TAKIMI IM I PARË ME GANI BAJRAMIN
Nga Hamza Halabaku
Ishte gjysma e dytë e muajit maj të vitit 1999, kur në qytetin Bajrojt (Bayreuth) të Gjermanisë, në Bavarinë Veriore, ishin vendosur disa familje të shqip¬tarëve të Kosovës, të cilët Bavaria i kishte marrë nga kampet në Maqedoni.
Ishte data 22 maj e ditës së enjte, kur unë mba¬rova mësimin plotësues në gjuhën shqipe për fëmijët e mërgimtarëve tanë në Coburg dhe u ktheva në Bajrojt (Bayreuth), ku mësimin e mbaja ditëve të premte. Shko¬va në familjen e Ruzhdi Gashit, i cili kishte ardhur në këtë qytet pak vjet më parë. Ai, si edhe shumë të tjerë, kishin lënë shtëpi e pasuri në Kosovë dhe kishin marrë rrugën e mërgimit për të shpëtuar nga presionet e pushtetit të atëhershëm të Serbisë.
Ruzhdiu ishte njëri nga prindërit e fëmijëve që u mësoja gjuhën shqipe, me të cilin më shkonte muhabeti dhe ndonjëherë edhe nuk shkoja në Nuremberg, pasi të nesërmen kisha mësim në Bajrojt (Bayreuth).
Atë mbrëmje të së enjtes, Ruzhdiu doli të më priste para derës së banesës, por, për habinë time, nuk më ftoi të hynim brenda. Më tha, njëherë do të shkojmë diku të rrimë pak, e pastaj kthehemi këtu.
Ai më tregoi se në Bayreuth kishte ardhur një numër familjesh shqiptare, si refugjatë lufte. Gjatë rrugës Ruzhdiu më njoftoi se në mesin e refugjatëve ishte edhe gazetari i gazetës “Rilindja”, Gani Bajrami. Më tha se ditën e parë që ata ishin vendosur aty, kishte shkuar dhe ishte takuar me Ganiun dhe pasi ishte interesuar ai, i kishte treguar se unë isha arsimtari që po punoja me nxënësit shqiptarë. Pastaj ai i kishte thënë se dëshironte të më takonte.
Ruzhdiu, si i kujdesshëm që ishte, donte që menjëherë ta realizonte premtimin që i kishte dhënë Ganiut.
Gani Bajramin, më shumë e njihja nga shkrimet në gazetën “Rilindja”, të vetmen gazetë informative të asaj kohe në gjuhën shqipe në Kosovë, por që peshonte shumë, me ndikimin e profesionalizmin e saj, dhe ndo¬shta shumë më shumë se të gjitha gazetat e tanishme së bashku. Gani Bajrami ishte njëri nga gazetarët e saj, që bënte shkrime me shumë përmbajte dhe herë-herë edhe shumët ë guximshme për kohën.
Arritëm në lagjen ku i kishin vendosur refugja¬tët kosovarë të luftës dhe u drejtuam në banesën e Ganiut. Pasi ra zilja, u hap dera. Me një bujari e ngroh¬tësi të pashoqe na priti “i zoti shtëpisë” me të gjithë anëtarët e familjes.
Ganiu u gëzua shumë që ishim për vizitë te ai. Pastaj ai na njoftoi për numrin e shqiptarëve që ishin vendosur aty dhe për secilën familje na tregoi se prej cilit vend vinte nga Kosova. Na tregoi, po ashtu, edhe për gjendjen e rëndë që e kishin përjetuar ai me familjen e vet të ngushtë e të gjerë në Fushë-Kosovë. Na foli për shumë ndodhi në Prishtinë dhe më gjerë në Kosovë, për jetën e rëndë të shqiptarëve atje… Na tregoi edhe për rrugën e rëndë e të mundimshme që e kishin bërë nga Prishtina e deri në Bllacën (e ferrit) në Maqedoni, që ndodhej menjëherë përtej kufirit me Kosovën. Edhe për peripecitë që i kishin përjetuar edhe aty dhe të tjerat derisa kishin ateruar në Aero¬por¬tin e Nurembergut. Tregoi se katër net i kishin kaluar në Fabrikën e Grundigut në Nuremberg, që ishte shndërruar në një qendër pranimi të refugjatëve dhe pastaj i kishin akomoduar në këtë banesë, ku tani ishim duke biseduar.
Derisa mua tinëzisht më tradhtonte ndonjë lot, Ganiu me një pjekuri të pashoqe dhe me durim të thellë e me urtësi të paparë na rrëfente rrjedhshëm për përjetimet e tij. Duke vërejtur ndjenjat e mia sentimentale, theksonte se kjo luftë do të jetë e fituar për ne.
Me gjithë lutjen e Ganiut që të rrija edhe për gjumë aty, Ruzhdiu këmbënguli se isha mysafir i tij.
Nga ajo mbrëmje e asaj të enjteje të fund¬ma¬jit, që u takova me Ganiun, shumë shpesh isha mysa¬fir i Ganiut. Shpeshherë bisedonim dhe qanim hallet deri vonë pas mesnate.
Shpesh ia pranonim njëri-tjetrit se kënaqësia ishte e dyanshme, ngase kishim për çka të bisedonim. Bisedat me Ganiun ishin shumë të dobishme për mua. Në radhë të parë, ishin biseda të sinqerta e të përze¬mër¬ta. Diapazoni që kishte Ganiu për politikën, kulturën e artin, arsimin e edukimin, mua më leverdiste, sepse aty gjenim shumë tema për t’i diskutuar, krahas hallit të përbashkët, se pjesë të familjarëve tanë kishin mbetur në Kosovë.
Ganiu me vete e kishte familjen e ngushtë, bashkëshorten dhe fëmijët, pos djalit të madh, i cili asokohe ishte në Gjermani, por shumë larg prej tij. Rrethanat e okupimit klasik të Kosovës dhe shpër¬thi¬mi i luftës kishin bërë që ata të ndaheshin më herët. Ganiu merakosej vazhdimisht për anëtarët e tjerë të familjes, prindërit, vëllezërit e motrat. Për disa kishte informacione se ku ndodheshin, e për disa nuk dinte asgjë.
Ishte e enjtja e dytë apo e tretë që isha te Ganiu, i cili përherë më priste me një ngrohtësi miqësore e bujari të madhe. E pyeta si zakonisht për shëndetin, problemet dhe, natyrisht, për lajmet që do t’i ketë marrë gjatë javës për familjarët dhe të afërmit e vet. Po dëgjoja përgjigjen dhe vërejta se Ganiun e tradhtuan emocionet, iu dridh buza e poshtme dhe në sy ai pashë lotët. Më tha se babën, Shabanin dhe vëllanë Hakiun, barbarët serbë ia kishin vrarë!
U stepa! Mbeta pa fjalë! Hetova se balli më ishte bërë akull. U përpoqa të gjeja fjalë që do t´ia lehtësonte dhembjen mikut tim Ganiut. Nuk dija, a t’i shprehja ngushëllime, apo ta inkurajoja se lajmet mund të mos jenë të vërteta. Natyrisht se e zgjodha të dytën, duke i thënë që të mos ngutej në përfundime të këtilla, se informatat mund të mos jenë të vërteta.
Por, Ganiu ishte këmbëngulës dhe ajo këmbë¬ngulje më detyroi t’ia shpreh një gjysmë ngushëllimi, me ndajshtimin, nëse informatat janë të vërteta.
Nuk ishte se nuk besoja që ai i kishte informatat e verifikuara, por nuk doja të besoja, edhe pse për çdo ditë dëgjonim për identifikim të të vrarëve dhe për vrasje të reja, që bëheshin në Kosovë. Në Kosovë vriteshin luftëtarë të lirisë, që i dilnin zot vendit të vet, por edhe qytetarë duarthatë, të cilët të vetmin faj e kishin pse ishin shqiptarë dhe e donin lirinë.
Ishte hera e parë që po ndodhesha ballë për ballë një mikut tim, i cili po më jepte lajmin se i ishin vrarë dy anëtarë të familjes, babai dhe vëllai. Natyrisht se ishte një situatë e rëndë dhe një ndjenjë e pashije¬gueshme.
Më vonë, kam mësuar se Ganiu edhe në takimin e parë në Bajrojt (Bayreuth), por edhe në disa takime të tjera të radhës, i kishte pasur informatat për vrasjen e vëllait dhe babait, por nuk i kishte thënë troç. Ata i kishte trajtuar si të zhdukur, duke thënë se për fatin e tyre nuk dihej.
Po përse kishte vepruar kështu? E para, nuk ia kishte zënë goja ta pranonte aq lehtë një fakt të tillë dhe, e dyta, se ishte frikësuar që mund të sprapsëm unë nga vizitat e shpeshta, me pretekstin se familja ka hallin e mërzinë e vet.
Vëllai, Hakiu, dhe baba Shabani, ishin shpesh¬herë temë e bisedës sonë. Ganiu shprehte dhimbje të madhe për vëllanë Hakiun, për të cilin fliste me admi¬rim për veprimtarinë e tij letrare, arsimore e kulturore në Fushë-Kosovë, të cilën ia ndali plumbi i armikut në moshën e tij më produktive, pa i mbushur të dyzetat. Nga Ganiu kisha mësuar se Hakiu, si i ri, kishte një veprimtari të bujshme. Ai gjithnjë kishte qenë pjesëma¬rrës i betejave për mbijetesën dhe prosperitetin e shqiptarëve në Fushë-Kosovë dhe më gjerë.
Ganiu tregonte se Hakiu ishte një krijues letrar i pasionuar, udhëheqës disavjeçar i klubit letrar “Naim Frashëri” në Fushë-Kosovës, ishte aktor, dramaturg e regjisor i Teatrit “Qëndresa” në Fushë-Kosovë dhe udhëheqës disavjeçar i këtij teatri.
Hakiu ishte arsimtar i dalluar i Gjuhës dhe letër¬sisë shqipe në Shkollën Fillore të Fushë-Kosovës, me emrin e të cilit lidheshin shumë veprimtari arsimore e kul-turore edhe në shkollë. Ai u vu edhe në ballë të mbrojtjes së shkollës shqipe, kur regjimi serb i nxori nga shkolla arsimtarët e nxënësit shqiptarë. Kur e pa se nuk mund të rezistohej, dha idenë që shtëpitë të shndë¬rroheshin në shkolla, duke e ofruar vetë i pari një hapë¬sirë të shtëpisë së familjes së tij për shkollë.
Ganiu shpeshherë e thoshte, sado që nuk kë¬mbëngulte se ideja për shtëpitë-shkolla lindi dhe u se¬ndër¬¬tua në Fushë-Kosovë, ngase Fushë-Kosova konsi-derohej si qendër e shovinizmit dhe hegjemoni¬zmit serb dhe nga aty filloi segregacioni në arsim, duke i uzur¬puar serbët objektet shkollore e duke i nxjerrë jashtë tyre arsimtarët e nxënësit shqiptarë.
Ganiu kishte çka të tregonte edhe për babën Shaban. Ai nuk kishte pasur fatin të kryente më shumë se katër klasa të shkollës fillore, por arsimimin e kishte dashur shumë dhe ishte angazhuar shumë që në Fushë-Kosovë të hapej shkolla shqipe. Nuk kishte lënë derë pa trokitur te autoritetet e atëhershme komunale të Prishti-nës dhe të Kosovës, në fillim të viteve ‘60 për ta hapur shkollën shqipe.
Që presioni të jetë më i madh, asnjëherë nuk ishte vetëm, merrte me vete edhe dy-tre bashkë¬ve¬ndës. Mendonte dhe e thoshte se fuqia e delegacionit është më e madhe sesa e individit. Për guximin dhe shkathtësinë në ballafaqim e dialog, por edhe për njohuritë që kishte në shumë fusha, ia kishin lakmi edhe ata që kishin mbaruar shkolla të larta.
*Hamza Halabaku: “Rrjedhë motesh, Takimi, kujtime, ditar… Prishtinë, 2017 , fq. 147-154
