Kur në emër të drejtësisë dënohet liria
Nga Prof. Blerim Latifi
Ata që e kanë lexuar Dostojevskin e njohin një nga episodet më të famshme të të gjithë veprës së tij: episodin e Inkuizitorit të Madh në romanin filozofik “Vëllezërit Karamazov”.
Ngjarjet zhvillohen në Sevilje të Spanjës, gjatë shekullit XVI. Inkuizicioni po bën kërdinë mbi ata që i quan heretikë. Çdo ditë ndizen turrat e druve dhe njerëz të akuzuar për herezi përfundojnë në flakë. Është një atmosferë terrori të plotë.
Papritur shfaqet Krishti. Ai shfaqet me pamjen e tij të thjeshtë dhe sheh se si, në emër të tij, po digjen njerëz. Këtu qëndron paradoksi tronditës i tregimit: e keqja po kryhet në emër të së mirës; padrejtësia po kryhet në emër të drejtësisë; terrori në emër të dashurisë
Kulmi i episodit vjen kur vetë Inkuizitori e arreston Krishtin. Natën, në qeli, ai i shpjegon se Krishti ka gabuar duke u dhënë njerëzve lirinë dhe barrën e zgjedhjes. Inkuizitori beson se njerëzit nuk mund ta përballojnë këtë liri, dhe atyre u duhet vetëm bindja dhe nënshtrimi. Në fund, ai i thotë Krishtit se të nesërmen edhe atë do ta djegë në turrën e druve.
Ky është një nga paradokset më të fuqishme të letërsisë: një institucion që pretendon se vepron në emër të Krishtit përfundon duke e dënuar vetë Krishtin.
Në qendër të episodit qëndron problemi i drejtësisë së kthyer në padrejtësi, ideja se një pushtet mund të bëjë të keqen pikërisht duke pretenduar se po mbron të mirën.
Inkuizitori i Madh bëhet kështu simbol i një autoriteti që, duke pretenduar se zotëron të vërtetën dhe se vepron për të mirën e njerëzve, e vendos veten mbi njerëzit dhe mbi vetë parimet në emër të të cilave pretendon se vepron.
Sot, në Europë, ka një gjykatë që vepron me logjikën e Inkuizitorit të Madh të Dostojevskit: Gjykata Speciale në Hagë.
Ajo vepron jashtë kontrollit dhe, në emër të drejtësisë, jo vetëm ka sjellë dënime drakonike për akuza të pambështetura, por kërcënon se do të vazhdojë gjuetinë kundër njerëzve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ky vend duhet ta gjejë rrugën për ta ndalur këtë përbindësh juridik, këtë Inkuizitor të shekullit 21, para se ai një ditë ta arrestojë dhe ta dënojë vetë lirinë e Kosovës.
