24/07/2024

TUMAT E KALORIT, MALLKIMI I ARKEOLOGJISË

0

(Vëzhgim & apel Institutit të Arkeologjisë Tiranë)

NGA NDUE DEDAJ

Shohim nëpër emisione televizive grupe mediatike që i kërkojnë me qiri objektet e vjetra arkeologjike, monumentale, mbuluar nga ferrat dhe shkurret, për t’i nxjerrë nga harresa dhe rrënimi. Me të drejtë ata preukupohen për çdo copë muri të vjetër, për një urë antike, për një varr të panjohur, pasi asgjë nuk duhet lënë të bjerret më tej pa u dokumentuar dhe pajisur me sinjalistikën e nevojshme që, veç të tjerash, do të shpiente aty dhe turistët. Këto grupe nuk janë gjithsesi profesioniste, edhe pse shpesh në përbërje të tyre kanë arkeologë të njohur. Ndërsa nuk është lënë skaj i Shqipërisë e më gjërë pa u përshkuar në këtë mënyrë, deri tani ka shpëtuar pa u bërë objekt kësodore  “Fusha Papërdhok” në fshatin Kalor (Lezhë), ku gjenden një numër i madh tumash ilire. Por nuk është ky problemi, pasi Marin Mema aty është dhe një sinjalizim e ai nuk përton të sensibilizojë dhe për këtë objekt të veçantë siç ka bërë për dhjetëra të tillë dhe rrënjët e vjetra etinke shqiptare, duke i kërkuar e dokumentuar ato deri në Shkup, Nish e Sanxhak.

Habia është se si ky monument arkeologjik i fshehur nën tokë, që shtrihet në Mirditën etnologjike, nuk është gërmuar asnjëherë nga Instituti i Arkeologjisë Tiranë, thjeshtë duke mbetur deri më sot në inventarin e tij muzeologjik. Ka të paktën gjashtëdhjetë vjet që banorët presin të shohin aty arkeologët, për të kuptuar se çfarë fsheh realisht origjina i tyre nën dhé. Mirëpo këtyre tumave, si të kenë qenë të mallkuara, nuk ua ka hedhur njeri sytë, edhe pse shtrihen në një territor bukur si të hapur, si një qytet antik, në një fushë disahektarshe, mes dy përrenjve, të Dibrrit dhe të Gjazujve, në një pozicion mjaft të përshtatshëm gjeografik për banim, një mjedis krejtësisht fushor, ku bash në qendër ende kanë mbetur “gjallë” një dorë lisash të moçëm, karakteristikë për vendvarrimet dhe objektet e kultit. Kalori si një nyje lidhëse përshkohet nga Udha e Madhe Shkodër – Prizren, çka flet për një pozitë urbane të vjetër e të vonë të tij. Ai  nuk është as njëqind kilometra nga Tirana dhe udhëtohet pa kurrëfarë vështirësie deri atje, e megjithatë askush nuk ka marrë mundimin nga qendra as sa për t’i bërë një fotografi. Profesor Ahmet Osja, dijetari erudit shkodran, i njohur për interesin e tij kulturor për monumentet e vjetra, na e sillte gjithnjë në vëmendje “Fushën Papërdhok” dhe tumat e saj, pa e ditur se me atë vend ne kishim një lidhje shpirtërore që fëmijë.

Kalorësit e kanë konsideruar gjithnjë si vend të shenjtë, jo se aty njihet ndonjë tempull fetar (që mbase nga zbulimet nuk do të përjashtohej), ndaj nuk kanë shkulur një gur në ato varre të mëdha, as kur kanë bërë shkollën, as kur kanë bërë kishën etj. Prej shumë vitesh kemi dëgjuar të thuhet se është rezervë arkeologjike e institutit përkatës dhe ashtu ka mbetur sot e atëherë.

E dimë që ka zyra të trashëgimisë kulturore, bashkiake në Lezhë e rajonale në Shkodër, por ndoshta ato kanë tagër vetëm të kujdesen për ruajtjen e objekteve të tilla dhe nuk kanë kapacitetet shkencore e as vendimarrjen e nevojshme për të bërë gërmime vetë.

Për tumat e Kalorit ka pasur vetëm njoftime të thjeshta nga punonjës të monumenteve të kulturës të rrethit të Lezhës, duke i krahasuar me tuma të ngjashme të vendit, ku janë zbuluar objekte që u përkasin shekujve III-II para Krishtit. Para pesë vitesh specialisti i fushës Ded Margjoni, ka publikuar shkrimin “Varrezat tumulare (ilire) të Kalorit në Fushë Papërdhok”, ku ndër të tjera shkruan: “Ky nekropol tumular na sugjeron se kemi të bejmë me një varrezë të një grupi të madh familjesh që disa prej tyre mund t’i përkisnin një vëllazërie, ashtu si ishin edhe ato të Nënshatit, Prosekut, Luginës së Matit etj. Është e qartë se një numër luginash me rrugë natyrore të përshtatshme, që fillonin nga ultësirat bregdetare, e vazhdonin në thellësi, janë banuar nga ilirët që në epoken e bronzit, duke u ngulur nëpër tarraca, luadhe apo edhe toka buke, buzë lumenjëve a përrenjëve”.

Po ashtu ai shkruan për disa gërmime sporadike të bëra para 1990-ës nga mësuesit e historisë të shkollës së fshatit, ku banorët mbajnë mend se janë nxjerrë tjegulla, vegla pune etj., çka e konfirmon dhe ish – drejtuesi i muzeut etnografik të Lezhës, Ndue Përleka, i cili në vitin 1986 ka kryer gërmime arkeologjike në dy të tuma, ku krahas materialit skeletor janë gjetur edhe objekte qeramike, bronzi dhe hekuri, që ishin kryesisht vegla të përdorimit të përditshëm si edhe mjete lufte. “Por, megjithatë, nuk është arritur që të kemi në dispozicion një listë me përshkrime të një inventari të plotë, apo një raport në detaje, si rrjedhojë e pakujdesisë në ruajtjen e dokumentacionit nga Muzeu i Lezhës, shkruan Margjoni, duke konkluduar se ky objekt, me kulturën e tij materiale e shpirtërore që ruan brenda tokës është një aset i rëndësishëm në studimet e ardhëshme të arkeologjisë sonë, e për rrjedhojë duhet marrë nën mbrojtje. Janë 21 tuma gjithsej. Ndaj është emergjentë që tumat e fshatit Kalor, të cilat kanë mbijetuar, të ruhen. Sipërfaqja që ato zënë duhet të shpallet zonë e mbrojtur nga shteti, në menyrë që të mos dëmtohen me tepër”.

Ky është zëri i specilistit, që nuk ka munguar të ngrihet në vijimësi. Ka një hierarki të tërë administrative, si dhe institute të specializuara kombëtare, që merren me trëshëgiminë, arkeologjinë, monumentet, e prapë… “Fusha Papërdhok” me tumat e Kalorit ka dalë tepër!?…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok