06/10/2024

VLERËSIME PËR DY IDEOLOGJITË: NACIONALIZMI BORGJEZ DHE KOMUNIZMI

0

Nga Thanas L. Gjika

Nacionalizmin si ideologji e krijoi borgjezia me synimin që të krijonte tregun kombëtar dhe shtetin kombëtar. Mirëpo pas ardhjes në pushtet disa qarqe të borgjezisë së disa shteteve europiane u pushtuan nga ndjenja shoviniste dhe shkaktuat gjakderdhje të mëdha përmes luftrave pushtuese. Kurse komunizmin si ideologji fillestare e krijuan K. Marksi dhe F. Engelsi me synimin që të krijonin një shoqëri pa shtypje dhe pa shfrytëzim të njeriut nga njeriu. Këtë ideologji e zhvilluan gjatë vënies në zbatim udhëheqësit e partive komuniste, sidomos V. I. Lenini, J. V. Stalini, Mao Ce Duni, të cilët e shfrytëzuan atë për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit me çdo kusht, duke krijuar kështu male me kufoma.

Për këto dy ideologji ka dy vlerësime të ndryshme. Nga njëra anë ekziston vlerësimi i shkrimtarit të talentuar hebre, novelistit dhe biografit me famë botërore Stefan Cvajg (Stefan Zweig 1881 – 1942), nga ana tjetër kemi vlerësimin e Parlamentit Europian dhe të Departamentit të Shketit Amerikan. Ia vlen t’i përqasim për t’ u orientuar si duhet në jetën dhe shkrimet tona.

Stefan Cvajgu, u lind, u rrit dhe u edukua në Vienë, në kryeqytetin e Perandorisë Austro-Hungareze. Deri në moshën 38 vjeçare ai pa dhe përjetoi nga afër se kombet e ndryshme bashkë me borgjezinë e vet jetonin në këtë perandori në balancë nacionale larg shprehjes së synimeve shoviniste. Lufta e Parë Botërore shkatërroi Perandorinë Austro-Hungareze dhe Lufta e Dytë Botërore shkaktoi gjakderdhje më të mvdha se lufta e parë. Këto ngjarje ku u shpreh ana shoviniste e nacionalizmit borgjez, Cvajgu i pa dhe i përjetoi si periudhat më vrastare të historisë njerëzore. Për këto arësye, në librin e tij me kujtime, ai shkroi:

“… kam parë të rriten e të përhapen mu para syve të mi ideologjitë e mëdha masive, fashizmin në Itali, nacionalsocializmin në Gjermani, bolshevizmin në Rusi dhe mbi të gjitha, atë kolerën e kolerave, nacionalizmin, që ka helmuar lulen e kulturës sonë europiane.” (Citati është marrë nga libri i Stefan Cvajgut “Bota e djeshme Kujtime të një europiani”, Përktheu nga origjinali Aristidh Ristani, ShB “ELENA GJIKA”, Tiranë 2009, f. 8)

Ky përcaktim i ideologjisë nacionaliste si kolera e kolerave më duket i tepruar, për faktin se ky shkrimtar e përjetoi të plotë shkatërrimin që sollën dy luftrat botërore të nxitura prej nacionalshovinizmit borgjez të shteteve europiane, por ai duke e mbyllur jetën në shkurt të vitit 1942, nuk pa dhe nuk përjetoi shkatërrimet që solli instalimi i ideologjisë komuniste në Europë dhe Azi, ku kultura e këtyre vendeve kaloi shumë vite prapa dhe kur numëri i viktimave që shkaktuan regjimet komuniste arriti mbi 100 milion njerëz.

Parlamenti Europian më 2008, duke njohur dëmet e mëdha në njerëz, kulturë dhe politikën botërore, që sollën nazizmi dhe komunizmi e shpalli datën  23 gusht “Dita Evropiane e Kujtimit të Viktimave të Stalinizmit, Komunizmit dhe Nazizmit”. Pra ky parlament i konsideroi të dënueshme njësoj si dëmet e nazizmit (kupto nacionalizmit borgjez gjerman – Th. Gj.) dhe ato të komunizmit.

Anë e mbanë Evropës, 23 gushti kujtohet si një ditë simbolike kundër ekstremizmit, shtypjeve dhe mungesës së tolerancës” – thekson gazetari dhe analisti shqiptaro-amerikan Frank Shkreli dhe vijon: “me qëllim që në atë ditë të kujtohen viktimat e të gjitha regjimeve totalitare dhe autoritare”, dhe thekson se këtë ditë “e nderojnë dhe e kujtojnë edhe disa vende që nuk kanë përjetuar as komunizmin as nazizmin, siç janë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja…”

Më 21 maj, 2014, Departamenti i Shtetit Amerikan miratoi rezolutën në mbështetje të ditës kushtuar viktimave të regjimeve komuniste dhe naziste.

Për të kujtuar dhe për të mos harruar kurrë, sqaron zoti Shkreli, terrorin e ushtruar ndaj miliona qytetarëve të Evropës Lindore dhe Qendrore, për më shumë se 40-vjet, nëpërmjet shtypjeve ushtarake, ekonomike dhe politike, duke përdorur ekzekutimet arbitrare, arrestimet në masë, deportimet, shtypjen e fjalës së lirë, konfiskimin e pronës private, si dhe shkatërrimin e identitetit kulturor dhe moral të kombeve…” (Cituar nga artikulli “Tregoni dinjitet përballë totalitarizmit” i gazetarit e analistit Frank G. Shkreli, botuar në disa gazeta në kuadrin e 23 gushtit të këtij viti)

Pra Parlamenti Europian dhe Departamenti i Shtetit Amerikan i dënojnë njësoj si dëmet e shkaktuara nga nazizmi (nacionalizmi borgjez gjerman) dhe ato të shkaktuara nga komunizmi, pra mund t’i quajmë të dya kolera e kolerave. Me këtë akt ato kërkojnë që të ruhet kujtimi i miliona viktimave të komunizmit dhe nazizmit.

Për të arritur në një mendim më përfundimtar lidhur me faktin se cila nga këto dy ideologji ka qenë dhe është më e keqe, po sjell këtu vlerësimin e filozofit dhe studiuesit të shquar anglez me origjinë austriake Prof. Karl Popper ( 1902 – 2004). Ky filozof ka dhënë këtë përkufizim vlerësues për borgjezinë: “Borgjezia është klasa më përparimtare e shoqërisë njerëzore, e cila i dha njerëzimit kushtetutën, pluralizmin dhe krijoi ekonominë e tregut të lirë”.

Duke e riparë nacionalizmin borgjez si një ideologji që në disa vende solli gabime e krime të rënda si ekspansionin kolonial, nazizmin dhe fashizmin për shkak të shovinizmit, nuk duhet të harrojmë se shovinizmi si variant i nacionalizmit borgjez nuk ishte dukuri që u shfaq në të gjithë vendet ku erdhi në fuqi borgjezia nacionale. Ka pasur dhe ka shtete si SHBA-të, Kanadaja, Irlanda, Zvicra, Hungaria, Shqipëria, Republikat Baltike, Danimarka, etj që kanë krijuar dhe zbatuar ideologjinë e tyre të nacionalizmit borgjez pa shfaqje shoviniste. Pra nacionalizmi borgjez nuk e ka shovinizmin pjesë përbërëse, pa të cilën nuk mund të ekzistojë. Kurse ideologjia komuniste si ideologji e një grupi njerëzish pushtetdashës, është zbatuar gjithkund dhe gjithmonë si një ideologji vrastare, pa asnjë përjashtim. Pra ideologjia komuniste e ka në vetvete si pjesë përbërëse të keqen: terrorin ndaj masave popullore për t’i mbajtur ato të nënshtruara e gojëkyçur.

Pikërisht duke pasur parasysh këtë ndryshim midis nacionalizmit borgjez, që e ka shfaqjen e së keqes jo pjesë përbërëse të saj dhe komunizmit, që e ka në thelbin e vet të keqen, mund të themi se komunizmi ka qenë dhe mbetet një ideologji shumë më e keqe se nacionalizmi borgjez.

Ndërkohë nuk duhet të harrojmë dhe faktin se qeveritë borgjeze që kanë ardhur në pushtet pasi kanë kapitulluar qeveritë që gabuan dhe aplikuan kolonializmin, nazizmin, fashizmin, etj; ato kanë kërkuar të falur popujve që kanë dëmtuar dhe shpesh herë i kanë dëmshpërblyer. Kurse qeveritë me përbërje komunistësh dhe shërbërorësh të tyre, që kanë ardhur në pushtet pasi u shpall dështimi i ideologjisë komuniste, nuk u kanë kërkuar të falur popujve që kanë dëmntuar dhe nuk kanë shpërblyer as të përndjekurit e ndërgjegjes, pa lere masat e popullit, tnuk ka përparim shoqëria pa u përballur sinqerisht me të kaluarën e saj dhe me krimet e regjimit komunist cilave vijuan t’ia vjedhin pasuritë kombëtare edhe gjatë periudhës së quajtur tranzicion. Pra qeveritë borgjeze dijnë të ndahen nga e keqja, kurse qeveritë e përbëra nga udhëheqjet komuniste dhe shërbëtorët e tyre, nuk dijnë dhe nuk duan të ndahen nga e keqja. Mirëpo, si kanë theksuar shumë analistë, midis të cilëve më kujtohen Sami Repishti, F. Shkreli, Astrit Lulushi, “Në shoqëritë e vendeve ish-komuniste nuk ka përparim pa u përballur sinqerisht me të kaluarën dhe me krimet e regjimit komunist.”

Krahasimi midis borgjezisë si klasë dhe udhëheqjeve të partive komuniste si grup shoqëror pushtetdashës, tregon se borgjezia qëndron shumë më lart se udhëheqjet e partive komuniste dhe shërbëtorët e tyre. Borgjezia përmes ideologjisë së vet, edhe pse kreu shumë gabime e krime në mjaft vende, e shpuri shoqërinë e vendit të vet përpara në të gjitha aspektet: në atë ekonomik, kulturor, moral, politik, etj. Kurse partitë komuniste përmes ideologjisë socialiste / komuniste e shpunë prapa zhvillimin ekonomik, kulturor, moral, politik, etj në vendet ku u zbatua. Vlen të përmend këtu thënien e shkrimtarit disident rus Aleksandër Solzenicin (Alexander I. Solzenicyn, 1918 – 2008): “Ideologjia komuniste e çoi kulturën ruse njëqind vjet prapa.”

Për këto arsye, guxoj t’u sugjeroj studiuesve që do të marrin pjesë në simpoziumin që do të organizojë Akademia e Shkencave e R.Sh., me rastin e 75-vjetorit të çlirimit të atdheut, të kenë parasysh krahas vlerave dhe dëmet që shkaktoi ideologjia socialiste / komuniste në Shqipëri gjatë 47 vjetëve. Të mos vijojnë vetëm me lavdërime e hosanara ndaj PKSh / PPSh, ushtrisë Na-Çl dhe organeve të sigurimit. Ata është mirë të thonë të vvrtetën se krahas hapjes së shkollave u ndoq një politikë e mbylljes së gojës dhe e kultivimit të servilizmit; se me punën e rëndë për tharrjen e kënetave, bobifikimin e tokave, hapjen e tokave të reja, populli nuk u furnizua kurrë si duhet dhe mbeti i urritur si në fshat dhe në qytet. Po ashtu nuk ka pse të gënjehet se forcat partizane arritën në 70.000 partizanë, kur brigadat partizane më 28 nëntor 1944 patën vetëm 26.800 partizanë, dhe se forcat partizane dhanë 28.000 dëshmorë, kur nuk ranë më shumë se 3.500 (dhe jo 27.000) dëshmorë, si ka dëshmuar me fakte studiuesi Teodor Kareco.

Vlerat e dukurive nuk maten me shifrat që shpallin qeveritë dhe partitë dhe kalemxhinjtë e tyre, por me arritjet konkrete.

Vlerat e borgjesisë shqiptare, që u mohuan krejtësisht gjatë regjimit komunist, kanë qenë dhe janë shumë të mëdha në jetën tonë shoqërore, ekonomike, kulturore. Këto vlera dalin në pah po të shikojmë ç’ ndodhi me borgjezinë shqiptare dhe pasardhësit e saj pasi erdhi në pushtet Partia Komuniste Shqiptare dhe pasi dështoi ideologjia komuniste, pra sistemi komunist.

Borgjezia shqiptare gjatë shek.XIX dhe gjatë gjysmës së parë të shek XX përbëhej më shumë prej mikroborgjezisë, e cila kishte në vetvete tregtarë, zanainj, karvanarë, hanxhinj, prodhues produktesh qumështi dhe leshi, ustallarë ndërues, restorantorë, emigrantë që kishin mundur të hapnin buzneset e tyre në vende të huaj, etj. Një pjesë e mirë e bijve të kësaj borgjezie e mikroborgjezie ndoqën shkolla perëndimore ku mësuan kulturë dhe profesione në nivele europiane. Mbas ardhjes në pushtet të partisë komuniste në nëntor të vitit 1944 pjesa më e pasur dhe më e shkolluar e borgjezisë dhe mikroborgjezisë shqiptare u shpronësua, u burgos, u internua, u vu të punonte në punëra të pakualifikuara. Ajo mbijetoi nën shtypjen e rëndë dhe bijtë e saj u përpoqën të shfrytëzonin mundësitë e pakta për shkollim e punësim në punë më të kualifikuara. Kështu kaluan 47 vjet. Pas vitit 1991, kur u shpall dështimi i sistemit diktatorial, pra dështimi i ideologjisë socialiste / komuniste, pasardhësit e borgjesisë dhe mikroborgjezisë shqiptare u lanë jashtë lojës politike për marrjen e pushtetit. Për pjesën e dënuar me burgje dhe internime, qeveria e Ramiz Alisë u kujdes që në vitet 1990-1991 t’i përcillte jashtë shtetit pranë familjarëve të tyre të arratisur, ose të emigruar para L2B. Në partitë e ndryshme politike ishte dhënv porosia që të pranoheshin sa më pak nga bijtë e borgjezisë shqiptare që vijonin të jetonin brenda Shqipërisë. Ish-komunistë dhe ish-sigurimsa, besnikë të klanit Hoxha, e morën pushtetin dhe i ndanë pronat e shtetit si deshën. Bijve të borgjezisë së shpronësuar nuk iu dha as një e treta e pronave që u ishin shtetëzuar, kurse floriri i grabitur iu mohua. Mirëpo bijtë e borgjezisë dhe mikroborgjezisë shqiptare, kudo ku vijuan jetën, në atdhe, ose në diasporë, jetuan e po jetojnë me nder. Ata po punojnë në përputhje me ligjet e shoqërive ku jetojnë, duke respektuar normat morale të trashëguara prej familjeve të tyre. Ata po studiojnë e kualifikohen me sukses duke nderuar familjet e tyre dhe mbarë kombin. Të shumtë janë biznesmentët e dalë nga radhët e ish-borgjezisë shqiptare dhe po aq të shumtë janë dhe studiuesit, krijuesit, përkthyesit, mjekët, ingjinierët e suksesshëm. Këtyre njerëzve të suksesshëm nuk u ka dalë emri nëpër gazeta e internet për korrupsion dhe marrje bakshishesh, si u ka dalë emri shërbëtorëve të klanit Hoxha dhe bijve të tyre. Këta të fundit gjatë këtyre 30 vjetëve të fundit gjatë luftës për pushtet e pasurim, kanë vrarë e po vrasin njëri tjetrin për rivalitet, kurse bijtë e ish-borgjezisë shqiptare dhe bijtë e ish-intelektualëve të formuar në shkolla borgjeze perëndimore, kanë aritur të krijojnë ekselencën shqiptare.

Për shkak se nuk ka studime në këtë drejtim, unë nuk jam në gjendje të përmend gjithë këta shqiptarë të suksesshëm, Po përmend këtu vetëm disa emra sa për ilustrim: gazetarë dhe analistë si Maks Velo, Lek Pervizi (dhe piktor, poet e përkthyes), Astrit Lulushi (dhe shkrimtar e përkthyes), Eugjen Merlika, Fritz Radovani, Reshat Kripa, Leon Zef Leka, Ruben Avxhiu, Jozef Radi (dhe shkrimtar), etj; shkrimtarë, poetë e përkthyes si vëllezërit Aleko dhe Ilia Ballauri, Ani Gjika, Kristaq Turtulli, Robert Martiko, krijues fjalorësh dy gjuhesh si Zef Simoni dhe Ferdinand Leka (të dy këta dhe përkthyes), studiues si Kolec Topalli, Ilia Karanxha, Myrteza Bajraktari, dentistë të shquar që kanë hapur klinika private në SHBA si Margarita Panajoti, vëllezërit Nikolin e Gjergji Bmbli, biznesmenë si restorantorë katër vëllezërit Bitici (Bytyçi) në New York dhe shumë e shumë pronarë restorantesh më të vegjël, dyqane picash dhe subway, shitësh makinash, zyra arkitekture, etj.

Listat e plota të këtyre shqiptarëve që po shquhen në fusha të ndryshme të ekonomisë, kulturës dhe artit jashtë atdheut duhet t’i krijojë të plota Ministria e Diasporës, sepse prej tyre do të ndihmohen studiuesit në të ardhmen për të dhënë vlerësime sa më të plota për këtë shtresë përparimtare të shoqërisë shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok