04/12/2024

VETË E NDEZE, TA NDEZTË DREQI

0
Hamza Halabaku 1

Tregim humorsitik nga Hamza Halabaku

Ishte e diela e parë e vjeshtës kur ndodhi ajo që më kujtohet si sot! Në oborrin e axhës Rrahë, që nuk ishte shumë larg nesh, shkonte valë-valë një flakë e ndritshme. Edhe pse ishte mesditë e kthjelltë, shkëlqimi i flakës që dilte nga mëhalla e axhës Rrahë dukej shumë mirë nga vendi ku isha unë. Flaka dhe vrapi i disa fshatarëve në drejtim të asaj mëhalle, si i ri që isha, më bënë përshtypje. Edhe pse isha këmbëzbathur, kureshtja ime rinore më shtyri që me vrap të shkoja e të shihja çka po ndodhte në mëhallën e axhës Rrahë!

Më vonë mora vesh se axha Rrahman, që shkurt të gjithë i thoshin Rraho, pak ditë më parë i kishte tubuar bijat që përherë i merrte me qerren e re me goma, që i pari në fshat e kishte ble, si thoshte ai, në tregun e Prizrenit. Qerren e axhës Rrahë e tërhiqte kali i tij pullali, që të gjithë ia kishin lakmi se ishte kalë i hijshëm, i shpejt dhe i fortë.

Axha Rrahë i kishte tubuar gati të gjitha bijat. Ishin ato bijat në vijën vertikale të familjes. Ai i tubonte, përherë, edhe ato të vijës horizontale. Ishin aty vajzat e tij, pastaj motrat, halla e mbesa e ndonjëra nga ato kushërirat e afërta me të cilat u pëlqente fort muhabeti. Pa tjetër, aty përherë ishte edhe Drita, që ishte kushërira e brezit të dytë, me axhën Rrahë, po që i vëllai i saj kishte kohë të gjatë që ishte punësuar përkohësisht në Gjermani dhe gjatë verës nuk ishte, gati, asnjëherë në vendlindje.

– Më vjen keq ta ndajmë Dritën. Nuk e kemi të  largët, – thoshte përherë axha Rrahman. E vërteta ishte se axha Rrahë ishte bujar i paparë në fshatin tonë.

Dy herë në vit, jo vetëm axha Rrahë, por të gjithë kryefamiljarët e familjeve të fshatit i tubonin bijat dhe ato kënaqeshin secila në rrethin e familjes së vet. Shkonin e i merrnin me të gjithë fëmijët në pranverë, pak para, ose dy tri ditë pas Shëngjergjit dhe një herë në vjeshtë pasi i mblidhnin, gati, të gjitha prodhimet e të lashtave të motmotit.

Atë të diel, kunata e Rrahes kishte vendosur të gatuante flija. Dita ishte e mirë e me diell. Që në mëngjes, në qiell, nuk dukej asnjë re. Bijat ishin gëzuar që  atë ditë do të gatuheshin flija, jo pse ato nuk i kishin nëpër shtëpitë e tyre, por se flijat do t’ua gatuante kunata e axhës Rrahë që në tërë lagjen ishte e njohur për gatime.

– Rrini rahat e kënaquni, – u kishte folur ajo bijave. – Do ti thërrasim edhe bijat e axhës Ramë. Do ta bëjmë një pasdite të këndshme. Kur ti qes renat e fundit të flijave, njëra nga ju do ta përgatit çajin. I kemi edhe dy pjepër të mirë që i kam ruajtur për juve. I kemi gati të gjitha llojet e pemëve në bahçen tonë e do të kënaqemi këtë pasdite si thuhet “me kafe e llafe” – kishte folur kunata e axhës Rrahman.

Sapo kishte filluar gatimin, në dy tepsi kishte shtrirë nga pesë a gjashtë renda të qullit të flisë, kishte dalë një erë e lehtë nga ana e veriut.

– Uh, të keqen Hana, – kishte folur kunata e axhës Rrahë. – Kjo erë, e bekoftë i madhi Zot, do të më nxjerrë telashe gjatë gatimit.

Vendin ku po gatuante ajo, nga të tri anët e rrihte përherë era ngado që vinte ajo… Edhe pse me kujdesin më të madh, Hana e barte saçin nga oxhaku ku ndizej zjarri dhe e vendoste mbi tepsitë me renat e flisë, se si kishte ndodhur që, edhe pse ishte erë e lehtë, ia kishte rrëmbyer dy-tri gaca prushi dhe, si për inat, sikur ti vendosje me dorë, i kishte lëshuar bash te mullari i kashtës që ishte e një viti më parë. Flaka sapo kishte filluar të përhapej me që kashta ku kishin rënë gacat ishte e një viti më parë. Ajo kishte mbetur nga dimri i shkuar, që kishte qenë një dimër i fortë e me borë të shumtë. Në lamë kishte edhe mullar të tjerë kashte, po edhe të sanës së re, që dy-tri javë më parë ishin vendosur aty ku vendoseshin përherë në anën lindore të oborrit me që nuk kishin arritur asnjëherë deri në atë kohë të ndërtonin plevicën e planifikuar shumë vjet më parë! Nuk ishte që nuk kishte me çka ta ndërtonte axha Rrahman,  por i mungonte fuqia punëtore.

Kunata e axhës Rrahë menjëherë i kishte lënë flijat dhe ishte nisur drejtë pusit me kovën në dorë që ta shuante flakën e sapo nisur. Ajo kovën plot ujë e hidhte në vendin ku flaka dilte me valët e saja të vogla, por derisa kthehej serish me kovën plot, flakët si për inat zgjeroheshin dhe rriteshin e rriteshin. Kova ishte e vogël e pusi nuk ishte edhe aq afër vendit ku po dilte flaka. Edhe bijat tani më ishin trazuar. Ato vraponin për të gjetur enë e për të sjellë ujë nga puset e afërta për ta shuar zjarrin.

Kishin filluar të vinin edhe fqinjët e parë kur e kishin vërejtur tymin duke parë rrezikun që u kanosej edhe atyre më të afërmeve. Me vrap secili me kovën e vet mbushte ujë në pusin e axhës Rrahë, po edhe nga puset që ishin afër. I kishin hequr edhe gardhiqet dhe mbushnin ujë ku gjenin pus të lirë.

Dikush kishte vrapuar te posta e fshatit për të bërë telefon që të vinin edhe zjarrfikësit. Po, ata ishin shumë larg nga fshati ynë e në fshat nuk kishim zjarrfikës. Së pari fqinjët më të afërt e më vonë edhe shumë fshatarë, posa e vërenin tymin në oborrin e axhës Rrahë, hynin pa thirrur fare në oborrin  e tij dhe secili sipas mundësive që kishte përpiqej të bënte të pamundurën për ta shuar zjarrin që sa vinte e rritej.

Edhe axha Rrahë në mundësitë e tija vazhdimisht përpiqej që sa më shpejtë të shuante zjarrin duke vrapuar dhe duke falënderuar të gjithë ata që shpejtonin pa u kursyer që ta pengonin përhapjen e mëtejme të zjarrit që për çdo moment dukej se rritej e rritej. Sa herë që axha Rrahë takohej me kunatën e cila vinte me kovën plot ujë e xha Rraha me kovën e tij të thatë shkonte për ta mbushur te pusi i fqinjit të tij, ajo kunata e djersitur bërtiste:

– Kuku Rrahman aga, kush na e futi, kush na e ndezi?!

– Vetë e fute, ta futtë dreqi, vetë e ndeze, ta ndeztë dreqi, – ia kthente axha Rrahman dhe vazhdonte me vrap për të sjellë sa më shumë ujë pa harruar t’i falënderonte të gjithë ata që përpiqeshin mos ta linin zjarrin të përhapej më shumë…

Ai vazhdonte ti falënderonte bashkëfshatarët që e ndihmonin në shuarjen e zjarrit dhe përsëriste fjalinë: Vetë e fute, ta futtë dreqi, vetë e ndeze, ta ndeztë dreqi!

E më vonë, shumë gjatë,

Në fshatin tonë një kohë të gjatë përdorej fjalia e axhës Rrahë, kur dikush e pësonte me gabimet e veta! “Vetë e fute, ta futtë dreqi, vetë e ndeze, ta ndeztë dreqi!”

PS

Nuk di a është koincidencë apo ngatërrim që emri Hanë të jetë edhe i një bije e edhe i zojës së shtëpisë, kunatës së axhës Rrahë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok