Alma Hani, mësuesja që mbjell dashurinë për gjuhën shqipe te fëmijët e diasporës në Gjermani

0
Alma-Hani

Nga Nexhmije Mehmetaj

Gjuha shqipe është ura që lidh brezat e diasporës me rrënjët dhe atdheun. Këtij misioni fisnik i është përkushtuar me dashuri dhe përkushtim edhe mësuesja Alma Hani, e cila, pas një rrugëtimi të gjatë në arsim dhe një përvoje të çmuar me fëmijët shqiptarë në diasporë, tashmë ka hapur një kapitull të ri të veprimtarisë së saj në Gjermani.

Këtë shtator në Seligenstadt, ajo ka nisur mësimdhënien e gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë, me synimin që ata jo vetëm ta mësojnë gjuhën e të parëve, por edhe ta duan, ta ruajnë dhe ta përcjellin atë brez pas brezi. Përmes mësimit të shqipes, fëmijët afrohen njëkohësisht me kulturën, historinë dhe identitetin e tyre kombëtar.

Me këtë rast, zhvilluam një bisedë me mësuesen Alma Hani për të njohur më nga afër rrugëtimin e saj nga Berati në Greqi e më pas në Gjermani, përvojën e saj si mësuese, si dhe përkushtimin ndaj ruajtjes dhe përcjelljes së gjuhës shqipe te brezat e rinj të diasporës.

NM : Zonja Hani, si lindi dëshira juaj për t’ua mësuar gjuhën shqipe fëmijëve shqiptarë në Gjermani?

Alma Hani : Dëshira për t’ua mësuar gjuhën shqipe fëmijëve shqiptarë në Gjermani lindi natyrshëm nga dashuria dhe përkushtimi im ndaj gjuhës shqipe dhe profesionit të mësueses. Për mua, mësimdhënia nuk është thjesht një profesion, por një mision dhe një përgjegjësi ndaj brezave të rinj.

Rrugëtimin tim si mësuese e kam nisur në Berat, për ta vazhduar më pas në Greqi, ku pata mundësinë të punoja për disa vite me fëmijët e diasporës shqiptare. Kjo përvojë më bëri të kuptoj edhe më shumë se sa e rëndësishme është që fëmijët që rriten larg atdheut të kenë mundësi ta dëgjojnë, ta flasin, ta lexojnë dhe ta shkruajnë gjuhën e prindërve dhe të gjyshërve të tyre.

Prandaj, kur erdha në Gjermani, dëshira ime ishte që këtë rrugëtim ta vazhdoja edhe këtu. Dua që fëmijët shqiptarë të ndihen krenarë për gjuhën e tyre, të njohin kulturën dhe historinë shqiptare dhe, mbi të gjitha, të ruajnë lidhjen me rrënjët e tyre.

Besoj se gjuha ruhet dhe jeton atje ku flitet, shkruhet dhe u përcillet brezave të rinj. Prandaj, çdo fëmijë që ulet në bankën e klasës së gjuhës shqipe është për mua një arsye më shumë për ta vazhduar këtë mision me dashuri dhe përkushtim.

NM: Çfarë emocionesh përjetuat ditën kur klasa e gjuhës shqipe në Seligenstadt hapi dyert për nxënësit e parë?

Alma Hani : Ishte një ditë shumë e veçantë dhe plot emocione për mua. Të shihja fëmijët të hynin në klasë për herë të parë, me kureshtjen dhe entuziazmin e tyre, më dha një ndjenjë të madhe gëzimi dhe krenarie.

Në atë moment ndjeva edhe përgjegjësinë që kisha përpara, por mbi të gjitha një kënaqësi të madhe që po hapej një tjetër derë për fëmijët shqiptarë që të mësojnë gjuhën e tyre.

Më emocionoi veçanërisht fakti që kjo klasë po niste nga e para dhe se ishim bashkë në atë ditë të parë. Për mua, nuk ishte thjesht fillimi i një viti shkollor, por fillimi i një rrugëtimi të ri me fëmijët drejt gjuhës, kulturës dhe rrënjëve të tyre shqiptare.

NM : Sa interes kanë treguar prindërit dhe fëmijët shqiptarë për mësimin e gjuhës amtare?

Alma Hani  : Interesi ka qenë shumë i mirë dhe kjo më ka gëzuar shumë. Prindërit e kuptojnë se fëmijët, duke u rritur në një mjedis gjermanishtfolës, kanë nevojë për mbështetje që ta ruajnë shqipen. Edhe fëmijët, kur e gjejnë mënyrën e duhur të mësimit, fillojnë ta duan gjuhën dhe të ndihen krenarë për të.

NM : Sa nxënës e kanë nisur mësimin dhe cilat grupmosha përfshin klasa?

Alma Hani : Mësimin e kanë nisur 22 nxënës të grupmoshave të ndryshme, nga fëmijët më të vegjël deri te ata më të rritur. Kjo e bën klasën pak më të veçantë, sepse kemi nivele të ndryshme të njohjes së shqipes. Por pikërisht kjo është edhe një sfidë që më motivon të gjej mënyra të ndryshme që secili fëmijë të përfshihet dhe të përparojë.

NM : Cilat janë vështirësitë më të mëdha që hasin fëmijët e lindur ose të rritur në Gjermani gjatë mësimit të shqipes?

Alma Hani :Vështirësia kryesore është se shumica e fëmijëve kanë lindur dhe janë rritur në Gjermani, ndaj gjermanishtja është gjuha që përdorin çdo ditë. Edhe prindërit, në shumë raste, janë brezi i dytë i diasporës dhe shqipja nuk është përdorur gjithmonë në mënyrë të vazhdueshme në familje.

Një tjetër veçori është se fëmijët vijnë nga familje me prejardhje nga treva të ndryshme shqiptare. Ata sjellin me vete mënyra të ndryshme të të folurit, dialekte dhe shprehje që i kanë dëgjuar në familje. Kjo është shumë e bukur nga ana kulturore, por ndonjëherë krijon edhe vështirësi kur duhet të mësojnë gjuhën standarde shqipe, sidomos në lexim dhe në shkrim.

Prandaj, puna me ta kërkon shumë durim dhe një qasje të përshtatur për secilin fëmijë. Për mua është e rëndësishme që, përveç gjuhës standarde, ata të kuptojnë se pasuria e shqipes vjen edhe nga të gjitha trevat ku ajo flitet. Në fund të fundit, pavarësisht nga vendi apo treva nga vijnë familjet e tyre, gjuha shqipe është ajo që na bashkon.

NM : Sa i rëndësishëm është bashkëpunimi me prindërit për ta ruajtur gjuhën shqipe brenda familjes?

Alma Hani :Bashkëpunimi me prindërit është shumë i rëndësishëm. Mësuesi mund të bëjë shumë gjatë orës së mësimit, por fëmija e mëson dhe e ruan gjuhën mbi të gjitha në familje. Prandaj, prindërit janë pjesë e rëndësishme e këtij procesi. Edhe gjërat e vogla kanë shumë vlerë: të flasin shqip me fëmijët, t’i nxisin të lexojnë, të bisedojnë me gjyshërit dhe të mos kenë frikë nga gabimet. Kur shkolla dhe familja punojnë së bashku, fëmija e ndien se shqipja është e rëndësishme dhe bëhet pjesë e natyrshme e jetës së tij.

NM : Çfarë mbështetjeje keni marrë nga LAPSH-i i Hessenit dhe nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Frankfurt?

Alma Hani: Kam ndier mbështetje dhe frymë bashkëpunimi në këtë nismë. LAPSH-i i Hessenit luan një rol të rëndësishëm në organizimin dhe zhvillimin e mësimit të gjuhës shqipe në Landin e Hessenit dhe për ne mësuesit është me vlerë të ndihemi pjesë e këtij kontributi.

Po aq e rëndësishme është edhe mbështetja e institucioneve tona diplomatike, përfshirë Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Frankfurt. Ajo tregon se ruajtja e gjuhës dhe e kulturës shqiptare në diasporë kërkon bashkëpunimin e mësuesve, prindërve, shoqatave dhe institucioneve.

NM: Nga përvoja juaj, a ekziston rreziku që brezat e rinj të diasporës ta humbasin gradualisht gjuhën shqipe?

Alma Hani: Po, mendoj se ky rrezik ekziston, sidomos për fëmijët që lindin dhe rriten jashtë trojeve shqiptare. Kur një fëmijë jeton çdo ditë në një mjedis ku përdoret një gjuhë tjetër, është e natyrshme që ajo gjuhë të bëhet më e fortë në komunikimin e përditshëm. Por unë nuk do ta shihja këtë si diçka të pashmangshme. Nëse familja flet shqip, nëse fëmija ka mundësi të mësojë në shkollën shqipe dhe nëse ai e ndien gjuhën si pjesë të identitetit të tij, atëherë shqipja mund të ruhet.

Pikërisht për këtë arsye besoj se puna jonë si mësues është kaq e rëndësishme. Ne nuk u mësojmë fëmijëve vetëm shkronjat dhe rregullat e gjuhës, por përpiqemi t’u japim edhe dashurinë për të. Sepse një gjuhë që e do, dëshiron edhe ta ruash.

NM : Çfarë do t’u thoshit prindërve shqiptarë në Gjermani që ende nuk i kanë regjistruar fëmijët e tyre në mësimin plotësues të gjuhës shqipe?

Alma Hani :Do t’u thosha të mos e shohin mësimin e shqipes thjesht si një orë shtesë në javë. Është një mundësi që fëmijët të njohin gjuhën e prindërve dhe gjyshërve të tyre, të komunikojnë më lehtë me familjarët dhe të ruajnë një pjesë të rëndësishme të identitetit të tyre. Fëmijët rriten shumë shpejt dhe ajo që nuk mësohet sot, nesër mund të jetë më e vështirë. Prandaj, do t’i ftoja prindërit t’ua japin fëmijëve këtë mundësi.

NM : Kur një fëmijë në diasporë arrin të lexojë e të shkruajë shqip, çfarë do të thotë kjo për ju personalisht si mësuese?

Alma Hani: Për mua është një nga kënaqësitë më të mëdha të kësaj pune. Ndoshta për dikë tjetër mund të duket si një gjë e vogël, por për një fëmijë që rritet në Gjermani, të arrijë të lexojë dhe të shkruajë shqip është një arritje shumë e rëndësishme. Në ato momente ndiej se puna dhe përkushtimi im kanë dhënë një rezultat. Është një emocion që më jep forcë për të vazhduar.

NM :Nëse do ta përmblidhnit me një fjali misionin tuaj, çfarë dëshironi t’u lini brezave të rinj shqiptarë që po rriten larg atdheut?

Alma Hani: Do të doja t’u lija dashurinë për gjuhën shqipe, sepse përmes saj ata ruajnë rrënjët, njohin origjinën e tyre dhe mbajnë gjallë lidhjen me vendin dhe kulturën prej nga vijnë.

NM: Çfarë ndjeni kur dëgjoni një fëmijë të lindur në Gjermani të lexojë, të shkruajë dhe të flasë bukur shqip?

Alma Hani : Është një emocion që nuk përshkruhet lehtë me fjalë. Ndihem e lumtur, krenare dhe, mbi të gjitha, e prekur. Sepse pas atij leximi, pas atyre fjalëve shqip, shoh shumë më tepër se një fëmijë që ka mësuar të lexojë apo të flasë. Shoh një lidhje që po ruhet me familjen, me gjyshërit, me rrënjët dhe me kulturën e tij.

Në ato momente them me vete se ia vlen çdo përpjekje. Nëse një fëmijë i lindur larg trojeve shqiptare arrin ta dojë dhe ta flasë bukur shqipen, atëherë gjuha jonë vazhdon të jetojë edhe larg atdheut.

Në fund, dua t’ju them nga zemra: shumë faleminderit për këtë intervistë, por mbi të gjitha për gjithçka që keni qenë dhe vazhdoni të jeni në rrugëtimin tim si mësuese e gjuhës shqipe.

Jeni një nga njerëzit më të çmuar që kam takuar në këtë rrugëtim dhe një këshilluese e jashtëzakonshme, nga e cila kam mësuar dhe kam marrë gjithmonë mbështetje, kurajë dhe besim.

Gjuha shqipe na bashkoi që në vitin 2013, në Seminarin Mbarëkombëtar në Ulqin, dhe që nga ajo kohë kjo gjuhë e bukur na ka mbajtur të lidhura në një mision të përbashkët: ta duam, ta mësojmë dhe ta përcjellim shqipen te brezi i ri.

Për mua, kjo njohje nuk mbeti thjesht një takim në një seminar. Me kalimin e viteve u kthye në një marrëdhënie të çmuar profesionale dhe njerëzore, në një udhërrëfim që e vlerësoj shumë.

Ju falënderoj për çdo këshillë, për çdo fjalë inkurajuese dhe për besimin që më keni dhënë. Jam mirënjohëse që rrugët tona u bashkuan pikërisht përmes gjuhës shqipe.

NM: E dashur Alma, ju falënderoj për këto fjalë të ngrohta dhe për këtë bisedë të sinqertë. Jam mirënjohëse që gjuha shqipe na bashkoi dhe që, pas kaq vitesh, vazhdojmë të ndajmë të njëjtën dashuri për të. Ju uroj shëndet, mbarësi dhe shumë suksese në këtë mision fisnik.

Le të vazhdojë shqipja të tingëllojë në zërat e fëmijëve tanë kudo që ata jetojnë, sepse në çdo fjalë shqip që mëson një fëmijë larg atdheut vazhdon të jetojë një pjesë e trashëgimisë sonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok