04/12/2024

TROPOJË, NJËQINDVJETORI I SHKOLLËS SË PARË

0
Ndue-Dedaj

NGA NDUE DEDAJ

Më 22 nëntor në “Bajram Curri” ra shi gjithë ditën. Mjegulla nuk na lejoi t’bënim fotografi qytetit, le pastaj Alpeve, këtyre bjeshkëve të pakrahasueshme që “gërvishtin” qiellin, dikur log i kreshnikëve, orëve e zanave, kurse sot “bujtinë” e turizmit të kullave etj. “Ky shi është paraprijësi i dëborës që pritet në fundjavë”, na thonë vendasit. Por këtë ditë tropojanët nuk kanë punë me kreshnikët dhe legjendat, as me motin e lagësht. Ajo për të cilën janë mbledhur është një “legjendë” vetëm e njëqind vjetëve, shkolla e parë e Tropojës, me emrin domethënës “Besëlidhja e Malësisë”, që qendroi pak kohë në Bujan e pastaj u vendos në Kolgecaj, ku sot shtrihet qyteti “Bajram Curri”.

Nuk janë shumë njëqind vjet, kur mund të hasësh tropojanë të gjallë njëshekullor, që ecin rrugëve, por nuk janë dhe pak kur dëgjon historinë e kësaj shkolle, që nisi si internat, i hapur më 1923 nga qeveria e Tiranës me kërkesën e Prefekturës së Gjakovës. “Kumbara” i saj ishte Bajram Curri dhe një nga gjerat e bukura të programit artistik është inskenimi që i kanë bërë nxënësit asaj ngjarje. Historia e një shkolle si kjo është vetë historia e krahinës, qytetit, kulturës së tij, mjafton të njihesh me listën e artistëve, shkrimtarëve, mësuesve, mjekëve, inxhinierëve etj., që i morën mësimet e para aty. Këtë fakt e pohon në skenë me krenari dhe këngëtarja e njohur Fatmira Breçani, që ka marrë rrugën nga Tirana veç për një përshëndetje me këngë, pasi i duhet të nxitojë, se nesër do të niset për në Suedi. Aktorja e humorit Ariola Demiraj, gjithashtu ish – nxënëse e kësaj shkolle, e ka për kënaqësi të përcjellë në skenë, njërin pas tjetrit, artistët e vegjël tropojanë, përfshi dhe një vajzë që këndon me lahutën e lashtë të këtyre kreshtave, duke e përtërirë traditën e shquar epiko-lirike të Malësisë së Gjakovës. Ariola, si moderatore, e fton vazhdimisht publikun t’iu dhurojë duatrokitje fëmijëve që përformojnë visare të folkut, jo aq për t’iu bërë qejfin atyre dhe prinddërve që i shoqërojnë, sesa për të shprehur mbështetjen për këtë bardje etnokulturore autentike te gjenerata më e re. E pamundur të mos kujtohesh këtë çast për Fatime Sokolin, zërin e papërsëritshëm të rapsodisë malësigjakovase, që nëse fati do të ishte treguar bujar me të, tash do ta kishim jo si një mit, por mes nesh, duke kënduar sërish në skenën ku artistja e madhe shkëlqeu në vitet ’80. Ashtu si logu i bjeshkëve dikur, skena është shpirti artistik i këtij populli, ajo rrezaton ngjyrat e vjeshtës, që pret dëborën e parë…

Drejtori i shkollës “Besëlidhja e Malësisë”, Petrit Zenelaj, një emër i njohur në arsimin e Tropojës, prej dyzet vitesh, nuk e përmban emocionin, sidomos kur i duhet të përshëndesë të ftuarit e shumtë, përfshi dhe mësuesit e shkollës “Gjergj Kastrioti” të Malishevës, Kosovë, me të cilët është e binjakëzuar shkolla e tij. Petriti është njëherësh një gjuhëtar i njohur, që ndër të tjera ka botuar para njëzet e pesë vitesh fjalorin dhe frazeologjinë e të folmes së trevës. E pyes nëse vazhdon të banojë ndokush nga njerëzit e tij në Markaj, një fshat vetëm dy kilometra larg nga qyteti, mes pyllit të gështenjave, ku pata qenë mik në shtëpinë e tij, aty nga fillimi i viteve ’80, kur ishim bashkëstudentë në Shkodër. Më thotë se nuk banon njeri, vetë ai del ndonjëherë të kujdeset për trojet e vjetra, shtëpinë, bashtinën. Rrugës për në “Bajram Curri” kishim takuar një burrë, Bardhoshin, që ishte rikthyer prej tre vitesh nga Tirana në fshat dhe merrej me pemët etj. “Djalit i kam lënë biznesin në kryeqytet, kurse vetë jam kthyer në vendlindje pas daljes në pension”, thotë ai.

Megjithatë, paçka kthimeve të tilla të mirëpritura, Tropoja ende vazhdon të zbrazët pak e nga pak, si kudo tjetër. Shkolla, që kremton shekullin, ka pasur dikur një mijë nxënës, aq sa kanë sot të katër shkollat e qytetit, përfshi dhe gjimnazin “Asim Vokshi”. Nuk e beson tkurrjen e banorëve kur sheh gjallërinë e shkollës, ajo të duket plot, po ashtu dhe pallati i kulturës ku jepet koncerti festiv. Kjo ndjesi të shtohet kur sheh larminë artistike tropojane, kostumet e bukura, këngët, vallet, që fëmijët këtu i kërcejnë që në djep. Njerëzit e urojnë shkollën, si të jetë njeri: “Edhe njëqind vjet!” Pastaj shtojnë: “Edhe dyqind vjet!” Edhe treqindvjet!” Festuesit hyjnë nëpër klasa, flasin me nxënës e mësues, e reja është muzeu i shkollës, por të tërheqin dhe klasa e trashëgimisë, biblioteka, ekspozimet e ndryshme fotografike nëpër sallone, si një polifoto njëqindvjeçare. Vallet janë identiteti artistik tropojan, sot të gjitha vajzat janë kthyer në kërcimtare. Kanë ardhur dhe ato të gjimnazit për të përshëndetur. Mesazhe të shumta dhe nga diapora. Është shkolla e tyre, që e kanë përzemër. Ka nga ata që përlotën, nga kujtimet e mësuesve që nuk rrojnë më, ku dy prej tyre, Flutura Jakupi dhe Isa Mustafa, u nderuan me titullin “Qytetar Nderi”.

Bajram Curri nuk ishte vetëm i Malësisë së Gjakovës. Një javë më parë kremtoi 100- vjetorin dhe shkolla e Bardhajt në Selitë (Mirditë), që mban emrin “Bajram Curri”. Bardhok Pulaj, që kishte ardhur nga Lezha, solli për të pranishmit urimin e kësaj shkolle. Në Mirditë Baca Bajram ishte i shtëpisë kudo. Tregohet për plot kulla ku ai bujtur me ditë e me net, në vitet e Pavarësisë.

Lulzim Logu është gjithashtu mik yni i hershëm, i cili përpos se mësues dhe përgjegjës sektori në Zyrën Arsimore, është dhe kryetari i klubit të shkrimtarëve të Tropojës, ku e veçanta janë veprimtaritë e përbashkëta prej vitesh me krijuesit e Gjakovës. Luli sapo është vlerësuar me çmim të parë, nga një shoqatë për kulturë e letërsi në Kosovë, për poezinë e tij “Kohë e ligë”. Metafora letrare alpine është e pashterrshme, si vetë gurrat e Dragobisë dhe rrjedha e kaltërimtë e Valbonës, që janë palca e rapsodisë së hershme dhe e poezisë moderne të Paplekajt, Buçpapajt, Aliajt etj.

Mbasdite u larguam nga “Bajram Curri”, teksa ende binte shi. Nuk i kundruam dot kësaj here Alpet e mbytura në mjegull, por me vete morëm diellin e fisnikërisë tropojane, mësuesve që aq thjeshtësisht u ngjitën në tribunën e festës, sa për një fotografi për në muzeun e të nesërmes…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok