07/10/2024

(tregim)

Nga Përparim Hysi

Unë kisha gati 25-vjet që punoja në atë shkollë. Një kolektiv goxha i madh për një shkollë fshati.Shkollë fshati me gati 700-nxënës dhe me një personel me mbi 30 mësues. Në 8-vjeçare, cikli  i lartë me dy-tri paralele dhe cikli i ulët e bënte mësimin mbasdite, me përjashtim të klasës së parë. Qemë një kolektiv pedagogjik që punonim me përkushtim dhe, sado në këta 25-vjet qenë ndërruar tre drejtorë,  shkolla rreshtohej në një nga shkollat e mira të rrethit. Por, pikërisht pas 25-vjetësh, qenkan kujtuar që në shkollën tonë asnjë prej mësuesëve apo mësueseve nuk qenkëshin komunist dhe  kjo sikur nuk shkonte, kur në çdp hallkë të jetës duhet të udhëhiqte partia.  Kështu që, më mirë vonë se kurrë, emëruan dhe në shkollën tonë një komunist. Tek lexoni, mos më paragjykoni se unë kisha alergji nga fjala komunist. Kam njohur shumë komunistë idealistë dhe, nëse po qëndroj tek ky”komunisti që enkas po e quaj shoku “HIÇ”,  e bëj vetëm për t’u treguar se çfarë mund të bëjë një i paaftë.

*     *    *

Ai erdhi si me porosi dhe, ngaqë qe i vetmi me shkollë të mesme emëruar tek cikli i lartë,  drejtori, një njeri jo vetëm i aftë, por dhe babaxhan,  mendoi se ky, i paarsimi. sado komunist, mund ta cënonte më pak cilësinë arsimore në lëndë që në pedagogji, quhen lëndë të djathta:kështu që të porsaardhurit i dha të jepte fiskulturë dhe, për të plotësuar normën, edhe lëndën e edukatës morale. Epo erdhi, mirëse erdhi! Nja dy muaj, i porsaardhuri, sos se ra në sy, por, pikërisht, kur kaluan dy muaj, qenë bërë zgjedhjet në organizatën e partisë në fshat dhe, vetëm ky qe me arsim të mesëm, e paskëshin zgjedhur sekretar të organizatës bazë. Sa u zgjodh atje, jo vetëm e bëri të njohur në një mbledhje të këshillit pedagogjik, por sikur po lëshonte “brirë”. Tani, kur i drejtohej një kolegu a kolegeje, para emrit vinte atë ndajshtimin “shoku apo shoqe”( ju siguroj që fjalën “ndajshtim”as ia kish haberin). Ky “hop” i kësaj mendjeje kaq përçude, na bënte për të qeshur, sado që qe për të qarë. Natyrshëm,  që atij duhet t’i drejtoheshe me fjalën”shok”, se nuk qe vetëm koleg yni, por bash i madhi i fshatit: sekretari i organizatës së partisë.Jo vetëm u rrit kungulli, po zuri e mori gardhin. Mbaruar pa mbaruar orarin e mësimeve, ky”shoku” hapte zyrën e këshilit dhe jepte”audiencë”: si, një kandidat konsultohej për statutin e partisë dhe, kur vinte një “kandidate”, dera mbyllej, se”audienca” qe tepër sekrete. Bënte ç’bënte atje, qe punë për të dhe ata shokët e organizatës, por ky, qe me të vërtetë një hiç,  na hapi punë dhe në shkollë. Na kujtonte se qemë”veqilët” e tij dhe mund të na përdorte sipas mendësisë së tij përverse. Mua më hanin brirët për sherr dhe gjeta një shkak për t’i shpallur”luftë”. Shkakun nuk  e shpika unë, por e pashë me këta sy. Përballë dritares sime (dritarja qe e hapur), shoku “HIÇ” po jepte fiskuturë. Kur shoh që, sa do fillonte, kur dëgjoj nxënësin kujdestar që i raporton mësuesit:- Shoku sekretari i partisë, klasa është gati për mësim. Dhe shoku HIÇ mend u bë viç kur pozoi para klasës dhe, u tha pak a shumë atë thënien proverbiale:”…Gjithmonë gati!”. E dëgjova dhe flokët m’u ngritën gjemb. Sa hymë në sallën e personelit, sikur të më kishte shkelur në kallo, iu lëshova:- Ore, ku e ke gjetur atë pedagogji që vë kujdestarin dhe të raporton”shoku sekretar”, mos je gjëkafshë në mbledhje të organizatës?

-Mua, mos më thuaj ore, se unë jam “shoku” dhe jam sekretar i organizatës së partisë. Unë dhe ca më i rebeluar e ngrita zërin edhe ca dhe ia zbraza:-Ti je shoku HIÇ dhe mos kujto se mund të bësh si të duash qoftë dhe në një orë mësimore.

E pashë që iu skuq qafa dhe ndjeva kënaqësi që ia bëra hundën copë.  Nuk e di në hoqi dorë nga ajo “komanda përverse”, por si sekretar që qe, ngaqë kishin dalë dhe ato grupet anti-parti (sa ish zbuluar nga partia e shoku Enver “poliagjenti” Mehmet Shehu).mblodhi kolektivin dhe në emër të organizatës, kërkoi që secili prej nesh, të bënte nga një dekleratë me shkrim për biografinë.

-E kemi bërë biografinë dhe është në zyrën e kuadrit, – thashë unë.

-Ke 30-vjet dhe ka shumë ujëra që duhen kthiellur, -tha shoku  HIÇ.

Dhe, sado që nuk e bëra, ai i qe drejtuar organizatës  së fshatit ku jetoja, se priste hakmarrjen,  Por.shoku”HIÇ” po trashte zullumin. Xhëku krijonte”intimitete” me kandidatet dhe, tek i kish hyrë vetja në qejf,  në një familje e teproi.

Banushi, një fshatar babaxhan, tregonte:-Ishte andej nga ne mbrëmë, qya, sekretari dhe më thotë:-Shoku Banush, ti e di që partia ka zbuluar shumë grupe armiqësore, kështu që do na falësh,  se me Diellën, si komunistë, do diskutojmë ca”fshehurira”. Hë, këtu dhe hë atje, shkout HIÇ i doli boja. E hoqën nga shkolla jonë dhe e dërguan kujdestar konvikti në një shkollë të mesme,  Atje “shoku Hiç që u bë si viç”, tentoi të filtronte me nxënëse,  Sado që qe”shoku”, i vunë prangat dhe dënuan me burg. Doli nga burgu,  aty prag vitit 1990.

Kisha kohë  pa e parë dhe, tek më çoi puna tek zyra e të persekutuarëve, pashë të ulur shokun”HIÇ”.

-Po ti këtu apo pse e bëre burgun për nder?

-Më burgosën pa të drejtë dhe vjehrri im, -tha shoku HIÇ, ka qenë kulak.

-Ore, – i thashë, -por e shkrove këtë kulakllëkun e vjehrrit në atë , deklaratën që na kërkoje atëherë?

Po lëri ato, se  ato qenë të kohës tjetër.

Eh, thashë, more Shoku HIÇ, kur gjen sheshe, pse mos hashë përshesh.

Tiranë, 25 shtator 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok