Flet Prof. Dr. Enriko Ceko: Ja ndryshimet në paketën fiskale 2027, dyshimet, zhurma e madhe, rreziqet politike, ekonomike dhe sociale të aplikimit

0
Enriko-Ceko

– Politika fiskale nuk duhet të jetë arti i të mbledhurit sa më shumë para, por shkenca e mbledhjes së të ardhurave të nevojshme për një shtet funksional

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Analiza e më poshtme shqyrton efektet e mundshme të secilit ndryshim mbi konsumatorët, bizneset, investimet, të ardhurat buxhetore dhe shpërndarjen e barrës fiskale, duke përdorur një qasje ekonomike dhe shkencore për të kuptuar edhe më mirë efektin e drejtpërdrejtë të ndryshimeve tatimore të propozuara nga rezultati përfundimtar, rezultat që më së shumti varet nga sjellja e konsumatorëve dhe sjellja e bizneseve, si dhe nga niveli i çmimeve, formalizimi i ekonomisë, administrimi tatimor dhe korrupsioni në administratën publike. Nga ana tjetër, në këtë analizë duhet të theksojmë se nëse zbatohen këto ndryshime, efektet do të kuptohen më mirë dhe në mënyrë edhe më të saktë në fund të vitit 2027 dhe nëse gjërat shkojnë jo morë, atëherë në mes të procesit nuk ka asgjë të keqe që të ndërhyjmë për të rishikuar përsëri rezultatet, fitimet, humbjet, prurjet në buxhetin e shtetit, sjelljen konsumatore, reagimin e operatorëve të biznesit, aspekte të tregtitë brenda vendit dhe të tregtisë me jashtë, nivelin e investimeve dhe të punësimit, etj.

Le të fillojmë duke analizuar secilin ndryshim të propozuar fiskal…

Në paketën fiskale 2027 TVSH-ja standard rritet nga 20% në 21%, çfarë nënkupton kjo për konsumatorin?

Rritja e normës standarde të TVSH-së me një pikë përqindjeje synon të rrisë të ardhurat për njësi të tatueshme, por njëkohësisht kjo gjë mund të ushtrojë presion mbi çmimet dhe fuqinë blerëse aktuale dhe në të ardhmen. Për shembull: Nëse një produkt ka çmim neto 1,000 lekë, pa ndryshuar çmimi neto, vetëm për efekt të TVSH-së 21%, çmimi për konsumatorin do të rritej nga 1,200 në 1,210 lekë, ose rreth 0.83%. Efekti real varet nga shkalla në të cilën bizneset e transferojnë tatimin te konsumatorët dhe nga elasticiteti i kërkesës. Për familjet me të ardhura të ulëta, të cilat shpenzojnë një pjesë më të madhe të buxhetit për konsum, kjo rritje mund të ketë ndikim relativisht më të madh dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ndërsa, për buxhetin e shtetit, të ardhurat shtesë nuk janë automatikisht të barabarta me një pikë përqindjeje mbi të gjitha shitjet, sepse duhen marrë parasysh përjashtimet, kreditimi i TVSH-së, reagimi i qytetarëve ndaj konsumit të këtyre produkteve dhe shërbimeve të cilave u shtohet automatikisht një pikë përqindje.

TVSH-ja për ushqimet bazë ulet nga 20% në 6%.

Ulja me 14 pikë përqindjeje mund të përmirësojë ndjeshëm përballueshmërinë e ushqimeve, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta, por kjo vetëm nëse ulja tatimore reflektohet në çmimet përfundimtare të këtyre produkteve. Për shembull: Për një produkt me vlerë neto 1,000 lekë, çmimi me TVSH do të zbriste nga 1,200 në 1,060 lekë, pra me 11.67% dhe jo me 14% siç pretendohet nga ana e administratës fiskale. Ky është një efekt mekanik teorik, por në asnjë mënyrë nuk dihet konsideruar si një garanci për një ulje të barabartë në treg të çmimeve të këtyre produkteve ushqimore bazë dhe të rëndësishme për njeriun. Nëse konkurrenca në treg për prodhimin dhe tregtimin e këtyre ushqimeve është e kufizuar, dhe / ose zinxhiri i furnizimit për këto produkte nga prodhuesi fillestar te konsumatori përfundimtar është joefikas, atëhere padyshim që një pjesë e përfitimit mund të mbetet te prodhuesit, tregtarët apo te ndërmjetësit dhe kjo mund të sjellë që nga ana fiskale, masa mund të reduktojë të ardhurat për njësi konsumi, por një rritje e mundshme e konsumit dhe e deklarimit të shitjeve mund të kompensojë pjesërisht humbjen. Për të vlerësuar suksesin e kësaj mase të ndërmarrë, duhen monitoruar çmimet e shportës bazë para dhe pas zbatimit të këtyre ndryshimeve, si dhe përqindja e uljes së çmimit që do të arrijë realisht te konsumatori përfundimtar.

. Tatimi mbi fitimin rritet nga 15% në 17%.

Rritja e normës së tatimit mbi fitimin me dy pikë përqindjeje automatikisht e rrit barrën fiskale mbi fitimin e tatueshëm, nëse baza dhe rregullat e llogaritjes mbeten të pandryshuara. Për shembull: Për çdo 1 milion lekë fitim të tatueshëm, tatimi do të rritej nga 150,000 në 170,000 lekë, pra me 20,000 lekë. Kjo mund të shtojë të ardhurat publike në afat të shkurtër, por në periudhën afatmesme dhe afatgjatë ul në mënyrë eksplicite fitimin neto pas tatimit dhe potencialisht ul edhe burimet e brendshme të bizneseve individual dhe të ekonomisë vendase në tërësi për investime, zgjerim, punësim, etj. Efekti mbi investimet varet shumë edhe nga rentabiliteti i sektorit, mundësitë e financimit që kanë bizneset, konkurrenca ndërkombëtare për këto produkte dhe shërbime që preken nga kjo masë fiskale dhe nga parashikueshmëria e politikës fiskale. Nëse rritja e normës shoqërohet me administrim më të mirë dhe kufizim të shmangies tatimore, rezultati mund të jetë pozitiv për të ardhurat publike, por, në të kundërt, mund të nxitet shtyrja e investimeve për një periudhë të ardhëshme dhe / ose zhvendosja e fitimeve në aspektin kohor dhe territorial. Për këto arsye, masa duhet vlerësuar në raport me objektivin e të ardhurave, klimën e investimeve dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë. Duket se kjo lëvizje është marrë parasysh dhe u deklarua ditën e djeshme se kjo masë edhe mund të mos merret.

Tatimi mbi dividendin rritet nga 8% në 15%.

Rritja prej shtatë pikësh përqindjeje e tatimit mbi dividendin rrit automatikisht barrën fiskale mbi fitimin që u shpërndahet aksionarëve, duke e bërë më pak të favorshme tërheqjen e fitimeve në formën e dividendit. Për shembull: Për çdo 1 milion lekë dividend bruto, tatimi do të rritej nga 80,000 në 150,000 lekë, pra me 70,000 lekë, ndërsa shuma neto e marrë nga aksionari do të ulej nga 920,000 në 850,000 lekë për çdo 1 milionë lekë dividend. Masa e ndërmarrë mund të rrisë të ardhurat buxhetore, por kjo vetëm nëse vëllimi i dividendëve të deklaruar mbetet i qëndrueshëm, ose në rritej, por po kjo masë e ndërmarrë mund të ndryshojë sjelljen e pronarëve duke bërë që ata fitimet mund ti mbajnë në kompani, të riinvestojnë ose të shpërndajnë atë në forma të tjera, sipas kuadrit ligjor. Për këtë arsye, të ardhurat shtesë nuk mund të vlerësohen vetëm nga diferenca e normës, por duhet që të analizohet edhe ndërveprimi me tatimin mbi fitimin, në mënyrë që të kuptohet barra e përgjithshme reale mbi fitimin e krijuar nga shoqëria dhe më pas mbi fitimin real të shpërndarë te pronari.

TVSH-ja për akomodimin turistik rritet nga 6% në 10%.

Rritja e TVSH-së për akomodimin turistik me katër pikë përqindjeje mund të rrisë të ardhurat fiskale për çdo shërbim të tatueshëm, por njëkohësisht mund të shtojë koston e qëndrimit për njësi kohe për turistët dhe kjo padyshim që do ndikojë edhe në uljen e marzheve të fitimit të strukturave akomoduese. Për shembull: Për një shërbim me vlerë neto 10,000 lekë, çmimi përfundimtar do të rritej nga 10,600 në 11,000 lekë, duke supozuar se kjo rritej, e gjitha i faturohet klientit. Ky ndryshim mund të ketë pasoja të shumta për konkurrueshmërinë e turizmit shqiptar, sidomos kundrejt destinacioneve që ofrojnë çmime më të favorshme. Nga ana tjetër, ndikimi i këtij ndryshimi mund të jetë më i kufizuar nëse kërkesa turistike mbetet e fortë dhe bizneset absorbojnë një pjesë të rritjes, porn ë të vërtetë rezultati neto duhet analizuar duke marrë parasysh sezonalitetin, normën e shfrytëzimit të kapaciteteve, shpenzimet mesatare të turistëve dhe kontributin e turizmit në punësim e të ardhura valutore në nivel ekonomie.

Ulja e pragut të regjistrimit për TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë.

Përgjysmimi i pragut do të zgjeronte potencialisht numrin e bizneseve të detyruara të regjistrohen për TVSH, duke rritur gjurmueshmërinë e transaksioneve dhe mundësinë e formalizimit të aktivitetit ekonomik. Në aspektin teorik, kjo masë mund të përmirësojë deri diku deklarimin e shitjeve dhe mund të rezultojë edhe në një reduktim të konkurrencësë së pandershme nga subjektet që ende do të vazhdojnë të shmangin detyrimet tatimore. Megjithatë, regjistrimi për TVSH nuk do të thotë se çdo biznes i ri i përfshirë do të paguajë të njëjtën shumë neto tatimi, sepse detyrimi varet nga TVSH-ja e mbledhur në shitje, kreditimi i TVSH-së së blerjeve dhe struktura e aktivitetit. Për bizneset e vogla, kjo masë mund të sjellë kosto shtesë kontabiliteti, administrimi dhe përputhshmërie, si dhe padyshim  që do sjellë një ndikim jo pozitiv mbi çmimet e pridukteve dhe shërtbineve që ofrojnë këto subjekte që do i nënshtrohen skemës, dhe padyshim edhe në marzhet e fitimit të tyre. Për këtë arsye, efekti përfundimtar i kësaj mase do të varet shumë nga cilësia e administrimit tatimor, thjeshtësia e procedurave, aftësia e bizneseve të vogla për t’u përshtatur, etj.

Vendoset tatim 32% për pagat bruto mbi 700,000 lekë në muaj.

Vendosja e një norme prej 32% për pjesën e pagës bruto që tejkalon 700,000 lekë në muaj do të rriste barrën tatimore mbi të ardhurat e larta, por kjo vetëm nëse zbatohet si normë margjinale vetëm për pjesën mbi pragun e përcaktuar me ligj. Për shembull: Për një pagë bruto prej 800,000 lekësh, 32% do të zbatohej mbi 100,000 lekët e tepërta, duke dhënë 32,000 lekë tatim për atë pjesë, përpara se të merren parasysh detyrimet e tjera dhe rregullat e zbatueshme. Kjo mund të forcojë progresivitetin e sistemit dhe të rrisë kontributin fiskal të individëve me të ardhura të larta. Megjithatë, rezultati varet nga numri i individëve të prekur, struktura e pagave dhe mënyra si reagojnë punëdhënësit e punëmarrësit. Nëse norma zbatohet vetëm mbi pjesën që kalon pragun, nuk do të thotë se e gjithë paga tatohet me 32%. Për të vlerësuar efektin e shpërndarjes së të ardhurave, duhet krahasuar tatimi efektiv para dhe pas ndryshimit, si dhe të ardhurat shtesë me kostot e mundshme të përshtatjes së tregut të punës.

Efekti i përgjithshëm i paketës fiskale 2027

Ndryshimet e propozuara paraqesin një kombinim të politikave me efekte të ndryshme si: ulje të tatimit mbi disa produkte ushqimore, rritje të normave mbi konsumin e përgjithshëm, fitimet, dividendët dhe akomodimin turistik, etj. Në të njëjtën kohë, zgjerimi i bazës së TVSH-së dhe tatimi më i lartë për pagat e larta synojnë të ndryshojnë strukturën e kontributeve fiskale. Nëse masat zbatohen së bashku, rezultati makroekonomik nuk mund të nxirret thjesht duke mbledhur diferencat e normave, por është në varësi të madhësisë së secilës bazë tatimore që ndryshon, të peshës së konsumit ushqimor në buxhetet familjare, në fitimet e deklaruara, në dividendët e shpërndarë, në vëllimin e akomodimit turistik, në numrin e bizneseve që kalojnë pragun e TVSH-së, etj. Nga pikëpamja profesionale dhe shkencore, një çështje veçanërisht e rëndësishme është ndërveprimi ndërmjet tatimit mbi fitimin dhe tatimit mbi dividendin. Nëse një kompani realizon 1 milion lekë fitim të tatueshëm dhe e shpërndan të gjithë fitimin pas tatimit si dividend, me normat e reja do të paguante 170,000 lekë tatim mbi fitimin dhe 124,500 lekë tatim mbi dividendin (15% e 830,000 lekëve). Barra e kombinuar do të ishte 294,500 lekë, ose 29.45% e fitimit fillestar, krahasuar me 218,000 lekë, ose 21.8%, sipas normave të vjetra 15% dhe 8%. Pra, në këtë shembull teorik, barra e kombinuar rritet me 7.65 pikë përqindjeje. Ky rezultat vlen për fitimin e shpërndarë plotësisht si dividend, duke supozuar të njëjtën bazë tatimore dhe pa përfshirë taksa të tjera.

Nga këndvështrimi i familjeve, ulja e TVSH-së për ushqimet mund të sjellë përfitim real, por madhësia e tij varet nga transferimi i uljes te çmimet e konsumit. Rritja e TVSH-së standarde mund të ndikojë në shumë mallra dhe shërbime të tjera, ndaj bilanci për çdo familje do të varet nga struktura e konsumit. Për bizneset, rritja e tatimit mbi fitimin dhe dividendin mund të ulë kthimin neto të kapitalit, ndërsa zgjerimi i regjistrimit për TVSH mund të nxisë formalizimin, por edhe të rrisë kostot administrative. Për turizmin, rritja e TVSH-së së akomodimit duhet vlerësuar në raport me konkurrencën rajonale dhe elasticitetin e kërkesës.

Si përfundim?

Paketa e paraqitur nuk mund të konsiderohet automatikisht as zgjeruese dhe as shtrënguese për ekonominë në tërësi. Ajo përmban një element lehtësues për konsumatorët e ushqimeve bazë, por edhe elemente që mund të rrisin kostot e konsumit, barrën mbi kapitalin dhe shpenzimet e përputhshmërisë për bizneset e vogla. Efekti fiskal neto do të jetë pozitiv vetëm nëse të ardhurat shtesë nga normat më të larta dhe zgjerimi i bazës tatimore tejkalojnë humbjet nga ulja e TVSH-së për ushqimet dhe çdo reduktim të mundshëm të aktivitetit ekonomik ose të deklarimeve tatimore. Efekti social do të jetë pozitiv nëse lehtësimi për familjet me të ardhura të ulëta është real dhe i matshëm, ndërsa efekti mbi zhvillimin do të varet nga ruajtja e investimeve, konkurrueshmëria dhe krijimi i vendeve të punës. Në thelb, suksesi i Paketës Fiskale 2027 nuk duhet të matet vetëm nga sa të ardhura mbledh shteti, por edhe nga sa përmirëson fuqinë blerëse, sa nxit formalizimin dhe investimet dhe sa kontribuon në rritjen e qëndrueshme të mirëqenies së qytetarëve. Sepse në fund të fundit në një vend demokratik, qytetarët duhet të jenë të lirë të konsumojnë proidukte dhe shërbime, bizneset duhet të kenë kushte të përshtatshme për të operuar në një treg konkurrues dhe qeveria duhet të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe të bizneseve.

A mund të konsiderohet real objektivi kryesor i Paketës Fiskale 2027?

Në këtë pikë duhet të dallojmë tri gjëra: objektivin që deklaron qeveria, mekanizmin me të cilin synon ta realizojë dhe rezultatin që do të përjetojë qytetari. Një paketë fiskale duhet të ketë tri objektiva: të sigurojë të ardhura të qëndrueshme për buxhetin, të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe të ruajë drejtësinë sociale. Problemi lind kur këto objektiva bien ndesh me njëri-tjetrin dhe qeveria pretendon se mund t’i realizojë të gjitha njëkohësisht, pa kosto. Nëse ulim TVSH-në për ushqimet bazë, synojmë të lehtësojmë barrën mbi konsumatorin. Nëse rrisim tatimet mbi biznesin dhe kapitalin, synojmë të mbledhim më shumë të ardhura. Por pyetja ekonomike është: a do të jetë përfitimi nga ulja e taksës më i madh se kostoja që krijojnë taksat e tjera? Sepse ekonomia nuk funksionon me deklarata politike, por me stimuj, kosto, sjellje dhe rezultate. Ka edhe një ironi faktike dhe reale në këtë mes. Shteti mund të planifikojë të mbledhë më shumë para nga ekonomia, por nëse taksat frenojnë investimet dhe aktivitetin ekonomik, nesër mund të kemi një ekonomi më të vogël nga e cila do të mbledhim më pak të ardhura. Në aspektin politik, ekonomik dhe social, suksesi i një pakete fiskale nuk matet me sa taksa vendos shteti, por me sa mirë arrin të financojë shërbimet publike pa dëmtuar prodhimin, punësimin dhe mirëqenien e qytetarëve.

Në fund të fundit balanca e suksesit dhe mos suksesit varet nga:

  • Drejtësi fiskale: të paguajnë detyrimet sipas ligjit të gjithë, jo vetëm ata që janë lehtësisht të kontrollueshëm.
  • Efikasitet administrativ: më pak burokraci dhe më shumë kontroll të bazuar në risk e teknologji.
  • Parashikueshmëri: bizneset duhet të dinë rregullat dhe të kenë kohë të përshtaten.

Dhe në fund të fundit, është e dukshme se është shumë më e lehtë të rritësh një normë tatimore sesa të ndërtosh një administratë që i mbledh taksat drejt dhe me efikasitet dhe në këtë pikë shteti nuk duhet të zgjedhë mes të ardhurave buxhetore dhe zhvillimit ekonomik, por duhet të ndërtojë një sistem ku rritja ekonomike zgjeron bazën tatimore dhe administrimi i mirë siguron që detyrimet të paguhen. Kjo sepse, politika fiskale nuk duhet të jetë arti i të mbledhurit sa më shumë para, por shkenca e mbledhjes së të ardhurave të nevojshme për një shtet funksional, pa dobësuar ekonominë që i prodhon ato. Sepse shteti nuk mund të pasurohet në mënyrë të qëndrueshme duke varfëruar bazën e vet ekonomike. Qeveria në çdo shtet të botës, mund të jetë e kënaqur me arkën e shtetit, biznesi mund të jetë shumë i kënaqur me xhiron dhe qytetari edhe më shumë se i kënaqur me premtimet, por suksesi i vërtetë i një pakete fiskale fillon vetëm dhe vetëm atëhere kur edhe qytetari më i varfër në vend, në fund të muajit, ka më shumë para në xhep.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok