19/04/2024

VLERAT UNIVERSALE TË VEPRËS SË PROF. MARK KRASNIQIT

0

-TROKITJE TË LEHTA NË VEPRËN E AKAD. MARK KRASNIQIT  ME RASTIN E 102 VJETORIT TȄ LINDJES-

NGA VLASH PRENDI

Akademik Mark Krasniqi sot ka ditëlindjen. Ai do të mbushte plot 102 vjeç, po të ishte gjallë, por në këtë përvjetor, ai nuk mund të harrohet, sepse është një prej kolosëve të letërsisë dhe kulturës shqiptare. Ishte dijetar i shquar, studiues i njohur, etnograf i rrallë, poet i aftë dhe njeri i mrekullueshëm. Gjatë kësaj periudhe jete kaloi shumë drama, përjetoi fatin e zi të popullit martir kosovar. Gjatë këtyre tetë dekadave ai bëri një luftë të vazhdueshme dhe konsekuente për fitoren, lirinë, barazinë dhe të drejtat e ligjëshme të bashkëkombasve të tij si shkrimtar dhe studiues, por edhe duke marrë pjesë aktive në politikë.

Lindi me 19 tetor 1920 në fshatin Shëngjon të Pejës  dhe kaloi një fëmijëri të hidhur. Që i vogël provoi torturat dhe mizoritë e shovinistëve serbë. Madje i copëtohej zemra kur shihte milicët serbë duke keqtrajtuar fshatarët e tij të pafajshëm duke ua marrë tokën, shtëpinë, shpirtin. U shkollua në gjuhën serbe, por thellë në shpirtin e tij kishte hedhur rrënjë shqipja jonë e bukur. Shkollën fillore e kreu me 1932 në vendlindje. Disa herë ishte ndëshkuar nga mësuesi pasi në koridoret e shkollës fliste në gjuhën shqipe me shokët.

Krijimtaria dhe arritjet shkencore të Profesorit marrin vlera të veçanta kur mësohet se kushtet në të cilat ai punoi dhe krijoi ishin të vështira dhe veprimet e tij survejoheshin në çdo hap nga shovinistët serbë. Në një intervistë tek revista “Kosovarja” ai pohon se: “…Unë jam nxënës i paraluftës, prandaj i kam shtatëdhjetë vjetë. Asnjë ditë shkollë nuk i kam bërë në gjuhën shqipe. Në rrethana të këtilla jam rritur dhe kam kryer gjimnazin në Prizren…”. Më pas vijoi në gjimnazin shtetëror të Prizrenit të cilin e kreu me vështirësi të shumta në vitin 1941. Këtu u formua si atdhetar i flakët dhe hodhi bazat e një intelektuali të mirëfilltë të kohës, sepse pikërisht në bangat e kësaj shkolle filloi veprimtarinë letrare dhe krijuese. Aso kohe në shkollën e tij botohej një fletë me titullin “Hylli” ku nxënësit botonin krijimet e tyre në shqip. Pikërisht këtu profesor Marku botoi krijimet e tij të para. Gazeta letrare “Hylli” që drejtonte Mark Krasniqi shërbeu si trampolinë për t’u hedhur në krijimtarinë e mëvonshme letrare dhe shkencore. Në vitin 1941 filloi studimet e larta në Padova të Italisë ku studioi letërsi dhe gjuhë të huaj. Aty u formua më shumë, sepse u njoh me shumë figura që do të hidhnin letërsisë dhe artit në trojet shqiptare. Shokët më të ngushtë të tij do të ishin Gjon Serreqi, Fadil Podgorica, Idriz Ajeti, Luigj Franja, Skënder Anamali, Sejdi Bajrami dhe Ymer Berisha. Për këtë, profesor Ajeti kujton: “Më së shumti takoheshim në mësimet e albanologut të njohur Carla Tagliavini. Profesor Tagliavini, në vitin shkollor 1942 – ‘43 mbante një kurs mbi fondin leksikor të gjuhës shqipe dhe shterësimet e saj…”.

Kthehet në Kosovë dhe merr pjesë me armë në dorë në luftën për liri, ndërsa me 1944 – ‘45, e shohim sekretar i Këshillit N/C në Komunën e Klinës. Pas çlirimit së bashku me Esad Mekulin themelojnë “Rilindjen” në qytetin e Prizrenit ku punoi pak kohë si gazetar. Në këtë gazetë ai publikoi disa nga krijimet e tij më të mira duke treguar fazën e pjekurisë së tij krijuese dhe intelektuale. Në vitin 1946 vijoi studimet në Beograd në degën e gjeografi – etnografisë, ku u diplomua në vitin 1950. Por edhe gjate periudhës së studimeve ishte në aktivitet të plotë, sepse qeveria e Beogradit nuk i kishte dhënë bursë. Prandaj në vitin 1947 – ‘49 e shohim të jetë në redaksinë e gjuhës shqipe të Radio – Beogradit. Pas diplomimit punoi për 12 vjet në Akademinë e Shkencave dhe Arteve në Beograd, në sektorin e etnografisë, ku u profesionua më tej në zanatin e etnografit. Për këtë periudhë ai shprehet:”…Këtu mësova zanatin e shkencës nga njerëzit që kishin përvoje, por nuk më lejonin të botoja ndonjë të vërtetë mbi popullin shqiptar dhe kulturën e tij…”. Ndërsa nga viti 1961 deri me 1979 punoi si profesor ordinar në Fakultetin Ekonomik – Juridik në Prishtinë, ku në vitin 1966 u zgjodh dekan i tij. Pikërisht këtu botoi librin e parë si tekst mësimor universitar dhe u afirmua edhe si shkrimtar e studiues.

Duke qënë një nga intelektualët dhe krijuesit e parë shqiptarë të pasluftës ai u përball me shumë pengesa dhe vështirësi. U vu nën mbikëqyrje dhe përgjim nga policia e fshehtë jugosllave dhe u ballafaqua me mjaft shpifje të natyrave të ndryshme, që kishin për qëllim t’a bënin të heshtte ndaj çeshtjes kombëtare kosovare. Gjithsesi puna dhe krijimtaria e tij kishin një peshë të madhe në zhvillimin e kulturës dhe shkencës shqiptare. Në mars të vitit 1966 qarqet shoviniste serbe dolën hapur kundër tij. “Kjo përndjekje  mori një formë më të hapur e më të organizuar në mars të vitit 1966, kur në të ashtuquajturin “Sallon i artit” në Prishtinë u sulmua krijimtaria e tij letrare dhe studimore, veçmas vepra “Ndryshimet bashkëkohore shoqërore – gjeografike në Kosovë e Metohi”, botuar në gjuhën serbe në vitin 1963, e cila ishte tema e doktoraturës që kishte mbrojtur me 1960 në Universitetin e Lubjanës…”. Mirëpo ky intelektual dhe krijues i njohur nuk do të heshtte, por do të vazhdonte me vetëdije dhe përkushtim punën vetmohuese në shërbim të kombit të vet. Në vitin 1979 kalon si profesor në Fakultetin e Shkencave Natyrore, në Institutin e Gjeografisë si dekan i tij. Drejtoi me shumë profesionalizëm për shumë vite revistën shkencore “Kërkime gjeografike”. Por pikërisht tani kur ishte në kulmin e krijimtarisë, Kosova u përfshi nga flakët e luftës për liri dhe prof. Markut iu desh të merrte pjesë aktive për t’i shërbyer kombit të vet. Ai i përjetoi me dhimbje vitet ’80, kur Kosova martire u la me gjak, duke ngritur zërin kundër këtyre mizorive të papara që bënin shovinistët ndaj një populli të pafajshëm. Me 1981 përjashtohet nga puna për shkak të qëndrimit të tij atdhetar dhe patriotik duke iu ndaluar vepra dhe krijimtaria. Me të tilla emocione negative priti pensionin, për të mbetur gjithmonë i ri mes popullit të vet që e ruan si një rubin të çmuar. Ai tashmë i kishte kaluar të 60 – tat, por ndjehej ende i ri për t’i shërbyer atdheut të vet, kombit të vet.

MIRËNJOHJE…

Ka qënë dhjetori i vitit 1978 kur në një nga libraritë e Elbasanit mora librin me poezi “Jehona e kohës “ të prof. Markut botuar nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” me 1977. Deri në atë moment unë nuk e kisha njohur as dëgjuar, sepse informacioni për shkrimtarët kosovarë ishte mjaft i pakët në vendin tonë. Librin e lexova me një frymë. Me krijoi një ndjesi të veçantë, sepse në themel të poezive të Mark Krasniqit qëndronte dashuria e zjarrtë për vendlindjen dhe njerëzit e saj të vuajtur. Këtë sentencë të qartë poetike autori e shpreh që në fillim ,tek vjersha “Vargjet e mia”, ku thotë:”…Vargjet e mia kanë mbirë në këtë tokë, / Me bar e hithra, me lule e ferra, / ato jehojnë si përroi në bokë, / si ftoit të vjeshtës iu vjen era…”. Vendlindja me njerëzit e dashur të saj ishin dy objektet më të çmuara në krijimtarinë e prof. Markut. Brenda një kohe të shkurtër parakaluan para meje, mulliri i bekuar i fshatit, jazi me uji të kulluar, çiftelia tradicionale e odës kosovare, djepi i lashtë ku nëna kosovare ka rritur brezat, lisi shekullor që mbart një pjesë të historisë, kullat – kala që Kosova i pati si kështjella, Belleja – katundi i djegur nga pushtuesit e huaj etj. Në këtë libër përfshiheshin krijime të shkruara në vitet 1938 – 1944, megjithatë në vjersha ndjehej freskia, origjinaliteti dhe emocioni artistik. Në kapitullin “Lufta”, na sjell emocionet e luftës së popullit shqiptar të Kosovës për liri. Krenohet me heroizmin e popullit të vet dhe luftën e tij, ka mall për të rënët, për ata që derdhën gjakun për këtë truall të bekuar. Emocionet shtohen kur mendon se edhe vetë prof. Marku ka qënë luftëtar i lirisë dhe u rreshtua në vijën e parë të luftës. Kësisoj poezia e Mark Krasniqit është emocionale, e qartë, komuninuese dhe mjaft shprehëse. Poeti Vehbi Bala e vlerëson: ”…Autori niset nga konkretja për të arritur tek tradicionalja, nga e veçanta tek e përgjithshmja, nga individualja tek tipikja, nga e djeshmja tek e sotmja, nga e sotmja tek e ardhmja…”. Duke lexuar me kujdes poezinë e prof. Markut të vjen natyrshem një mendim; se kjo poezi e ka burimin tek gurra popullore, tek shpirti i popullit kosovar që ka qënë dhe është i pashtershëm.

Shfletojmë faqet e librit:”…Diku në fund të dhomës me vëllezërit e tjerë, / dëgjoja këngën as frymë pa marrë, / që këndonte plaku me zë të çjerrë, / për luftë, perleshje, për gjak e varre…”, shihet qartë këtu ndikimi i rilindasve tanë, sidomos i Mjedës, por edhe Shiroka, Çajupi e Migjeni na kujtohen në këtë rast. Stili mjedjan përvijohet edhe në këto vargje:“…Unë të pyes e ti s’ban za, / Tue gjimue shkon pa pra, / Heshtjen tande e kuptoj, / Kjaj pra Dri, dneset shpeshtoj…”, por këto ndikime autori i ka përpunuar duke krijuar një profil të vetin krijues, duke na dhënë një shkollë të spikatur poetike me emrin Mark Krasniqi. Në poezi mbizotëron fryma popullore, fjalët e thjeshta të përdorura bien erë shqip. Është gjuha e bukur e nënës e përdorur në krijimtarinë e tij, prandaj poezia e tij është e thjeshtë, e kuptueshme nga masa. Fjalori i tij është popullor. Ai përdor fjalë të tilla si: jazi, votër, mulliri, përroi, zhgun, pavda, djep, kullë, kosh që i japin gjuhës një ngjyrim emocional dhe tradicional.

Poezia e prof. Markut përshkohet nga notat e optimizmit se një ditë populli kosovar do të jetë i lirë. Tek ai sundon dëshira për të jetuar i pavarur, sepse jeta vazhdon dhe dashuria ka trokitur në zemrën e poetit. Përmes një lirizmi të këndshëm na jep ndjenjën e bukur të dashurisë që e ka kapluar, prandaj i drejtohet vajzës: ”…Moj hyjneshë, moj zanë e malit, / zemrën krejt ma ke kaplue, / porsa mbrrita n’moshë të djalit, / ftyra jote m’ka robnue…”. Ai ka shpresa për një të ardhme më të mirë njerëzore ku burojnë dëshira dhe vegime të bardha, sepse zemra e poetit është e gjërë dhe e çiltër si deti. Libri i prof. Markut ka 28 vjet që “fle” në bibliotekën time. Iu riktheva kësaj vepre, pasi njoha veprimtarinë krijuese dhe atdhetare të këtij njeriu të shquar përmes bisedave me shumë krijues, gjatë një vizite në Kosovë, përmes bisedave me krijues dhe intelektualë të njohur kosovarë. Gjeta aty dheun e përgjakur të Kosovës, plagët e saj të thella që kishin nisur të shëroheshin, martirët e pavdekshëm të Kosovës sonë, intelektualët patriotë që nuk kursyen asgjë për vendlindjen e tyre të dashur, mes të cilëve qëndronte krenar edhe prof. Mark Krasniqi. Për këtë shërbim të shquar ai meriton mirënjohje të veçantë.

HULUMTUES I PALODHUR, SHKENCËTAR I SHQUAR

Në vitin 1979 doli në dritë studimi voluminoz i tij me titull “Gjurmë e gjurmime”. Atëherë portreti i tij prej studiuesi dhe shkencëtari të mirëfilltë mori përmasa gjigande. Studimi rrokte çeshtje të kulturës etnografike në Kosovë. Kjo vepër ishte një kontribut me vlera të pakrahasueshme në lemin e dukurive etnografike dhe historike. Në 465 fletët e librit janë përfshirë 24 studime nga fusha e kulturës materiale dhe shpirtërore, artistike, shoqërore të popullit kosovar të botuara më parë nga autori mes viteve 1958 – 1979. Tematika e materialeve mund të ndahet në katër kapituj ku vendin e parë e zënë artikujt që trajtojnë probleme të fushës etnografike si “Mësimi humanist i shkencës etnografike”, “Elemente etnografike në disa vepra të rilindasve” etj, duke vijuar me artikujt që kanë si objekt analizën kritike të veprave të udhëtarëve që kanë kaluar në trojet dardane si “Shqiptarët në veprat e Mark Milanit” deri tek “Sytë e Simonidës”, për të vijuar me atë pjesë të rëndësishme të artikujve ku trajtohen problem të kulturës shoqërore dhe shpirtërore të popullit tonë si “Pozita e gruas në institucionin e martesës në Kosovë” deri tek “Struktura sociale e familjes Shehu në Has të Prizrenit”, duke vijuar më tej me ato materiale që marrin në shqyrtim kulturën materiale të asaj treve me tradita si “Kulla në Rrafshin e Dukagjinit” deri tek studimi “Gdhendja artistike e drurit”. Kjo vepër me shumë vlera është shkruar në trajtën e artikujve studimor, por ruan një unitet të brendshëm duke dhënë një material unik e të plotë. Studiuesi Spiro Shkurti mendon se “…Megjithse artikujt cekin e trajtojnë probleme të ndryshme nga fusha e kulturës shoqërore dhe shpirtërore, artistike dhe materiale, që kanë specifikë në grumbullimin e materialit ato kanë përpjestime të ballancuara dhe të studiuara mirë…”. Krahas punës së palodhur kërkimore dhe shkencore autori është mbështetur edhe në analizën dhe studimin e fakteve nga pozita të përparuara të shkencës etnografike duke na dhënë këtë vepër me vlera të veçanta. Kjo përmbledhje ka vlera të pakrahasueshme njohëse, edukuese dhe shkencore duke nxjerrë në pah shumë elemente etnografike të krijuara nga populli kosovar ndër shekuj. Ky studim është një traktat shkencor i ruajtjes së vlerave historike dhe etnografike brez pas brezi, duke qënë kështu një “avokat” i rëndësishëm për mbrojtjen e vlerave nga asimilimi dhe shkombëtarizimi nga shovinizmi serb. Padyshim, ”…pasqyrimi i këtyre traditave ngjall tek lexuesi një krenari plotësisht të ligjshme për vlerat e shumta pozitive që ka krijuar kjo popullsi, megjithse jetonte në kushtet e rënda të shtypjes dhe të shfrytëzimit…”.

Për të krijuar një ide më të plotë në pasqyrimin e veçorive etnografike, ai e ndan trevën e Kosovës në 25 zona të vogla etnografike duke krahasuar veçoritë e tyre të përbashkëta dhe ndryshimet mes tyre. Ndarja në zona etnografike sipas prof. Markut është: “Fusha e Kosovës, Siriniqi, Karadaku i Shkupit, Morava, Gollaku, Llapi, Shala e Bajgores, Kollashini, Drenica, Prekorupa, Caraleva, Rrafshi i Dukagjinit, Lugu i Drinit, Lugu i Lleshanit, Lugu i Baranit, Dushkaja, Reka, Podrimja, Podguri Pejës, Rugova, Hasi, Gora, Opoja, Srecka dhe Podguri i Prizrenit…”. Në përcaktimin e këtyre zonave etnografike prof. Mark Krasniqi pati parasysh elementet etnografike si dhe faktorët gjeografike e kulturore si gjuha, veshja, doket, zakonet etj. Kjo ndarje për autorin, krijon kushtet e një studimi më të plotë dhe më të saktë etnografik dhe shkencor.

JETA ËSHTË HISTORI

Shumë vite më parë ai mbrojti tezën se shqiptarët kanë qënë dhe janë populli më i vjetër i Ballkanit. Shenjat e para i kishte dhënë tek libri poetik “Jehona e kohës” kur pati thenë: “Po një gjë dihet mirë, / historia këtë e ka thënë, / stërgjyshërit tanë ilire, / të parët kanë gëzuar në Ballkan, / diell dhe hanë…”. Këtu ai informon edhe një herë se stërgjyshërit ilirë ishin autoktonë në brigjet e Adriatikut. Ato kanë ardhur këtu para sllavëve, atyre që u mohojnë trojet shqiptarëve. Këtë e dinte mirë profesori, prandaj në mendjen e tij u ngjiz një vepër me vlera të veçanta që do të argumentonte me baza shkencore pretendimet e shovinistëve sllavë ndaj pretendimeve territoriale të Kosovës .

Vepra e tij e ardhshme u përvijua që në vitet ‘80 kur survejimi i punës dhe veprimtarisë së tij mori formë më të egër, sepse organet e pushtetit ekzekutiv serb e larguan nga procesi mesimor i Universitetit të Prishtinës si i padëshirueshëm, i rrezikshëm, separatist, shqiptaromadh nacionalist dhe u ndalua nga përdorimi vepra e tij letrare, tekstet shkollore dhe universitare”. Këto përpjekje dashakeqe të kolonëve antishqiptare në qarqet serbe nuk e penguan për asnjë çast, por i dhanë forca, e bënë më të vëmendshëm dhe të vetëdijshëm në synimin e madh të zbulimit të të vërtetave historike që shovinistët i kishin mohuar kombit të tij. Vepra lindi në vitin 2003 dhe autori e pagëzoi “Rrënjët tona etnike”. Libri është një  udhërrëfyes për etnogjenezën e shqiptarëve si një nga popujt më të lashtë në Ballkan. Ai trajton origjinën e shqiptarëve, gjenezën dhe prejardhjen e tyre duke kundërshtuar në mënyrë të prerë dhe me argumente shkencore tezat serbe për pretendimet e pabaza territoriale ndaj Kosovës dhe Shqipërisë. Autori mohon me argumente faktin se në vitin 1620 serbët paskan qënë në Kosovë, duke vertetuar me dokumente se Kosova është territor shqiptar dhe shtrihet në trojet e veta etnike që prej  4000 vjetësh. Kolonializimi sllav ka filluar në shek.VII, ndërsa në shek.XIV është krijuar Perandoria e Madhe që ka jetuar 12 vjet, pra me 1620 nuk ka pasur serbë në Kosovë. Vëmendje të veçantë autori u kushton masakrave, raprezaljeve dhe dëmeve të pallogaritëshme që shkaktoi lufta e fundit në Kosovë. Informacionet na bëjnë me dije se janë vrarë 15000 njerëz të pafajshëm, janë djegur 220000 shtëpi banimi, janë burgosur, kanë humbur dhe janë gjymtuar mijëra vetë. Vepra u vlerësua mjaft, pasi shërbente si një ultimatum historik ndaj Qeverisë së Beogradit dhe qarqeve shkencore të saj, duke u treguar se ringjallja e një pretendimi të tillë do të ishte me pasoja për ta. Beogradi do të dorëzohej para fakteve të tilla.

Disa vlerësime për këtë vepër: Prof.Ylli Popa: “…Në librin “Rrënjët tona etnike” autori shtron shumë probleme që hedhin dritë mbi teza dhe fenomene të kundërta në etnogjenezën,në historinë e trazuar të shqiptarëve nga lashtësia deri në ditët e sotme…”.

Dr. Nikollë Toma:”…ky libër është një punim virtuoz i autorit, i cili trajton origjinën e shqiptarëve dhe prejardhjen e tyre, duke hedhur poshtë tezat serbe se shqiptarët janë vendosur në Ballkan pas sllavëve”.

Studiuesi Ndue Dedaj: ”Libri ka vlera të veçanta për të kundërshtuar me argumente shkencore propagandën sllavo – ortodokse me të cilën përpiqen të mohojnë autoktoninë, lashtësinë e popullit shqiptar në trojet tona…”.

Nga këto vlerësime përforcohet fakti se prof. Marku është një studiues me vlera të padiskutueshme, është intelektual i pazëvendësueshëm që me punën e tij shkencore u bë shembull frymëzimi për intelektualët, shkencëtarët dhe shkrimtarët shqiptarë, sepse ”…njeriu në jetë duhet të ketë një ideal të lartë për të cilin punon dhe jeton. Nuk ka ideal më të lartë dhe më të shtrenjtë se ç’është interesi, e mira e popullit, lufta e vazhdueshme intelektuale për përparimin e tij të gjithanshëm. Intelektuali këtë ideal duhet ta ketë jo vetëm detyrë të përhershme, por edhe kënaqësi shpirtërore. Akademiku Mark Krasniqi është studiues shumplanesh. Vepra e tij është e një rëndësie të veçantë. Ajo do t’u shërbejë brezave të ardhshëm për të përvijuar më mirë historinë dhe kulturën tradicionale të popullit tonë.

FIGURË POLIEDRIKE DHE NJERI ME VLERA UNIVERSALE

Akademik Mark Krasniqi është një figurë e shquar dhe e gjithanshme shkencore, letrare dhe politike. Për asnjë moment nuk e ndau penën nga dora. Në fillim shkëlqeu si poet për fëmijë dhe të rritur. Poezia e tij që e thjeshtë, e kuptueshme, e ngrohtë, tërheqëse shume afër botës se lexueseve. Ka botuar këto libra me poezi: “Jehona e kohës”, Tiranë 1972, “Dita e parë”, Prishtinë 1956, “Posta e porositun”, Prishtinë 1959, “Përrallat e gjyshit”, Prishtinë 1953, “Lepuri analfabet”, Prishtinë 1974, “Postieri i maleve”, Prishtinë 1985, “Kulla e buburrecit”, Prishtinë 1989, “Vjersha të zgjedhura”, Tiranë 1989. Në poezinë e tij përshkruhen bukuritë e natyrës, lodrat e fëmijëve, jeta në fshat, dëshirat e tyre deri tek e kaluara e rëndë po e lavdishme e popullit kosovar.

Ka vlerësuar dhe vlerëson figurat më të lavdishme që dolën nga gjiri i popullit tonë. Kishte nostalgji për Nënë Terezen, që triumfoi me humanizmin e saj në mbarë botën. Poezia e tij krijuar për Nënë Terezen shpërthen me tërë bukurinë dhe thjeshtësinë e saj: “…që s’njeh dallim as kufi, / për njerëz të gjorë, / për njerëz skamnor, / për vogjëli, / për të bardhë e të zi, / për të sëmurë e të uritur, / për të mitur e të rritur, / zemërgjërë e bujare, / e traditës së lashtë shqiptare”. Kjo poezi që u titullua “Lulja e trollit tonë” u përfshi në përmbledhjen “Lule për nënën” të Don Lush Gjergjit, botuar me 1986 në Prishtinë. Në këtë poezi të frymëzuar nga triumfi dhe vetëflijimi i Nënë Terezës për njeriun, pulson një frymëmarrje e gjërë, nga triumfi metaforik i vargjeve poetike. Përmes vargjeve të arrira artistikisht ka skalitur në art portretin e nënës së pavdekshme.

Duke filluar nga vitet pesëdhjetë ai u mor me një fushe tjetër të krijimtarisë. Duke njohur mirë trevën e Kosovës, psikologjinë e popullit, doket e zakonet, mënyrën e organizimit të jetës shoqërore, folklorin etj, ai u bë figurë qëndrore në fushën kërkimore shkencore në Kosovë. I etur për të shkruar, për të nxjerrë në pah vlerat kulturore, shpirtërore, artistike dhe etnografike të popullit të vet, veprat e tij pasuan njëra – tjetrën si: “Orohovac” – monografi antropologjike 1957, “Kanuni i Lekë Dukagjinit” – shqyrtim mbi të drejtën zakonore 1957, “Kulla në Metohije” – studim dhe përshkrim dokumentar 1957, “Suhareka” – gjurmime antropologjike 1959, “Shtëpia shqiptare në Kosovë” – studim etnografik 1971, “Gjurmë e gjurmime” – studim etnografik 1979, “Lugu i Baranit” – monografi etnografike  1987, “Rugova” – monografi etnogjeografike 1987, “Tradita e Pashkës së krishterë dhe rrënjët pagane të saj” – 1988, “Nga gurra e traditës” – studim etnografik 1991, “Nga mitologjia shqiptare” – studime 1995, “Mbështetje shkencore dhe përpjekje letrare” – studime 1995, “Qëndrime dhe reagime” – intervista, Prishtinë 1995 “Aspekte mitologjike, besime e bestytni” – studime 1997, “Rrënjat tona etnike” – studime 2003. Sigurisht vepra e tij nuk mbaron këtu, sepse ne zgjodhëm ato më kryesoret, por nuk kemi përfshirë mjaft artikuj të botuar në shtyp ose revistat shkencore të institucioneve të ndryshme të Kosovës. Çdo vepër e tij, çdo studim i tij mban një peshë të veçantë në shkencën dhe kulturën shqiptare. Mbi të gjitha ai ka meritë, sepse solli shumë të reja në fushën e studimit shkencor, që nga metodat e studimit deri tek tematikat e larmishme shkencore. Ai punoi mjaft edhe në rrafshin profesional duke botuar një mori artikujsh dhe tekstesh shkollore sidomos nga fusha e gjeografisë, mes të cilëve mund të veçohen “Gjeografia ekonomike” – 1982, ”Gjeografia e Jugosllavisë” – 1975. Me tej provon aftesite e veta edhe ne fushen e përkthimit. Përktheu mjaft vepra të letërsisë botërore të autorëve të njohur si Majakovski, Pushkini, Anderseni, Vitezin, Qipiksin. Përktheu me sukses “Historia e përgjithshme e pedagogjisë” të Leon Zhlebnikut, si dhe “Kurora e maleve” të Njegoshit me 1953, ku tregoi aftësi dhe talent të padiskutueshëm në këtë gjini të vështirë të letërsisë.

Kanë kaluar 81 vjet kur prof. Marku publikoi krijimin e tij të parë tek “Hylli”, Ai jeyoi e punoi plot përkushtim plot 95 vjet, 95 vjet përpjekje, lufte dhe fitore, mundë dhe djersë, hidhërime, gëzime dhe emocione të pafund. Sot merr vlerësime maksimale si poet, krijues, shkencëtar, etnograf, përkthyes, publicist, politikan dhe mbi të gjitha si njeri. Ishte akademiku nga më të rrallët në trevat shqiptare. Ka fituar edhe mjaft shpërblime si “Dekorata e punës me kurorën e artë”, nr.129/65, shpërblimin krahinor “Nderi i Dhjetorit” -1960, shpërblimin “Nëntori i Prishtinës”, me rastin e 25 vjetorit të hapjes së Universitetit të Prishtinës u nderua me titullin “Profesor emeritus”. Në vitin 1974 nderohet me çmimin letrar republikan “Nevan”. Ka qënë rektori i parë i Universitetit të Prishtinës me 1970, kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Kosovës, ndërsa me 1993 zgjidhet kryetar i Partisë Demokristiane  të Kosovës, ku jep kontributin e tij të vyer edhe në fushën e politikës.

Akademik Mark Krasniqi u nda nga jeta në viti 2015, në moshën 95 vjeçare. Aiishte një meteor i pashuar në qiellin e shkencës dhe letërsisë shqiptare. Figura të tilla shumëdimensionale kanë ndriçuar dhe do të ndriçojnë kurdoherë duke i bërë një shërbim të madh vendit, popullit, dhe brezave që do të vijnë. Për figura të tilla 95 vjet janë pak, ato duhet të jenë të pavdekshëm sepse atdheu dhe kombi ka shumë nevojë për ta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok