28/04/2024

ZYMI, ME SHTËPI-MUZE E ME TRE LIBRA PËR AKTOREN E PARË SHQIPTARE TË KOSOVËS, KATARINA JOSIPI – KATI

0

(Në 100-vjetorin e lindjes)

Nga Prend BUZHALA

Sot në Zym të Hasit: u zhvilluan një varg manifestimesh kushtuar 100-vjetorit të lindjes së aktores së parë shqiptare të Kosovës, Katarina Josipit- Katit. Ato sot filluan me përkujtimin e 100-vjetorit të lindjes së Katarina Josipit- Katit, në ambientet tipike të traditës shqiptare të restorant NORËS. Fjalën e Frrok Kristajt kushtuar këtij jubileu, e lexoi Ajete Zogaj. Veprimtaritë e sotme dhe ato që do të vazhdojnë edhe nesër, janë në vazhdën e aktiviteteve të tilla të sivjetme, të iniciativave që ka marrë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, kohë më parë me inicimin dhe funksionalizimin e disa objekteve muze.

Në çdo manifestim të “Takimeve të Gjeçovit” jepet edhe çmimi “Unaza e Katit” (Katarina Josipit).

Gjenerator i këtyre veprimtarive, si gjithnjë i palodhshëm, është Frrok Kristaj. Këto veprimatri do të  vazhdojnë edhe nesër, më 16 dhjetor.

1.

Ndër to qe pranuar të funksionalizohet edhe të Shtëpia muze e Katarina Josipit në Zym të Hasit, kur qe shpallur fitues Klubi Letrar “Shtjefën Gjeçovi” në Zym të Hasit, komuna e Prizrenit. Këto aktivitete sivjet filluan më 29 tetor 2023, kur u mbajt Manifestimi letrar, kulturor e shkencor “Takimet e Gjeçovit”, ndër të tjera, në kuadër të tij qe hapur edhe ekspozita me fotografi të Katarina Josipit, duke nisur kështu veprimtaritë e tilla të  100-vjetori të lindjes (1923-2023) së aktores së madhe – Katarina Josipit.

Kështu, sot u bë përurimi i kësaj shtëpie muze, kurse me fjalët e tyre të hapjes At Ndue Kajtazi, kryetar i këtyre manifestimeve dhe doajeni i veprimtarive kulturore Frrok Kristaj, falënderuan Ministrinë që ve pranoi këtë projekt. Mandej mysafirët (aktorë, dashamirë të muzeve, artistë të fushave të ndryshme, mysafirë nga trojet etnike e diaspora etj.), vizituan ambientet e brendshme të kësaj shtëpie-muze.

Zymi ka një trashëgimi të pasur muzeore, shumë shtëpi-muze. Veprimtaritë vazhduan me vizitën edhe të trashëgimisë tjetër muzeore në Karashëngjergj të Zef Kajtazit, e ku folën Frrok Kristaj dhe Anton N. Berisha. NJë muze q gjon evokimeve të shumë gjeneratave me eksponatet që përfaqësojnë mënyrën e jetesës, gjallimit, punën e angazhimin shoqëror, nacional e familjar.

Pastaj u bën homazhe te varri i Kates, ku secili nga të pranishmit vendosi nga një lule.

2.

Në pjesën e dytë u bë përurimi i tri veprave: ““Kati – ikona e teatrit shqiptar” (i botuar më 2019) për të cilën ligjëroi dr. Anton N. Berisha, si dhe dy të tjerat: “Katarina Josipi në fotografi e fjalë” (Album) i Frrok M. Kristajt dhe “Zonja e madhe e teatrit” i dramaturgut Arian Krasniqi, foli Prend Buzhala.

Ndërkaq, aktorja Safete Rugova dhe aktori Afrim Kasapolli, deklamuan vargje që i kushtohen aktores Katarina Josipi.

Të dy librat më të rinj, “Katarina Josipi në fotografi e fjalë” (Album) i Frrok M. Kristajt dhe “Zonja e madhe e teatrit” i Arian Krasniqit, që vijnë në 100-vjetorin e lindjes së aktores Katarina Josipi Kati, na dëshmojnë dy fakte madhore. Në radhë të parë, na dëshmojnë rëndësinë e një figure emblematike të kujtesës sonë kulturore e teatrore, dhe, së dyti, na provojnë se historia jonë moderne e shekullit XX, nuk është vetëm kronikë luftërash, heronjsh, masakrash apo eksodesh; por na është edhe histori e kulturës, madje, në këtë rast, edhe histori teatri në miniaturë. Është kjo dëshmia që na e shfaq jo vetëm domosdoshmërinë e secilës kohë për t’i kujtuar emrat që lanë gjurmë,  por edhe për nevojën që të reflektojmë për këto figura e ngjarje, se sa të rëndësishme e jetike janë për trashëgiminë kulturore të kombit tonë përgjithësisht. Sigurisht që ky përurim i këtyre dy librave nuk është vetëm shënim a kujtim i thjeshtë, por përbën një akt të ringjalljes së një figure. Dhe, Frrok Kristaj, pothuajse ka dëshmuar nëpër dekada se sa njerëz të rëndësishëm ka dhënë ky mes, që nga thellësia e shekujve e deri më sot. Pothuajse, secili manifestim i takimeve të Gjeçovit prej fillimviteve ’70 e këndej, dhe shumica e librave të tij monografikë të botuar, janë memorialë që i kushtohen Zymit dhe këtyre figurave, si Pjetër Bogdani, Gjeçovi, Anton Pashku e sidomos Katarina Josipi, emrin e të cilës ky autor nuk e ka lënë në hije për asnjë çast: nëpërmes themelimit e emërtimit të SHKA “Katarina Josipi” që nga maji i vitit 1970 nëpërmes dy monografive “Katarina Josipi-Kati” dhe “Kati – ikona e teatrit shqiptar” (2004) dhe “Kati – ikona e teatrit shqiptar” (2019). Këtu do të hyjnë tribunat e shumta përkujtimore për Katin, deri te themelimi i shtëpisë muze. Dy librat e këtij viti vijnë si një kurorëzim i një shekulli që nga linda e saj.

Libri më i ri vjen më ndryshe, që e ringjall këtë figurë nëpërmes një albumi fotografish, për të ndërtuar një tjetër urë komunikimi të kohëve, të ë kaluarës dhe të së tashmes, të së kaluarës që na e jep një personalitet të shquar  çfarë është ky i Katit, po edhe të vetë dëshmisë së fotografuar si formë e njohjes, si relikt i kutisë së kujtimeve, siç do të shprehej Anton Pashku, apo si përvojë e vlefshme të përpjekjeve të rëndësishme. Dhe fotoalbumi i tillë shumëdimensional, i përbërë nga foto familjare, foto personale, nga foto artikujsh e analizave të gazetave e revistave, nga foto panosh e të shfaqjeve për publiku, nga foto që nga dëshmitë e gjyqeve e deri te fotot e shfaqjeve të shumta teatrore; shërbejnë edhe si burim  frymëzimi për këto tradita kulture përmes modelit shembullor të një jete sa dramatike e tragjike aq edhe krenare. Është dokumenti i ndërgjegjësimit për të sotmen, i sfidimit të kohës sonë: që na dhurojnë pamje të së kaluarës, por që i flet edhe të sotmes, për vlerat e emancipimit të femrës, për vlerat e aktrimit, për vlerat e një jete me kapituj kaq domethënës në disa fusha të kulturës dhe historisë personale e familjare deri te ajo e lëvizjeve kombëtare.

3.

Mbi të gjitha, mbizotërojnë fotot nga jeta e saj teatrore, aty ku ajo ka shkëlqyer dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Meqë vetë Frroku i ka përmendur shpesh herë rolet e shfaqjet ku ajo ka luajtur si aktore, këto me pietet i përmend edhe autori Arian Krasniqi te libri “Zonja e madhe e teatrit” që i veçon me një tekst të veçantë:

“Në skenën e Teatrit të Prishtinës ajo interpretoi me sukses të jashtëzakonshëm këto role: Marica (“Personi i dyshimtë”), Ndrikulla (“Pushteti”), Fjollka (“Martesa”), Rutarica (“Zhelanët”), Tanja (“Zjarri dhe hiri”), Marija Jegonovma (“Hani në rrugën kryesore”), Zibeja (një herë) dhe të dytën herë Maxhupja (“Zullumqari”), Kata (“Për kafshatën e bukës”), shoqja e Hasan Agës, Remzija (“Sikur të isha djalë”), Magda Ovesek-Duda (“Hijet e rënda”), Doka (“Zona e Zamfirit”), Ajshja (“Tri botëra”), Ana Marimovna Zemjakina, Mamia (“Dasma”), Përcjellësja (“Rui Blaz”), Anzhelika (“Zhorzh Dandeni”), Stana (“Bota”), Saveta (“Proteksioni”), Vahidja (“Besa”), Sofia (“Dy rreshterë”), Hana (“Mbreti i Betojnovës”), Ortenizias (“Mirandolina”), Maria (“Fjala është për banesë”), Plaka, e ëma e Cenit herën e parë, dhe herën e dytë Zejnepja (“Nuk martohem me pare”), Beatriça (“Shërbëtori i dy zotërinjve”), Itha, e shoqja e Gjonit (“Nita”), Merima (“Z.Fedori”), Sofia, e ëma e Hanëmit (“Halit Gashi”), Dilja (“Kryet e hudrës”), Atmanja (“Parajsa e humbur”), Simona (“Njerëzit”), Zonja Lekua (“Ciklonët”), Nada (“Kushëriri prej Amerike”), Bahrija (“Oda e errët”), Zhivka (“Zonja ministreshë”), Staka (“Dy metelikë”), Vilima (“I sëmuri për mend”), shoqja e Hasan Agës (“E shoqja e Hasan Agës”), Edita Frank (“Ditari i Ana Frank”), Gruaja (“Udhëtimi rreth botës”), Shaqja, e shoqja (“Lugati”), Mbretëresha, njerkë (“Borëbardha dhe shtatë shkurtabiqët”), Amilja fon Ederlein (“Cubat”), Sarka vejushë (“Familja e pikëlluar”), z. Podivec (“Ushtari i mirë Shvejk”), Klara Denjson (“Pjata e drunjtë”), Lina, (“Dje në jetë”), Pavka (“Deputeti i popullit”), Dr. Kiner (“Matura”), Ranka Voloviqi (“Konkursi”), Rigoleta (“Kur gruaja është memece”), Falltorja (“Autobiografia”), Raisa Pavllovna Gurmishska (“Pylli”), Filja (“Peripecitë e kohës”), Prydansa 12

(“Zonja me kamelie”), Mr. Mebel Becker (“Jehona 60”), Olga Karen (“Dje pas dite”), Elen Mamlloku (“Profesori Mamllok”), Zonja Mara (“Studentët e përjetshëm”), Elmira (“Tartufi”), Nerina (“Dredhitë e Shaptukut”), Kejti (“Magjistarja”), Padrona (“Ambrozio shfaros kohën”), Haska (“Hanka”), Shifra (“Kurora”), Zëri i gruas së Dylit (“Fosilet”), Shërbëtorja Razia (“Tri ditët e Kiametit”), Shoqja e Skercos (“Miu në xhep”), Ajo (“Bashkudhëtarët”), Tima (“Hakmarrja”), Zëri i gruas (“Sinkopa”) dhe Nëna (“Legjenda mbi vdekjen e heroit”). Luajti edhe në radiodramat e Radio Prishtinës një mori rolesh, si Vakën (në romanin e dramatizuar për radiodramë të Ramiz Kelmendit ”Kur kositen livadhet”), Sofian (në radiodramën “Zonjushat në re”) e shumë të tjera (Qemajl Sokoli “Historia e Teatrit Popullor Krahinor në Prishtinë, tezë e doktoratës).”

 

4.

Ndryshe, libri i Arian Krasniqit strukturohet edhe si tekst i mëvetësishëm sintetik, siç e përkufizon autori “Skicë për portret në katër akte me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së aktores Katarina Josipi-Kati”. Teksti biografemave të këtij lubri përkufizohet si akt, ku ka një prolog dhe një epilog, po ashtu dy paratekste mjaft domethënëse. Prologu evokon fuqinë e ndikimit të lojës së aktrimit të Katit te shikuesit, kurse epilogu  mbyll perden e jetës së Katit, me evokimin e ndarjes së saj nga këta, duke e përmbyllur me fjalët për “dy busta-portrete – ai i Katarina Josipit dhe ai i Meribane Shalës. Edhe sot e kësaj ditë këto dy portrete qëndrojnë te porta e Teatrit, dhe si dy zonja të mëdha bëjnë “roje nderi” për secilin prej nesh që shkel pragun e këtij tempulli.” Në mes janë katër aktet e jetës së saj, një si rishkrim jetësor i Katarina Josipit. Kështu, teksti i parë “Akti i parë (ose: Zonja e Hasit.)”, përmes reminishencave jetëshkrimore, vdeçohet fëmijnpria, shkollimi e peripecitë familajre e ejtësore të saj, te “Akti i dytë (ose: shpirti rebelues.)”, ve[on fillet e yhrjes së katit në jeëtn tatrore në Ferizaj, si dhe një kapitull jete që është i rëndësishëm edhe për lëvizjet nacionale; “Kështu, në shkurtin e vitit 1947, Kati arrestohet bashkë me vëllanë e saj, Lazrin, me akuzën e armikes së popullit dhe me pretekstin se ishte anëtare e Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH). Ajo qe e vetmja femër në mesin e 37 të arrestuarve të tjerë meshkuj. Pas disa muaj hetimesh, maltretimesh e presionesh, Kati lirohet nga paraburgimi ndërsa në procesin e gjykimit të këtij grupi, Hamdi Berisha u dënua me vdekje, ndërsa 31 të tjerë u dënuan me gjithsej 327 vjet burg, ndërsa gjashtë të tjerë, bashkë me Katin u liruan nga aktakuza.”

Te “Akti i tretë: (ose Galeria me shumëllojshmëri rolesh.)”, përveç galerisë së personazheve e të shfaqjeve që u përmendën më lart, vlerëson edhe lojën e saj teatrore: “Ajo, me vete kishte sjellë jo vetëm energjinë e pashtershme dhe përkushtimin e vazhdueshëm për të interpretuar, por edhe një përvojë prej aktoreje amatore që e bënte ë sigurt në skenë…  Para nesh është një galeri e rrallë dhe e shumëllojtë e roleve dhe e karaktereve që interpretoi Kati në 20 vjet karriere profesionale… . Kishte ëndërruar të bëhej aktore filmi, por ja që u bë aktore e madhe teatri, më e madhja që pati Kosova, andaj me të drejtë u quajt edhe kampione e teatrit ndër ne.”

Kur në këtë libër defilojnë nj varg emrash të aktorëve, regjisorëve, kritikëve të teatrit, dramaturgëve, shfaqjeve etj. ai na e sjell në mbamendje prezencën emblematike të këtyre emrave, shfaqjeve e teksteve dramaturgjike, është dëshmia se me çfarë përkushtimi e kanë themeluar kulturën e re kombëtare, moderne n këtë fushë, se me çfarë angazhimi e kanë përvetësuar publikun, dhe kujtesa në këso rastesh, na vjen edhe bë formën e ndjesive. Te e fundit, pa ndjesi nuk ka shfaqje teatrale, shfaqje ë kanë mishëruar të vërtetën e kohëve,  e vërtetë që e kishte burimin e saj te zemra e aktores dhe aktorëve tjerë dhe te zemra e publikut. Ëshrl e natyershme që m,e ndjesi të tilla ta përmbyllë librin e tij, me tekstin “Akti i katërt: (ose Post Mortum.)”, e cila me figurën e saj ka depërtuar në kujtesën e brezave. Atë e kanë vlerësuar të thjeshtë në jetë, zonjë në skenë.

Këtë kujtesë, së bashku, na e sjellin këta dy libra, mbasi me këtë emër e rreth këtij emri ndërlidhet historia jonë martire, historia jonë e kulturës dhe teatrit, me emrat e saj të përveçëm që lanë gjurmë, që e vunë kombin shqiptar të Kosovës në radhët e kombeve moderne evropiane.

Zym, 15 dhjetor 2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok