17/06/2026

E BEKUAR KJO PROTESTË E BUKUR RINORE…

0
Protesta-Tirane

A drone view shows protesters gathered outside the Prime Minister's Office in Tirana, Albania, on June 10, 2026, during the tenth consecutive day of demonstrations against a proposed luxury tourism development project linked to Jared Kushner. Organizers say thousands of people attend the rally. (Photo by Vlasov Sulaj/NurPhoto via Getty Images)

Nga Ilir Çumani

Ajo që po ndodh sot në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në sheshet e ndryshme të Shqipërisë dhe në shumë sheshe të kryeqyteteve të botës, kudo ku janë emigrantët shqiptarë, që nga dita e parë e protestës e deri më sot, na kujton se zëri më i rëndësishëm nuk vjen nga institucionet, as nga zyrat e pushtetit, as nga ekranet që me tam-tamet e tyre prodhojnë opinione të gatshme.

Buçima e zërit të vërtetë të një shoqërie që shpraps dhe ndal çdo padrejtësi, çdo arrogancë pushteti, çdo shurdhëri ndaj sovranit vjen nga rrugët, nga sheshet, nga energjia e atyre që ende nuk janë pajtuar me padrejtësinë dhe që nuk e kanë humbur aftësinë për t’u indinjuar.

Sot është dita e 18-të e kësaj beteje të drejtë kundër të keqes dhe, në këto momente, rinia nuk është thjesht një grupmoshë. Ajo shndërrohet në një pasqyrë morale, ku e gjithë shoqëria sheh fytyrën e saj të vërtetë.

Një popull fillon të plaket jo kur i thinjen flokët, por kur të rinjtë e tij humbin besimin se mund ta ndryshojnë realitetin. Kur brezi i ri zgjedh heshtjen, atëherë hesht vizioni dhe e ardhmja. Kur ai ngrihet për të folur, pavarësisht kostove, kjo do të thotë se ende ekziston një rezervuar shprese që nuk është tharë.

Protesta rinore është reagimi më natyror ndaj ndjenjës së padrejtësisë. Ajo lind nga përplasja midis asaj që të rinjtë mësojnë si vlerë dhe asaj që shohin si realitet.

Kur meritokracia zëvendësohet nga privilegji, kur ëndrra për të ndërtuar jetën në vendin e vet përplaset me muret e korrupsionit, nepotizmit, trafikun e influencës përmes lidhjeve të errëta dhe okulte me pushtetin, me korrupsionin administrativ në të gjitha nivelet e administratës shtetërore, kur talenti ndihet i papërfaqësuar dhe i shpërfillur, atëherë protesta nuk është problem. Ajo është simptoma më e qartë e një problemi shumë më të madh që kërkon me urgjencë zgjidhje përfundimtare.

Shoqëritë e zhvilluara dhe të emancipuara që i dëgjojnë të rinjtë kanë aftësinë të korrigjohen dhe të reformohen pa trauma. Ato që i përqeshin, i etiketojnë ose i demonizojnë këta të rinj, zakonisht e shtyjnë krizën drejt përmasave edhe më të rënda, me pasoja të paparashikueshme.

Eksperienca dhe përvoja e historisë botërore të protestave demokratike ka treguar vazhdimisht se energjia rinore nuk mund të injorohet, nuk mund të anashkalohet, aq më pak nuk mund të asgjësohet; ajo vetëm mund të dialogojë me sistemin ose të përplaset pa asnjë kompromis me të.

Mençuria dhe maturia e një shteti demokratik (jo ai represiv) matet pikërisht nga mënyra se si sillet me këtë energji.

Protesta e të rinjve është një mekanizëm vetërregullues i demokracisë. Nuk ka rëndësi se kush qeveris dhe kush opoziton në politikë. Rëndësi ka fakti se një demokraci e shëndetshme ka nevojë për qytetarë që nuk frikësohen të kërkojnë llogari.

Kur një pushtet fillon të shohë si armik çdo zë kritik, ai nuk po lufton kundërshtarët e vet, por parimin mbi të cilin pretendon se mbështetet.

Por ekziston edhe një dimension antropologjik, ku çdo brez ka nevojë të lërë gjurmën e tij në historinë e vendit.

Të rinjtë nuk protestojnë vetëm për problemet e ditës. Ata protestojnë për të drejtën për të qenë aktorë dhe faktorë të së ardhmes së tyre. Në thelb, kjo është një përpjekje për dinjitet, për përkatësi dhe për kuptim. Një shoqëri që ua mohon këtë të drejtë të rinjve, rrezikon të humbasë lidhjen me vetveten.

Pikërisht për këtë arsye, debati nuk duhet të përqendrohet te mënyra se si flasin të rinjtë, por te arsyet pse ata ndihen të detyruar të flasin përmes zërit të tyre në këto protesta legjitime.

Nuk duhet të na shqetësojë zhurma e protestës, por nëse heshtja do ta zëvendësonte atë, sepse gjithmonë heshtja kolektive nuk është kurrë shenjë harmonie, por shenjë dorëzimi.

Çdo shoqëri mund të ndryshojë dhe të përparojë kur arrin ta shohë dhe ta konsiderojë rininë jo si një problem për t’u administruar, por si një potencial për t’u dëgjuar. Në fund të fundit, çdo epokë gjykohet nga brezat që vijnë pas saj.

Brezat e rinj, ata që janë dhe ata që do të vijnë, nuk do të kujtojnë sa të forta ishin pushtetet e një kohe, por sa e aftë ishte shoqëria për të dëgjuar zërin e së vërtetës kur ai vinte nga më të rinjtë e saj.

E ardhmja nuk troket në derën e një vendi me kostumet e pushtetit, por vetëm me fytyrën e rinisë, me pyetjet e saj, me revoltën e saj dhe me guximin për të mos pranuar si normale atë që është anormale.

Dhe sa herë që një shoqëri arrin ta kuptojë këtë, ajo fiton shansin për t’u bërë më e drejtë, më e lirë dhe më njerëzore….

Ndaj, me plot të drejtë, sot pas 36 vjetësh tranzicion të gjatë, pritjesh, zhgënjimesh, shpresash të thyera dhe ëndrrash të shtyra pafundësisht në kohë, i gjithë Kombi Shqiptar duhet të ndihet krenar për këta të rinj dhe ta përshëndesë me respekt e mirënjohje këtë protestë të bukur qytetare.

Jo thjesht si një reagim të një brezi ndaj problemeve të kohës së vet, por si një dëshmi se ndërgjegjja e shoqërisë shqiptare ende jeton, ende frymon dhe ende refuzon të pajtohet me padrejtësinë.

Kjo protestë nuk është vetëm zëri i rinisë, por edhe jehona e aspiratave të një kombi që kërkon dinjitet, drejtësi dhe shpresë. Ajo është kujtesa se liria nuk është një dhuratë që fitohet një herë e përgjithmonë, por një vlerë që duhet mbrojtur dhe ripërtërirë nga çdo brez.

Prandaj, këta të rinj në protestë meritojnë jo vetëm duartrokitjet e ditës, por edhe mbështetjen morale të gjithë shoqërisë, sepse në guximin e tyre për të ngritur zërin pasqyrohet besimi se Shqipëria mund të bëhet më e drejtë, më e dhembshur, më demokratike dhe më e denjë për të gjithë bijtë e saj, pa dallim feje, bindje politike dhe përkatësie.

Dhe nëse një ditë historia do të kërkojë të gjejë shenjat e shpresës në këtë kohë të trazuar, me siguri do t’i gjejë edhe te këta të rinj, të cilët zgjodhën të mos heshtin, por të flasin në emër të së ardhmes.

E bekuar qoftë kjo protestë e bukur rinore….!

Tiranë, e mërkurë – 17 qershor, 2026

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok