04/12/2024

PRETENDIMI I NËNKRYETAR MUHAXHERIT, PËR FITOREN E LDK, KA BAZË REALE

0
Idriz-Zeqiraj1

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Intelektuali i kompletuar, Dr. Ibrahim Rugova, themeloi partinë e parë pluraliste në Ballkan e më gjerë, LDK-në. Në gjallje të Rugovës, ky subjekt politik bëri paqen dhe luftën. Dhe, kjo, tashmë, është dëshmuar, duke demantuar bindshëm “partitë e luftës”, të cilave u munguan formacionet ushtarake në fushë-beteja, sepse sabotatorët e luftës i kishin brenda SHTAB-it të tyre.

Pas amshimit të kryezotit Rugovë, orekset karrieriste e klanore brenda LDK-së u shpërfaqen shfrenueshëm. Ndarja e parë përgjysmoi partinë, dikur kryezonjë në Kosovë. Koalicionet e kundër vullnetshme e mospërfillëse të anëtarësisë, e sollën LDK-në kuotën e 12 %-it.

Kuvendi i 10-të i jashtëzakonshëm filloi me reformat, duke zgjedhur kryetarin e ri, Lumir Abdixhikun, Kryesinë e re, duke lënë jashtë saj ish-kryetarin Mustafa dhe një pjesë të klanit të tij. Kuvendi u mbyll pa debat, pa analizën e nevojshme, për gjendjen katastrofale në parti. Përkundrazi, ish-kryetari u vlerësua me titull Nderi, gjë që befasoi dhe zhgënjeu shumë.

Nënkryetari për Organizim partiak i LDK-së, Gazmend Muhaxheri thotë se “ky subjekt politik, sipas sondazheve, ka rritje të madhe”. Vërtet, krahasuar me partitë e PAN-it, të cilat nga zgjedhjet e fundit parlamentare, kanë dalë po kaq humbëse, sa edhe LDK-ja, nuk kanë bërë fare reforma partiake. Ndërkohë që LDK-ja, të paktën, ka filluar dhe është në proces. Vazhdimi i reformave është, barometër i ringritjes së partsisë.

Kryetari Abdixhiku, me stafin e tij, përkundër burokracisë të pararendësit të tij, kanë lënë zyrat dhe janë aktivizuar brenda dhe jashtë Kosovës, për komunikim me anëtarësinë, elektoratin dhe shtresat e ndryshme qytetare. Brenda Kryesisë janë ndarë detyrat, janë krijuar komisione, e mbi të gjitha, është hartuar edhe plan-programi për qeverisjen profesionale të Kosovës.

Ajo që është parë me rezerva  nga elektorati i LDK-së, ka qenë proklamimi për “Rruga e re”, e cila u kujton anëtarësisë një emërtesë të ngjashme të “partisë” dështake të Bukoshit, ashtu si edhe “Lidhja e re” e Isa Mustafës, një emërtesë që paralajmëroi devijimin e frymës rugoviane. Dhe, dështimi ishte i pritshëm. Emërtesa të tilla ngjallin huti e frikë, për braktisjen e rrugës dhe të frymëzimit rugovian. Megjithatë, kryetar Lumiri ka lehtësuar dilemën se “kjo vlen për qeverisjen dhe nuk prekë partinë”.

Konventa e organizuar e LDK-së, shpalosja e programit, shpjegimet teorike intelektuale të Kryetarit të ri, kanë lënë mbresa domëthënëse, jo vetëm në anëtarësi, por edhe më gjerë në popull. E gjithë kjo zgjoi vëmendje në opinion dhe vlerësim në sondazhe, siç thotë nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, partia ka rritje të prekshme.

Ftesa e kryetarit të PS-së, Edvin Rama, nga kryetari Abdixhiku, me rastin e 25 vjetorit të çlirimit, “Presidentit Rugova dhe Perëndimi”, ngjalli koxha përfolje e habi në parti. Emisarët e kësaj partie, tipike neokomuniste, me shumësi janë kuadro të monizmit, përkatësisht, të brezit pasues enverist. Presidenti Rugova me të drejtë i vuri vijën e kuqe PS-së. Aq më parë tani, kur shkatërroi pluralizmin politik në Shqipëri, të fituar më gjak e mund, pas një regjimi tipik fashist të Enver Hoxhës. Pra, rrënimi zyrtar i opozitës në Shqipëri, duhej të kundërshtohej me bllokadë totale nga i gjithë spektri politik i Kosovës.

Kur e majta shqiptare thoshte se kryeqyteti i Kosovës është Beogradi, e djathta shqiptare afirmonte Prishtinën kryeqytet dhe të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për të qenë shtet. Sidoqoftë, zyrtarët drejtues të LDK-së, duhej ta sqaronin anëtarësinë, qoftë edhe vetëm strukturat e saj, pse u ftua kreu i social-komunistëve shqiptarë, në cilësinë e pozitës partiake apo shtetërore, në një ngjarje kushtuar Presidentit Rugova?! As tani nuk është vonë, për të dhënë sqarimet përkatëse. Urojmë që kjo vizitë të harrohet, si një ëndërr e keqe, dhe të mos këtë ndikim në elektoratin dhe sondazhet premtuese të LDK-së.

Konstatimi i nënkryetarit Gazmend Muhaxheri se “elektorati i LDK-së është kthyer në “shtratin” e vet politik”, ka bazë reale, po të kemi parasysh faktin se në zgjedhjet e fundit lokale, tashmë, me kryetar të ri, u kthyen tej 100 mijë anëtarë në shtëpinë e tyre të artë – LDK-e.

Me reformat në proces, Lidershipi i i ri i LDK-së, duhet të reflektojë, madje të harrojë eliminimin e kuadrove me heshtje, nga frika e konkurrencës apo arsye tjera. Logjika se “nuk na bënë shejë” largimi i x-y-it, ishte “llogari pa hanxhinë”. Mania e largimit, me lënie në “harresë”, të kuadrove të dëshmuar, për punë e devotshmëri në parti, nuk kalon gjithëherë pa rrjedhoja. Duke bërë akuza për të tjerët, pa pranuar fajësinë klanore, nuk është e shëndetshme për një parti emërmirë, siç është LDK-ja.

Ka vërejtje për zgjedhjet në parti, ngaqë duhej të ishin më të hapura dhe me elementet e debatit të hershëm rugovian. E kuptoj se klani, me llogarinë e tij, për të qëndruar gjatë në pozita drejtuese partiake, ka bërë seleksionime dhe grupime mbështetësish. Kjo e vështirëson depërtimin e elementëve të rinj në poste drejtuese, me votim të fshehtë. Megjithatë, aklamacioni, është kancer i demokracisë. Mund të lejohet krijimi i fraksioneve legale brenda partisë, siç i kanë demokracitë e zhvilluara, por jo edhe klanet ilegale, siç kanë ndodhur në LDK-në post-rugoviane.

Jam pjesë e themelimit të Degës, respektivisht, të Nëndegëve dhe të Aktivave të LDK-së, në Gjermani, që nga vitet `90-a. Por, fenomeni i grupimeve, me porosi në votimin e fshehtë, nuk ka ekzistuar. Tani kjo po ndodhë dhe është “pëshqesh” i ish-klanit, që dëmtoi Degën në Gjermani, ndërsa e shkatërroi Degën e LDK-së në Zvicër. Madje ende ka rezistencë dhe nostalgji për ish-lidershipin klanor. Klanet janë si xhelozia, e cila brenë edhe dashurinë më ideale. Varet sa do të arrijë t`i neutralizojë klanet lidershipi i ri i LDK-së, sepse ka zëra që vazhdojnë ta dëmtojnë LDK-në, e ndoshta edhe ta dobësojnë ekipin e ri drejtues të saj!

Lidershipi i ri, për të joshur dhe rikthyer të tërë anëtarësinë e larguar, për shkak të koalicioneve me ata që kanë përgjakur LDK-në dhe Kosovën, e ka shansin të vazhdojë reformat dhe të zotohet se e kaluara nuk do të përsëritet. E kuptoj se e djathta e Kosovës është në hall të madh, sepse veç LDK-së, grupimet e tjera të së djathtës janë minore për nevojat e koalicionit. Koalicioni LDK-LVV ishte dhe mbetet më i pranueshmi, sepse nuk ishin dhe nuk janë pjesë e krimeve.

Por, intrigimet e Hashimit, argatëve të tij brenda LDK-së dhe Grenellit, e prishën koalicionin më profesional në kuadro. Për një koalicion të tillë duhet të mendojnë, qysh tani, dy subjektet politike të cituara, sepse do të ishin në të mirë të tyre dhe, parasegjithash, në të mirë të Kosovës. Tri partitë, përbërëse të PAN-it: PDK, AAK, NISMA, mashtrueshëm thirrën në djathtizëm, sepse janë pjellë nga një mitër e përgjakur – LPK-së staliniste.

Opozitarizmi i sforcuar, aq më keq i njëjtësuar me partitë e inkriminuara, i kthehet në bumerang LDK-së. Të thuhet, në mes tyre edhe kuadro të LDK-së, se “Hashimi kishte vendosur sovranitetin qysh moti në veriun e Mitrovicës, ndërkohë që edhe në vitin 2018 ishin hapur 6 (gjashtë) njësi bankare ilegale të Serbisë”, është përpjekje e dështuar për ta rehabilituar Hashimin, me bandën e tij partiake. Për këto koordinime opozitare të paparime, kanë reaguar edhe kuadro të dëshmuara të LDK-së, si Adem Salihaj, Skënder Zogaj dhe të tjerë, të cilët drejtuesit e djeshëm dhe të sotëm i kanë harruar dhe hedhur si “tepricë teknologjike!”

LDK-ja, në krahasim me partitë e inkriminuara, çalon në propagandën partiake. As LVV nuk shquhet për këtë, veç se e kompenson, në një masë, me “armatën e Facebook-ut”. Ndërkohë që partitë e PAN-it kanë pushtuar komplet mediat. Dhe, sa po të hapësh cilindo nga stacionet televizive, të Etnikumit Shqiptar dhe në Mërgatë, shikon, njërin pas tjetrit, eksponentë të krimit dhe të hajnisë zyrtare. Krejt njëjtë qëndron edhe kapja e Sistemit të Drejtësisë nga PDK-ja dhe AAK-ja. As LDK-ja dhe as LVV nuk kanë fare qasje në aparatin gjyqësor, pavarësisht të ndonjë punësimi skajor. Dhe, këtë pisllëk e mbron sllogani klishe: “pavarësia e gjyqësorit!” Është supër-cinike të thuhet se “qeveria ka pushtuar mediat dhe drejtësinë”, kur dihet se ato janë të kapura, madje tërësisht, nga partitë-banda të PAN-it.

Prag-fundosja e LDK-së, në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, ishte nisma e ndryshimit të domosdoshëm. Ishte gjyqi që i bëri populli partive rrënuese të shtetit. Me keqardhje e dhimbje, klani vicioz, brenda Kryesisë të LDK-së, pa përfillur elektoratin, anëtarësinë, Këshillin e Përgjithshëm, Grupin e deputetëve, madje as vet Kryesinë e LDK-së, si për inat të të gjitha këtyre strukturave partiake, si patericë, e mbante PDK-në në pushtet, duke kulmuar me bërjen e Hashimit president, për ta shkelur porosinë-amanet të Presidentit Rugova: “Të mos lejohet ngritja e Hashimit në poste të larta drejtuese, sepse është i dëmshëm për Kosovën!” Profecia e urtakut Rugovë, rezultoi plotësisht e saktë. Dhe sot, jo vetëm populli i Kosovës, por i tërë kombi shqiptar jeton në ethe dhe pa gjum normal, nga pazarllëqet e pista të Hashimit, me dostat e tij.

Ishte ajo rënie rapide e LDK-së, që e detyroi kryetarin Mustafa, me klanin e tij, të organizonin Kuvendin e jashtëzakonshëm zgjedhor. Kjo është edhe nisma e ringritjes  të LDK-së.

Për partitë e inkriminuara të opozitës të sotme, reformat partiake nuk janë zgjidhje, sepse janë kapluar nga metastazat, pa shpresë shërimi. Ato jo reformimi, por vetëm riformimi, spastrim me fshesë të hekurtë, madje edhe me ndryshim emri të partisë, për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet nga anëtarësia e tyre.

Për ndryshim nga PAN-i, LDK-ja nuk i ka as mëkatët vrastare dhe as hajninë zyrtare. Ajo është viktimë e lakmisë për pushtet, e një grupi vicioz, të cilët me shantazh e joshje, për interesa personale apo grupore, mëkatoi me nënshkrimet fatale, të programuara nga Hashim dallaverja.

Bazuar në rolin parësor të LDK-së, për bërjen e paqes dhe të luftës, si parti shtetformuese dhe të qeverisjes – me duar të pastra -, si dhe përformancën aktuale, pretendimi i nënkryetarit Gazmend Muhaxheri, për fitoren e mundshme të partisë së Rugovës, ka bazë reale. Sondazhet e herëpashershme, të cilat e nxjerrin LDK-në si subjektin e tretë elektoral, duken absurde, kur dihen të bëmat numerike kriminale të PDK-së, si hajnia industriale dhe përgjakja e Kosovës, gjatë dhe pas luftës, me vrasjet katër-shifrore të kundërshtarëve politikë shqiptarë.

Propaganda lehaqene, tipike enveriste, se gjoja PDK-ja është parti-shtetformuese; se ajo  bëri luftën, duke agjituar për përvetësimin e luftës faktike të FARK-ut, deri në mohimin e këtij formacioni ushtarak vendimtar, në legjitimimin e luftën çlirimtare të Kosovës, është absurd. Edhe -zogjtë e malit e dinë- se LPK-ja, përkatësisht, krerët hafije të shërbimeve të huaja, sabotuan luftën dhe nuk e angazhuan fare në luftën e Kosovës atë UÇK-në të LPK-së së tyre. Këtë e thonë dhe e faktojnë bindshëm vetë themeluesit e asaj “UÇK-je” imagjinare, fantomë!

Ikja e ballafaqimit të LDK-së, me partinë shkatërrimtare faktike të shtetit të Kosovës, siç është, pikërisht, PDK-ja, kjo e fundit po përfiton hapësirë, elektorat. LDK-ja është përqendruar në sulmin frontal të drejtë opozitar karshi pozitës, duke synuar vendin e parë. Por, herë-herë edhe me kritika paushalle, kur përsëritë slloganin e PDK-së se “ne kishim vu rend e ligj, duke ushtruar sovranitet të plotë në veiun e Kosovës!” Pra, e përsërisim, si shembull domëthënës, duke lavdëruar dhe rehabilituar Hashim Thaçin, me bandën e tij, edhe pse në vitin 2018 Serbia kishte hapur 6 (gjashtë) filiale ilegale bankare në veriun e Kosovës!

Është logjike që LDK-ja të luftojë për pozicionin e parë politik në Kosovë, duke mos anashkaluar mundjen e PDK-së dhe një koalicion përjashtues me partitë-banda të PAN-it. Këto subjekte politike, të kontrabanduara jashtë ligjshëm në jetën politike të Kosovës, shrfytëzojnë çdo rast e mundësi, për ta sulmuar dhe denigruar LDK-në, ndërkohë që kjo e fundit heshtë, sikur nuk po ndodhë asgjë! Kulmojnë me cinizëm kur përsërisin falsifikueshëm se “ne jemi parti shtetformuese; parti të luftës; parti të dala nga lufta; FARK-u nuk ka ekzistzuar dhe broçkulla të tjera idioteske. Rrjedhimisht, LDK-ja, vullnetshëm, po i lënë parësinë PDK-së. Dhe, kjo do të ishte zhgënjyese për anëtarësinë, elektoratin e LDK-së.

Vijat e kuqe, madje rrast të retushuara, ndaj subjekteve përgjakëse dhe pazarxhinj të Kosovës, duhet të jenë guidë dhe parim për rikthimin prijës të LDK-së rugoviane. Kohë e mjaftueshme për të realizuar suksesin e pritshëm të rugovistëve luftëbërës dhe shtetformues.

Andaj, nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, njëherësh edhe kryetar shumë i suksesshëm i komunës së Pejës, ka të drejtë në entusiazmin e tij se ngadalë, por me hapa të sigurtë LDK-ja është në procesin e bashkimit të anëtarësisë dhe, normalisht, mund të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme të Kosovës, natyrisht, duke zgjedhur partner idealistë, që prosperimin e Atdheu-Kosovë e vënë mbi interesat partiake.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok