14/10/2024

Vitet ikin, kujtimet mbesin…

0

Nga Ibrahim Kabili

Prej kohësh kisha ftesë për kafe nga kolegu dhe shoku im i shkollës pedagogjike, Ramazan Selimi (Gjoni). Me Xanin u njohëm në shkollë dhe më pas na lidhi puna në arsim. I shkoj tek shtëpia në Zall-Mëner të Ri, më thonë sapo ka ikur për kafe me Titin, tek lokali i Xhevahirit. Shkoj dhe i gjej aty, unë porosis një çaj… Më pas vjen dhe Bajram Hoxha ish drejtor shkolle për shumë vite në Zall-Mëner. -Tani ne pensionistëve na mbledh kafja – u them unë. Vitet ikin me shpejtësi, por kujtimet mbesin. Mbesin kur fiksohen mirë diku dhe u qëndrojnë “rrebesheve” të kohrave, në të kundërt i fshin harresa… Pasi u përshëndetëm filloj nga biseda. Një udhë e dy punë i them Xanit, në prani të Bajramit. Bukur, – ma kthen ai! Shumë mirë bën! Ne kemi nostalgji për zonën, për punën e dikurshme atje, për vitet e bukura në arsim, kur mësuesi vlerësohej… Mendimin e tij e pohon me kokë edhe kolegu tjetër, Bajrami. Ky qe emëruesi i përbashkët i reagimit të dy kolegëve të mi. Me këto u pajtova plotësisht edhe unë, duke shtuar; – hiq politizimin, shkolla qe shkollë. Më tej mësuesi veteran Ramazani, shton: “Unë kam punuar gjithnjë në CF, në dy shkolla; në Mëner të Sipërm një vit dhe në Zall-Mëner rreth dyzet vite me radhë, deri kur dola në pension në vitin 2020. Kemi pasur shumë kolegë dhe drejtues me përvojë të cilët ndikuan shumë tek ne më të rinjtë në atë kohë… Si mund të harrohet Agron Shkëmbi si drejtor? Ai qe mjaft korrekt, serioz, tepër i përgatitur, shumë i dashur, punëtor i palodhur, kishte marrdhënie shumë të mira me prindërit… Kemi pasur shumë kolegë si Agroni! Respekt dhe mirënjohje për to! Në vitet ’80 në zonë ishte një grup i mësuesve të CF që kishin bërë emër në shkollat e tyre. Këtu mund të përmend mësuesit; Selim Koçi, Ymer Ademi, Vesel Lami, Lume Kurti, Flutura Lami, etj. Si mësues në ato vite ne ishim të përkushtuar në punë. Kryesore për ne qe kualifikimi në shkollë nga DSH, nga Shtëpia mësuesi, nëpërmjet komisioneve lëndore, etj. Bënim mësime të hapura, tema metodike, bënim analiza dhe nxirrnim detyra. Kishim marrdhënie të shkëlqyera me komunitetin. Kujtoj këtu përkrahjen që na jepte kryetari i këshillit në ato vite, Riza Greci”. Ramazani si shumë mësues ka patur rezultate mjaft të mira në punë. – “Kur shkuam më pas me Të, te shkolla 9 vjeçare Zall-Mëner, në prag të përfundimit të kohës së mësimit, shumë nxënës e pritën dhe e përqafuan me përzemërsi, ish mësuesin e tyre, Xanin. Po kështu drejtoresha e shkollës Lume Kurti, më foli fjalët më të mira për të. Kjo më dha shumë kënaqësi! Luftë brezash!

Bajram Hoxha i profilit histori-gjegrafi, në bisedë e sipër gjatë kohës në kafe, thotë: “Për vitet që punova si mësues dhe drejtues shkolle në Bulçesh dhe Zall-Mëner ruaj kujtimet më të bukura të jetës. Unë si i ri në profesion bëra shumë përpjekje për aftësimin metodik dhe profesional. Kujtoj me nostalgji mësuesit e mi dhe u mundova të eci në rrugën e tyre. Si mësues ishim të përkushtuar në punë. Mësuesit e të dy cikleve ishin të angazhuar në punë dhe bashkëpunonin me njëri tjetrin. Rol të madh luanin mësuesit e CF dhe edukatoret e kopshtit. Shkollës i kushtohej rëndësi nga shteti. Mësuesi respektohej dhe merrte pagë të kënaqshme, krahasuar me sektorët e tjerë. Kualifikimi i brendshëm kishte rëndësi pasi merrnim përvojë nga njëri tjetri. Komisioni i histori gjeografisë ka funksionuar rregullisht, meritë kishte edhe kryetari i tij, Koço Diamanti. Pjesa më e madhe e mësuesve që vinin nga Tirana kishin nga një “njollë” në biografi por këtu ata shkëlqenin në punë. Gjatë punës si drejtues jam munduar të punoj sa më shumë, kolegët jam munduar ti ndihmoj e mbaj sa më afër. Kam mbajtur lidhje të ngushta me komunitetin”. Bajrami ka disa vite në pension, por si drejtues qe shumë pozitiv, pati rezultate në punë, qe i shtruar dhe ka ndihmuar shumë mësues të ri në shkollimin e mëtejshëm të tyre në profile të ndryshme të arsimit të lartë.

Ndërkohë që mësimit po i vinte fundi, i shoqëruar nga Xani nisemi për tek shkolla. Takuam në ambientet e jashtme shumë kolegë të njohur, disa “jabanxhinj” dhe përshëndetemi miqësisht me to. Qe kënaqësi që pas vitesh takohem me Kadri Tafën mësues i gjuhës dhe letërsisë, ish drejtor shkolle për shumë vite, në Zall-Mëner; me Ramazanin dhe Ilirin, mësues të edukimit fizik; me Fiqireten, mësuesen e matematikës; me Meritën, Vjollcën, Hamiden, Fatimen, Flutrën, mësuese të Ciklit Fillor; me Meremen dhe Verën, si personel ndihmës,etj. Pasi përshëndetemi me të futemi në drejtorinë e shkollës. Aty na pret me respekt drejtoresha e shkollës, Lumja dhe zevendësja e saj Merita. Ato i gjeta duke punuar, dhe pas bisedës që bëmë, përsëri në punë i lashë… I tregoj qëllimin e vizitës. I kërkoj Lumes të më japë disa opinione për arsimin në fillimet e punës së saj, dhe disa arritje të shkollës që ajo drejton sot. Në një moment pauze me Lumen, si pasojë e punës, ndërhyn Merita: “Unë kam mbaruar shkollën e mesme në Zall-Bastar dhe ruaj kujtimet më të mira për atë shkollë dhe kolektivin pedagogjik të saj”…

Në vazhdim të bisedës, Lumja shton: -“Eshtë privilegj për mua të them disa mendime për fillimin e arsimin në vendlindjen time. Unë arsimin fillor dhe atë tetë vjeçar e mbarova në Zall-Mëner. Falë rezultateve fitova të drejtën e studimit në Shkollën e Mesme Pedagogjike “17 Nëntori” Tiranë. Pas mbarimit të shkollës së mesme pedagogjike, vazhdova studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Histori-Filologjisë, në degën Gjuhë-Letërsi. Kam patur një kënaqësi të madhe kur fillova punë në shkollën ku më parë isha nxënëse. Fillimisht kam punur si mësues në Ciklin Fillor, pastaj në Ciklin e Lartë. Më pëlqente shumë profesioni i mësuesit. I kam kushtuar shumë rëndësi përgatitjes ditore dhe asaj profesionale. Kam punuar me pasion dhe ndërgjegje dhe i kam dashur shumë nxënësit. Për arritjet nuk më takon mua të flas pasi vlerësimet i bëjnë të tjerët. Drejtor atje kam patur, Kadriun ( Tafa) i cili qe model dhe shumë korrekt, këto cilësi i mban edhe sot. Në ato vite i kushtohej rëndësi kualifikimit, kjo është shtuar edhe më shumë në kohën e sotme. Ruaj konsideratë të lartë për të ndjerin Saimir Xhafo si kryetar i komisionit lëndor të gjuhë-letërsisë për Zall-Bastarin. Vite të bukura, zonë arsimdashëse, njerëz të mirë”- përfundon Lumja. -Të falenderoj për opinionet që më përcolle për punën atje, por mundësisht më thuaj diçka, shkurt, rreth punës si drejtuese këtu, në Zall-Mënerin e ri… Duke ruajtur konsideratën për Ju, shkurt mund tju them: “Kjo është shkollë me numër të madh nxënësish dhe mësuesish. Kolektivi pedagogjik ëshë i gjithi me arsim përkatës dhe i përkushtuar në punë. Unë kam disa vite në këtë detyrë, kam mbështetje nga gjithë kolektivi dhe punët mendoj se shkojnë mirë, por e mira nuk ka fund. Si gjithë të tjerët punoj në bazë të udhëzimeve të MASH, DAR, ZA-së. Plani i DSH hartohet në fillim të vitit shkollor bazuar në udhëzimet e mësipërme dhe i diktuar nga kushtet konkrete të shkollës. Punoj në grup, delegoj kompetenca dhe u shkoj punëve deri në fund. Mbaj lidhje të ngushta me komunitetin”. -Të falenderoj shumë për bisedën! Suksese dhe punë të mbarë! – Ju faleminderit ju që shkruani për zonën dhe na ringjallët kujtimet e së shkuarës – përfundon Lumja! Në largim e sipër portretin e Lumes ma plotëson më tej Xani ku shton: “Drejtoresha e shkollës Lumja, është serioze në punë, kërkuese ndaj vehtes dhe mësuesve, mban lidhje të forta me komunitetin. I kushton rëndësi edhe ambientit figurativ, pasurimit të bazës materialo-didaktive dhe veprimtarive të tjera të shkollës. I ndihmon shumë kolegët dhe nxënësit”- përfundon Xani.

Kishte përfunduar me kohë mësimi dhe në ambientet e jashtme të shkollës më priste Kadri Tafa, absolutisht nuk mund të largohesha prej aty pa marrë disa opinione e mbresa prej tij. Njihemi herët me të dhe kemi ruajtur marrdhënje të mira si kolegë të vjetër pune. Edhe ai për rreth një vit del në pension… Kadriu duke kujtuar vitet e tij të shkollimit, punën e gjatë si mësues, dhe atë si drejtor shkolle për 15 vjet në Zall-Mëner, shton: “Kujtoj me shumë nostalgji vitet e shkollës kur unë isha nxënës në Zall-Mëner. Kishim mësues të shkëlqyer të cilët ndikuan shumë në rezultatet tona. Mësuesi im i klasës së parë qe Qamil Çeço, ai ishte i përgatitur dhe metodist shumë i mirë, qe shumë korrekt dhe na donte shumë. Në shkollën Pedagogjike 17 Nëntori në Tiranë po ashtu patëm mësues me nivel shumë të lartë si nga ana shkencore ashtu edhe nga aftësitë pedagogjike. Këtu dola me rezultate shumë të mira. Zona jonë në atë periudhë i kishte mësuesit të ardhur nga Tirana, vendasit ishin të pakët. Pushteti i kohës interesohej të përgatiste kuadro vendas dhe i mëshonte shumë këtij qëllimi. Shumë nxënës nga zona jonë u dërguan dhe u regjistruan në pedagogjike. Më kujtohet si sot kur njeriu i mirë Pali Karafili vinte në pedagogjike dhe interesohej për nxënësit që vinin nga Zall-Bastari. Në një rast erdhi dhe na tha: “nxënësit e asaj zone të çoheshin në këmbë”. Kur e pa që ishim disa, ai u kënaq shumë. Ne si brez nxënësish të asaj zone duhet ti jemi mirnjohës këtij burri me zemër të madhe për kujdesin e treguar ndaj nesh”…

Arsimin e lartë Kadriu e mbaroi në Insitutin e Lartë Pedagogjik të Elbasanit në profilin Gjuhë-Letërsi. Për punën në arsim shton: “Kam filluar punë në vitin 1977 në shkollën 8 vjeçare Mëner i Sipërm. Punova atje pesë vite me një kolektiv shumë të mirë. Mësuesi model për ne të rinjtë dhe kuadri qe bëri shumë për zonën, qe Sali Hida. Në Zall-Mëner fillova punë në vitin 1984 ku vazhdoj edhe sot. Kam mësuar shumë nga përvoja e drejtorit Agron Shkëmbi dhe e mësuesve Haxhi Klosi, Osman Uliu dhe e shumë kolegëve të tjerë. Gjatë punës së gjatë në arsim, në fshatin tim të lindjes Zall-Mëner, jam munduar të bëj më të mirën për shkollën dhe nxënësit. Nuk ka gjë më të bukur kur punon si mësues, në shkollën ku më parë ke qenë vetë nxënës. Nuk di sa i’a kam arritur qëllimit me punën në vite? Ibrahim të falenderoj shumë për interesimin dhe punën që ti po bën!”.

Kadriu ka punuar shumë vite si mësues dhe drejtor shkolle. Në mendimin tim ai ka patur mjaft arritje. Dallohej për përkushtim në punë, rregull dhe disiplinë, për përgatitje të lartë në lëndën e tij. Qe i komunikueshëm me nxënësit, kolegët dhe komunitetin…

Largohem nga shkolla 9 vjeçare Zall-Mëner, në këtë pasdite të 22 prillit, me përshtypjet më të mira… Por, në ambientet e shkollës e përrreth saj diçka më mungonte. Ky qe Fatosi që unë nuk e njoha kurrë sa qe gjallë. Ai ndoqi rrugën e të atit në mësuesi, por vdiq në moshë fare të re, duke lënë prapa modelin e njeriut të mirë dhe dhimbjen e madhe për Të. Jeta vazhdon…

Koha bën punën e saj, brezat zevendësojnë njëri tjetrin, kërkesat dhe arritjet në arsim do jenë gjithnjë në rritje…

Ibrahim Kabili

Tiranë më 27.04.2022

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok