08/10/2024

SHABAN POLLUZHA- SIMBOL I QËNDRESËS GJITHËKOMBËTARE

0

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1871- e vranë më 17 shkurt 1945)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Shaban Mustafë Kastrati, ose Shaban Polluzha, siç njihet në popull, kishte lindur në fshatin Polluzhë, më 1871, nga babai Mustafë dhe nëna Hamide. Shabani kishte edhe një vëlla, të quajtur Dervish. Shabani vinte nga një familje mesatarisht e kamur. Duhet thënë se njëra ndër figurat më të rëndësishme që zë vend në historinë e Luftës së Dytë Botërore, pa dyshim se është atdhetari i madhe Shaban Polluzha. Ai gjatë jetës së vet nuk kishte mbarua ndonjë shkollë, por jeta e odat e Drenicës i kishin dhënë shkollën më të mirë të jetës. Ishte i dalluar me guximin për të marrë vendime të rëndësishme, dhe kishte një inteligjencë që e dallonin nga të tjerët, për të zgjedhur rrugën më të mirë dhe më të ndershme në situata të ndera për vendin dhe për popullin. Kjo edhe ndikoi që të siguronte respektin e krerëve dhe të masave të gjëra. Odat, ishin ato, të cilat e burrëruan dhe i dhanë dashurin e madhe për atdheun. Ai edhe më herët ishte përball si gjatë Luftës së Parë Botërore me bullgar e me austriak, e më vonë edhe me pushtetin e Jugosllavisë së vjetër. Edhe gjatë rinisë ai ishte ndesh me luftën për ekzistencë.

Pas përfundimit të L.P.B. popullata e kësaj ane Shaban Polluzhën e zgjedhin si përfaqësuesin e kësaj ane për të mbrojtur interesat e tyre. Shabani i ri, nuk u kënaqte vetëm që të kujdeset vetëm për popullatën e Drenicës, ai me një trimëri të jashtëzakonshme kalonte kufirin dhe kujdesej edhe për shqiptaret në zona tjera të Kosovës. Bullgaret duke e parë aktivitetin e tij patriotik e dënojnë s bashku me gruan dhe tre fëmijët duke i dërgua në burgun e Prishtinës.

Më 1920 bie në kontakt me Azem Bejtën dhe merren vesh për veprime të përbashkëta kundër okupuesve. Po në këtë kohë Shaban Polluzhën e zgjedhin kryetar komune në Polac. Lëvizja çlirimtare në këtë kohë kishte marr përmasa të mëdha në fshatrat e Drenicës në veçanti dhe në Kosovë në përgjithësi. Regjimi serb duke e parë se situata po iu ik nga kontrolli, fillojnë të marrin masa të shpejta për shuarjen e kësaj lëvizje. Shaban Polluzha gjatë kësaj periudhe kishte zënë miqësi me shumë atdhetarë të njohur të kohës si : Miftar Bajraktarin e Llaushës, Mulla Ibrahimin e Polacit, Sadik Zenelin e Abrisë, Isuf Gradicën, Tahir Berishën, Ramadan Shabanin, Beqir Vicën e shumë të tjerë. Këta, patriot si: Sadiku, Isufi, Shabani, Mif­tari, Sadiku e Isufi, gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, pikërisht në Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, në Luftën e Shaban Palluzhës dhe në Lëvizjen e Rezistencës së NDSH-së, u bënë komandantë ushtarakë e udhëheqës politikë në përpjekjet për çlirimin e Kosovës dhe riba­shkimin e Shqipërisë Etnike.

Mu nga këto ndryshime që u bënë në kreun ushtarak në Kosovë, del se në riorganizimin e ri nuk u emërua asnjë nga shqiptarët, vetvetiu kuptohet edhe qëllimi i administrimit ushtarak. Komandës së Administrimit ushtarak iu dhanë autorizime të plota, ndërsa për të gjitha veprimet  ajo jepte përgjigje vetëm para Komandantit Suprem. Me fillimin e veprimit të pushtetit ushtarak në Kosovë, gjenocidi ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, mori formën e jetës së rëndomtë, populli filloi të jetojë në ankth, për ditët që do të vijnë.

Pas kapitullimit  të Jugosllavisë, Shaban Polluzha, më 1941 formon Brigadën e Drenicës për të mbrojtur Kosovën nga sulmet serbo-çetnike. Dhe sipas disa të dhënave, ai kishte rreth 5000 veta të armatosur, me të cilët mori pjesë në mbrojtje të Sanxhakut dhe të viseve tjera shqiptare. Duhet theksuar se kah fundi i LDB, Shaban Polluzha angazhohej në anën e partizanëve, por nuk u pajtua kurrë me vrasjet që i bënin brigadat serbe e malazeze dhe OZN-a, ndaj popullatës shqiptare në Drenicë, andaj edhe doli dhe nisi luftën kundër tyre. Trimi i popullit shqiptar, në të gjitha periudhat e jetës njihej si njeri i cili mbronte popullin dhe kujdesej për mirëqenien e tij. Ai për popullin e vet nuk kurseu asgjë, madje as jetën, pasurin, familjen dhe kullat e veta.

Shaban Polluzha, kur hetoi se çka po i përgatitnin komunistët jugosllav Kosovës së tij që aq shumë e deshi, ai vazhdoi rezistencën ndaj ushtrisë jugosllave në Drenicë, në Shalë të Bajgores e gjetkë. Gjatë tërë kësaj periudhe, ai plisin e vet të bardh e mbështillte me flamurin kombëtar dhe çdo kund ishte me të pa u ndarë kurrë nga vetja e vet, se fundja për të jetoi dhe për të dha jetën.

Pas një hileje, që mundohen t’ia bëjnë komunistët jugosllav- Shtabi Qendror Ushtarak i Kosovës e Mertohisë, ku praktikisht nga ai kërkohej ti kthehej shpina vendit dhe të shkoi në veri. Posa kupton dredhin, kundërshton ashpër dhe fillon luftën kundër pushtimit me forcat ushtarake serbe, malazeze dhe maqedonase.

Në gjysmën e dytë të vitit 1944, derisa forcat aleate përparonin në të gjitha frontet e luftës kundër ushtrisë hitleriane, Titoja do t´i shfrytëzojë këto rrethana, për luftimin e forcave të mbrojtjes kombëtare shqiptare dhe ripushtimin e Kosovës. Për t´i realizuar më lehtë synimet e saj ,udhëheqja jugosllave, në fillim të janarit 1945 urdhëron mobilizimin e “brigadave të Kosmetit” për t´i dërguar në Frontin e ashtuquajtur të Sremit-në Serbi. Ndonëse qendra e rezistencës shqiptare në gjysmën e dytë të dhjetorit 1944-janar 1945 ishte përqendruar në Drenicë, ”Shtabi Operativ i Kosmetit”,urdhëroi Shaban Polluzhën që ta lëshonte Drenicën dhe të nisej në drejtim të Podujevës, për t´u bashkuar me Brigadën VII, e cila po marshonte për Serbi.

Shtabi i Brigadës së Drenicës largimin nga Kosova do ta kushtëzojë me ndërprerjen e vrasjeve dhe të plaçkitjeve mbi popullsinë civile nga ana e ushtrisë jugosllave, mirëpo pas dështimit të nënshtrimit të Shaban Polluzhës më 25 janar nisin operacionet ushtarake në shkallë të gjerë për asgjësimin e Brigadës së tij. Vërtet, nga ditët e para të formimit, Brigada e Shaban Polluzhës shfaqi indinjatën dhe revoltën ndaj vrasjeve pa gjyq të perso­naliteteve shqiptare në Drenicë dhe në Kosovë. Brigadat parti­zane të Ju­gos­llavisë dhe të Shqipërisë, që morën për detyrë të “spas­tronin te­rre­nin nga bandat fashiste” u treguan antishqiptare dhe të tërbuara ndaj popullatës së pafajshme shqiptare. Këto mjaftonin, që komandantët dhe ushtarët e njësisë së Shaban Palluzhës të reagonin ashtu edhe siç vepruan. Së këndejmi, nga mesi i janarit 1945, Brigada e Sha­ban Pallu­zhës shpalli mosbindjen ndaj urdhëresave të Shtabit Kryesor të UNÇ të Kosovës-Metohisë dhe nga Podujeva u kthyen, më 24 janar 1945, për në Drenicë, duke bërë rezistencën kundër ripushtimin komunist jugosllav të Kosovës. Por, duhet të theksohet fakti se Revolta e “Brigadës së Shaban Palluzhës” në themele të Luftës së Drenicës 21 janar –21 shkurt 1945, nuk mund të shikohet vazhdim, as korrigjim, i Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare të Ko­so­vës, as i Luftës Antifashiste Na­­ci­o­nalçlirimtare Shqiptare, por si fill i qartë i një epoke të re, të për­p­jekjeve me të gjitha mjetet të popullit shqiptar për të zgjidhur çështjen shqiptare mbi parimin universal të demo­kracisë – me vetëvendosje.

Në Shtabin Drejtues të Luftës së Drenicës, komandanti Shaban Palluzha, i përcjellë nga bashkëfshatari besnik, Hamëz Hetem Istogu, ka pasur rreth vetës, personalitete popu­llorë e luftarakë të shquar, intelektualë e ushtarakë të kohës. Në Shtabin Drejtues merrnin pjesë si: Imer Fazliun nga Radi­she­va, profesor Ymer Berishën, Osman Bunjakun nga Samadrexha, Azem Aruçin nga Makër­mali, Bajram Baj­ra­ktarin nga Drenasi, Sadik Lutanin nga Turiqeci, Isa Zymerin nga Prekazi, Miftar Bajraktarin nga Llausha, Ramë Sejdiun nga Llausha, Hazir Gjakjen nga Ak­ra­shtica, Mu­lla Ilaz Brojen, Marie Shllakun, Rexhep Gjelin nga Likashani, Beqë Çubrelin, Jetullah Muharremin nga Rrezalla, Sadik Zenelin nga Abria, Feriz Bojiqin nga Kërnica, Adem Dushin, Shaban e Rifat Kotorrin, Istref Temën nga Dabrashevci, Bedri Gjinaj e Abdyl Zhubin nga Mitrovica, Isuf Gjilanin, toger Mehmet Gradicën, Brahim Lutën nga Gllanasella, etj. Të gjithë këta ushtar të Shaban Polluzhës betoheshin me këto fjalë : ”„Betohem në Flamur, Ungjill e Kuran, Që këtë tokë që kemi nën kambë, Pa u farue krejt, Kërkujt s’kemi me ia lanë!“

Në këto operacione antishqiptare morën pjesë shumë divizione të Serbisë. Divizionet 41 dhe 50 të Maqedonisë, grupi i brigadave të Malit të Zi (brigada e I e Bokës dhe brigada e VI) 2 dhe repartet speciale të OZN-s, të drejtuara nga Spasoje Gjakoviq. Ende pa përfunduar lufta (1945), në Kosovë, Pushteti i Administrimit ushtarak në Kosovë u vendos në kohën  kur organet më të larta të PKJ-së dhe të LANÇ-së, vendosën  që Kosova, si njësi autonome, t’i aneksohej Republikës së Serbisë. Kjo koincidencë nuk ishte e rastit, ajo ishte e lidhur ngushtë me detyrat që qëndronin përpara tij. Qëllimet e këtij pushteti ishin:

  1. Administrimi ushtarak synonte t’u mohonte shqiptarëve arritjet dhe të drejtat që kishin realizuar gjatë luftës,
  2. T’u impononte zgjedhjet që ishin projektuar për ta në rregullimin federativ të Jugosllavisë së pasluftës.
  3. Ai kishte për detyrë të pengonte me çdo mjet shpërthimin e pakënaqësisë tek shqiptarët, e cila mund të çonte edhe në një kryengritje të përgjithshme popullore,
  4. Të thyente rezistencën e popullit shqiptarë që kishin filluar në anë të ndryshme të Kosovës.
  5. Në rast nevoje, të pengonin ndërhyrjen e Ushtrisë Shqiptare që do ti vije në ndihmë Kosovës, dhe
  6. Administrimi Ushtarak, justifikohej me pretekstin se gjoja ishte vendosur për luftimin e forcave “kundërrevolucionare “ shqiptare në Kosovë.

Administrimi ushtarak në Kosovë u vendos me 8 shkurt 1945, me propozimin e J.B.Titos dhe e tërë kjo u konceptua edhe si riorganizim i formacioneve  ekzistuese ushtarake në Kosovë dhe u shoqërua  me formimin e brigadave dhe të divizioneve të reja, ndërmarrjen e masave për thyerjen sa më të shpejt të rezistencës në Kosovë në përgjithësi e në Drenicë në veçanti. Gjatë ekzistencës së pushtetit ushtarak, vëmendja kryesore u përqendrua në largimin  e kontingjenteve të të rinjve shqiptar nga këto treva, të cilët për këtë shkak u dërguan në veri të Jugosllavisë, ose në radhët e “brigadave të punës”. Rruga që përshkuan këta të rinj më 8 shkurt 1945, komandanti suprem i UNÇJ-së J.B. Tito me urdhër të veçantë nr.31 vendosi administrimin ushtarak në Kosovë. Këtë vendim Titoja e mori më 7 shkurt 1945 në Beograd, në një takim me ushtarakët serb: Savo Dërleviqin, Gjuro Medenicën dhe Kërsto Filipoviqin. Me këtë urdhër , i tërë pushteti në Kosovë do t´i kaloi një grupi të caktuar ushtarakësh serbo-malazez, të cilët do të ushtronin pushtetin politik, ekzekutiv dhe atë gjyqësor.

Gjatë ndryshimeve në strukturën komanduese në krye të pushtetit ushtarak përkatësisht të “Shtabit të Ri Operativ” u emërua ish-shefi i Armatës I-rë: kolonel Savo Dërleviq, duke e zëvendësuar Fadil Hoxhën, i cili mbeti zëvendës i tij. Shef i Shtabit u emërua nënkolonel Dushan Vukotiq (deri në atë kohë ishte zëvendëskomandant i Divizionit 46 jugosllav), shef i prapavijës u caktua Stevo Dobërkoviq (i dërguar nga Shtabi Qendror i Serbisë), ndërsa komisar politik u emërua nënkoloneli Gjuro Medenica. Më 10 shkurt 1944 kjo komandë bëri riorganizimin e tërësishëm të ushtrisë duke formuar Divizionin e artilerisë, të kalorësisë, të ndërlidhjes, grupin operativ të brigadave, Divizionin 46,52…etj.

Kjo makineri ushtarake në Kosovë duke i marrë të gjitha masat gjoja për “spastrimin” e terrenit nga “mbeturinat e fashizmit” dhe “kundërrevolucionarët” vrau e masakroi pamëshirë mijëra shqiptarë gjithandej Kosovës. Në këtë fushatë të egër ushtarake sipas dëshmisë së djalit të Shaban Polluzhës që i kishte dhënë  Muhamet Mjekut, kishte thënë se babai- Shaban Polluzha me Mehmet Gradicën ishin vrarë me 17 shkurt 1945, në kullat e Dvoranëve të Tërstenikut. Ndërsa më 21/22 shkurt 1945 u shua me gjak edhe kryengritja e Drenicës, duke lënë pas shumë të vrarë nga të dyja palët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok