe ndoca emërtesa idioteske, si  Aeroporti i Prishtinës, Shtëpitë e Kulturës, ku Ademin nuk e lidhë asgjë, as me njërën dhe as me tjetrën.

4) Qendresa e Jasharajve, me epilog masakrën familjare, nuk duhet ngatërruar me UÇK-në dhe, madje, as me çetën. Dihet, Hamëz e Adem Jashari, formuan çetën e parë guerile në Drenicë. Dhe, ata, të dy, ishin kryeçetanikë. Kjo emërtesë është e mjaftueshme, kulmore, për kohën dhe rrethanat. Çdo shtesë tjetër, kinse, për ta madhuar figurën e tij, është zhurmim, zvetnim dhe përrallisje, sa e qëllimshme, aq edhe dështuese.

Kur vepronin e luftonin Hamëz dhe Adem Jashari, nuk ishte formuar asnjë batalion, asnjë brigadë luftarake, asnjë Ushtri Çlirimtare e Kosovës, për ta komanduar Adem Jashari. Këtu nis edhe falsifikimi i madh. Realisht, Hamëz dhe Adem Jashari nuk ishin dhe nuk janë komandantë. Ata janë luftëtarë, njëherësh, krejt të vetmuar, të cilët, në ditën fatale pranë kishin vetëm babën Shaban, dajën Osman Geci, mysafir Ferizin dhe Familjen fisnike Jashari.

5) Legjenda dhe përralla janë simotra. Vet emërtesa “legjendë”, relativizon të vërtetën. Prandaj, Adem Jashari nuk ëshë as legjendë dhe as legjendar. Pra, nuk është përrallë. Por, ai është Hero i vërtetë i Kosovës, i cili ishte i përkushtuar, për të luftuar për lirinë e Kosovës, gjithnjë, së bashku me vëllanë Hamzën. I rrethuar në kullën e tij, madje, familjarisht, rezistoi, dëshpërueshëm, në pa mundësi, as teorike, për të bërë më shumë, deri në flijimin vetanak e familjar. Mjerisht!

Dhe, kjo është masakra, sa e ngeshme, aq edhe e dhimbshme e Familjes të Jasharajve. Dihet, kjo nuk është as masakra e vetme dhe as më e madhja. Por, është më e tmerrshme, më e dhimbshme, sepse është vrasje, vdekje e pritshme, në kohëzgjatje enorme. Janë fëmijë, vajza e djemë, gra e plaka, pa asnjë mundësi mbrojtjeje! Dhe, këto elemente e rrethana, e shquajnë masakrën e Prekazit, nga 420 masakrat tjera serike anekënd Kosovës. Realisht, lufta në Kosovë ka qenë më shumë se sa luftë, ka qenë masakër masive. Dhe, kjo dëshmohet më përmasat numerike të viktimave, tej 13 mijë, kundrejt, përafërsisht, 800 dëshmorëve.

Soldateska serbo-sllave e Millosheviçit masakrat i nismoi në Qirez e Likoshan, për të kulmuar në Prekaz, ku ploja ishte masive. Protagonistë të rezistencës, “në mbrojtje të pragut të shtëpisë”, siç e arsyetonte rezistencën e shqiptarëve, kundër pushtetit serb, Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova, ishin Vëllezërit Jashari, Hamëza dhe Ademi, së bashku me babën Shaban dhe dajën Osman. Makabriteti i përgjakshëm ndaj Familjes Jashari, ishte shtysë për vetëmbrojtje masive të popullit të Kosovës. Sepse, “gjëma që ndodhë në kojshi, prite në shtëpi”,- na mëson urtësia. Prandaj, ngjarja tragjike në Prekaz ka veçantinë e saj. Andaj, edhe përkujtohet si thirrje e kushtrim mobilizues të popullit, në forma të ndryshme, për rezistencë e vetëmbrojtje, deri në çlirim.

Maskarada manifestuese në Prekaz, me defilimin e “komandantëve” kriminelë të “Rogneri-t”, dhe të tjerët jashtë tij, është rivrasje e Hamëz e Adem Jasharit dhe e Familjes së gjerë Jashari. Ish-komandantët SHTAB-istë, sabotuan armatimin e çetës të Hamëz e Adem Jasharit, madje duke i quajtur “bashibuzukë” e diç më keq! Edhe markat e dërguara nga Mynihu i Gjermanisë, i përvetësuan. Si në rastin e Zahir Pajazitit, të cilin SHTAB-istët donin ta komandonin nga Rogner-i. Dhe, kur nuk i dëgjoi, e vunë në pritën e armikut.

Legjendë e legjendarë, pra, përrallë, janë komandantët hileqarë e zuzarë, të cilët, në vend që të hyjnë në Kosovë dhe të luftojnë përkrah Hamëz e Adem Jasharit, i futën bandat e Organizatës ilegale kriminale e terroriste të SHIK-ut, për të vrarë komandantët dhe ushtarakët luftëbërës  të FARK-ut; kuadrot dhe veprimtarët e LDK-së të Ibrahim Rugovës; veprimtarët e hershëm të LPK-së, për ta shmangur konkurrencën për pushtetin e pritshëm; gazetarët, korrespodentë të luftës; burra dhe djemë pjesëmarrës në ekzekutime, të kundërshtarëve politikë, me urdhër të komandantëve dhe fshehjen e kufomave të viktimave të tyre, për t`i hapur rrugën karrierës së tyre të zezë dhe të përgjakur.

Heronj legjendarë fiktivë, të rrejshëm janë SHTAB-istët, të cilët mrizonin në vilat e Bllokut të zi, sinonim i krimit, të Tiranës, në pritje për ta  përvetësuar luftën e FARK-ut. Ata pretendonin se të gjithë luftonin nën komandën e tyre, edhe pse kurrë nuk u angazhuan në luftë, ashtu siç e kanë pranuar edhe vetë.

Kryetari i Prishtinës, Arkitekti i përbotshëm, Përparim Rama, me delegatët e Kuvendit të tij, kanë caktuar lokacionin për ngritjen e Shtatorës të Adem Jasharit. Mendoj se atë që nuk e bënë të tjerët, radha është ta bëjë arkitekti i mirënjohur londinez.

Tashmë, gjithçka është qartësuar, se nismëtarë të organizimit të rezistencës të armatosur në Kosovë, janë djemtë e përgaditur nga oficerët pedagogë elitë të Akademisë Ushtarake të Shqipërisë, në Surrel të Tiranës. Ata janë: Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Ahmet Hoxha, me shokë, të cilët organizuan rezistencën e armatosur, përkatësisht, në zonat Dukagjin, Drenicë, Llap, Ana Moravë dhe gjetkë në Kosovë. Ndonëse Hamëz Jashari ka vepruar dhe luftuar i pandarë nga vëllai i tij Ademi, ndërtimi i një Kompleksi Memorial të përbashkët, për të pestit, do ta zbukuronte kryeqendrën e Kosovës, Prishtinën.

Sidoqoftë, kryetari i nderuar, Përparim Rama, me shokë dhe Institucionin përkatës, nëse nuk realizon Kompleksin me pesshën  e cituar, të paktën, t`i bashkojë në një shtatore Vëllezërit Jashari, respektivisht, Hamzën dhe Ademin. Dhe, kjo të jetë nismë dhe thirrje edhe për institucionet zyrtare e qytetare private, për të korrigjuar fajësinë, deri në krim, të disa “biçim” komandantësh, për ndarjen e Vëllezërve, për qëllime të ulëta politike!

Mbetem me shpresë e besim për mirëkuptim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok