14/12/2024

GJURMË TË KAÇAKËVE KËRÇOVËS – OSMAN SULEJMAN GJINI (1858-1908)

0
Bajram-Celiku

NGA BAJRAM ÇELIKU – BALI

Osman Gjini lindi në fshatin Prapadisht të Kërçovës, dhe rrjedh nga një familje trime malësore, por edhe shumë bujare. Sipas të dhënave që kam unë, kjo familje në këte vend është vendosur që në kohë të lashta, pra ka jetuar këtu den baba – den, si që thuhet në popull. Sipas shkrimeve të disa historianëve të vjetër, edhe atë të Tiv Livit, historian romak, Polibit historian grek, Kristo Frashërit, historian nga Shqipëria e disa përshkruesve të tjerë, mund të konstatojmë se shumë vend –  banime të Kërçovës së sotshme kanë qenë në kuadër të Penestisë së lashtë, me krye qendër Uskanën. Gjatë fushatës pushtuese të mbretit maqedonas Perseut, nga Stubera, sot Velesi, shumë vendbanime u dogjën e u shkretuan, prandej aso kohe ajo u quajtë ,,Penestia e shkretuar”, e Perseu me vete në rrugë për në Shkodër, ku do të takohej me mbretin Bardhyl, mori shumë robër lufte nga ky vend. Sipas disa të dhënave kuptova se, Perseu kaloi edhe në Prapadisht të Kërçovës, por aty banorët e fshatit si dhe fisi Gjini, duke parë rrezikun që u ofrohej, futen me gjithë çka kanë pasur në një shpellë aty mbi fshat, të emëruar si ,,Sharra e Vathës”. Emrin e kishte marrë ashtu më rrëfente një fshatarë nga ky vendbanim, sepse: gurët mbi hyrjen e kësaj shpelle lëshoheshin teposhtë në formë të sharrës, e në mbrendësinë e sajë në rast rreziku, strehoeshin bagëtia. Sipas disa të dhënave që unë kam marrë, kjo shpellë u shërbeu edhe shumë kaçakëve të maleve, në luftë kundër okupatorëve të ndryshëm e në veçanti kaçakut nga ky fshat Osman Gjini. Për shkak se, Osman Gjini strehohej shpesh në të, populli e emroi si ,,Shpella e Osman Gjinit”. Edhe të parët nga familja “Gjini”, përmenden si trima e atdhetarë të vërtetë. E, ndër to përmendet Rushan Gjini, për të cilin thuhet se ka qenë pjesëmarrës në ,,Kryengritjen e malësisë së madhe të Gjakovës”, dhe për të thuhet se ka pasur çetë më vete. Thuhet, se: Rushan Gjini ka rënë në armiqësi me Sali Qafën. E, si pasojë nga kjo armiqësi, Qafalitë e vrasin nga prita në afërsi të fshatit Popojan. Pas vrasjes së Rushan Gjinit, në skenë delë edhe një trim tjetër sypatrembur po nga ky fshat me emrin Osman Gjini. Trim, siç që thoshte gjyshi im Emin Çeliku, por edhe shumë rapsodë popullorë me fjalët ,,Ke len dielli e perënon hëna, Osman Gjin, nuk bon më nëna”. Për këtë trim sypatrembur nga Prapadishti, u thurën shumë këngë nga rapsodë të ndryshëm nga rrethina e Kërçovës, të cilat këndoheshin me shumë zë të lartë e të përcjellura me duartrokitje frenetike nga të pranishmit.

E, tani të kalojmë pak te e kaluara dhe veprat e tia si luftarë i denjë, i cili luftoi turkun dhe bullgarin, pa kursyer aspak edhe jetën e tij si shqiptar. Për fillim, mund të njohtojmë lexuesin, se: Osman Gjini, dashurohet në rini me një vajzë, po nga i njëjti fshat, pra nga fshati i tij Prapadisht, të cilën e merr me të ikë, si që thuhet në popull. Duke mos dashtë, që të ketë konflikt me familjen e nuses, për gjashtë muaj me radhë, strehohet për të jetuar në fshatin Kastriot të Dibrës. Thuhet se, në këte fshat të Dibrës gjysma i takon fisit Gjine e gjysma tjetër fisit Kaloshe, ku si person më i njohur nga kjo familje, dallohet familja e Murat Kaloshit. Pas gjashtë muajve, qëndrimi në këtë fshat të Dibrës të Osman Gjinit, situata disi normalizohet në mes të këtyre dy familjeve. Dhe, Osman Gjini së bashku me nusen këthehen në fshatin e tyre në Prapadisht. Pas këthimit në fshatin e tyre u lindin dy djem si dy luanë. Djemtë u rritën, dhe u bënë dy burra të vërtetë. E, pasi mbushën vitet e duhura, martohen me dy vajza të bukura e fisnike nga fshati  Shitovë. Edhe atë, nga familja e kaçakut të njohur, nga ky fshat, Baftir Shitovës. I cili, në vitin 1906, ndëshkoi me varje në litarë, në mes të Prilepit Gjorgje Sugare Vojvodën, për të cilin thuhet se ka zhvilluar terror të paparë ndaj popullatës shqiptare në Prilep, Manastir dhe Prespë. Duke vërejtur rrezikun nga bandat bullgare e të ndihmuara edhe nga vullnetarë të krishterë nga vendi, popullata shqiptare filloi pak nga pak të organizohet për mbrojtje. Nga gjiri i popullit shqiptarë dolën shumë udhëheqës trima, e në mes tyre vlen të përmendim edhe trimin sypatrembur nga Prapadishti, Osman Gjinin. Për këte trim sypatrembur thuhet, se: duke, qëndruar në shpellën e tij mbi Prapadisht, ruante fshatin e tij, sikur shqiponja që ruan folenë e shqiponjave të vogëla në fole. E, sa herë që ishte nevoja lëshohej në mbrojtje, e shkatrruar armikun. Sulmoi tagrambëledhësit turqë, kudo që paraqiteshin ato nëpër fshatrat shqiptare, padallim feje dhe kombësie.

Në një rast më rrëfente gjyshi, ai pat plagosur edhe një kaçak me emrin Islam Garana, i cili atë ditë kishte mbledhur tagra nga një fshat i Brodit, e pastaj duke patur mëshirë për të, një familje nga fshati Braqan ishte përkujdesur për plagët që i kishte marrë nga Osman Gjini, për gjashtë muaj me radhë. Duke u dalluar si trim i vërtetë, krahë për krahë me të luftuan shumë trima të këtyre anëve si: Arif Braqani, Ramazan Mahmudi, Kamerr Bllaca, Hamit Shitova, Sadin Selmani, Baftir Shitova e disa të tjerë. Beteja e tij e fundit kundër zullumit turk thuhet, se: u zhvillua në fshatin Podvis, në jug të fshatit Dërgovë, kundër taborrit tagrambëledhës turqë të udhëhequr nga një Dibran me emrin Murat Dulla. Pasi mbëledh tagrat nga fshatarë Murat Dulla, thuhet se grabitë edhe një vajzë torbeshe (Sherjankë), si që thuhet në popull.

Osman Gjini, rrëfente gjyshi: paska ndodhur aty dikund afër dhe kur dëgjon të afërmit e vajzës së grabitur duke qarë, i hipë kalit të tij dhe i vihet pas Murat Dullës me shokët e tij tagrambëledhës. Dikund afër fshatit Podvis, i ofrohet dhe me një plumb e rrëzon nga kali, duke e lënë të vdekur, por shokët e yzbashit Murat Dulla i përgjigjen me pushkët e tyre. Thuhet, se: Osman Gjini vret edhe gjashtë tagrambëledhës të tjerë, por trimit i mbarohen fishekët. Sherlitë, të cilët nisen pas tijë kur ndëgjojnë se krisi pushka, heqin dorë nga vajza e grabitur, dhe këthehen për në Kërçovë. Trimit, nuk kishte që t’i japi kush fishekë. E, dibranët shfrytëzojnë rastin dhe ia marrin jetën trimit. Kur sherlitë arrijnë në fshatin Dërgovë, një shok i Osman Gjinit me emrin Abidin Dërgova i pyet ata se çka u bë, ç’janë këto pushkë që kërsasin kështu? Sherlitë ia tregojnë rastin, dhe Abidin Dërgova me pushkë në dorë niset në drejtim të Podvisit. Pas tij nisen edhe sherlitë, por më kotë, edhe Abidin Dërgova ishte vrarë aty pranë Osman Gjinit Dibranët që kishin mbetur gjallë, së bashku me vajzën e grabitur kishin vazhduar rrugën për në Dibër. Sherlitë ngarkojnë trupat e pajetë të Osman Gjinit dhe Abidin Dërgovës mbi kuajtë e tyre, dhe trupat e pajetë të tyre i sjellin te oborri i xhamisë Sulltan Pajaziti, dhe aty bëhet varrimi i tyre. Se, me të vërtetë është bërë aty varrimi i trupave të pajetë të tyre, na e vërtetoi një grua e martuar nga Prapadishti në Qafë, të cilën me një qeze me kalë, nga Qafa e dërgojnë te oborri i xhamisë, e ajo me disa guraleca që i mbante në dorë, duke i hudhur te vendi i caktuar tregon vendin se ku ndodhet varri i Osman Gjinit. Për këtë ngjarje historike në lidhje me vrasjen e trimit sypatrembur nga Prapadishti, rapsodi popullor thuri edhe këngë të cilën do ta paraqesim në tekstin e më poshtëm:

KËNGA E OSMAN GJINIT

More bylykbashi – djalë ore Murat Dulla,

More ka lujtë trimi -shoko me dyzet burra.

More dyzet burra – kanë qenë prej në malësi,

Qajë Osman Gjini – shoko një djalë i rejë:

Në atë Podvis ene – na i kanë vou pusejë.

More se, kur krisi – manxerrja e Osmanit,

More thotë yzbashi – ikni se u bo nëmi!

More bini djemë -o, mos më çëlloni mou,

More mou të shkretin – shokë -o, më kanë plagu.

Murat Dullën – unë e kamë paltou,

More vijnë sherlitë – besa tuj mi qa,

More Osman Gjinin – besa e kanë vra.

More ju sherli – qofshi bre të marrou,

More ma dhatë besën –o bashkë more me liftou,

Hiq asnjë s’më kini ndihmou!

More veç do fishekë të më kishit dhënë mou,

Të gjithë dibrënët kisha me i paltou.

More ke len dielli ne – ke lenë hëna,

More Osman Gjino – shokë, more nuk bonë më nëna!…

Duke analizuar këngën e lartëpërmendur, mund të konstatojmë, se: Osman Gjini vritet në afërsi të fshatit Podvis, i cili gjendet në Jug-perëndim të Kërçovës, në luftë me Murat Dullën, një qaush turku, i cili me vete ka mbajtur shpesh herë edhe dyzetë veta, por në këte betejë me Osman Gjinin, më rrëfente gjyshi ka pasur vetëm 14 veta prej të cilëve vriten shtatë së bashku me Murat Dullën, e të tjerët vazhdojnë rrugën së bashku me vajzën e grabitur për në Dibër. Së fundëmi, mund të themi se trimi i Prapadishtit Osman Gjini me një trimëri të rrallë luftoi kundër çdo padrejtësie, që u bëheshin shqiptarëve nga zullumqarët turqë. Dhe, trimi e tregonte vehten në çdo vend ku paraqitej nevoja…

(E përcolli për publikim: Kalosh Çeliku, shkrimtar).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok