03/10/2024

DIKTATURA E SHUMICËS NDAJ PAKICËS SHQIPTARE NË MAL TË ZI

0

Nga Frank Shkreli

Ja ndodhi përsëri.  Ndalohet, gjobitet dhe dëbohet një shtetas i Shqipërisë nga Policia e Malit të Zi sepse valviti flamurin shqiptar të Gjergj Kastriotit-Skenderbe, në Festivalin vjetor të Gështënjave në rajonin e Krajës, af;r Ulqinit.  Them flamurin shqiptar dhe jo flamuri i Shqipërisë, megjithëse është edhe i Shqipërisë, sepse për shqiptarët kudo, në trojet e veta shekullore dhe anë e mbanë botës kudo që gjënden në diasporë – ky flamur është i tyre — i të GJITHË SHQIPTARËVE kudo qofshin.  Ky është flamuri i Arbëreshve të Italisë, ky është flamuri i shqiptarëve në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Preshevë dhe e shqiptarëve në Çamëri.  Është flamuri i shqiptarëve të shpërndarë anë e mbanë botës, në Evropën Perëndimore dhe lindore, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada e deri në Australi e Argjentinë, e madje edhe e shqiptarëve në Ukrainë dhe kudo që janë 10- shqiptarë që bashkohen për të festuar – aty valvitet flamuri i të gjithë shqiptarëve pa dallim shtetësie, pa asnjë pengesë, me përjashtim të Malit të Zi.   Aty na qenka kundër ligjit që të valvitet flamuri shqiptar nga shqiptarët autoktonë prej mijëra vjetësh, në ato vise arbërore.

Mediat vendase si Ulqinionline dhe ato ndërkombëtare si Zëri i Amerikës dhe Deutsche Welle raportuan rastin e sportistit Irfan Domnori nga Shqipëria.  Ai kishte marrë pjesë  një javë më parë në Festivalin e Gështënjave në Ostros të Krajës dhe gjatë festivalit ka shpalosur dhe ka valvitur flamurin shqiptar.  Disa burime njoftojnë se Domnori ishte i vetmi që valviti flamurin shqiptar në atë festival, gjë të le të kuptpohet se autoritetet malazeze kanë frikësuar  dhe kërcënuar tanimë popullatën vendase shqiptare se përdorimi i flamurit shqiptar në festivale të tilla mund të sjellë pasoja të rënda për ata që bëjnë një gjë të tillë.   Për këtë akt “antiligjor” të Z. Domnori, Policia e Malit të Zi e ka ndaluar duke e marrë në pyetje për “krimin” që ka bërë në territorin malazez, e ka dënuar me një gjobë prej 300-eurosh dhe i ka ndaluar hyrjen e tij në Mal të Zi për një periudhë një mujore.   Akuza zyrtare ndaj shtetasit shqiptar Domnori është se, sipas autoriteteve malazeze, ai na paska, “shkelur ligjin mbi rendin public” duke valëvitur flamurin e Republikës së Shqipërisë, një vepër kjo që kërcënon edhe paqën në vend, sipas autoriteteve malazeze.  Megjithëkëtë, nuk thuhet se si valvitja e flamurit shqiptar nga një shqiptar nga Shkodra, kërcënoi rendin publik dhe paqën në vend gjatë atij festivali!

Ajo që e bën këtë akt të Policisë Malaleze ndaj një shqiptari edhe më shqetsues është fakti se sipas radios gjermane Deutsche Welle (DW) shqip ky nuk është rasti i parë.  Ka pasur se raste të këtij lloji nga kombësi të tjera që kanë ndodhur në Mal të Zi por sipas radios gjermane, askush nuk është dënuar as gjobitur.  Ajo përmend një rast specifik.  Sipas DW Ministria e Kulturës e Malit të Zi njoftoi në mes të gushtit se do të ngrijë dy aktakuza kundër pjesëtarëve të minoriteteve, për gjoja përdorimin e simboleve të shteteve të tjera në Mal të Zi.   E para u njoftua kundër organizatorëve të koncertit humanitar “Për Kosovën e Metohinë tonë”, që u mbajt në Herceg Novi.   Ministria pohon se në këtë manifestim janë përdorur simbolet e Serbisë dhe është përdhosur himni kombëtar i Malit të Zi.   Gjithashtu, u bë një njoftim kundër organizatorëve të një ngjarje në lumin Cijevni afër Tuzit, sepse atje ishin vendosur vetëm flamuj shqiptarë, por jo edhe malazezë, sipas DW.

Por, as dy muaj më vonë ende nuk dihet nëse Ministria ka paraqitur ndonjë padi apo këto kanë qenë vetëm “kërcënime boshe”, njofton DW në gjuhën shqipe.  Sidoqoftë, duket se grupet e ndryshme në Mal të Zi kanë probleme me përdorimin e simboleve të tyre – si rrjedhim edhe i paqartësisë së ligjeve në fuqi — por fatkeqësisht, sipas të gjitha të dhënave, janë shqiptarët në atë vend, ata të cilët e pësojnë më keq për shkak të përdorimit të flamurit shqiptar.

Ndonëse aktorët politikë shqiptarë në Mal të Zi duket se bënë pak zhurmë në lidhje me ketë situatë, në këtë ndërkohë nuk kam parë ndonjë reagim zyrtar nga vendet fqinje dhe mike të Malit të Zi – dy shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova të cilat e kanë për obligim kombëtar të ruajnë flamurin kombëtar dhe të mbrojnë identitetin e shqiptarëve– ndaj dënimit të Irfan Domnori, vetëm e vetëm se valviti flamurin shqiptar në një festival kulturor në Ostros të Krajës.   Ishte vetë Irfan Domnori që vuri në dukje për median mungesën e mbështetjes nga autoritetet shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë.   “Më ndaloi policia, më kërkoi dokumentat dhe më pas më çuan fillimisht në komisariat e më pas në gjykatën e Tivarit.  Atje më thanë që është e ndaluar me ligj të mbahet flamuri shqiptar dhe më vunë gjobë 300 euro dhe të mos të hyj në Mal të Zi për 30 ditë.   Unë i thashë ju e dini, por ju ftoj në Shkodër të pini edhe një kafe, ju si trupë gjykuese, e merrni edhe flamurin tuaj Malazez, e keni me pa që nuk keni asnjë problem.   Për mu kjo nuk është normale po aq më thanë.   Na edhe Mali i Zi jena shtete në NATO, nuk duhet me ndodh kjo.   Duhet me reagu shteti apo instancat tjera, por në fakt këtu nuk ka reagu askush me thanë të drejtën.   I vetmi që është interesuar për këtë rast është numri dy i kuvendit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu”, është shprehur, Irfan Domnori në reagimin e tij për mediat.

U takon autoriteteve të Republikës së Malit të Zi që të sqarojnë ligjet e vendit të tyre mbi përdorimin e simboleve kombëtare në atë vend në përputhje me ligjet evropiane dhe ndërkombëtare mbi pakicat dhe u takon autoriteteve vendore shqiptare në Mal të Zi, por edhe Tiranës dhe Prishtinës zyrtare,  që të mbrojnë të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi, përfshirë edhe përdorimin — pa pengesa dhe pa kushte — të simboleve të tyre kombëtare, përfshirë flamurin shqiptar – ashtu siç ndodhë në çdo vend anëtar të NATOs dhe më gjërë, e sidomos në një vend që aspiron gjithashtu të bëhet edhe anëtar i Bashkimit Evropian, siç është Mali i Zi.

Shqiptaro-Amerikanët me origjinë nga trojet shqiptare në Mal të Zi janë të shqetësuar nga mënyra se si sillen autoritetet malazeze me bashkombasit e tyre atje, përfshirë rastin e fundit të shqiptarit Irfan Domnori.   Shqiptaro-amerikanët dhe shqiptarët në Mal të Zi kanë mbështetur, madje edhe në qarqet politike amerikane, shkëputjen e Malit të Zi nga ish-Jugosllavia, si dhe antarësimin e Podgoricës në NATO, me shpresën se shqiptarët në Mal të Zi, nën këto rrethana të reja gjeopolitike, do të trajtoheshin pak më mirë së në të kaluarën, për të mos thënë se shpresonim se do të trajtoheshin barabar me të tjerët, në një vend që thotë se e ka përcaktuar të ardhmene tij drejtë perëndimit.  Rasti i Irfan Domnorit, fatkeqësisht, tregon se mbetet shumë për tu bërë nga autoritetet malazeze në mbështetje të të drejtave të pakicës shqiptare atje nga shumica sllave, për të justifikuar mbështetjen që shqiptarët i kanë dhënë Malit të Zi, në përpjekjet e tija për pavarësi dhe për integrimin e Podgoricës në organizmat euro-atlantike, përfshirë antarësimin në NATO.

Fatkeqsisht, trajtimi i deritanishëm i shqiptarëve autoktonë nga autoritetet e Malit Zi duket më shumë si një diktaturë e shumicës ndaj pakicës.   Alexis de Tocqueville në kapitullin “Tirania e Shumicës”, në librin e tij të njohur, “Demokracia në Amerikë”, e shikonte tiraninë e shumicës ndaj pakicave politike, shoqërore dhe kombëtare si një kërcënim të “vazhdueshëm ndaj demokracisë”.  “Shumica jo vetëm që i miraton ligjet, por ajo edhe mund t’i shkeli ato kollaj”, ka shkruar Tocqueville.

Nuk është e nevojshme të shikojmë larg në histori që të bindemi se keqtrajtimet më ekstreme dhe krimet më çnjerzore ndaj pakicave janë bërë nga diktaturat fashiste dhe komuniste të shekullit të kaluar.  I tillë ishte edhe projekti i diktatorit komunisto-nacionalist serb Sllobodan Millosheviç për të krijuar “Serbinë e Madhe” nepërmjet spastrimit etnik nepërmjet shpërnguljses së detyruar, përfshirë edhe vrasjen e më shumë se 10,000 shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës në Kosovë – për tu ndaluar vetëm nga sulmet ajrore të NATO-s –një fushatë kjo që njihet si njëra nga ndërhyrjet më efektive ndërkombëtare në mbrojtje të një pakice kombëtare nga synimet djallëzore të një diktature të shumicës.

Irfan Domnori me flamurin shqiptar (krahas flamurit të Malit të Zi në sfond) në Festivalin e Gështënjave në Ostros të Krajës — I ndaluar, i gjobitur dhe i dëbuar si i “rrezikshëm” për rendin dhe qetësinë publike në Mal të Zi, sipas autoriteteve malazeze.  Foto nga Ulqinionline

Pamje nga njëra prej paradave vjetore të shqiptarëve të Nju Jorkut, kur rrugët e këtij metropoli të madh këthehen në ngjyrat Kuq e Zi – ashtu siç bëjnë dhjetëra kombësi të ndryshme që jetojnë në Amerikë.  Jo vetëm që nga shprehje krenarie për prejardhjen e tyre nuk kërcënohet as rendi as paqja në Amerikë!  Përkundrazi, shfaqje të tilla inkurajohen nga autoritetet amerikane, në të cilat shpeshëherë edhe ata vet marrin pjesë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok