11/12/2024

TRAGJIKU I IDEALIZMIT SHQIPTAR

0
At-Anton-Harapi1

(Homazh për Anton Harapin, 1888 – 1946. Në 77-vjetorin e rënies)

Nga Prend BUZHALA

I njohur si njëri ndër françeskanët më të devotshëm shqiptarë, si drejtor i kolegjit françeskan, si njëri ndër drejtuesit e revistës “Hylli i Dritës”, Atë Anton Harapi (5 janar 1888 – 14 shkurt 1946), do të dallohet edhe si shkrimtar e publicist, si dijetar dhe edukator, si teolog dhe filozof, si politikan dhe atdhetar; do të shquhet si predikatar në fushën e oratorisë klasike kishtare, ashtu sikundër do të shkëlqejë me ligjëratat filozofiko-shkencore e në fushën e fjalimeve politiko-programatike. Fjalën e Shkruar ai nuk do ta lërë të vetmuar; asaj ia lë në shoqëri edhe motrën tjetër, Fjalën e Gjallë. Dy veprat kryesore të Anton Harapit, romanet “Andrra e Prêtashit” dhe “Valë mbi valë”, janë botuar mbas vdekjes së autorit. Kushtimisht, botimi i tyre i parë ishte bërë në vazhdime në revistën aq të njohur “Hylli i Dritës”. Këto dy vepra, deri në përmbysjet e diktaturave, patën të njëjtin fat të mosbotimit e të ndalimit të leximit të tyre në Atdhe e në Kosovë. Të dy romanet, të botuar atbotë në vazhdime, ishin një hinc et nunc, një dialog me kohën aktuale e me lëvizjet shoqërore, politike, diturore e letrare të viteve `20 e `30 të shekullit XX. Si vepra postume, zënë vendin e tyre në Letërsinë Moderne Shqipe të gjysmës së parë të shekullit XX, kur qenë shfaqur e qenë stabilizuar shumësia e procedimeve estetike, kur bënin jetën e tyre letrare drejtime e tendenca artistike, struktura dhe tipa ligjërimorë-stilistikë, si veçori të modernes.

Krijimtaria e tij letrare e publicitike

Romani “Andrra e Prêtashit” (shënimet autori i ka mbajtur gjatë vitit 1918, kur shërbente në Malësi), është konsideruar jo vetëm kryevepër e këtij autori, po ndër “veprat e pakundshoqe” në letërsinë shqipe (Aurel Plasari). Ajo nis me “ândrrën” e njërit prej personazheve, Pretash Cukës, që i sheh dy orë të malit tek kacafyten mbi kishën e Cukalit, dhe, fatkeqësisht, kjo “ândërr” realizohet: njëra orë e përmbys tjetrën. Kështu, mbasi gjendet i vrarë Prelë Luca i Triepshit, përtërihen gjaqe, gjaku “i zë” lagjet e katundet e Malësisë. Narratori i veprës, frati, merr rolin e zhdrivillimit të këtyre krimeve, për të arritur, në fund, t’i pajtojë gjaqet. Pos paqes së kërkuar për këta banorë (lexo: edhe për të gjitha trojet shqiptare), autori e kërkon edhe bashkimin e trojeve të copëtuara të Atdheut: mbasi po vepronte e punonte menjëherë mbas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, kur u copëtuan trojet shqiptare. Në këtë kontekst, zë vend edhe lëvizja e malësorëve nëpërmes një memorandumi e demonstrate para të huajve në Shkodër. Semiologjia e kësaj ândrre shtrihet edhe më tutje: tash, në fund të veprës, personazhi i Maxha Grishit (personifikim i malësorit të urtë e hokatar), sheh ândërr te kisha e Arrës në Hot: “Kur qe, prej atij zjarrmi po del nji diell e flakëron nji kryq, e mbi te, me shkrola të mëdha sa m’u këndue prej kahmos, ishin shkrue këto fjalë: Rrnoftë Shqipnija!” narratori i veprës bën një autokomentim: pastë kush e realizoftë ândrrën e bashkimit shqiptar! Së këndejmi semiologjia e ândrrës (si vëren kritiku Bardhyl Matraxhiu), merr konotacione të shumta. Po shtojmë: a nuk janë, këto, arketipe e tipe të jetës shqiptare të gverreve të brendshme, vëllavrasëse, në jetën politike deri në ditët e sotme? Dhe a nuk e pagoi me jetën e tij këtë edhe Harapi?

Poetika e tillë e kundrimeve të brendshme, përdoret edhe në veprat tjera, edukative, kulturologjike, publicistike, sociologjike, politike apo filozofike, të këtij autori. Mjafton të përmendet vepra “Vlerë shpirtërore” (1936), që shkruhet “në çastet më delikate” të Shqipërisë. Lexuesi shqiptar tashmë i ka në dorë këto vepra, ndër të cilat edhe “Njisimi kombëtar dhe Ideali Kombëtar” (1997, Gjakovë), “Kulla e Babelit” (Tiranë 1999), “Shqyptari dhe bota e tij” (Prishtinë 2003), “Vlerë shpirtërore” (Prishtinë 2003) etj. Vlera antologjike e testamentore kanë artikujt e tij “Ta bajmë monumentin kombtar: bashkimin e shqiptarvet”, “A jemi shqiptar apor do të bahemi?”, “Njisia kombtare dhe edukata e popullit”, “Prej kah do të nisemi e ku do të kapemi?”, “Rrfana e jetës shqiptare”, “Rrymët e jetës shyptare”, “Çka na dan – çka na bashkon?”, “Nuk jemi si thonë” etj. Në të gjitha shkrimet e karakterit të tillë shumësor, ai veçon vlerat njerëzore e kombëtare, po edhe mangësitë a veset tona kombëtare. Kudo shquhet intelektualiteti i guximshëm, aristokratik, zëri i thellë i mendimtarit, analistit e dijetarit të rrallë, tek iu jep udhë problemeve më të ndërlikuara të kohës, aq aktuale edhe për sot! Gjithnjë ai e kërkonte Res Publica-n e tij ideale, idealogjinë shqiptare, njësinë e kombit, qytetërimin e harmoninë kombëtare.

Fije jete

Harapi, i lindur në Shkodër, ishte shkolluar në Kolegjin e Jezuitëve e më pas në Kolegjin Françeskan, kishte vijuar studimet e larta në disa qytete të rëndësishme të Austrisë, në Villch të Tirolit, Salezburg dhe Shvarc. Më 1910 kthehet në Shqipëri. Shugurohet meshtar. Zhgunit të Shën Françeskut i mbetet besnik deri në flijimin e tij. Në kohën e turbullirave politike, Shqipërisë i cungoheshin arbitrarisht njëra pas tjetrës, disa treva të trungut amë, por harapi nuk hesht. Kishte miqësi e bashkëpunim me At Marin Sirdanin, Gjeçovin, Çerçiz Topullin, Isa Boletinin, Fan Nolin, Atë Gjergj Fishtën, Imzot Vinçenc Prennushin, Atë Donat Kurtin, dr. Atë Gjon Shllakun, Dom Ndre Zadejën, Hilë Mosin, Mehmet Shpendin etj që nga Jugu e deri në Veri të Shqipërisë. Përshëndetja e fundit, e titulluar “Dy lotët e një betimi”, u vlerësua si shembull i oratorisë klasike shqipe, në përcjellje të eshtrave të martirëve të kombit, Mustafa Qullit e Çerçiz Topullit. Ai njohu me të gjitha përmasat e saj zonën e Grudës së Malësisë së Madhe, koloritin e gjallë të zakoneve… At Anton Harapi, ka meritë për organizmin politik të kristiandemokratëve shqiptarë (1920). Më 1921-1924, bëhet drejtues i grupit të njohur atdhetar Ora e Maleve, së bashku me Atë Gjergj Fishtën (1870-1940), me Luigj Gurakuqin, Dom Lazër Shantojën. Themelues, drejtues e botues i fletores Ora e Maleve. E nxirrte rregullisht grupi në fjalë. Luigj Gurakuqit ia përkushton veprën e tij “Andrra e Pretashit”. Më 1924: u zhvilluan zgjedhjet e para në Shqipëri. Atë Anton Harapi gjendet në mesin e opozitës së kohës përkrah Gurakuqit, Fishtës, Bajram Currit, Atë Bernardin Palajt, Nolit etj e që ishin pararoja e kësaj lëvizjeje. Atë Anton Harapi, arrestohet tri here dhe burgoset së bashku me Atë Bernardin Palajn e me vëllezër të tjerë. Lirohet nga burgu. Më 1925: boton veprën e parë pedagogjike, një si përshtatje e leksioneve të pedagogut A. Hergert, me titullin “Edukata ose mirërritja e fëmijëve. Vitet 1930-1936: drejtor i së përkohshmes prestigjioze, revistës së mirënjohur në Ballkan, “Hylli i Dritës” (botuar për herë të parë më 1913). Bashkëdrejton gazetën “Posta e Shqypnisë”. Bashkëdrejton revistën fetaro-kulturore “Zani i Sha Ndout”. Më 1933: drejtues i Kolegjit Françeskan (rektor). Bëhet drejtor i Liceut Illyricum. Pedagog në Shkollën Normale Femërore të Motrave Stigmatine në qytetin e Shkodrës (Gjuhadol). Merret me letërsi, teologji, filozofi, pedagogji, sociologji, publicistikë. Më 1936: në qytetin e Korçës mban ligjëratat e njohura me titullin «Vlerë shpirtërore». Gjatë Luftës së Dytë Botërore Anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës Shqiptare: për të mos lejuar anarkinë e vëllavrasjen. Kërkuesve gjermanë nuk i dorëzohet asnjë nga 72 mijë çifutët në Shqipëri. Shpëton jetë shqiptarësh. Më 1945: Mbas Luftës së Dytë Botërore: katolicizmi dhe në veçanti kleri katolik, ishin pengesa më e madhe për triumfin e komunizmit. Shumë klerikë katolikë u pushkatuan me gjyq dhe pa gjyq, u burgosën, u internuan dhe u zhdukën pa lënë asnjë gjurmë. U vranë mizorisht 8 kryeipeshkëvij, 4 ipeshkëvij, 53 priftërinj dioqezanë, 25 françeskanë, 10 jezuitë, 10 seminaristë. Ata së bashku kishin bërë 881 vjet burg ose gati 9 shekuj vuajtje. Ata së bashku kishin kryer 450 vjet studime në 24 universitete të ndryshme. Këtë fat të zi kishte edhe At Antoni. Më 5 dhjetor të vitit 1945: i shoqëruar nga martiri i kombit, Lef Nosi, në muajt e fundit të jetës së tij strehohet në fshatin Kir (Dukagjin, Malësia e Madhe e Mbishkodrës). Mandej strehohet në katundin Plan, strehohet nëpër shpellat e maleve për një kohë të gjatë, me uratë në duar e me një bllok shënimesh ditari. Biografët e tij, Klajd Kapinova, Fritz Radovani., Daniel Gjeçaj etj, shënojnë: “E këshillojnë të ikën nga Shqipëria, ai nuk largohet: ‘Eshtent e mi n’tokën e t’parëve janë testamendi em’, thotë Gjon Verri nga Kiri, dëshmitar okular i mbetur gjallë nga pjesëtarët e familjes së tij. Ai përkujton: me një mision të veçantë batalioni i partizanëve, është nisur nga qyteti i Shkodrës për të arrestuar patjetër At Anton Harapin. Nga ora 11:00 e natës, shtëpia rrethohet nga ndjekësit. Ata, mbasi kanë qëlluar qenin në oborr, kanë hyrë në shtëpi dhe menjëherë e arrestojnë Gjonin dhe të gjithë anëtarët e tjerë të familjes. Komandanti partizan i ndjekjes, i pohoi me gojën e vet Kryetarit të Këshillit të katundit, se At Anton Harapi është i paditur (spiunuar) dhe se ‘nuk shkojmë në Shkodër pa e gjetur atë, kudo që të jetë futur.’ Priftin strehuesit e nxjerrin në një pyll. Kjo familje dënohet. Kryetari i Këshillit dhe kushëriri i tyre, së bashku me nënën e strehuesit Gjon Verri, kanë dalë në gjyq në vjeshtën e vitit 1945. Pretenca e prokurorit, ka qenë e menjëhershme dhe me dënim kapital, pra me vdekje, kurse vendimi për dy burrat e mësipërm ishte 101 vjet burg, ndërsa nëna e tyre 60 vjet. Atë Anton Harapi zbulohet befasisht dhe arrestohet nga forcat e Sigurimit komunist. E kanë marrë meshtarin dhe e kanë hipur në një mushkë dhe në një mushk tjetër kanë hypur Prekën. Kështu së bashku i kanë çuar deri në kishën e Planit. Të nesërmen e kanë dërguar në Kodrën e Shën Gjergjit. Me datën 10 kanë ndalur edhe nënën e Gjonit, Mark Kolën dhe Prek Ndoun (ku të dyve ua morën edhe armët), motrën dhe vëllanë e tij. Më pas komunistët kanë djegur shtëpinë e strehimit, kanë marrë me vete lop, dhi dhe gjithçka tjetër që gjendej në atë shtëpi. Françeskani At Anton Harapi, hetuesinë speciale e ka bërë në Tiranë. E kanë pyetur për armët, se ku i ka fshehur dhe Atë Antoni, menjëherë është përgjigjur, duke nxjerrë librin e Urat-ve ka thënë: ‘Këto janë armët e mia…’. U gjykua e u dënua nga Gjyqi Ushtarak i Tiranës. Procesin e kryesonte kryetari i saj, Koçi Xoxe. Si prokuror gjeneral ishte Bedri Spahiu. Ishte 14 shkurti 1946: në orët e para nxirret nga qelia e burgut të vogël. Duke thënë Lutjet e fundit, e çuan në periferi të Tiranës për ta ekzekutuar…I bekoi vrasësit e tij, i fali për aktin që do të kryenin nën shembullin e Jezu Krishtit e i fal: ‘Fali o Zot se nuk dijnë çka bajnë’, ‘Rrnoft Krishti Mbret!’, ‘Rrnoft Shqipnia edhe pa ne!’. I rreshtuar me Patër Anton Harapin, ishin edhe Lef Nosi e Maliq Bushati para gropave të çelura më parë dhe pushkatohen.” Vitet 1946-1990: nga regjimi komunist anatemohet e vlerësohet si “tradhtar”, “fashist”, “kolaboracionist” etj. Vlerësohet e botohet në diasporë. Më 1990 rikthehet në historinë, kulturën e letërsinë shqipe.

(botuar te lbri im

Prend Buzhala: “MUZA E KUJTESËS” – Homazhe për idealistë,

njerëz të letrave dhe dëshmorë

botoi Klubi i Shkrimtarëve “Vorea Ujko”, Klinë, 2007)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok