25/04/2026

U NDA NGA JETA AKADEMIK REXHEP QOSJA – Një figurë e madhe e kulturës shqiptare dhe zëri që nderoi Gjergj Fishtën

0
Shkreli-Qosja

Rexhep Qosja me delegacionin e parë të përfaqsuesve të Kosovës që vizituan Uashingtonin, prill, 1990, në shtëpinë e Dr Elez Biberajt në Virxhinia

Nga Frank Shkreli

Bota shqiptare e letrave dhe mendimit humbi një nga figurat e saj më të ndritura: akademikun Rexhep Qosja, studiuesin, shkrimtarin dhe intelektualin e angazhuar, e që për dekada me radhë ka ndikuar fuqishëm në formësimin e vetëdijes kulturore dhe kombëtare shqiptare.

I lindur më 1936, në Plavë-Guci nën Malin e Zi, Qosja u bë një nga zërat më autoritarë të albanologjisë dhe kritikës letrare. Veprimtaria e tij përfshiu një gamë të gjerë shkrimesh — nga studimet shkencore e deri te romanet dhe esetë — ku spikaste një mendim i thellë, analitik dhe shpeshherë polemizues, por gjithmonë i mbështetur në dije dhe përgjegjësi intelektuale.

Nga pikëpamja ime, një ndër dimensionet më të veçanta të veprimtarisë së tij ishte edhe thirrja për rivlerësimin dhe mbrojtjen e figurave madhore të letërsisë shqipe të përjashtuar nga regjimi komunist shqiptar sllavo-aziatik, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.  Por që deri në ditët e sotme, mbeturinat nostalgjike të atij regjimi kriminal vazhdojnë të përjashtojnë e të anashkalojnë Gjergj Fishtën dhe veprën e tij, duke filluar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë e deri tek institucionet e tjera akademike e shkencore, si në Tiranë ashtu edhe në Shqipëri.  Në këtë kuadër, të rivlersimit të figurave të ndaluara e të përjashtuar, admirimi i Akademik Rexhep Qoses për Gjergj Fishtën, zë një vend të rëndësishëm diskursin kombëtar. Në një kohë kur Fishta ishte lënë në harresë apo i anatemuar nga regjime të caktuara komuniste — ai shqiptar dhe ai si vëlla jugosllav, Qosja e ka vlerësuar hapur dhe shpesh At Gjergj Fishtën si një nga shtyllat themelore të kulturës shqiptare.  Se pa të, historia e letërsisë, por edhe ajo kombëtare nuk ishte shkencore , por vetëm një trung i gjymtuar. Ai e konsideronte autorin e “Lahutës së Malësisë” si një ndër përfaqësuesit më autentikë të shpirtit kombëtar dhe një monument të letërsisë shqipe që duhej studiuar dhe nderuar pa paragjykime ideologjike. Qosja e ka konsideruar Gjergj Fishtën si një lis mbi të cilin, për pothuaj gjysëm shekulli, fatkeqsisht, mbi të ranë rrufetë e dënimeve e përjashtimeve politike për një gjysëm shekulli e deri në ditët e sotëme. Por për fat të mirë – përjashto ideologët shqiptarë që ende kontrollojnë e përjashtojnë, zyrtarisht, figura të mëdha kombëtare –siç ka venë në dukje shpesh edhe Rexhep Qosja, At Gjergj Fishta mbetet se mbetet shkrimtari që populli nuk e ka harruar, pavarsisht, përpjekjeve të nostalgjikëve komunistë në Tiranë dhe në Prishtinë, për ta zhdukur atë nga kujtesa.

Në një intervistë me Dr Elez Biberajn, Shefin e atëhershëm të Zërit të Amerikës në gjuhën shqip (13 Qershor 1990), pyetjes se cili ishte vlersimi i tij për veprën e Gjergj Fishtës, Rexhep Qosja është përgjigjur kështu:

Elez Biberaj: Duket se në Kosovë ka filluar një fushatë për riabilitimin e Gjergj Fishtës. Në Shqipëri, Ismail Kadare ka kërkuar që të ribotohen veprat e Fishtës.  Si e vlersoni veprimtarinë letrare të Fishtës dhe përpjekjet për reabilitimin e tij?

Rexhep Qosja: “Ismail Kadare është jo vetëm poet e prozator i madh por edhe intelektual i madh, i çmuar dhe i dashur fort edhe në Kosovë. Mendimi i tij gjithmonë ka jehonë të madhe. Kërkesa e tij (Kadares) që të ribotohen veprat e Gjergj Fishtës ka shkaktuar vërtetë një valë shkrimesh për Fishtën në Kosovë. Fishta është një prej shkrimtarëve më të mëdhej shqiptarë. Me De Raden dhe Naimin, (Fishta) përbën tri majet e traditës letrare dhe kulturore shqiptare. Sado që disa vepra të tij të shikuara jo vetëm nga aspekti stilistik paraqiten si të vonuara, konservatore, në procesin stilistiko-letrar shqiptar. Por, pa studimin e veprës së Fishtës nuk mund të njihet drejt, as të paraqitet megjithë dinjitetin e saj artistik, letërsia shqipe e gjysmës së parë të shekullit tonë (XX).

Doktoratën kam dashur ta bëj për veprën e Fishtës, por nuk më është bërë e mundëshme ta regjistroj tezën në institucionet ku ajo duhej të mbrohej. Vepra e Fishtës, mjerisht, për 45-vjet (komunizëm) ishte ekskomunikuar prej letërsisë shqipe. Natyrisht, në dëmin e saj, të lexuesve të saj, në dëmin e kulturës shqiptare, përgjithsisht. Fishta duhet të kthehet atje ku e ka vendin, si vlerë e saj e madhe, që dëshmon mundësitë krijuese të gjeniut shqiptar”, është shprehur Rexhep Qosja në intervistën e tij me Dr Elez Biberajn, me 13 Qershor, 1990.

Tani, para se ndonjë lexues të reagojë duke thënë, po Qosja ishte “enverist”, more. Pikëpamjet e mia për Enver Hoxhën dhe krimet e tija kundër interesave të Kombit dihen për të gjithë ata që mund të kenë ndjekur dyzina nga shkrimet e mia modeste mbi periudhën e zezë kombëtare, pasojat sshkatëruese të së cilës ndjehen gjithnjë në shoqërinë shqiptare. Por, në mendimin tim, ky është një prej aspekteve më interesante dhe deri diku paradoksale të figurës së Rexhep Qosjes. Megjithse ai shpesh është akuzuar nga kritikët e tij për simpati ndaj sistemit të Enver Hoxhës, apo për qëndrime “enveriste” në rrafshin politik dhe ideologjik, roli i tij në reabilitimin e Fishtës është i pamohueshëm dhe historik. Për Qosjen, Gjergj Fishta ishte një vlerë kombëtare që qëndronte mbi partitë. Ai ka shkruar e argumentuar se një komb nuk mund të jetë i plotë nëse mohon “Homerin” e vet.

Qosja nuk ishte vetëm studiues i së kaluarës, por edhe një zë aktiv në kohën e tij. Ai u angazhua në debatet më të rëndësishme politike e kulturore, sidomos në periudhat vendimtare për Kosovën, duke mbrojtur të drejtat dhe identitetin e shqiptarëve me guxim intelektual dhe qëndrueshmëri morale. Vepra e tij mbetet një pasuri e çmuar për brezat që vijnë — një arkiv mendimi, reflektimi dhe angazhimi. Humbja e tij lë një boshllëk të madh, por trashëgimia që ai lë pas do të vazhdojë të frymëzojë studiues, shkrimtarë dhe lexues në mbarë hapësirën shqiptare. Në kujtesën kolektive, Rexhep Qosja do të mbetet si një figurë e pakompromis në kërkimin e së vërtetës, sipas tij, natyrisht, dhe si një intelektual që, mes të tjerash, kontribuoi në rikthimin e dinjitetit të figurave si At Gjergj Fishta, në panteonin e kulturës kombëtare. Të gjithë jemi duke pritur që dëshira e Rexhep Qosjes të çohet në vend, sepse ndalimi zyrtar i veprës së Fishtës vetëm po vazhdon zgjërimin e një hendeku të rrezikshëm midis kulturës zyrtare dhe asaj shpirtërore të Kombit shqiptar. Megjithë përpjekjet zyrtare në Tiranë dhe Prishtinë për të hedhur në harresë veprën dhe figurën e madhe të Fishtës, ndryshe nga regjimet majtiste sot në Shqipëri dhe Kosovë, shqiptarët jo vetëm në trojet e veta iliuro-arbërore por edhe kudo gjënden anë e mbanë botës, nuk e kanë harruar kurrë Gjergj Fishtën, duke kujtuar dhe mësuar përmendësh Lahutën e Malësisë, duke venë edhe jetë në rreyik kur Fishta ishte i ndalauar nga regjimet komuniste.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok