03/10/2024

Nga Dr. Lutfi ALIA

Bektashizmi është urdhër mistik sufist, i themeluar nga Bektash Veliu (1209 – 1271), mistik, filozof dhe poet nga Horasani i Persisë. [Algar H. Khorä-sanian Sufi Häji Bektäs. Enciclopedia Iraniana, 2006, V, 117.]. Bektash Veliu e themeloi urdhërin e ri duke përvhetësuar parimet, rregullat dhe aspektet më pozitive të doktrinave fetare pararendëse të themeluara në lindje, kështu mori elemente nga Zarathutrizmi, Budizmi, Hinduizmi, Krishtërimi dhe Islamizmi, të cilat i përshtati mjeshtërisht në doktrinën e urdhërit të ri, duke i dhënë origjinalitet dhe fizionomi dalluese me urdhërat e tjerë.

Bektashizmi është urdhër autonom, i shquar për karakterin paqësor, tolerant, liberal, patriot, arsimdashës dhe ekumenik, pra bashkëpunon me të gjitha besimet e tjera fetare. Antonio Baldacci ka theksuar: “Saktësisht, bektashijtë nuk janë as myslimanë dhe as të krishterë” [Baldacci Antonio. l’Albania, Roma 1930, p 212 – 220]

Dishepulli i Bektash Veliut ishte persiani Sari Salltik (1267 – 1298), i mirënjohur si Piri i parë, i cili ndikoi në shprehjen e spiritualitetit, të mistiçizmit dhe përhapjen e bektashizmit në Persi, në Anadoll dhe në vendet Ballkanike. Për këto merita të Sari Salltik, shumë vende, ku u përhap bektashizmi, pretendojnë se kanë varrin e tij, nga rezulton se Ai ka shtatë varre, në shtatë vende të ndryshme: në Persi, në Turqi, dy në Shqipëri (në manastirin Shen Naunit në Pogradec dhe në malin e Krujës), në Korfuz, në Bullgari dhe në Budapest, krye-qyteti i Hungarisë, që shënon kufirin verior të përhapjes të bektashizmit.

Në shekujt XV – XVI, në përhapjen e bektashizmit u shquat Piri i dytë Ballem Sulltani (1457 – 1517). Ballem Sulltani ishte murg ortodoks bullgar, i konvertuar në bektashi, i cili ndikoi fuqishëm në përhapjen e bektashizmit, por në veçanti ka meritat se kodifikoi rregullat dhe normat e doktrinës të bektashizmit dhe në organizimin e institucioneve të urdhërit me Kryegjyshatën, Gjyshatat, Teqet dhe Tyrbet.

Ballem Sulltani përcaktoi veshjen tipike të klerikëve bektashi, shenjat dalluese dhe vendosi që klerikët të ruajnë virgjërinë, pra Dedei, Babai dhe Dervishi nuk martohen dhe për të shprehur këtë aspekt dallues, praktikoi në klerikët bektashi çpuarjen e veshit të djathtë dhe vënien e vathit të virgjërisë.

Karakteristike janë dhe rangjet e besimtarëve bektashi, të cilat cilësohen në gjuhë perisane:

  • Ashiku, ndjekës i pasionuar, i dashuruar me bektashizmin.
  • Myhib – ithtar. Ashiku bëhet Myhib (Ithtar) pasi kalon ritin e dëlirjes dhe deklaron besnikëri ndaj bektashizmit gjatë një ceremonie në teqe.
  • Dervishi (perisisht – i varfër), kleriku shërbyes në teqe dhe predikuesi i riteve fetare të bektashizmit. Dervish bëhen vetëm myhibët dhe janë Myxherë, persona me përvojë në jetë dhe të pamartuar.
  • Babà – kleriku drejtues i një teqeje.
  • Halife-Babà – gjysh, drejtues i gjyshatave.
  • Dede-Babà, – Kryegjyshi, autoriteti më i lartë i Urdhërit Bektashi, drejtuesi i Kryegjyshatës Botërore

Urdhëri Bektashi, ka diferenca të dukëshme me fenë islame. Myslimanët synitë nderojnë binomin Zoti – Muhameti, ndërsa urdhëri Bektashi, nderon dhe udhëhiqet nga trinia e shenjtë: Zoti – Muhameti – Aliu.

Doktrina bektashiane ndjek katёr parime themelore:

  1. Hakikati  – sinqeriteti, e vёrteta, e drejta.
  2. Tarikati   – thirrja e brendёshme shpirtërore.
  3. Marifeti  – dituria, arsimimi.
  4. Sheriati– zbatimi i ligjeve, i rregullave, i dokeve dhe i dhe i normave etiko – morale të shoqërisë.

Bektashijtë nuk mbajnë Ramazan, por për 10 ditë mbajnë Matem, që evokon martirët e luftimeve në Karbala, ku imam Aliu ndejti 10 ditë pa pirë ujë. Gjatë ditëve të Matemit bektashijtë e devotshëm nuk pijnë ujë, por ndryshe nga myslimanët, hanë ushqime në të tre vaktet, pёrdorin pijet alkoolike, rakinë, venën dhe lëngje frutash. Në tre ditët pas matemit, organizohet festa e Hashures.

Në ritet dhe në festat e bektashijëve marrin pjesë edhe gratë.

Urdhëri Bektashi e ndalon mbulimin e fytyrёs të grave.

Bektashijt nuk hanë mish lepuri, ndërsa konsumojnë të gjithë llojet e mishrave të kafshëve shtëpijake dhe të egra, përfshi dhe mishin e derrit të egër.

Që në zanafillat e përhapjes në trojet shqiptare, bektashizmi i ka kryer të gjitha shërbesat dhe ritet fetare, vetëm në gjuhën shqipe, në ndryshim nga të gjitha besimet e tjera fetare në Shqipëri, që ende vazhdojnë të predikojnë në arabisht, greqisht dhe latinisht.

Profeti i bektashizmit shqiptar, poeti Naim Frashëri ka thënë: “Bektashizmi është filozofia e shprehur në besim, në letërsi, në art, në arkitekturë, në mënyrën e jetesës, në patriotizëm edhe në shqiptarizëm”.

Bektashizmi në Shqipëri u përqafua së pari nga myslimanët e në vazhdim nga banorët ortodoksë, që u lidhën me urdhërin e ri, si kundërvënie ndaj turqëve myslimanë synitë.

Historikisht bektashijtë ishin dhe janë faktor ekuilibri, me ndikim në shuarjen e konflikteve ndërfetare, ndërmjet banorëve myslimanë me të krishterët. Është meritë e Urdhërit të Bektashive, që në Shqipëri nuk janë zhvilluar luftra fetare.

Në trojet arbërore bektashizmi filloi të përhapet në fund të shekullit XVI, fillimisht në Tetovë. Dervishi Sersem Ali Baba, poet, teolog dhe filozof tetovar, në vitin 1548 filloi ndërtimin e Teqes Harabati në Tetovë (Harabat – Tempulli i shenjtë). Në vitin 1799, mjediset e Teqes Harabat në Tetovë u zgjeruan, si janë dhe aktualisht. Në vitet e më pasme Bektshizmi u përhap dhe në trojet e tjera arbërore.

Elvija Çelebia kur vizitoi trojet arbërore në gjysmën e dytë të shekullit XVII, tregon se pas vitit 1660 ishin ngritur teqe të Bektashive në Mitrovicë dhe në Kaçanik të Kosovës, në vitin 1670 isht ngritur teqet në Kaninë dhe në Vlorë. Pas këtyre teqeve të para, në vitin 1780 Asim Babai hapi teqen e Zallit në Gjirokastër. Nga viti 1790 – 1870 bektashizmi u përhap masivisht në trojet shqiptare. [Roberet Elsie. The Albanian Bektashi: The history and culture of a drevish order in the Balkans. Edit: I. B. Tauris, 2021].

Bektashizmi ka dhënë një kontrubut të madh në rilindjen kombëtare shqiptare, për arsimimin në shqip dhe pavarësinë e vendit tonë nga shtypja pesëshekullore e pushtetit obskurantist të Perandorisëë osmane.

Pas Kongresit I të Bektashive i mbledhur në Prishtë të Skraparit në Janar 1922, bektashinjtë shqiptarë e shpallën veten të pavarur nga bektashinjtë e Turqisë.

Në Kongresin II Kombëtar të Bektashijve, që u mbajt më 8 – 9 korrik 1924, nën drejtimine Baba Ahmet Turani, komuniteti bektashi vendosi të zhvendosi selinë e urdhërit në Tiranë.

Në Kongresin III Kombëtar të Bektashive, që u mblodh më 23 shtator 1929 në Teqen e Turanit në Korçë, nën drejtimin e Baba Zylfo Melçanit, Bektashizmi u deklarua bashkësi fetare mëvehte dhe u shpall sistemi i krygjyshatës botërore me seli në Tiranë.

Në vitin 1929, në trojet e banuara nga shqiptarët funksiononin 65 Teqè.

Pas një periudhë politike absurde atesite të sistemit komunist, Urdhëri Bekashi u ripërtëri dhe u forcua në të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët dhe më 22 mars 1991, në festën e Novruzit, në Tiranë u rihap selia botërore e Urdhërit Bektashi, me Kryegjysh Haxhi Reshat Bardhi dhe nga viti 2011 Haxhi Edmond Brahimaj.

Në fillimet e shekullit XXI, besimtarët bektashi përbëjnë 25 % të popullatës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok