VITET E NËNTËDHJETA, VITE TË KRENARISË PËR SHKOLLËN SHQIPE

-Bashkëpunimi i dy degëve të LASH-it “Naim Frashëri” gjatë pesë viteve (1990-1995)

Nga Prof. ADEM GECA

-Është vlerë e pamohueshme e forumit të intelektualëve “Luigj Gurakuqi” të Klinës, i cili organizoi dhe po e zhvillon (3 shtator 2022) këtë Sesion, kushtuar Arsimit shqip përgjatë viteve të 90-ta në Klinë e rrethinë, andaj u jemi mirënjohës e veçanërisht për kryetarin e tij z. Pal Canaj.

-Përshëndetje të përzëmërt Ministrit të Parë historik të Arsimit, dhe kryetar i LASH-it të Kosovës, z. Rexhep Osmani!

-Përshëndes ish Drejtorin e Entit Pedagogjik të Kosovës, z. Halim Hyseni!

-Si dhe, përshëndetje për të gjithë Ju pjesëmarrës të këtij eventi shumë të qëlluar!

Të flasësh në retrospektivë kohore na është paksa e vështirë, por ngjarjet nëpër të cilat rrethana u zhvilluan ato punë dhe angazhime në të mirën e Shkollës shqipe, nuk harrohen, pavarësisht kalimkohës, e sidomos për ato zhvillime të cilat tani na janë pasuri e historiografisë kombëtare dhe sot i kemi parathemeltare të shtetësisë së Dardanisë së çliruar. Këtë e dëshmon përballja e drejtpërdrejt me sunduesin dhe ligjet diskriminuese të tij, në formën institucionale të formuara nga elita kombëtare shqiptare, e të cilat dolen fitimtare përballë atij sistemi antishqiptar.

Roli ministror i LASH-it “Naim Frashëri” Dega në Istog në ndërtimin e sistemit të pavarur të arsimit istogas dhe bashkëpunimi pesëvjeçar me Kryesinë e degës së LASH-it në Klinë lanë gjurmë të pamohueshme në të mirën e brezave në vijim. Kishim një bashkëpunim të pashkëputshëm dhe shumë konstruktiv.

Vitet e 90-ta ishin vitet më të rënda të rrugëtimit të arsimit shqip në Kosovë dhe të mekanizmave bartës, si institucionet profesionale, shkollat, arsimtarët, nxënësit dhe prindërit. Ishim para një përballjeje të jashtëzakonshme, andaj dhe kërkoheshin edhe angazhime të jashtëzakonshme, sepse po kishim të bënim me fatin individual dhe kolektiv të gjeneratave që po na vinin. Kësaj domosdoshmërie kohe i doli përballë LASH-i, në të gjitha nivelet në tërë Kosovën.

-Themelimi i LASH-it, fillimi i formësimit të shtetësisë dhe Shkollës së pavarur shqipe

Më 12.12. 1990, në shkollën  fillore “Meto Bajraktari” në Prishtinë u themelua Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri”. Në emër të Këshillit nismëtar Kuvendin e hapi Munish Hyseni. Për statutin dhe programin fjalen e rastit e mbajti Raxhep Osmani. Kryetar i LASH-it u zgjodh Rexhep Osmani, për arsimin fillor, për atë të mesëm Shyqëri Obertnica, ndërsa për arsimin universitar, dr. Hajrullah Koliçi. Kjo Kryesia dhe kjo udhëheqje mori përgjegjësi historike duke udhëhequr, dhe, menjëherë bëri strukturimin në degë nëpër komuna dhe në nëndegë nëpër shkolla.  Brenda tre muajve, jo vetem në Kosovë, po dhe në të gjitha trojet shqiptare u bë një veprim i tillë jetik dhe i domosdoshëm për kohën dhe rrethanën.

Në Istog, me iniciativen e Kryesisë së LASH-it në nivel Repiblike, më 15.03.1991 u thirr Kuvendi themelues i Degës së LASH-it. Këshill nismëtar ishin këshilltarët pedagogjik për Regjionin e Pejës: Nimon Mulliqi, Bajram Ahmetxhekaj dhe Beki Kurti. Kuvendi u mbajt në shkollën fillore “Ismail Qëmali” në Saradran. Dhjetë shkollat istogase derguan nga dy delegatë. Me vota unanime të Kuvendit për kryetar të LASH-it, Dega në Istog, u zgjodh delegati nga Qendra Arsimore në Istog, Adem Geca. Gjithashtu u formua edhe Kryesia. Kjo Kryesi dhe kryetari i saj u gjeten të nesërmen në terren, shkollat istogase ishin me drejtori të dhunshme e me ish drejtorë shqiptarë të suspenduar nga sistemi i dhunshëm. Një numër sish kishin vendime nga gjykata serbe në Istog, që për 200 metra e kishin të ndaluar të gjendëshin në asfërsi të shkollave.

Detyra e parë e jona ishte, bërja e shkollave istogase me drejtorë. Brenda dy muajve  dhjetë shkolla u bënë me drejtorë, falë angazhimit të Kryesisë së LASH-it. Motoja e zgjedhjes së drejtorëve ishte, se drejtorin për herë të parë në historinë e shkollës shqipe e zgjedhë vetë kolektivi dhe askush tjetër. Kështu, për drejtorë shkollash në Istog u zgjidhen nga kolektivet përkatëse.

Pas zgjedhjes së drejtorëve, si kudo nëpër Kosovë, edhe ne në Istog na u ngarkua barra e përfundimit të vitit shkollor 1990/91, me dëftesa ekzistuese të së kaluarës dhe në vend të vulave të bëhet me faksimile katrore… Autorizimin për bërjen e faksimilit drejtori e mirrte me shkrim nga Këshilli i shkollës.

Të gjitha këto veprime bëheshin në koordinim me Kryesinë dhe kryetarin e LASH-it në nivel regjional, Pejë, Deçan, Klinë e Istog, kryetar Agim Berdyna. Takime në nivel Regjioni bëheshin për çdo javë në Pejë. Gjatë kohës përsa Agimi mbahej në burg, udhëheqjen e Degës në Pejë e bënte Selman Etemi, i cili e bartte funksionin e nënkryetarit, e, që na ishte i rrebt, i përpiktë dhe hiq tolerant.

Viti shkollor 1991/92, vit historik për arsimin shqip në Kosovë, filloi me vonesë. Shkollat ishin të kyçura (mbyllura) me dhunë nga pushtuesi serb. Protestat para shkollave nuk sollen lirimin e lokaleve, andaj më 20 janar, me vendim të Ministrisë së Arsimit në ekzil dhe miratimin dhe pranimin e kësaj edhe nga LASH-i, në të gjitha nivelet, mësimi fillon nëpër ‘shtëpitë’ shkolla. Me gjithë vështirësitë që na dilnin në shteg të pavarësimit, shkolla shqipe u nis drejt shtegut të shumëpritur. Më 31 janar 1992, një javë pas fillimit të mësimit nëpër ‘shtëpitë’ shkolla në fshatin Uçë ranë dëshmorë në mbrojtje të nxënësve: Muharrem Hysenaj, Bajram Hoxhaj dhe Hasan Hysenaj, duke i lënë edhe dy të plagosur, Azllan Hysenaj dhe Osman Hysenaj. Ata shkuan në përjetësi, ndërsa më të vendosur vazhduam në misionin tonë të shenjtë, me betimin se, s’ka të ndalur. Me këtë rast nuk do flasim për biseda informative, të rrahurit, të malltretuarit, se rastet na janë të shumënumërta.

-Pragu i Qershorit 1991/92 kërkonte mobilizim shtesë

Fatmirësisht në mbështetje kishim popullin dhe partitë politike, ku secili bënte punën e tij.

Në prag të përfundimit të vitit shkollor 1991/92, para nesh si LASH dolen dhe këto detyra:

Ndërrimi i emrave të shkollave që kishin emra me ngjyrime nga e kaluara si antishqiptare. Dhe këtë e bëmë. Puna filloi nga poshtë lartë, sa vijon: Këshillit qendror kompetent, në krye me LASH-in, nga secila shkollë i shkonin tre emra. Një emër e propozonte kolektivi, një nxënësit dhe një prindërit. Kështu për një kohë të shkurtër shkollat istogase por dhe në Klinë u bënë me emërtime shqip.

-Për herë të parë në histori, paisjet dhe dokumentacioni shkollor me identitet edhe kombëtar

Dalja e dëftesave dhe diplomave të para me Shqiponjën dykrenare në mes dhe vulave me logon Rapublika e Kosovës dhe bashkëpunimi i ngushtë me degën e LASH-it në Klinë, konkretisht me kryetarin Selman Etemi, i cili ishte edhe drejtor në shkollën “Azem Bejta” në Grabanicë, u bë kjo e realizueshme.

Selman Etemi, si kryetar i LASH-it në Klinë, por dhe nënkryetar i Degës të nivelit regjional të Pejës, kishte marrë përsipër në obligim të shumë punëve me plot sakrifica në nivel të Regjionit të Dukagjinit, një nga të shumtat edhe sjelljen e dëftesave e diplomave nga qendra (Prishtina) por dhe sistemimin e materialeve nëpër punkte dhe vende të sigurta, së pari në Klinë, e mëpastaj ato të shpërndaheshin për katër komunat në nivel Regjioni (të Pejës).

Për Istogun ishte një ndihmesë e madhe, e, kështu shpresuam dhe kështu edhe na doli. Po bëj veçim rasti nga shumë të tjerë: Agim Berdyna na njoftonte se, nesër, jo më herët, e as më vonë, duhet të tërhiqen dëftesat nga shtëpia e Selman Etemit në Grabanicë të Klinës. U vura në “alarm” se, si të kontaktoja me Selmanin. U krijua mundësia disi, dhe ramë në gjurmë të një telefoni ajror, dhe bëmë kontakt. Bisedat duhej bërë edhe me nënkuptime se, frika ishte nga përgjimet. P.sh., për rastin e dëftesave: ”Selman, për qat hall që e kemi me ty, kur dhe ku mund të kontaktojmë me ty”. Selmani shkurt: “Nesër, në Grabanicë, as pesë para pesëve, as pesë pas pesëve”. Të nesërmen siguruam një makinë dhe vozitësin, Agim Çeta. Bashkë me Bajram Berishën e Zeqir Mehmetin (tani në Radio Fontana), në ora fiks pesë të mëngjesit, u gjetem para shtëpisë së kryetarit të LASH-it Selman Etemi, në Grabanicë komuna e Klinës. Pakot me dëftesa dhe diploma i vendosem shpejtë në makinë të Agimit dhe u nisem për në Trubuhoc të Istogut. Selmani me makinën e vet gjithnjë na përcillte deri tek binarët e trenit (në Klinë) për preventivë. Ai thoshte: kur e lëmë rrugën për Prishtinë, përcillne sinjalin e frenave pas. Po u rashë tri herë, kthehuni menjëherë …Zoti ju ndihmoftë…!

Kështu bartjen e dëftesave dhe të diplomave nga Grabanica e kam bërë përgjatë katër viteve me radhë. Dhe mund të them se, Grabanica (Selmani) ishte vendi kyq për shpërndarjen e gjithë dokumecionit shkollor dhe pedagogjik, pra: Prishtinë Grabanicë, e më pastaj Pejë, Istog e Deçan.

Kryetari i Degës në Klinë (Selmani) pati edhe sprova tjera: me t’u kthyer nga mbledhja e LASH-it që u mbajt në Strellc të Deçanit, në fshatin Pavlan pëson ndeshje frontale me një veturë që në të ishin dy serbë të dehur dhe, makina tërësisht i dëmtohet, me të ishin edhe Sami Krasniqi (anëtar i Kryesisë së LASH-it në Klinë) e Ajvaz Bacaj (drejtor shkolle në Gremnik dhe aktivist në mirëvajtjen e proceseve arsimore). Herën e dytë, duke i sjellur ditarët për shkollat e Dukagjinit, duke u kthy nga Prishtina, tek Kodra e Goleshit (Kroi i Mbretit) pëson ndeshje dhe makina përplotë me ditarë shkollash për Regjionin e Pejës rrokulliset në humnerë poshtë rrugës, por ditarët të nesërmen ishin në destinacionin e duhur, me të ishte edhe Agim Berdyna. Herën e tretë, në fshatin Krushevë të Klinës, prap fatkeqësi: me makinën e vet përplot me material dhe tekste shkollore, të dedikuara për Istog, pos që i dëmtohet makina,  obligohet nga pronari (shqiptar) që t’i shpërblehet (paguhet) ajo kafshë 300DM dhe ta vazhdonte rrugën! I them këto raste, sepse puna dhe ai aktivitet kishte edhe kosto të mëdha (pos rrezikshmërisë) e që këto Selmani i mbulonte vetë. Asnjëherë ky Kryetar nuk e ka shfrytëzu asnjë metelik (dinar) për shpenzimet në udhëtim, organizim dhe transport të materialeve. E këtë e bënim pothuaj të gjithë, por ky na ishte më i ngarkuari dhe i palodhshmi, andaj dhe na ishte shembull unikat për atë kohë. E të mos flasim për rrahje e malltretime të shumënumërta që i kishte.

I veçantë është edhe rasti kur e zunë policia serbe në Kliqinë të Pejës, e ku në veturën e vet i kishte edhe 1200 Abetare për shkollarët fillestarë. Thirrja në bisedat informative nga ai pushtet policor, të cilat i kishte të shpeshta, nuk e zbrapsnin së vepruari.

Vlenë ta them se, sipas raporteve në nivel të Kosovës, komuna e Klinës paraprinte me organizimin paralel të mësimit, përkundër dhunës së ushtruar nga ai pushtet okupator, e sidomos juve të komunës tuaj ishit më të atakuarit.

Edhe organizimi i mësimit nëpër shtëpi private ishte shembull për të mirë në nivel të komunës tuaj, e kjo bëhej falë Kryesisë së LASH-it, Aktivit të drejtorëve, partive politike, Sindikatës së Arsimit, etj, të cilat bënë gjithë të mundurën që mësimi shqip të ketë suksese sa më të arritshme. Këtu, tek ju, bashkëpunimi i Degës së LASH-it me subjektet e tjera në nivel të komunës, ishte një shembull i mirë edhe për ne të komunave të tjera, pra reflektonte unifikim shembullor. Gjithashtu, koordinim të mirë LASH-i në komunën tuaj kishte edhe me Forumin Rinor të LDK-së në Klinë, e veçanërisht me kryetarin e Komisionit për Arsim e Kuadër dhe kryetar i Komisionit për Informim të këtij subjekti, z. Florim Zeqa, i cili pos tjerash, ndihmë kishte dhënë edhe në plotësimin e vendeve vakante nëpër shkolla, qoftë edhe me studentë, sepse në atë kohë kishte mungesë kuadri arsimor. Florimi ishte edhe dijedhënës në shkollën “Azem Bejta” në Grabanicë. Këto konstatime mbështetje kanë raportet e asaj kohe të nivelit regjional.

Për shkollat istogase, vitin e dytë dhe të tretë, dëftesat dhe diplomat nga shtëpia e Selman Etemit i kam bartur me makinën e Musa Blakajt dhe vozitës Musa si dhe me Bajram Berishën, drejtor në shkollën e Saradranit. Kjo për kohën ishte një punë me plot përgjegjësi dhe vështirësi. Se, kishim survejime dhe plot pengesa nga ai pushtet i instaluar dhunshëm.

-Tërheqja e dëftesa për herën e katërt rast paksa i veçantë

Hera e katërt, e që duhej ikur shpejt dhe pa pritur për në Grabanicë për dëftesa, ishte një rast që s’mund ta kaloj pa e përshkruar shkurtimisht, se, me këtë rast dëftesat dhe Selmani ishin në rrezik nga policia serbosllave e Klinës, dëshmitarë të kësaj ishim edhe ne istogasit të ngarkuar për kryerjen e kësaj pune.

Ishte diku kah ora tetë paradite, dhe, isha mu në qendër të Banjës (së Pejës), ku edhe jetoj. Enver Gashi, një ish polic, nga lartë ma bën me dorë, mbasi me pa se po e prisja autobusin për në Vrellë. “Prof, u nisa tek ti, dhe mirë u bë që të takova. Urgjent duhet të nisesh për në Grabanicë të Klinës. Pas orës dymbëdhjetë do të është shumë vonë! Kështu, nga telefoni e ke këtë porosi prej axhës Mustafë”. Eu, po ç’më paska vënë në pozitë të palakmueshme, s’kam për momentin as makinë, dhe s’di si t’ja bëj hallit?! Enveri: “prof, lujti nafaka, ja po vjen me makinë miku im Zymer Krasniqi i Osdrimit” (ish mësues, e tani dëshmor i kombit). Përshëndetjes i ramë shkurt dhe u nisem për në Grabanicë, por kah Peja. Fatkeqësisht bëmë dy orë derisa mbërritem në vendin e duhur (Grabanicë). Atë ditë po vete Papa Pavli në Klinë, për një inagurim të një kishe, andaj nga Peja nja dhjetë herë na ndaluan policët e atij rezhimi totalitar. Me të mbërritur në Grabanicë, takuam Selmanin, ishte në pritje të arritjes tonë aty. “Eu bre, u vonuat! Dëftesat i dërgova në deponë “Nëna Tereze” në Klinë, sepse janë indikacionet se mund edhe të ndodhë farë bastisje nga policia tek unë”. Ikim të gjithë bashkë për në Klinë. Pati ndalesa përgjatë rrugës. Na u duk se i bëmë 10 orë udhëtim deri tek depoja e shoqatës “Nëna Tereze”. Pakot me dëftesa i futem në bagazhin e makinës dhe, Selmani na la në një parking e shkoi deri te binarët e trenit në drejtim të Gurrakocit të shoh gjendjen. Po çfarë të shihte, në atë moment përplotë policë pothuaj në të gjitha këndet. Bënin bastisje një nga një të makinave në atë drejtim. Selmani na preferoi që ta lëmë makinën dhe, të gjithë bashkë të hyjmë në një vetëshërbim, që gjendej aty afër. Ashtu edhe vepruam. U njoftuam se edhe në dalje nga Klina në drejtim të Pejës kishte poashtu ndalesa dhe bastisje. Gjatë qendrimit në atë vetëshërbim, kur një zë jehoi nga një kënd në gjuhën serbe: “Hej, kryetar si je, si po shkon Arsimi”?! Selmani: “Si është më së miri, ashtu siç po dojmë vetë” aty për aty ia ktheu kryetari i LASH-it të Klinës, Selmani. Unë pyes Selmanin se kush na është ky bre?! “Adem, a ke pare me veti? Po, kam. I kam 10 DM. “Pra, fillo me Zymerin që të bleni diçka, që të reflektojmë qëllimin tonë për kinse blerje, se qenkemi nën përcjellje”. Pasiqë ishte edhe pragfesta e Bajramit, neve filluam që të marrim artikuj kinse të duhur. Mësuam, se ky që parashtronte pyetje, e që na mbante nën vëzhgim, ishte nga sigurimi i pushtetit serbosllav, i cili me pa dashjen tonë, na shtyri të i shpenzojmë bashkë me Zymerin nga 10 MD. Kur u largua ai farë udbashi serb, Selmani thotë: “lëni gjërat e blera në makinë e, ejani pas meje”. Shkuam në restorantin “Fontana”. Aty takuam një që e njihshim që të tre, ishte Alush Agushi me dy të tjerë. Me të na vërejtur, na ftoi të ulemi tek ta. Pasiqë njiheshin me Selmanin, iu treguam hallin. “Mirë de, hani drekë njiherë, e pastaj shofim si t’ja bëjmë”. Drekimit iu përgjigj me pagesë Alushi. Bashkë me Selmanin kah tregu i kafshëve e deri në fshatin Videjë e nëpër fshatin Terstenik na përcollen dhe, siç thonë, pa therrë në këmbë, por jo edhe pa mund, kaluam thellë në fshatrat e komunës së Istogut. Pra, ky qe një udhëtim alternativ i mundshëm.

-Shprehja e mirënjohjes na është obligim moral e shoqëror

Dhe, sot e asaj dite, unë si kryetar i LASH-it për Degën në Istog, i jam mirënjohës bashkëveprimit dhe ndihmesës në vazhdim të kryetarit të LASH-it në Klinë Selman Etemit, i cili pa kursyer bëri gjithë të munduren në të mirën e Shkollës shqipe përgjatë viteve më të vështira, veçanërisht në Regjionin e Pejës me katër komuna. Po ashtu, iu jam mirënjohës të gjithë anëtarëve të Kryesisë së Degës së LASH-it në Klinë, e në veçanti kryetarin e saj, të cilët bënë punë shumë vlerëmëdha në ruajtjen dhe triumfin që Shkolla shqipe të mbijetojë përballë atij pushteti okupues. Edhe pas kaq shumë vitesh ruaj respektin mirënjohës sidomos edhe për këta bashkëveprimtarë të rryer në të mirën e Arsimit shqip gjatë viteve të 90-ta: Xhafer Bashotën, Prend Buzhalen, Hajdin Morinën, Mikel Gojanin, Sami Krasniqin –i ndjerë (të pestit anëtarë të Kryesisë), Idriz Dushin, Prenk Gjetajn, Ramadan Krasniqin, Zenun Zeqën, Hysni Elshanin, Hamit Shalën –i ndjerë, Ilaz Gashin –i vrarë në Luftën e fundit, Ajvaz Bacajn, Dulaman Gashin –i ndjerë, Prend Culajn, Lekë Grabanicën, Abaz Durakun, e shumë të tjerë.

Falenderoj familjarët e familjes Etemi në Grabanicë, në të cilën shtëpi në fillimmars të vitit 1991, u bë themelimi i LASH-it për Klinë, dhe këtu u mbajt Kuvendi me përfaqësues nga të gjitha shkollat e kësaj komune (nga dy të deleguar) dhe, mund të them se, edhe për vetë Istogun barti rrezikshmërinë që edhe komuna jonë të jetë realizuese e të gjitha punëve ashtu siç ishin paraparë nga niveli qendror i LASH-it të Kosovës, me në krye Rexhep Osmanin. Sepse nga këtu furnizohej me material pedagogjik e arsimor i tërë Regjioni i Pejës, dhe rrezikshmëria ishte tejet e madhe. Material ky, që sillej prej Prishtine kryesisht nga vetë Selmani kryetar i LASH-it në Klinë dhe njëkohësisht edhe drejtor në shkollën “Azem Bejta” të Grabanicës, e, që presione e malltretime nga ai pushtet okupues kishte edhe për tentativën e hjekjes së emrit të kësaj vatre arsimore, por asnjëherë s’u arrit një gjë e tillë, falë qëndresës së tij dhe të kolektivit shqiptar të shkollës e qytetarëve të Bashkësisë Lokale të Grabanicës.

Kështu, ne Selmanin e kishim për çdo rast që duhej kontaktuar dhe bashkëvepruar në kryerjen e punëve për mirëvajtjen e Shkollës shqipe me plot halle e vështirësi të kohës. Punë kjo, e cila u bë për disa vite rresht, falë gatishmërisë edhe të këtij miku e bashkëveprimtari të pathyeshëm, që pas tij kemi ecur dhe vepruar, pavarësisht në çfarëdo vështirësie apo pengëse që hasnim. Andaj them që, me Selmanin ishim bashkë në ato ngjarje, e që s’ishin të vogla e të pakëta dhe asnjë për t’u nënçmuar, dhe ia dolem faqëbardhë. Çdo suksesi i gëzoheshim. Pas vetes kishim armatën e mijërave arsimtarëve që s’dinin të ndalur, dhe nxënësit e prindërit e tyre që na mbështetnin në çdo hap.

Ndoshta, për ata që nuk ishin nëpër këto rrjedha, por edhe atyre që nuk i përkasin atij brezi veprues, këto të dhëna dhe dëshmi mund t’u duken paksa jo me peshë, por këto ishin e vetmja forcë konkrete institucionale në përballje me atë sundues të pamëshirshëm.

Gjithashtu, falenderoj Familjen dhe familjarët e Sami Krasniqit, nga fshati Zajm, në të cilën gjenim strehim dhe përkrahje të pashoqe në organizim të veprimeve të mëtejme, e ai vetë ishte edhe anëtar Kryesie në Degën e LASH-it të Klinës.

Falenderoj vlerëmadhin Idriz Dushin, mësuesin që na ipte forcë dhe kurajo në veprim. Studioja e tij në Klinë na ishte vendtakim por dhe strehim sipas nevojës, e, këtë e dëshmon edhe kjo foto, nga tubimi konsultatin për zhvillimin e mëtejm për organizimin e mësimit përballë rrebesheve pansllaviste të kohës:

Ishim bashkë në ato ngjarje, e që s’ishin të vogla, dhe assesi s’janë për t’u nënçmuar. Sot historiografia e jonë i ka pasuri në vete. Janë të bëma dhe suksese, po edhe deshe, s’mund të humbasin. U gëzuam në sukseset tona të arritura, por dhe u pikëlluam shpesh. Në çdo hap mund të na pikaste më e keqja, por të gjithë bashkë ia dolem, dhe për këtë ndjehemi krenarë. Kjo armatë e dijedhënësve përgjatë atyre viteve shumë të vështria, nuk punoi dhe sakrifikoi për mirënjohje e dekorata që sot t’u ipen, por ajo do reflektonte respektin dhe mosharresën për atë sakrificë dhe punë kolosale kombëtare.

Në këtë shkrim të shkurtër, është e pa mundur që të përfshihet gjithë ajo punë kolosale dhe ai sukses i arritur në dijedhënie, por dhe që të mbijetojë Shkolla shqipe në komunën tuaj, por duke iu falenderuar të gjitha subjekteve të përmendura dhe jo vetëm emrave të prezantuar, ia dolët, dhe keni mirënjohjen dhe respektin istogas, sepse ju kishim model të veprimit në atë kohë.

Iu mbetem borxh edhe shumë emrave të miqëve bashkëveprimtarë të asaj kohe, që në komunën tuaj ishin shembull dhe flamurtarë të kryerjes së punëve nëpër flakën e pushkës që, Shkolla shqipe t’i kryej proceset e parapara edukative dhe arsimore përballë atij okupimi klasik policor serbosllav. Por, monografia që është në përfundim e sipër, për komunën e Istogut, do të dedikojë hapësirë të veçantë edhe për të dëshmuarit e tjerë, sepse vepra i bën të paharruar.

(Kjo më është kumtesa e përgatitur për Sesionin e mbajtur në Klinë, më 3 shtator 2022, kushtuar Arsimit shqip gjatë viteve të 90-ta në këtë komunë).

Dërguar për botim nga Florim Zeqa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *