POLIFONIA NUK SHITET
Duke lexuar mendimet dhe shqetësimet e kompozitorit Aleksandër Peçi
Nga Albert Z. ZHOLI
Polifonia shqiptare nuk është thjesht një mënyrë të kënduari. Ajo është një univers më vete, një monument i gjallë i shpirtit kombëtar, një ADN kulturore që ka udhëtuar brez pas brezi deri në ditët tona. Ajo lindi dhe u rrit në trojet shqiptare, veçanërisht në Labëri, duke u bërë zemra dhe shpirti i maleve, i luginave, i jetës dhe i historisë sonë. Në këngën polifonike jetojnë kujtesa, dhimbja, krenaria, trimëria dhe mençuria e të parëve tanë. Prandaj polifonia nuk është vetëm muzikë; ajo është identitet. Kompozitori Aleksandër Peçi e konsideron polifoninë shqiptare si “mbretëreshën e Evropës dhe të botës”. Sipas tij, vlera e saj qëndron jo vetëm në lashtësinë, por edhe në kompleksitetin e jashtëzakonshëm artistik. Shtresat dhe mbishtresat melodike të saj ngjajnë me thellësinë e detit, me kontrapunktin e natyrës shqiptare, me dialogun e reve, maleve dhe tokës. Por pikërisht për këtë arsye lind pyetja: a mund të tjetërsohet një pasuri e tillë? A mund të shitet, të zbehet apo të mohohet atësia e saj?
Për shumë studiues, artistë dhe mbrojtës të trashëgimisë kulturore shqiptare, çdo përpjekje për të relativizuar origjinën e polifonisë përbën një cenim të kujtesës historike. Ata argumentojnë se ashtu si gjuha shqipe ka mbijetuar ndër shekuj, edhe polifonia ka ruajtur tiparet e saj autentike, duke mbetur një nga shenjat më të forta dalluese të kulturës sonë kombëtare. Është e vërtetë që popuj të tjerë kanë forma të ndryshme të këndimit shumëzëror. Kjo pasuron kulturën botërore dhe meriton respekt. Por origjinali mbetet origjinal. Kopja, sado e arrirë, nuk mund të zëvendësojë burimin. Në këtë kuptim, polifonia shqiptare mbetet një vlerë e trashëguar nga tradita ilire, arbërore dhe shqiptare, e ruajtur me fanatizëm në Labëri, Çamëri, në trevat arbëreshe dhe kudo ku kanë jetuar shqiptarët. Sot kërkohet më shumë kujdes institucional, më shumë studime shkencore dhe më shumë promovim ndërkombëtar për këtë pasuri unike. Polifonia nuk ka nevojë për sloganë, por për mbrojtje serioze, dokumentim shkencor dhe përfaqësim dinjitoz në arenën ndërkombëtare. Sepse polifonia nuk është vetëm këngë. Ajo është histori që këndohet, është lot që bëhet melodi, është kujtesë që shndërrohet në art. Dhe mbi të gjitha, është zëri i një kombi që prej mijëra vitesh ka folur, ka kënduar dhe ka vajtuar shqip. Një nga debatet që vazhdon prej vitesh lidhet me mënyrën se si është paraqitur kënga jonë shumëzërëshe në dokumentacionin ndërkombëtar. Sipas kompozitorit Aleksandër Peçi, problemi qëndron te përdorimi i termit “iso-polifoni”, i cili, sipas tij, krijon hapësira për interpretime që e lidhin këtë pasuri me tradita të tjera muzikore, si kori bizantin apo mitologjia e sirenave greke. Peçi argumenton se polifonia shqiptare është shumë më e lashtë se periudha bizantine dhe se rrënjët e saj duhen kërkuar në kulturën pagane të popullsive iliro-arbërore. Për të, ajo nuk është produkt i ndikimeve të mëvonshme fetare apo kulturore, por një krijim autokton i lindur në trojet shqiptare, i transmetuar brez pas brezi përmes kujtesës kolektive. Pikërisht për këtë arsye ai kërkon që institucionet shkencore dhe kulturore shqiptare të ngrenë zërin më fuqishëm për të sqaruar origjinën historike të polifonisë shqiptare dhe për të mbrojtur identitetin e saj të veçantë në forumet ndërkombëtare. Sipas tij, polifonia shqiptare nuk mund të shpjegohet përmes modeleve bizantine apo greke, sepse ajo ekzistonte shumë përpara tyre dhe mbetet një nga dëshmitë më të hershme të qytetërimit shpirtëror shqiptar kryesisht atij lab.
