25/04/2024

NGATRRESË ME HATËRMBETJE…

0

Tregim nga Tahir Bezhani

Muaj tetor kishte filluar me mot të mirë. Dielli rrezonte si në fillim pranvere. Te korrat dhe punët e verës kishin mbaruar,  përgatiteshin tokat për të mbjellat vjeshtore. Qëndrim   Bregu interesohej për çdo imtësi të punëve shtëpiake; për farën, për plehun, traktorin, drutë për dimër, veshmbathjen etj. Zatën ndihej  më i obliguar nga të tjerët, me që ishte edhe zot shtëpie në mesin e dhjetë anëtareve të familjes Bregu.

Kishte kohë që punët e tepërta kishin filluar ta lodhnin, por durimin e gjente në thembër të këmbës. E donte mjaft vëllain, Granitin, sepse  kishte kultivuar disa tipare të rralla njerëzore, bazuar në traditën dhe edukatën e familjes Bregu. Por kohëve të fundit, në vitet e pasluftës e kishte përfshirë njëlloj vetëmburrje, krenarie e paarsye fare  Granitin, sa që të tjerët i dukeshin shpeshherë si miza….

Këto sjellje e vrisnin Qëndrimin, nuk i dëshironte. E donte mirëkuptimin, besimin, punën dhe shkollimin e fëmijëve të tyre. Shpesh i thoshte vetes ” e pse vuajtëm ,luftuam, u dogjëm e u përvëluam, vetëm për të pasur të mirat e lirisë në tokën tonë!….”

Koha kalonte si uji nën urë. Punët brenda familjes bëheshin gjithnjë e më të rënda, shtoheshin  kërkesa të reja për jetën, nga se fëmijët rriteshin si fieri në pranverë. Qëndrimin kishin filluar ta përfshinin komplekset familjare. Vëllai Graniti, tanimë, kishte kaluar kohë që nuk e dëgjonte, nuk e përfillte thuaja për asgjë në shtëpi, as familjen nuk e respektonte.

Iu kishte pleksur në kokën e tij një vetëmburrje e tepruar, e pa shpjeguar.Qëndrim Bregun kishin filluar ta mundonin një mori mendimesh në qenien e tij. Shpesh netët i kalonte pa gjumë, duke menduar se si të zgjidhë problemin me  Granitin, ta rikthejë në interesin familjar. Mendonte, mendonte e vetëm mendonte gjatë….

Një natë vjeshte të vonë binte shi si konop. Vetonte e bubullonte sa oborri e rruga afër dukeshin si në flakë të verdhë. Të gjitha pemëve në kopsht u kishin rënë gjethet. Ullukët e shtëpisë me zor e kapërdinin ujin e shiut. Në gjithë atë lemeri moti, Graniti si një hajdut, natën hapi derën e oborrit, me çelës në dorë edhe atë të shtëpisë dhe u fut në odën e fjetjes, te familja e vet. Qëndrimi kur dëgjoi krismat e bravës, përgjoi dhe sa konstatoi se ishte vëllai, Graniti, u kthye në anën tjetër e në vend të gjumit, u ngatërrua me kohën e kthimit të Granitit në shtëpi, në ato orë të vona të natës. Filloi të djersitet. Drita e mëngjesit e zuri pa kokërr gjumi në sytë e tij. Me rëndim koke u ngjit në ditën e re, por edhe me mendime të reja. Do bisedoj me Granitin, nuk shkon tutje kështu. Kemi përgjegjësi të barabartë në familje, për fëmijët tanë e për shumë e shumë gjëra të tjera- pëshpëriti me veten.

Të nesërmen e priti gjatë derisa u zgjua Graniti nga gjumi. Gdhiu i dërmuar  pa punuar asgjë. Qëndrimit i dridhej i tërë trupi, fytyra i skuqej, i sikletosur, fërkonte faqet me dy shuplakat e duarve.  Kishte ardhur një moment që duhej të ndalej kjo “aventurë” e Granitit. E si nuk e di, iu  druhej fjalëve të rënda, përkeqësimit, nuk e dëshironte atë gjë me vëllain. Megjithatë, foli me veten Qëndrimi, këtë duhet bërë sot apo nesër. Më mirë sot se nesër, bëhet vonë!…

Kur hapi dritaren e odës, shikoi oborrin e mbushur me uji shiu. Retë e zeza kishin ikur qiellnajës pafund. Dukeshin do rreze dielli vjeshte të vonshme, inspiruese. Shpatijeve vërehej një mozaik ngjyrash  vjeshtore. Gjethet ishin gati t’i  dorëzoheshin kohës vjeshtore. Projet ushtonin në atë qetësi mëngjesi, ia thonin këngës memece si përherë. E la dritaren hapur për ajrosje, mbathi këpucët dhe shkoi te kuzhina.

Pa Granitin duke pirë kafenë e mëngjesit, hurbatke  rrëmihshëm dhe tymoste një fitil duhani mes gishtërinjve të mavijosur nga nikotina.

-Mirëmëngjesi Granit! Të  bëftë mirë kafeja!-

-Mirëmëngjesi. Faleminderit Bac- ia ktheu Graniti.

Të pres në odë pasi ta pish kafenë Granit, foli Qëndrimi dhe doli nga kuzhina.

Pasi u ulën ballë përballë njëri me tjetrin, bisedën e filloi ma i vjetri, Qëndrimi, me fjalët më të ëmbla që mund të nxirrte nga goja.

-Dëgjo Granit!-filloi bisedën Qëndrimi, ka kohë që punët nuk po na shkojnë  mbarë në shtëpi. Ti ke ikur  pak si larg nga përgjegjësitë familjare e shtëpiake. Gjithë kohën nuk e di se ku gjendesh e me kënd rrin, natën  kthehesh vonë. Nuk dinë asgjë gruaja e fëmijët e tua se ku je e çka po bën. Po sjell nervozë në familje Granit. Punët vetëm nuk po mund t’i kryej as unë. A e din ti se kur është mjaft, a do të veprosh ndryshe tash e mbas. Është koha t’i tregosh vëllait tënd, mua- e përfundoi bisedën Qëndrimi.

Graniti një kohë nuk e hapi gojën. Rrinte në heshtje. Mendonte. Analizonte mundësitë e punët e veta. Në ballë i dilnin rrudhat si thupra gardhi, herë tkurreshin e herë hapeshin. Do pulla djerse iu panë ballit. Një ofshamë i erdhi furishëm nga shpirti. Pëlciti si vullkan, një përgjigje flakqe. I mërdhezur në fytyrë iu drejtua vëllait, Qëndrimit, me këto fjalë:

-Bac, unë po e shoh se ty të kam lodhë, edhe familjen. Unë marr pension invalidi nga lufta, rri me luftëtarë, jam anëtar i një partie politike, kaloj kohën me ta, rrimë deri vonë. Ti bën si të duash; duro ose mosduro, puna jote është. Unë punë fushe ma nuk punoj, kot e ke. Ti tani vepro si te duash, vetëm grithë në llashtër, nëse vazhdon bisedën me lutje tjera, përfundoi Graniti.

Qëndrimit sikur iu soll e tërë dhoma rrotull. Sikur pa një ëndërr të keqe. Nuk donte t’iu besonte as syve e as veshëve se çfarë dëgjoi nga Graniti.

Granit,-tha Qëndrimi, nuk i prita këto fjalë nga ti. Mendova se do jesh më i mirësjellshëm ndaj meje dhe familjes në tërësi. Kështu nuk shkon matej. A ke mendim tjetër më të mirë për familjen tonë apo?!

-Bac, mos më lodh më tepër, të thashë, mos grith në llashtër-e përfundoi Graniti përgjigjen.

-Ehu Granit çka fole! Mirë. Deri këtu e paska pasur. Doli e i ftoi dy axhallarët dhe sipas kanunit, e ndau gjithë pasurinë me Granitin.Gjatë ndarjes lakmia e drejtonte Granitin shpesh edhe në fjalët e rënda e nënçmuese ndaj Qëndrimit. Bile, shpesh axhët e tyre i thoshin “mos se është marre, Qëndrimi është më i vjetër e mundimtar i shtëpisë!….”

Pas gjashtë orësh, me prezencën e dy axhëve,  Qëndrimi e Graniti, dolen në tymrat e shtëpive të tyre. Ndan shtëpinë, tokën, gjanë, gjitha tremtë e shtëpisë, edhe pulat e dy këlyshë të vegjël, pesëjavësh. .Ndanë gjithë pasurinë e babës dhe atë që kishin fituar vet, por megjithatë, “syri i unët” i la ftofshëm mes veti dhe mjaft të tensionuar. Bile pas ndarjes, brenda pak ditësh, Graniti bëri edhe murin mes oborrit. Nuk kishte durim ta shihte vëllain në oborrin e tij.Në familje ishte si mort zie. U mërziten e gjithë familja, fëmija dhe granimi. Fëmijët kishin lumturinë e tyre, lodrat e përbashkëta, sofrën, shkollën, kujtimet, ruajtjen e bagëtisë dhe nuk ua pranonte logjika atë ndarje. E mendojshin të pakapshme dhe pse-ja, nuk kishte përgjigje deri në rritjen e tyre….

Pas ndarjes së familjes Bregu, ditët ecnin me hapa të rëndë. Asaj vjeshte të vonë vetëm zërin ia dëgjonin njëri tjetrit odave të ndara me mure dhe oborreve me mure kinës mes njeri  tjetrit. Nuk flisnin e as nuk  takoheshin mes veti, as ne rrugë, as në qytet. Edhe kulmin e kishte kapluar një zymtësi e paarsyeshme. Ishin mësuar me zhurmën e fëmijëve, lojën dhe hallakatmënin e familjes në rritje. Tani, kjo cektësi e vriste dalngadal,si helmi, Qëndrim Bregun. Ishte ofruar viti i ri, stina e dimrit, ku netët janë  më të gjata dhe më të hareshme, si dikur kur  kalohej shpejt me lloj lloj lojnash dhe musafirë e miqësi.

X    X    X

Ishte ofruar pranvera . Kishte kaluar gjysma e shkurtit. Nuk vëreheshin lara bore as luginave, as stomeve të arave e gardhishteve. Bile, disa kishin filluar të pastronin oborret, te bënin  gati ndonjë lehë për mbjellje qepësh të hershme. Yshyri për kafshë ishte në sosje. Shiheshin disa podina me sanë e jonxhe qe duhej gratuar gjithësesi deri ne behar të rij.

Në syrin e asaj pranvere, ditë me diell, por  diell me dhëmbë, frynte veri i ashpër, Qëndrim Bregu kishte pirë kafenë e mëngjesit në odën e burrave, në katin e dytë të shtëpisë, vetëm. Vetë e kishte pjekë kafenë në furnellë dhe gjithnjë duke parafytyruar se si i pinin së bashku me Granitin kafetë e mëngjesit. Pas kafesë, u zhyt në mendime se si do ta kalonte ditën, me çka do mërrej, derisa ende flinin fëmijët. Ishte e diell, ditë pushimi, nuk i trazoi, i la të ngopen gjumë. Janë të rinj-tha me vete.Pa dashur iu kujtua ndarja me vëllain, Granitin. E gjithë ngjarja i rrëshqiti si një shirit filmi para syve. E mendoj fundin e vjeshtës, gati gjithë dimrin pa u parë, takuar e biseduar me njëri  tjetrin.

Si i  thonë kësaj pune-foli me veten.A shkon jeta me kaq mynxyra, kaq zi. Ku ka ma zi se mos të flasësh me vëlla! As axhët e as miqtë nuk i dëgjoi Graniti, bile që të hyjmë te njëri tjetri. Gratë tona nuk patën asnjë faj. Mana e Hana kurrë nuk u grinden mes veti. Fëmijët duheshin shumë. Çka e zezë krisi mes nesh. Bota është shumëzuar me ndarje, nuk jemi rrahë e as sharë. Pse nuk vjen ai,  është më i ri se unë…

Ishin këto mendime që bluante, Qëndrim Bregun, e mbushnin mërzi të skajshme.I tretur në gjithë horizontin e mendimeve të rraskapitura, instinktivisht u ngrit në këmbë dhe po ecte mendueshëm nëpër dhomë. Gjithë atë zhytje në pellgun e errët të mërzisë, mendimet ia trazoi një lehje qeni, një cijatje këlyshi që i vinte andej, kah lama e sanëve, prapa shtëpisë. Nxitoi si me kureshtje për ta  parë e dëgjuar atë zhurmë mëngjesore.Hapi dritaren dhe pa se si këlyshi që i kishte ra Qëndrimit, kishte hipur në podinën e sanës dhe sulej andej, kah vëllai andej murit, kah  Graniti.

Që të dytë suleshin, bënin turrë nga një tjetri ,duke artikuluar disa cijama malli. Përpëliteshin me mundim murit për të dalë te njëri tjetri. Të dy  këlyshët ” qajshin” përmes cijamash me mallin për t’u takuar.Ky gjest kafshor ia shprushi të gjitha ndjesitë, i krijoj emocione të papara Qëndrim Bregut, duke e detyruar deri në lotim. Përsëri i erdhi si një shirit filmi ndarja dhe arsyet e ndarjes. Përpiqej të gjente arsyet, shkaqet dhe pasojat e gjithë asaj çfarë kishte ngjarë mes Qëndrimin e Graniti, dy vëllezër të dashur e të respektuar, jo në fshatin e tyre, por në tërë nahijen që i rrethonte. Shpesh i shkonte mendja te ndonjë person, nxitës nëpër fshatra që ngatërrojnë familjet e ndershme, se a mos kishin ndikuar tek vëllai, Graniti për gjithë atë hidhërim mes tyre. Assesi nuk iu shkoqte mendja ndaj Mustafë  Dallaverit, një person i njohur për keqësimet e familjeve në fshat e jo vetëm, se a mos ishte personi kyç i asaj pamirësie. Por frenoi mendjen, derisa nuk kam fakte, duhet të heshti dhe të gjejë rrugë të tjera, i tha vetës Qëndrim Bregu, shumë i përmallur për Granitin. Me t’u kthyer në odë, sapo u shtri, i shkuan lotët skurrjel nga malli. Me cepin e shamisë  fshiu faqet dhe u përplas  i përmalluar në ballë oxhaku, i menduar thellë.

Në ato qaste u hap dera e odës së burrave dhe në dhomë hyri bashkëshortja, Mana, duke e përshëndetur Qëndrimin dhe duke e lutur për kafe ose mëngjes, si zakonisht. Kur e vërejti mirë në sy, hetoi se diçka nuk ishte në rregull me bashkëshortin, Qëndrimin.  Lehtas, përulësisht iu ofrua dhe e pyeti me fjalë që me zor dëgjoheshin:” Qëndrim, çfarë ke? Me dukesh nuk je mirë! Si mund të ndihmoj, çfarë do? Mos të shohin fëmijët kaq të lodhur, i frikëson! Mos, Qëndrim, zgjohu! Fol, si të ndihmoj? Ta bëj gati mëngjesin, a ke kohë?”

Si i zënë pisk nga bashkëshortja Mana, dhe, i shtrënguar nga trazimi shpirtëror për “largimin” e vëllait nga vetja pa asnjë arsye, iu drejtua Manës :

“ Ulu grua para meje. Nuk kam me kënd të bisedoj për punët tona. Baba më la, vëllai u nda  nga unë, le me pasuri, se këtë e bën gjithë bota, por po më rrinë larg edhe shpirtërisht. Nuk kam folur me të që gati pesë muaj. Malli më ka marrë të ndërroj dy fjalë. Dëgjo grua, sot kam parë çudinë e Zotit!.Kafsha kishte më mëshirë se njeriu, ma shumë dashuri e humanizëm. Nuk e kam ditur, as nuk e kisha besuar kurrë! Sot pashë me sytë e mi se çfarë bënë dy këlyshë kudre pas njëri tjetrit…”

Ia trego ngjarjen Manës në tërësi dhe filluan lotët t’i zbresin mollëzave të faqes. Prandaj ,këtë “mësim” nga kafshët, dua ta zbatoj që sot. Pasi të ha pakës mëngjes, dua t’i futem brenda vëllait dhe ta rroki me përqafim pafund. Nuk mundem ma! Po kallem nga malli. Nuk pres askënd të më rregullojë me vëllain që më ka lindur nëna.

Pas mëngjesit, nuk vonoi shumë, Qëndrim Bregu ndërroi rrobat dhe mori sheqerka për të fëmijët e vëllait, doli për dere të oborrit dhe, ktheu djathtas në derën e Granit Bregut, vëllait më të vogël.Në derën e shtëpisë së Granitit u dëgjuan tri krisma gishtash në derë. Nga jashtë u dëgjua një zë gruaje:

” Del Granit, dikush po troket në derë!….” – ishte urdhëri i Hanës.

-A jeni këtu o Granit Bregu ?- jehoi zëri i Qëndrim Bregut në derën e hyrjes në shtëpi?!…

-Po, po, këtu jemi o vëlla e mirëserdhe!- dhe shtrëngimet ishin të gjata, të përcjellë me lot malli për kohën që kishte kaluar pa u takuar. Si dukej, Graniti ishte penduar për sjelljet e tij.Duke vrapuar dolën nga dhoma edhe fëmijët e Granitit e bashkëshortja Hana, të gjithë duke e shtrënguar fort Qëndrim Bregun. Fëmijët i folën me zë prekës :

” Axhë na ka marrë malli shumë për juve ! Si është inxhja Manë e të tjerët.? “

Eeeee!.. Gani Bregu- filloi bisedën Qëndrimi duke ofsha thellë. Në kohët e sotme, nuk na vlejnë hidhërimet mes njëri tjetrit, por mirëkuptimet. Nuk kalon jeta pa njeri tjetrin. Ndarjen mes vëllezërve e ka lënë Zoti, kështu është shumuar dynjaja, por dashurinë e respektin, mirësinë e bamirësinë nuk duhet hequr nga zemra e mendja e as nga shpirti . Këtë gjest të mirëfilltë e kishin edhe kafshët, e hetova të këlyshët tanë. Tani, Granit, jepu “lirinë” të takohen fëmijët e kunatat,  i ka  marrë malli të gjithë për njëri tjetrin!

Kështu e ka jeta, me sfida e shumë rëndime të tjera, por së bashku përballohen më lehtë….

Gjakovë,3 janar 2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok