08/10/2024

Novelë nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

Janar. Atë kohë unë isha me sezonin e povimeve në Tiranë. Një student, shok i të fejuarit tim, Arianit, tha se, ai më kishte telefonuar, kur unë s’ndodhesha aty. Ndaj në orën katërmbëdhjetë, ta prisja pranë telefonit të sekretarisë së universitetit.

U habita disi me këtë telefonatë të papritur, pasi vetëm para dy ditësh isha larguar nga qyteti. Ndaj e shqetësuar shkova dhe iu luta Alisës, sekretares që, mundësisht, të më njoftonte nëse do të më kërkonin në telefon. Ajo u tregua e gatshme dhe sa ra zilja e telefonit, më njoftoi.Vrapova, se kushedi përse,-hamendësova.

-Alo …Keti, ti je? -dëgjova zërin e dashur të Arianit që, as vetë nuk di pse m’u duk i tjetërsuar.

-Po shpirt, unë jam. Pse më more kaq herët? A nuk e lamë të flisnim të shtunën…?!

– Si je?- më pyeti ai i pari.

-Unë mirë jam, po ti si je? – e pyeta me padurim, sepse me siguri, ai  kishte diçka për t’më thënë, ndaj më telefonoi.

-Edhe unë jam mirë. Po si të të them…më mori malli.

Nuk di pse m’u duk sikur e la mendimin pa përfunduar, ndaj e pyeta e çuditur:

-Kaq shpejt?

-Pse, dy ditë të duken pak? Apo larg syve, larg zemrës…Po tjetër ç’kemi?

-Kudo që të jem, edhe në fund të botës, vetëm ty të ndiej pranë. Kur të thashë “Të dua”, nuk pyeta vetëm sytë, por edhe zemrën. Tik-taku i saj më drejtoi për tek ti. Të rejat i pres nga ty, sepse nuk jam unë ajo që telefonova.

-Keti, do të të jap një lajm të keq, që do të dëshpërojë.

Drithërimat e zërit të tij më përshkuan trupin si mornica…

-Eva vdiq…- tha i tronditur.

-Çfarë the? Cila Evë?

-Eva Thomai, shoqja jonë … Eva e ansamblit të valleve.  Megjithëse ishte maturante ajo, bënte pjesë në rrethin tonë shoqëror.

-Kur….si…si ka mundësi… nga se vdiq? O Zot, kaq papritur?!

Prej atij lajmi të hidhur isha bërë si e çakërdisur dhe pyetjet e mia nuk kishin të sosur.

-Vërtet, ashtu vdiq…, fare papritur. Sot në orën 9 të mëngjesit, u helmua.

-Uuu…sa shumë më dëshpërove? Sa keqardhje kam për jetën e saj të re. Një vdekje e llahtarshme, sepse e njihja dhe e vlerësoja si vajzë për së mbari. Si e tillë ajo dallonte në shoqërinë tonë, -klithja pa pushim.

-Ke të drejtë, e dashur. Kush mund ta besonte se Eva do të vdiste…ajo deli vajzë…dhe si vdiq se…?!

-Po Kastrioti?

-Thonë se ai është fajtor dhe shkaktar për vdekjen e saj. Po… si e qysh ndodhi, ne s’dimë gjë…Një Zot është që e di…Po merret hetuesia me këtë punë. Po marrin në pyetje gjithë shoqet dhe shokët e saj, pra gjithë ata që kanë pasur të bëjnë me të dhe që e njihnin mirë. Nesër më njëmbëdhjetë bëhet varrimi. Ti do të vish?

– Ditën tjetër unë kam provim dhe më duhet të përsëris disa gjëra që ende i kam të paqarta. Mirë do të ishte të ndodhesha aty, sepse e kam mbajtur gjithmonë pranë. Pastaj Eva ishte një vit pas meje në shkollën pedagogjike. Madje në datën 31 dhjetor e takova dhe vura re, se ishte e shqetësuar. Sa gabim kam bërë që e lashë vetëm në dëshpërimin e saj. S’kam për t’ia falur vetes kurrë.

-Qetësohu Keti, të lutem, qetësohu. Ajo që ndodhi, e keqja u bë tani. Jo ti, po asnjë nuk mund ta kthejë atë që iku. Keti, a më dëgjon? Aty je?

-Po…po…, iu përgjigja me një zë të shuar.

-Mbaje veten, zemër, se je larg dhe do ta kem mendjen tek ti, – mundohej të më qetësonte Ariani.

-Po, po Ari, do të bëj ashtu, si më thua ti, – iu përgigja me gjysmë zëri dhe i dhashë një lamtumirë të mjerë.

Një lëmsh më ishte bërë në fyt dhe doja të klithja, të ulërija me sa zë që kisha, në mënyrë që të shpëtoja prej gulçit që më kishte pushtuar kraharorin. Ula receptorin dhe ngela e gozhduar aty, në sekretari.

-Çfarë ke, Keti? Mos more ndonjë lajm të pakëndshëm? Ulu dhe rri pak se je zbehur në fytyrë, – më udhëzoi Alisa. Ndërkohë më zgjati një gotë me ujë.

-Më vjen keq, Alisa. Të lutem, më fal, se u tregova e pasjellshme, madje as nuk të falenderova.

-Mos e thuaj, Keti! Nuk ka asgjë po më parë ulu në karrige, se nuk je në gjendje të bësh asnjë hap dhe pije ujin ngadalë.

E falenderova dhe nisa të kapërditja ujin me vështirësi, se lotët më ishin grumbulluar në grykë.

-Si je, ndihesh më mirë tani? -pyeti Alisa.

-Unë…mirë jam, po ajo ç’pati? E shkreta Eva!- flisja me vete, gati përçart.

-Të lutem, më thuaj se cila është Eva? Çfarë ka pësuar?

-Cila është Eva?! Eva, një shoqja ime tetëmbëdhjetë vjeçare… ka vrarë veten.

-Ka vrarë veten?! Pse? Sa keq! Është e pabesueshme, kaq e re?

-Edhe unë kështu mendoj si ti, po ja që ajo e bëri.

-Si ka mundësi që një vajzë që është vetëm tetëmbëdhjetë vjeçe, të marrë guximin e të vetëvritet? Sado i rëndë të ketë qenë gabimi apo faji i saj, nuk duhej ta kishte ndëshkuar veten kaq rëndë…

-Alisa, as unë nuk e di si e bëri këtë gjëmë. Nuk e kuptoj si arriti deri në atë pikë. Ti s’mund ta imagjinosh, sa vajzë e mirë ishte ajo. Vetëm kaq mund të them dhe asgjë më tepër…

E falenderova edhe njëherë dhe u ngrita për të shkuar në auditor.Trupi më dridhej i tëri. Nuk përcaktoja dot se në ç’drejtim duhej të ecja. Isha krejtësisht e hutuar dhe e befasuar, pasi s’doja ta besoja të vërtetën e hidhur. Doja të ikja sa më larg, po këmbët nuk më bindeshin dhe i hidhja si ndonjë e dehur e bërë tapë.

Pas disa sekondash pas shpine dëgjova zërin e Alisës që më thërriste në emër.

-Urdhëro Alisa, çfarë kishe?-e pyeta pa lëvizur nga vendi.

-Ajo vrapoi drejt meje dhe ashtu e hutuar siç isha, ndjeva dorën e ngrohtë të saj që më kapi, duke më thënë:

-Jo, ti s’ke ku shkon në këtë gjendje. Ndërkohë më kapi për krahu dhe më tërhoqi brenda zyrës së saj.

-Ulu, sa të sistemoj disa dosje dhe do të shkojmë bashkë. Sonte je e ftuara ime.

-Në asnjë mënyrë.Të faleminderit, po duhet të shkoj në konvikt.

-Vetëm mamanë kam në shtëpi. Do të lumturohet edhe ajo nga prania jote.

-Të lutem, mos ngul këmbë, se nuk vij.

-Më fal po befasia me dhembjen…?

-Do të më kalojë…sigurisht që do t’më kalojë, – ia preva fjalën dhe shpërtheva në lotë.

-Kjo tragjedi e papritur të ka tronditur shumë. Më vjen shumë keq mua që nuk e njoh fare dhe, jo më ty. Më vjen keq për moshën që kishte, vajzë e re në moshë të rinisë. Në raste të tilla njeriu ka nevojë të flasë me dikë dhe ta shprehë dhembjen…Ndryshe pëlcet nga marazi.

Në të vërtetë, kështu ndodhi edhe me mua. Ajo natë që bujta në shtëpinë e Alisës, biseda me ato të dyja, nënë e bijë, rreth tragjedisë së Evës, më lehtësoi. Ndaj thonë se si gëzimi, edhe hidhërimi nuk kalohen vetëm.

***

 

Në bisedë e sipër me Alisën dhe nënën e saj, u shpreha, jo vetëm dhembjen, por dhe çorientimin që pësova, se isha me sezon provimesh.

-Në këto dy ditë që më kishin mbetur, doja të sistemoja njohuritë dhe të plotësoja boshllëqet e lëndës. Por ja, papritur e pakujtuar, mësova një lajm tronditës dhe m’u prishën të gjitha planet.

-Eh, kështu e ka jeta, moj vajzë. Dikush, i lumtur qesh, dikush tjetër fatkeq, qan. Në jetë bashkëjeton gëzimi me hidërimin. S’ke ç’bën, joooo! – më dha kurajo e ëma.

-Edhe unë prandaj të ndala, se e pashë që e kishe humbur fare toruan. Një gjendje e tillë shpirtërore ndikon për keq tek cilido, aq më tepër te ti që je me provime. E mira e të mirave është që, të zbrazësh helmin. Vetëm kështu mund të çlirohesh nga ankthi, -më këshilloi Alisa.

-A do të arrij ta heq mendjen prej saj? Të lutem, më thuaj ç’të bëj?

-Më parë qetësohu! Pi ndonjë qetësues që të flesh.

-Po e provoj njëherë…Nuk e di, nuk e di nëse do të jem në gjendje…Më duket e pabesueshme dhe gjithmonë do të mendoj se ajo jeton diku në një kënd të botës së saj të ëndrrave.

-Pse, Eva ishte ëndërrimtare? -dëgjova si një jehonë të largët zërin pyetës të Alisës.

-Ëndërrimtare the?! Po…si çdo vajzë e moshës së saj. Evën e kam njohur para tre vjetësh, kur erdhi për herë të parë në shkollën e mesme. E kush nuk e njihte Evën?! Më kujtohet si tani… sikur ta kem para syve…

M’u afrua ngadalë me hapin e lehtë dhe më përshëndeti me zërin e saj të butë, të ulët dhe me paksa vibrime të ngjirura:

-Mirëmëngjes!

-Mirëmëngjes – iu përgjigja asaj vajze të ëmbël.

-Edhe ju në këtë shkollë jeni?

-Po, viti i dytë i shkollës pedagogjike.

-Atëhere do të jemi bashkë për tre vite…

U ndamë duke i uruar njëra -tjetrës, “një vit të mbarë shkollor!”

Ajo u largua me hapin e saj karakteristik, ndërsa unë po e ndiqja me sy. Një vajzë me trup të gjatë, të drejtë, me një bardhësi lëkure të veçantë, sidomos të fytyrës. Dy sy jeshil në gri, dy sy inteligjent që lëviznin papushim, ndoshta kërkues të së panjohurës. Këto cilësi tregonin se kishe të bëje me një vajzë të shkathët dhe me intelekt. Ishte gjysmë bionde, me flokë të prera shkurt. Një tufë cullufe të pabindura formonin balluket në të djathtë të ballit. Buzën e sipërme e kishte pak më të shkurtër dhe jo fort të rregullt, gjë që lejote t’i dukeshin dy dhëmbët e parë pak më të mëdhenj se të tjerët. Këto tipare dhe në mënyrë të veçantë ecja me një hap të vogël, të lehtë e të shpejtë, ishte karakteristike për të dhe e dallonte nga të gjitha vajzat e tjera të shkollës. Mbi të gjitha kishte një sjellje që të bënte për vete. Kjo tregonte se kishte marrë një edukatë të mirë familjare.

-Sa vajzë e sjellshme! Është e re dhe kërkon njohje,- teksa mendoja, ajo hyri mes nxënësve të vitit të parë.

Kurrë nuk kam për ta harruar zëin e saj  të ëmbël dhe të çiltër, kur një ditë m’u drejtua mua:

– Më falni, edhe ju jeni në grupin artistik të shkollës?

-Jam, po nuk dua të më drejtohesh në shumës, sepse të dyja jemi nxënëse.

-Jo, nuk mund të të drejtohem me ti, se ju jeni më e madhe se unë.

-Një apo dy vjet, nuk është diferencë e madhe. Përse të intereson ta dish nëse jam apo jo në grupin artistik?

-Meqënëse kemi të njëjtën rrugë, a mund ta bëjmë së bashku?

-Me kënaqësi. Si quhesh?

-Eva, më quajnë, – u përgjigj dhe një i kuq i i lehtë i mbuloi mollëzat e faqeve paksa të ngritura.

-Ta gëzosh! Paske emër shumë të bukur! Kurse unë jam Keti.

– Keti, të faleminderit! Edhe ti ta gëzosh emrin! Të falenderoj dhe për rrugën që do ta bëjmë bashkë, – tha dhe u largua e kënaqur.

-Kjo ka qenë njohja jonë e parë. Pastaj ajo sa herë që më shikonte nëpër shkallë, në korridore, në oborrin e shkollës, apo diku tjetër, shkëputej nga shoqet dhe më përshëndeste. Qysh në vitin e parë Evën dhe disa vajza të tjera i aktivizuan me ansamblin e qytetit, në grupin e valleve. Në vitin e fundit të shkollës, Eva me shoqet u prezantuan në një spektator të zgjedhur me rastin e 50 vjetorit të Pavarësisë kombëtare. Kishin një vit që punonin me ansamblin. Gjatë provave u njoh me një djalë, të cilin e kishte partner në çdo valle. Kastriot e quanin. Ai ishte djalë i mirë, por i mungonte iniciativa. Në shtëpi kishte vëllanë dhe nënën, fjala e së cilës ishte ligj për të. Nuk jam kundër respektimit të prindërve, sepse atyre u detyrohemi shumë, si për jetën, rritjen dhe edukimin. Asnjë fëmijë nuk e shpërblen dot mundin e prindërve. Por duhet “gjella me kripë dhe kripa me karar”, thotë një shprehje e urtë e popullit. Nuk do të dëgjohen fjalët e tyre deri në atë masë, sa të bëhen pengesë. Të moshuarit me shumë vëshirësi e pranojnë të renë, e cila është në kundërshti me të vjetrën në shumë drejtime. Prandaj, jo kurdoherë dhe në çdo rast prindërit kanë të drejtë… Kështu ndodhi dhe me Kastriotin.

Ikën ditët, javët, muajt dhe viti që ata të dy, i kishin kaluar caqet e shoqërisë. Kastrioti i matur, natyrisht se ishte një djalë i pjekur njëzet e gjashtë-njëzet e shtatëvjeçar. Ndërsa Eva u dashurua marrëzisht pas tij, me vrullin e moshës, ashtu si çdo vajzë tjetër që dashuron për herë të parë. Eva kërcente me aq pasion e përkushtim, saqë i bënte të gjithë për vete sepse kërcente me atë… Dashurinë e saj të pastër ajo e shprehte në çdo figurë që bënte gjatë valles. Këto ndjenja të brishta e tradhtonin në çdo kohë, në buzëqeshjen e papërmbajtur e të bërë me gjithë shpirt. Binte në sy në lëvizjet prej kokete dhe të harmonizara të trupit, të kokës apo të duarve. Gjithë qenia e saj thoshte : “Ja ku jam, e tëra e jotja…A nuk të mjafton kjo?”, dhe me sy e përpinte atë. Mënyra se si përkulej, me delikatesë, kërkonte me çdo kusht që ta bënte atë të mos përmbahej. Në ato çaste pak a shumë të justifikueshme, se skena kërkon interpretim, ajo mrekullonte jo vetëm Kastriotin, por fitonte admirimin e shikuesve. Shumë shpejt u bë e njohur si kërcimtare, megjithëse kurrë nuk i kishte shkuar ndërmend se do të bëhej balerinë…

S’ke ç’i thua?! Kërcen bukur, është aq joshëse sa që të mban tërë kohës të gozhduar”. Ishin shprehjet e shikuesve pas spektaklit.

Pas një koncerti, të cilin e ndoqa me ëndje, u ngjita në skenë, se doja ta uroja për interpretimin e bukur. Po e kërkoja me sy, po nuk po e gjeja. Mes turmës pashë Inën, shoqen e saj dhe e pyeta.

-Prit, se tani vjen,- më tha.

Kur e pashë që u vonua, atëherë bëra nja dy hapa pas skenës dhe e pashë…ajo ishte aty bashkë me atë. Ishin kapur për duarsh dhe ajo diç i pëshpëriste Kastriotit. Mes kaltërsisë së prapa skenës, ajo dukej sikur vazhdonte lojën pas kuintave dhe priste që të hapej perdja ose të ngrihej sipari…dhe ata të dy t’i durtrokisnin… E befasuar nga ajo pamje pafajësie, nuk doja t’ua prishja ato çaste magjike e të paharrueshme. Duke marrë kënaqësinë me vete, u largova. Por këmbët e mia ndeshën në litarët e skenës dhe u bë pak zhurmë që u tërhoqi vëmendjen të dyve. Ajo sa më pikasi, më ndoqi pas me vrap…

-Keti, prit të lutem…- dhe në çast kërkoi të justifikohej.

-Urime! Shumë bukur, ti me të vërtet kërcen shumë bukur! Më ke pëlqyer shumë. Sonte ishe fantastike në skenë! Doja vetëm të të uroja.

-Faleminderit! Po suksesi nuk arrihet vetëm…

-Atëherë, urime të dyve!

-E ç’hyn ai këtu?

-A s’kërceni bashkë? Ju të dy s’keni kuptim pa njëri-tjetrin.

-Pse…ti e di? -më pyeti dhe u skuq paksa në fytyrë.

Më pas qeshi e kënaqur që ndjenja e saj nuk ishte më e fshehtë.

-Ëhë…dhe shkoni të dy si çift. Më vjen keq vetëm për një gjë:  – ti je nxënëse shumë e mirë dhe më duket pak si herët për ta menduar seriozisht të ardhmen.

-Kjo nuk më pengon, ashtu si ti që, edhe pse u dashurove, u fejove dhe po i vazhdon studimet e larta.

Në ato çaste ishte aq e çiltër, si qelibari dhe aq e sinqertë, saqë më vinte aq keq, sa më dukej sikur po bëja krim nëse ndërhyja në dashurinë e saj të brishtë.

Kështu vazhdoi marrëdhënia e tyre deri tani, thuajse për një vit të tërë. Mirëpo, kur në jetën tënde fusin hundët të tjerët…

Në datën 31 dhjetor në mëngjes, e takova Evën rastësisht tek ecte e përhumbur në bulevard. Më bëri përshtypje fytyra e saj e ngrysur. Nuk ishte e qeshur si më parë. Dukej se diçka e mundonte.

-Eva, si të shkojnë punët?

-Jo siç e kisha menduar unë…- m’u përgjigj e mërzitur.

-Pse?

-Po më bëhet kunati pengesë…

-E ke fjalën për burrin e sat motre? Kam dëgjuar diçka për të, por s’kam dashur ta besoj. Megjithatë, mos u shqetëso! Merri gjërat shtruar e me qetësi, se edhe atij do t’i mbushet mendja. Them se s’ka asnjë arsye…

-Nuk e besoj. Ai jo vetëm mbi mua që po ushtron presion të madh, por edhe te prindërit e mi ka ndikuar negativisht.

-Kunati?! E ç’të ka kunati? Asgjë…Nesër po qe se ndahet me tët motër, ose po të vdesë ajo…?! Po jot motër ç’thotë? Tek e fundit ti ke vëlla…

-Meqënëse im vëlla është më i vogël nga kunati, ndikimi i tij në familje është i madh. Edhe motra mban anën e tij…E ka burrë, doemos që do ta përkrahë mendimin e tij.

-Mos ki merak, se çdo gjë do të rregullohet.

-Kështu thua ti, pa më pyet mua? Të them me sinqeritet, Keti, më është bërë shtëpia ferr, sa nuk shkoj dot se dëgjoj të njëjtin avaz.  S’më lënë asnjë minutë të mendoj e qetë…

-Cilat janë pretendimet e kunatit?

-Që Kastrioti është i papërshtashëm për të qenë bashkëshorti im, sepse është nga një familje e deklasuar dhe me rregulla të ngurta. Sipas kunatit, e ëma e tij qenka plakë cinike, aq koprace sa nuk i del nga e prapta e dorës. Thonë se kur hanë drekë ose darkë, e lidhin macen për këmbe, te tavolina. Madje kërkoka dhe nuse me pajë…

-Ti, Eva, i beson të gjitha këto? Jo, nuk ka mundësi.  Kush t’i tha gjithë këto gjepura? Mua më duken shpifje shumë të trasha sa s’i mban dheu. Nuk di, nuk di si t’i quaj?!

-Jani m’i tha. E kush tjetër? Ai ishte takuar me Kastriotin edhe me të ëmën. U kishte bërë presion. Se në ç’formë unë nuk e di, nuk mund të jap dot shpjegim. Ndërsa për familjen time u kishte thënë se mbajmë kreshmë dhe festojmë pashkët fshehurazi. Në shtëpi ruajmë ikonën e Shën Mërisë dhe ngjyejmë vezë të kuqe për pashkë.

-Më duket si e pabesueshme kjo që po dëgjoj…-i thashë e befasuar.

-Këto janë diskutuar dhe janë mëse të vërteta, sepse i mësova nga goja e Kastriotit.

-Kur shohim ndonjë njeri që punon në aparatin shtetëror të partisë dhe sidomos një diplomat, që ka qenë ambasador në një shtet perëndimor, na duken si idhuj, por realiteti qenka ndryshe.

-Në fasadë po. Vetëm për t’i trajtuar problemet e tyre dhe moralin komunist janë të përkryer, – u ankua Eva me sy të vagëlluar nga lotët.

-Unë dëgjova se ti me Kastriotin keni marrë një nismë, po nuk di nëse është e vërtetë ose jo?!

Ajo vazhdonte të qante dhe më tërhoqi në një kënd të bulevardit që të mos e shihnin të tjerët. I vinte turp. O Zot, të kesh turp sot se dashuron dhe kërkon të lidhësh jetën me një njeri që e do. Habitem, se ata bijen në kundërshtim me një fakt të kryer. Martesën me dashuri politika gjasma e reklamon, po tani…? Me të vërtetë më duket diçka e çuditshme, e papranueshme dhe e pabesueshme që të afërmit e saj nuk e pranojnë dashurinë e tyre. Me të vërtetë jetojmë kohën e paradokseve.

-S’ka asgjë për t’u çuditur? Ky është një realitet i hidhur. Ata janë kundër dëshirave e ndjenjave të mia dhe po ma presin ëndrrën në mes.

-Përderisa ke vendosur të bësh diçka, unë them se ëndrrat e tua do të realizohen.

E përqafova dhe i urova mbarësi. Ajo ma priti:

-Gjithmonë e kam dënuar ikjen e vajzave nga familja dhe martesën e tyre pa pëlqimin e prindërve. Shpesh herë, kur kam dëgjuar për martesa të tilla, kam menduar se një arratisje e tillë, është paaftësi e vajzës për t’u mbushur mendjen prindërve, se është më pozitive një martesë me dashuri, se sa…Por ja që u dashka ta bësh një veprim të tillë. Kam kaq muaj që po debatoj me ta dhe nuk po i bind dot. Më është bërë shpirti vrer nga ato që dëgjoj për ditë. Njeriu një herë martohet dhe në këtë ditë që është më e bukura e jetës, duhet bërë diçka e madhërishme që të mbahet mend, por rrethanat po më detyrojnë…

-Si përfundim ç’ke vendosur të bësh?

-Sot në orën shtatëmbëdhjetë pres përgjigje. Ne të dy kemi vendosur që, unë sot do të iki nga shtëpia duke marrë me vete vetëm librat.

-Po, për sa më thua, ti e meriton një arratisje të tillë.

-Më thuaj të lutem, ç’të bëj? Keti më beso, jam në hall…

-E di…e di që je në hall të madh, por as unë nuk di se ç’rrugë të të jap.

Më vinte keq për të, se s’kisha mundësi për ta ndihmuar. Ishte një problem midis asaj dhe prindërve që u takonte vetëm atyre. Ishin ata që duhej të vendosnin dhe askush tjetër. Në qoftë se ata do të tregoheshin objektivë, duhej të deklaronin fejesën e Evës. Kastrioti ishte i pari mashkull, me të cilin ajo u dashurua dhe nuk donte t’i mohonte ndjenjat e saj. Tek e fundit nuk donte të dilte e pabesë për hir të disa paragjykimeve të tyre. Ajo nuk po ua fshihte ndjenjat e saj, madje ua kishte përsëritur me dhjetëra herë, çdo ditë apo sa herë që i kishin bërë presion dhe nuk ishte mposhtur nga fjalët e tyre. Kundërshtia e tyre bënte që ajo të tregohej më e vendosur dhe kokëfortë ndaj vendimit që kishte marrë. Familjarët e saj nuk e kishin të qartë se nuk bëhej fjalë për një copë basme të blerë në treg, të cilën ajo nuk e pëlqente, por këtu flitej për jetën e saj. Tashmë Eva e kishte zgjedhur rrugën e saj, asfalt apo e mundimshme, ajo do të ecte në të dhe do mundohej ta përballonte. Kjo vendosmëri e gjente burimin te vetja dhe te Kastrioti, garant për këtë vendim ishte dashuria e saj, ishte vetë jeta.

-Nuk po më thua një fjalë?

Ishte një zë i trisht, zëri i Evës që më përmendi.

-Ti…ti je kaq e mirë dheee…ata duhet të vendosnin. Shpresoj se në të ardhmen ata do të binden. Për ty nuk doja një zgjidhje të tillë, megjithatë t’u realizoftë dëshira!

E urova dhe u largova, duke menduar se çfarë drejtimi do të merrte jeta e saj. Vendimi që kishte marrë, nuk m’u duk i pjekur, sepse problemet me nënën e tij, përveç Kastriotit nuk mund t’i zgjidhte askush tjetër.

Atë pasdite të tridhjetë e një dhjetorit Eva priste në ankth ndonjë sinjal. E shkreta vajzë! S’e mbante vendi. Ec e jak nëpër shtëpi dhe herë pas here dilte të shihte te porta. Kaloi dhe ora që kishin caktuar dhe ajo nisi të merakosej.

“Përse nuk po vjen? Apo mos vallë Afërdita s’është takuar me të…Ndoshta s’ka dëshirë të shkojë, sepse ajo nuk e dëshiron këtë martesë.Oh qëllimet e saj…!”

Eva vriste mendjen dhe nuk jepte dot asnjë përgjigje. Ishte në mbrëmje vonë, kur e ëma po shtronte tavolinën, më në fund u duk Afërdita që u fut në portë. Kur u takuan, ajo i zgjati fshehtas një pusullë të vogël Evës. Njëri nga shokët e Kastriotit i shkruante se nuk kishin mundur t’ia ndërronin mendjen së ëmës. Domethënë plani i kurdisur prishej për atë natë.

“Pra paska qenë e vërtetë thënia se, e ëma pretendonte një nuse me pajë dhe jo një çuplinë shkolle që kërkonte shpenzime”, –mendonte e trishtuar.

Afërdita ndenji pak dhe u largua duke uruar për Vitin e Ri. Ajo e përcolli te dera shoqen dhe e porositi që të kthehej të nesërmen.

Të gjithë e prisnin festën tradicionale të Vitit të Ri të gëzuar, ndërsa Eva e priti me lot. Në thellësi të shpirtit, ndjenjat e saj ishin trazuar. Në fund të zemrës ndiente se një peshë i rëndonte aq shumë, saqë po i merrte frymën. U ul pak minuta në tavolinë dhe pastaj shkoi të shtrihej me pretendimin se ishte e sëmurë, kishte dhembje të forta koke. U shtri, po gjumë s’vuri në sy. E lagu jstëkun me lot. Ç’ndryshim do t’i sillnin lotët? Asgjë. Për këtë ishte e bindur, vetëm se lotët janë shprehje e dhembjes, e një dëshpërimi të thellë e pa shpresë. Nuk shihte të ardhme në jetën e saj. Para vetes shihte vetëm mjegull të zymtë si mendimet ogurzeza që e torturonin. Për herë të parë gjatë kësaj periudhe të shkurtër të dashurisë së saj, ajo kuptoi se i dashuri i saj nuk ishte i aftë të bindte të ëmën. Atë mbrëmje e kuptoi se dashuria e tij ishte një flluskë sapuni. Tani për të s’kishte rrugë tjetër. Ndjenjat e saj kishin marrë dhenë dhe ajo nuk mund t’i gëlltiste fjalët shpotitëse të gojëve të liga. U ngrit herët në mëngjes dhe i shkroi një letër Kastriotit:

“ I dashur!

Nuk e di nëse akoma duhet të të quaj kështu. Kisha shpresuar që këtë Vit të Ri do të zgjohesha në krahët e tu, me ëndrrat e mia të realizuara. Kujtova se pas dimrit do të vinte pranvera, por si duket qenka akoma shumë larg…

Unë do të mbaj mend vetëm stinën e akullt të dimrit që, në këto çaste i ngjason zemrës sime.Kujtova se m’u hapën portat e jetës dhe unë e lumtura, vallëzoja e vallëzoja pa pushim. Kurrë nuk e kisha menduar, se qëndronin kaq pranë e qeshura dhe e qara, gëzimi me hidhërimin, lumturia me vuajtjen dhe jeta me vdekjen. Janë në antitezë me njëra-tjetrën dhe fiton ajo që është më e fortë, më e vendosur. Kisha besuar se më doje më shumë se gjithçka në botë, por e shoh se paskam gabuar rëndë. Kurrë nuk e kisha menduar se paja, ca rrecka pa vlerë, qëndrokan më lart, se ndjenja më e bukur dhe më fisnike, dashuria.

Unë të dashurova sinqerisht me pasionin e rinisë, pa marrë parasysh presionin e njerëzve të mi, se kjo ndjenjë që të rrit, të madhon e të jep krahë, nuk ka çelës…

Unë pyeta vetëm zemrën time, e cila më udhëzoi që të merrja një vendim të tillë, i cili ishte kundër dëshirës së atyre që më kanë dashur dhe më duan me shpirt. Ata për mua sakrifikuan mundin, djersën dhe rininë, ndërsa unë…

Oh, e mjera unë e mjera! Në vend që të më vlerësojnë, sepse nuk ka gjë më të bukur, nuk ka nder më të madh për një mashkull, se pafajësia dhe besnikëria e femrës që ai do. E tillë është dhe dashuria ime, por nuk trokiti atje ku duhet. Gjithsesi prindërit e mi kanë pasur të drejtë, sepse të marrësh një vendim të tillë, siç e mora unë, është një çmenduri…

Më dëgjo mirë, i dashur! Larg teje nuk jetoj dot asnjë çast. Të dua, të dua vetëm ty. Pres përgjigje deri në datën dy në mëmgjes, pastaj çdo gjë ka marrë fund.

Eva që të do.”

E lexoi disa herë atë letër mes vagëllimit të lotëve dhe me duart që i dridheshin e palosi me kujdes…

Afërdita kishte shkuar në datën një janar, gjoja për të pyetur për Evën që ishte e pamundur. Sa hyri te porta, në oborr takoi mamanë e Evës, e cila e uroi për Vitin e Ri dhe e ftoi të futej brenda.

-Si u bë Eva, mama?

-Sëmurë është, sëmurë, moj bijë. Nuk e di ç’më pati vajza; edhe mbrëmë as që vuri gjë në gojë. Gjithë kohën ka ndenjur shtrirë. Shko, shko përpara ti, se erdha unë, – i tha e ëma e Evës.

Ajo ndihej fajtore ndaj së bijës, por nuk shkëputej dot nga e shkuara dhe të mposhtte mendësinë që ishte rrënjosur te qenia e saj. Madje s’ishte në gjendje ose më mirë i mungonte guximi që të bisedonte me të shoqin. Nuk e kuptoj si të mos ketë kurajë, një nënë, për të mbrojtur ndjenjat e së bijës. Në qoftë se nuk mund ta bënte si nënë, së paku ta bënte si femër. Çudi, nënat janë më tolerante se baballarët në të tilla raste, sepse gjithmonë kanë parasysh jetën e tyre të ndrydhur, dëshirat e vrara dhe ëndrrat e rinisë të varrosura që nuk i relizuan dot.

Ndërsa e ëma e Evës ishte ndryshe…Nuk bënte asnjë lëshim për të bijën. Mos vallë të gjitha nënat këtë qëndrim mbajnë ndaj vajzave?!…

Afërdita qëndroi aty rreth një orë, mori letrën dhe u largua, duke e uruar Evën me një “shërim të shpejtë”. Pas saj erdhi Albana, e motra me Janin, të cilët e ftuan që të shkonte për drekë tek ata, për të festuar emërimin e të shoqit si ambasador në Hungari.

-Me gjithë qejf, po jam e sëmurë. Kam shumë dhembje koke, -ua preu shkurt ajo.

Eva ishte në ethe, se priste me padurim një përgjigje, me siguri pozitive, nga Kastrioti. Por më kot. E ushqente veten me lloj-lloj ëndrrash dhe iluzionesh…, sa herë që hapej porta, brofte në këmbë… Priti atë natë se mos vinte Kastrioti, aty rrotull shtëpisë, por…

E priste mëngjesin si ujin e paktë dhe kur pa se ai nuk kishte reaguar fare, atëherë u bind se Kastrioti nuk e kishte dashur siç e kishte dashur ajo.

-Pastaj?- pyeti Alisa tërë ankth,

-Pastaj …bëri atë që kishte vendosur të bënte. Kaq më tha i fejuari. Më tej, se çfarë ndodhi, e di vetëm ajo. Të tjerët mund të trillojnë gjëra të ndryshme, se duan të kalojnë kohën me punët e botës. Por ka një të vërtetë të madhe, ajo ishte vajzë me sedër. Kur të shkoj në shtëpi, do të mësoj rreth tragjedisë së saj, megjithëse ajo si dashurinë, edhe të vërtetën i mori me vete.

-Më ardhkërka keq për të, se paska qenë një vajzë e vendour dhe me karakter, – tha ajo.

Vlorë- 8.10 2023

Vazhdon…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok