Flasin Prof. Gjergji Foto, ing. Prof. Pal Nikolli, ing. Nikollaq Gjergji, ing. Selman Meziu, Prof As. Jorgji Hanxhari
(Intelektualët në mbështetje të kërkesave të studentëve: Po, protestës, jo dhunës!)
-Rrogat e larta të qeveritarëve, luksi i tyre i shfrenuar, korrupsioni galopant, indiferenca ndaj problemeve të popullit, shitja e pasurive të vendit varfëria e pensionistëve, janë problemet shqiptare
– Të rinjtë e sotëm gjimnazistë e studentë si atdhetarë të vërtetë, janë të pa kënaqur, ashtu si gjithë populli, për rënien ekonomike të vendit dhe mirëqenies mizerje të popullsisë
– Populli, kërkon shfrytëzimin e tërë pasurive natyrore të vendit, ato të zbuluar dhe potenciale natyrore, që renditen në vendin e dytë në Evropë për frymë.
— Të solidarizohemi pa kushte me kërkesat e protestës, derisa të largohen dy dinozaurët Rama- Berisha dhe të çlirohet ky vend, por protestuesit të kenë kujdes që të mos dëmtojnë bizneset
– Drejtësia t’u konfiskoj të gjitha pasuritë, që kanë grumbulluar deputetët, ministrat dhe gjithë nëpunësit e lartë të shtetit, mbi mundësitë e tyre
Nga Albert Z. ZHOLI
Revolta e studentëve ka zgjuar reagime të shumta në radhët e intelektualëve, akademikëve dhe njerëzve të njohur të jetës publike. Rreth katër intelektualë kanë shprehur mbështetjen e tyre për kërkesat e studentëve, duke i cilësuar ato si të drejta dhe të lidhura ngushtë me realitetin ekonomik e shoqëror të vendit. Ata tërheqin vëmendjen te korrupsioni, pabarazia ekonomike dhe hendeku mes pagave të larta të ministrave e deputetëve dhe vështirësive me të cilat përballen shtresat e gjera të popullsisë. Ndërsa një pjesë e zyrtarëve gëzojnë të ardhura të larta, shumë pensionistë përpiqen të përballojnë nevojat më elementare të jetesës. Në këtë realitet, zëri i studentëve nuk mund të shpërfillet, por duhet dëgjuar dhe trajtuar me përgjegjësi. Njëkohësisht, intelektualët u bëjnë thirrje të rinjve që protesta të ruajë karakterin paqësor, të distancohet nga dhuna dhe të mbështetet te forca e argumentit, solidariteti dhe kërkesat konkrete. Sepse një kauzë e drejtë fiton më shumë peshë kur mbrohet me dinjitet, përgjegjësi qytetare dhe respekt për institucionet e pronën publike.
Prof. Dr. Gjergji Foto:
Për të gjithë të diplomuarit në shkollat e larta të vendit, ata që kanë grada shkencore e tituj akademikë, punonjësit e Akademisë së Shkencave dhe Kulturës të Shqipërisë, ende në marrëdhënie pune me shtetin dhe ata të pensionuar! Kujtojuni se është rasti, disi i vonuar, të tregojmë respektin dhe konsideratën e lartë për popullin shqiptar që me gjithë varfërinë, financoi, nëpërmjet normës së lartë të akumulimit që aplikoi Pushteti Popullor, hierarkinë e studimeve tona vetjake!
Ashtu si vetë populli rrezikoi kokën duke marrë pjesë në Luftën për çlirimin e Atdheut dhe arriti fitoren për të qenë i lirë nga pushtuesit dhe shkatërruesit e vendit dhe punoi me përkushtim e sakrifica ekstreme për t’i ndërruar faqen Shqipërisë, me hapjen e shkollave për të gjithë; sot, mbështetjen duhet ta realizojmë Ne, madje edhe për të financuar të rinjtë, që të arrijnë edhe ata, të realizojnë dëshirat e tyre, për të qenë të përgatitur për të realizuar detyrimet ndaj prindërve dhe brezave të ardhshëm.
Të rinjtë e sotëm gjimnazistë e studentë si atdhetarë të vërtetë, janë të pa kënaqur, ashtu si gjithë populli, për rënien ekonomike të vendit dhe mirëqenies së popullsisë, rrjedhojë e qeverisjeve të pa përgjegjshme, braktisjes së detyrimeve të tyre për të shpënë përpara idealet popullore të përparimit dhe rritjes së mirëqenies, për të hyrë denjësisht në bashkësinë e shteteve evropiane, nga të cilët jemi ende me dhjetëra vite zhvillimi ritmik, larg. Populli, kërkon shfrytëzimin e tërë pasurive natyrore të vendit, ato të zbuluar dhe potenciale natyrore, që renditen në vendin e dytë në Evropë për frymë. Ato pasuri, sigurojnë punësimin e popullsisë, strehimin, financimin e sigurt të sistemit arsimor, financimin e plotë të sistemit shëndetësor, plotësimin e gjithë objektivave të rinisë, ndërprerjen e braktisjes së vendit, rritjen ritmike të pagave dhe sidomos të pensioneve, që këto qeveri të pas nëntëdhjetës, i kanë braktisur, në favor të pasurimit vetjak të tyre, nëpërmjet korrupsionit, duke braktisur zbatimin e idealeve popullore dhe shërbimit dhe përkushtimit të saj jo proporcional ndaj “elitave botërore”, të shprehura mjaft qartë sidomos nga qeverisja e sotme. Jemi shumë të vonuar jo vetëm në mbështetjen e popullit të revoltuar por edhe në detyrimet intelektuale për drejtimin e tyre!
**
Prof Pal Nikolli: KËRKESAT E STUDENTËVE JANË EDHE KËRKESAT E NJË POPULLI TË TËRË!
Ju kujtojmë përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar se nuk bëhet fjalë vetëm për kërkesat e studentëve, por edhe për pakënaqësinë e një populli që, prej 36 vjetësh, ndihet i dhunuar, i nëpërkëmbur dhe i zhgënjyer nga klasa politike shqiptare.
Qytetarët kërkojnë largimin e Edi Ramës, por edhe fundin e modelit të qeverisjes Rama, i cili është shtrirë në të gjitha institucionet shqiptare, përfshirë edhe universitetet publike.
Universitetet, që duhet të jenë tempuj të dijes, të meritokracisë dhe të mendimit të lirë, nuk mund të shndërrohen në instrumente të pushtetit politik. Shqetësim të veçantë ngre edhe drejtimi i institucioneve akademike nga persona me të kaluar në organet e drejtësisë së regjimit komunist, përfshirë ish-prokurorë të asaj periudhe, kur mungesa e transparencës dhe e llogaridhënies cenon besimin publik.
Shqipëria ka nevojë për më shumë se ndryshimin e një kryeministri: ka nevojë për ndryshimin e një modeli qeverisjeje dhe të kulturës së ushtrimit të pushtetit.
Mesazhi për komunitetin ndërkombëtar është i qartë: kërkesat e studentëve duhen dëgjuar në kontekstin më të gjerë të kërkesave të qytetarëve për drejtësi, demokraci funksionale, institucione të pavarura, meritokraci dhe respektim të dinjitetit njerëzor.
Zëri i studentëve nuk është i izoluar. Ai është pjesë e një kërkese më të gjerë shoqërore për ndryshim, përgjegjshmëri dhe një të ardhme më të drejtë për Shqipërinë
Ing. NIKOLLA GJERGJI: Rinia dhe vegjëlia shqiptare do ta çlirojnë vendin nga skllavërimi modern
Llogorja e të gjithë të diplomuarve në shkollat e larta të vendit, me grada shkencore e tituj akademikë ose pa to, e punonjësve të Akademisë së Shkencave dhe Kulturës të Shqipërisë, që janë ende në marrëdhënie pune me shtetin, si dhe e të gjithë atyre që janë në pension, kudo që marrin frymë mbi këtë dhe, nëse janë mëmëdhetarë dhe atdhetarë shqiptarë, është përkrah rinisë shqiptare dhe të gjitha forcave aktive të vendit. Rinia, vegjëlia dhe pensionistët, të shtypur nga pushtetarët e 40 viteve, ia kanë dalë të ngrihen në këmbë. Edhe pse të gjakosur, të dëmtuar nga kimikatet, me duar e këmbë të thyera dhe me plagë në kokë, të shkaktuara nga “mercenarët”, milicët, patronazhistët dhe aleatët e pushtetarëve, ata vazhdojnë të jenë në ballë të protestave për çlirimin nga uzurpatorët e pushtetit dhe aleatët e tyre, të cilët i sollën në pushtet dhe i mbajnë aty për ta skllavëruar përjetësisht popullin, veçanërisht rininë dhe vegjëlinë. Këmbanat po bien fort! Rinia dhe populli mëmëdhetar janë distancuar nga pushtetarët e sotëm, të cilët kërkojnë mandate të reja, dhe janë vënë në ballë të betejave për ndryshim. Këta njerëz, që jetojnë në kushte të vështira dhe luftojnë heroikisht kundër skllavërimit modern, e dinë mirë se pasuritë e vendit po i gllabërojnë pushtetarët dhe aleatët e tyre. Ata e dinë gjithashtu se, nëse këto pasuri do të ishin në zotërimin e pronarëve të tyre të vërtetë, rinia dhe vegjëlia do të mund të ndërtonin kapitalizmin e tyre, një ekonomi kombëtare dhe një shtet që do ta mbronin nga çdo tradhtar apo aleat i interesave të huaja. Pushtetarët e kanë kuptuar së prapthi kapitalizmin. Në vend që të ndërtonin një sistem ekonomik në shërbim të qytetarëve dhe të vendit, ata ndërtuan kapitalizmin e tyre dhe të aleatëve, duke shfrytëzuar pasuritë e grabitura të shqiptarëve. Këto pasuri, nëse do të kthehen në zotërimin e pronarëve të tyre të vërtetë, pra të popullit, do t’i sigurojnë rinisë dhe vegjëlisë kapitalin e nevojshëm për një jetë gjithnjë e më të mirë. Përkundrazi, nëse ato mbeten në duart e pushtetarëve grabitqarë dhe aleatëve të tyre, rinia, vegjëlia dhe bashkë me ta e gjithë inteligjenca e vendit do të vazhdojnë të mbeten të varur nga një sistem që pasuron një pakicë në kurriz të shumicës. Rinia dhe vegjëlia shqiptare do të mund t’i shpëtojnë skllavërimit modern vetëm kur pasuritë e grabitura të rikthehen te populli, nëpërmjet ligjit, drejtësisë dhe mekanizmave kushtetues të shtetit. Kjo kërkon hetimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme, sekuestrimin e tyre sipas ligjit dhe kthimin e asaj që u takon qytetarëve. Modeli që duhet të synohet është ai i një shteti ku qytetarët janë zotër të fatit të tyre, ku kanë përgjegjësi për mbrojtjen e vendit, ku drejtësia vepron në mënyrë të pavarur dhe ku pushtetarët nuk e tradhtojnë besimin e popullit. Një Shqipëri me punë, pronë, drejtësi dhe institucione të forta, në duart e qytetarëve të saj, mund të bëhet një Zvicër e vërtetë e Europës.
Ing. Selman Meziu: Të zgjohemi së bashku dhe të mbështesim studentët!
Ing. Selman Meziu shpreh mbështetjen e tij për thirrjet drejtuar intelektualëve dhe qytetarëve për të reaguar ndaj zhvillimeve në vend dhe për të qenë pranë studentëve. Ai thekson rëndësinë e fjalës së lirë, shkrimeve publike, intervistave dhe bashkimit qytetar në mbështetje të kërkesave të të rinjve. Sipas tij, intelektualët kanë një përgjegjësi ndaj atdheut dhe nuk duhet të qëndrojnë indiferentë në momente të rëndësishme për shoqërinë. Në reagimin e tij, Meziu u bën thirrje intelektualëve të mos lejojnë që frika apo pritja t’i mbajnë larg zhvillimeve, por të vënë në shërbim të shoqërisë penën, mendjen dhe përvojën e tyre, duke u bashkuar me studentët në mënyra qytetare e paqësore. Mesazhi i tij është i qartë: zëri i intelektualëve duhet të dëgjohet dhe solidariteti me rininë duhet të shprehet me përgjegjësi, guxim dhe përkushtim ndaj atdheut.
Prof. As. Jorgji Hanxhari: Shkaktari i kësaj katrahure, është vetë Rama, i cili me megallomaninë dhe cinizmin e tij karakteristik, nuk i dolën 138 ditë proteste paqësore, që të jepte dorëheqjen
Tani kupa është tejmbushur dhe ka pak ditë që po derdhet, duke dalë edhe jashtë kontrollit. Qeveria dhe Kryeministri i saj, ishin tepër komodë, për afro katër muaj e gjysmë, me protestën tepër paqësore, ku nuk u këput asnjë gjethe peme, por tashmë, me ardhjen e studentëve, durimi mbaroi dhe protesta morri hov duke kaluar edhe në akte dhune, nisur edhe nga qëndrimi tepër agresiv i policisë, sidomos ditën e martë, që është edhe dita e parë e shfaqjes së studentëve si protagonistë të revoltës së protestuesve, ku disa të rinj u keqtrajtuan. Rasti i të riut 19 vjeçar, të cilit i thyen këmbën dhe e transportonin sikur të mos ishte i ri i dëmtuar, të cilin në vend që të thërrisnin urgjencën për ta çuar në spital, e çuan në rajonin e policisë. Ky rast, si edhe rezistenca e të riut Klevi Metaj, ndaj një numri të madh policësh, të cilët e mposhtën duke ushtruar dhunë pa asnjë mëshirë, e mandej e lidhën tek hekurat e Ministrisë së arsimit, bënë që protestuesit të rritnin nivelin e tyre të revoltës dhe të shtoheshin aktet e dhunës, por ky akt u bë simbol i rezistencës së protestuesve, kryesisht të rinj. Sigurisht, që veçanërisht aktet e dhunës kundrejt pronës së qytetarëve të pafajshëm janë të papranueshme dhe të dënueshme, ndaj protestuesit duhet të jenë të kujdesëshëm, por në raste të tilla, janë të pashmangshme. Dhuna e protestuesve vazhdoi edhe gjatë ditës së mërkurë, ku policia ndërroi taktikë, duke mos ushtruar dhunë të egër si para një dite, por protestuesit vazhduan me të njëjtin ritëm, pasi nuk u pa asnjë reagim nga Kryeministri. Vetëm Berisha u shfaq disa herë, me atë stilin e tij të njohur, sikur sapo ka zbritur nga Universi dhe ai është krejt i pafajshëm në këtë vend, duke bërë sikur nuk i dëgjon thirrjet me vjetërsi protestuesish mbi 4 muajsh “Rama në burg, Berisha në burg”. Edhe sot vazhduan protestat në të gjithë Tiranën, por të ndjekura edhe nga protestat në disa prej qyteteve kryesore të vendit, ku studentët japin tonin dhe ku thirrja e parë dhe e panegocueshme për të gjithë, është dorëheqja e Edi Ramës. Është tashmë plotësisht e qartë se shkaktari i kësaj katrahurre, ku degjeneroi protesta, është vetë Kryeministri, të cilit me megallomaninë dhe cinizmin e tij karakteristik, nuk i dolën 134 ditë proteste paqësore, që të merrte një akt dorëheqjeje dhe të shpëtonte, aq sa mund të shpëtonte, nga nderi i tij dhe të lehtësonte sadopak veten nga gjynahet e shumta që mban në kurriz. Dhe ende nuk po reflekton aspak që të marrë vendimin e duhur, për të lënë kolltukun e Kryeministrit, duke ndjekur pikë për pikë, sjelljen arrogante të Sali Berishës në vitin 1997, i cili nuk pranoi të jepte dorëheqjen nga posti i Presidentit të Republikës dhe e çoi vendin në luftë civile! Me sa duket, Kryeministri aktual ka vendosur të hedhë përsëri vendin në luftë civile, që do jetë një akt barbar, një tradhti e lartë ndaj popullit, që mezi shtyn ditët nga varfëria, por që kësaj radhe nuk besoj se do ketë falje, siç e hodhi lumin Berisha në 1997 dhe tani po mpreh dhëmbët për të marrë përsëri pushtetin, të cilin po të jetë i zgjuar, e kupton se është pambarimisht larg tij dhe shpurës që e ndjek mbrapa. Të gjithë e dimë dhe e kemi kuptuar me kohë, që këta të dy bisha, mbajnë njeri tjetrin, ndaj protestuesit janë kundër të dyve, këtyre vëllezërve siamezë, të cilët me marëveshjen e vitit 2008 dhe me shumë veprime të tjera kanë çimentuar rotacionin midis tyre! Por, besoj se tani u ka ardhur fundi të dyve, ndaj unë si bashkëmoshatar i Saliut, madje nja dy vjet më i madh nga ai, u bëj thirrje njerëzore, si Edit dhe Saliut, që të bëhen BURRA dhe të japin dorëheqjen e pakthyeshme dhe të lenë popullin të zgjidhë hallet e tij, pa këta të dy.
Përsa i përket ditës së parë pas ikjes nga pushteti të këtyre të dy personave, ecurinë e mëtejshme e mendoj kështu:
Së pari, të mblidhet urgjentisht shtabi i protestës, ku të ftojë përfaqësuesit e tre partive të reja, Agron Shehaj, Arlind Qorri dhe Adriatik Lapaj dhe të diskutojë krijimin e Qeverisë së Përkohshme, për të përgatitur zgjedhje të reja.
Së dyti, të quhet i shpërndarë Parlamenti ekzistues dhe të mos jetë pjesëmarrës në qeverinë e re të përkohshme asnjë nga deputetët aktualë dhe nga lista rezervë e tij.
Së treti, Qeveria e re të organizojë zgjedhje të reja për në Kuvend, duke ndryshuar më parë Kodin zgjedhor, në mënyrë të tillë që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme dhe deputetët të zgjidhen direkt nga populli dhe jo me lista kryetarësh.
Së katërti, Parlamenti i ri, që do të dalë pas zgjedhjeve, të anulojë të gjitha privilegjet e deputetëve dhe të Ministrave, që i gëzojnë deri sot, përfshi edhe pensionet e larta që fitojnë kur dalin në pension. Pensioni i tyre të jetë si i gjithë qytetarëve të thjeshtë të vendit, duke marrë parasysh profesionin që kanë ushtruar para se të zgjidheshin deputetë.
Së gjashti, të bëhet ligji, sipas të cilit, Kryeministri dhe Presidenti i Republikës të mos zgjidhen më shumë se dy mandate.
Së shtati, nga Drejtësia t’u konfiskohen të gjitha pasuritë, që kanë grumbulluar deputetët, ministrat dhe gjithë nëpunësit e lartë të shtetit, mbi mundësitë e tyre, dhe të mos u konfiskohet vetëm pasuria, që kanë patur mundësi të sigurojnë nga paga që kanë marrë gjatë jetës së tyre. Sigurisht, që këto janë mendime, që duhet të përpunohen dhe të çohen më tej nga specialistët e ekonomisë dhe të Drejtësisë dhe të sanksionohen me ligjet e reja që do të dalin. Nuk duhet të biem pre e mendimeve disfatiste, se po iku Rama, do vijë Berisha! Jo, zotërinj, këta të dy duhet të ikin nga pushteti së bashku dhe të vijnë të rinjtë, të cilët duhet të bëjnë aleancë midis tyre, pa parë interesin partiak të tyre, derisa të ikin këta të dy, pastaj të shohin edhe interesat e tyre partiake, pasi të rregullohet shteti. Kam për të shtuar edhe diçka tjetër: është përhapur një mendim se Partia Bashkë e Arlind Qorit dhe Redi Muçit na qenka komuniste! Kjo është një propagandë bajate, për të përçarë e për të larguar simpatizantët e tyre, por ata janë djem afër popullit dhe që të bindeni, dëgjoni deputetin më të ri të Parlamentit Redi Muçi dhe po ashtu deputetin e Partisë Mundësia, Erald Kapri, të cilët kanë ngritur dhe mbrojtur vetëm problemet e halleve të popullit. Këta të rinj, unë jam i sigurt se do të jenë shumë më të mirë dhe do të qeverisin ndershmërisht, jo siç kanë bërë këta të 36 vjetëve nga viti 1990. Ndaj, duhet të solidarizohemi pa kushte me kërkesat e protestës, derisa të largohen këta dy dinozaurët e pushtetit dhe të çlirohet ky vend, por protestuesit të kenë kujdes që të mos dëmtojnë bizneset.
