13/12/2024

Tomë Mrijaj: “Uroj, që Kosova dhe Shqipëria, t’i bashkohen me civilizim dhe përparim shteteve më të përparuara dhe moderne të familjes evropiane”

0
u6_Toma-Entela

Nga Entela Binjaku

Me disa nga veprimtarët shqiptarë të diasporës jam njohur në takimet që ata organizojnë për nder të figurave tona kombëtare. Dy vjet më parë në korrikun e vitit 2018 në qytetin e Lezhës Shoqata e Intelektualëve Mbarëshqiptarë “Trojet e Arbërit”, mbajti një sesion të posaçëm kushtuar figurës së Gjergj Kastrioti Skënderbeut.

Aty pata mundësinë të takoja publicistin dhe studiuesin z. Tomë Mrijaj, një ndër themeluesit e kësaj Shoqate prej vitit 2004.

Për t’u njohur me këtë personalitet le të ndalemi tek disa nga pikat kryesore të jetëshkrimit të tij. Tomë Mrijaj, lindi në Zllakuqan (Komuna e Klinës). Shkollën 8-vjeçare e filloi në fshatin e lindjes në Zllakuqan dhe e mbaroi në Klinë. Mw pas ndoqi Shkollën e Mesme Normale (Pedagogjike) në Gjakovë dhe vijoi studimet e larta me korrespondencë për Jurisprudencë në Universitetin e Prishtinës.

Për arsye politike nga perndjekjet e ish kolonizatorëve dhe sistemit komunist serb, largohet nga Kosova dhe shkon si emigrant në Paris, ku, qëndroi tre vjet.

Më 1978, Tomë Mrijaj vendoset përfundimisht në Nju York, të SHBA-së, ku martohet.

Ai në të njëjtin vit rregjistrohet në St. Johns University në Queens NY, ku vijoi studimet e larta.

Duke kaluar tek  aktiviteti I tij në shërbim tw çështjes kombëtare më 1980, u zgjodh kryetar i degës “Vatra” në Queens Nju York dhe anëtar i Kryesisë së Federatës Panshqiptare “Vatra” në Boston, për 12 vjet me radhë.

Më 1982, në Kongresin e III-të, u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i “Lidhjes së Tretë të Prizrenit” (1962) në mërgim, detyrë që vijon ta mbaj edhe sot.

Më 1997-1998, ishte Kryetar i Shoqatës Kulturore “Rozafat”, pranë kishës katolike “Zoja e Shkodrës” në NY dhe antar i këshillit të kishës.  Më 2002, zgjidhet n/Kryetar i Shoqatës së Pajtimit Mbarëkombëtar “Nënë Tereza”, dega Nju York.

Qysh nga dita e themelimit, është antar i Shoqatës së Shkrimtareve Shqiptaro Amerikane në ShBA.

Librat e botuar:

  1. Dom Anton Kçira shërbestar i Zotit e i Atdheut, Monografi, botuar në Shkodër, 2002.
  2. Lidhja e Prizrenit (1962-2002) themeluesi dhe udhëheqësi Ismet Berisha, Monografi, Nju York, 2002.
  3. Marie Shllaku bijë e Shkodrës martire e Kosovës, Monografi, botuar në Nju York, 2004.
  4. Ngjarje dhe portrete historike, jetëshkrime të figurave të shquara shqiptare, botuar në Prishtinë, 2004.
  5. Monsinjor Dr. Zef Oroshi Një jetë e shkrirë për Fe e Atdhe. Jetëshkrim, 2009 Nju York.
  6. Gjeneza e Familjes Mrijaj, Kujtime, Shkodër, 2015
  7. Dom Anton Kçira në jubileun e 50 – vjetorit të meshtarisë, Shkodër, 2017.
  8. Abati i Mirditës, Imzot Frano Gjini, Shkodër, 2018.
  9. Log Kuvendi në trinomin fe – atdhe – perparim – Mons. dr. Zef Oroshi, Shkodër, 2019.

Ndiqni në vijim edhe bashkëbisedimin tonë!

Zoti Mrijaj, sa i ndiqni zhvillimet në hapësirat shqiptare? Cila është ndjesia që përjetoni kur vjen puna tek realiteti i shqiptarëve në Ballkan?

Në fillim dua t’u falënderoj për interesimin tuaj, për të zhvilluar këtë intervistë.

Qysh në vitet e para kur unë u largova nga vendlindja për arsye të përndjekjeve të pushtuesve serb dhe regjimit komunist atje, unë kam ruajtur lidhjet me vendlindjen dhe trojet e tjera etnike shqiptare, ku, kam shume miq e shokë. Kjo ka vazhduar për shumë dekada deri në ditët tona.

Unë, vazhdimisht jam në kontakt me njerëz të niveleve të ndryshme shoqërore dhe kulturore, mediat online, botimet e fundit, autorë librash shoqërorë dhe historik, studiues, historian, gazetarë, aktivistë atdhetarë, njerëz të shquar të diasporës këtu në SHBA dhe Europë.

Në rrugë dhe forma të ndryshme, shkëmbejmë ide dhe mendime të larmishme me theks atdhetar dhe kulturorë.

Për të qenë i qartë dhe i saktë në përgjigjen tuaj, mendoj se jam shumë i brengosur, kur shoh se shqiptarët vazhdojnë të grinden me njeri-tjetrin dhe këtë gjë e reflektojnë edhe kur gjendën përpara të huajve, duke u krijuar atyre përshtypjen se ne nuk duam të ecim përpara si shumë shtete të ndryshme të botës dhe në veçanti të Europës Perëndimoe e cila është shtëpia ose familja jonë e natyrshme.

Qysh kur Arbëria u pushtua nga Perandoria Osmane dhe deri në ditët tona, duke qenë të pushtuar kulturisht dhe mentalisht nga kolonizatorët shumë shekullorë, ne për fat të keq kemi marrë shumë nga kultura e huaj e tyre, gjë të cilën e refektojmë nëçdo aspekt të jetës.

Gjatë periudhës së artë të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti, princët shqiptarë përballë armikut perandorak shumë të fuqishëm të kohës, ditën të gjejnë gjuhën e përbashkët për tu bashkuar dhe për të krijuar një ushtri dhe shtet shumë të fortë për kohën. Ne, sot nuk mësojmë asgjë nga mesazhi i bashkimit dhe bashkëpunimit të periudhës së kryetrimit të Arbërisë Gjergj Kastriotit.

Në mënyrë individuale dhe të pavarur nga njeri-tjetri, shqiptarët ecin shumë shpejt përpara dhe qindra e mijëra individë burra dhe gra kanë ditur me sukses të integrohen në jëtën e shteteve të huaja në SHBA dhe Europë, ku ata jetojnë dhe punojnë prej shumë dekadash.

Për fat të mirë edhe fëmijët e tyre kanë ndjekur me shumë sukses rrugën e hapur nga prindërit e tyre.

Kjo gjeneratë e re është shumë e vlefshme për vendlindjen dhe trojet etnike shqiptare. Por e keqja është se ata nuk duan të shkojnë në vendlindjen e prindërve të tyre, sepse shohin ne mediat e huaja dhe rrjetet sociale se Shqipëria, Kosova, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi, me mentalitet janë shumë larg frymës së bashkëpunimit midis shqiptarëve atje. Ky brez i ri ka vendosur të qëndroj larg vendit të origjinës së prindërve dhepranë familjeve të tyre.

Pra, në Shqipëri dhe Kosovë, nuk janë krijuar kushtet për të pritur me mirëseardhje brezin e ri të shkolluar në vendet Perendimore të Europës, SHBA-se dhe Kanadasë, larg zhurmës së përplasjeve të pafrytshmetë politikanëve shqiptarë.

Si do të donit t’ju njihnit njerëzit? Cila është ajo pjesë juaja për të cilën ndjeheni më mirë?

Unë dua që njerëzit të më njohin ashtu sikurse jam, një njeri i thjeshtë, modest, paqedashës, kultudashës, bujar, fjalëpak, dashamirë i kulturës, historisë, shoqërisë, Atdheut, vendlindjes, trojeve shqiptare.

Pjesa e jetës time këtu në SHBA, ka qenë shumë emirë dhe me shumë fat. Këtu jam ndjerë shumë mirë, ku kam njohur dhe bashkëbiseduar me shumë personalitete të shquara të diasporës shqiptare në SHBA.Pothuajse për të gjithë personalitetet shqiptare këtu kam shkruar libra monografik, artikuj dhe studime të ndryshme, të cilat i kam botuar. Të tillë kanë qenëshkrimtari dhe studiuesi i shquar mons dr. Zef Oroshi, themeluesi dhe drejtuesi i Kishës së Parë Katolike Shqiptare në Amerikë dhe njëkohsisht kumbara i katër fëmijëve të mi, juristi Kapidan Ndue Gjomarkaj, prof. Zef Nekaj,prof. Arshi Pipa, prof. Luan Gashi, prof. Rexhep Krasniqi personalitet i shquar dhe Kryetar i Komitetit “Shqipnia e Lirë”, gazetarja e famshme Nexhmije Zaimi, personaliteti i shquar i botës shqiptare dhe lider i diasporës në SHBA meshtari dom Anton Kçira etj.

Amerika asokohe, kishte mbledhur si bleta punëtorë shumë figura të shquara të diasporës, me të cilët fatmirësisht kam qendruar për vite dhe dekada me radhë më shumë prej tyre, nga të cilët kam mësuar shumë gjëra pozitive, ngjarje dhe episode të rëndsishme historike, të cilat sot nuk i shoh në media.

Në përgjithsi edhe sot media në Shqipëri dhe Kosovë për inerci të sistemit komunist vijon të jetëi njëanshëm për rivlerësimin dhe ridimensionimin nën dritën e dokumenteve historike të shumë figurave të shquara.

Media komuniste fatkeqsisht edhe sot është shumë e fuqishme si në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri 1944-1990.

Psedostudiuesit dhe të ashtëquajturit gazetarucë pa shtyllë kurrizore, në mënyrë sistematike po hedhin baltë mbi shumë nga këto figura.

Rasti mëi fundit,ështëhedhja baltë mbi dyshen e madhe të letrave shqipe Koliqi-Camaj, që njëherazi ishin edhe miq të ngushtëtë mons. dr. Zef Oroshit, si prozatori i shquar modern prof. Ernest Koliqi dhe bashkëpunëtori i ngushtë i revistës kulturore shqiptaro amerikane “Jeta Katholike Shqiptare” (sot Jeta Katolike 1966-2020) shkrimtari brilant prof. Martin Camaj.

Si ka lindur aktiviteti juaj lidhur me shqiptarët?

Unë, kam ardhur në SHBA nëmaj të vitit 1978. Asokohe kishte shumë pak shqiptarë në New York. Ne, arritëm të njohim shumë shpejt njeri-tjetrin. Bisedonim me njeri-tjetrin se si kishim arritur deri në SHBA. Shumë vetë tregonin vuajtjet dhe persekutimin e familjeve të tyre në Kosovë nga regjimi serb.

Gjithashtu, jam takuar edhe me shumë të rinj të guximshëm, që kishin mundur të ikin nga ferri burg i rregjimit komunist të diktatorit Enver Hoxha.

Shqiptarët, këtu filluan të mblidhen dhe formojë organizata antikomuniste dhe atdhetare kulturore, për t’i ruajtur sa të jetë e mundur për disa dekada vlerat më të mira të kulturës dhe gurrës popullore shqiptare nga zonat dhe trevat e ndryshme entike.

Në krye të organizatave apo lëvizjeve antikomuniste, ishin liderët kryesorë të tyre, disa prej të cilëve i përmenda pak më lart. Ketëmision fisnik,ata e bënë për të ruajtur sa të jetë e mundur lidhjet me vendlindjen, në rrugë dhe forma të ndryshme. Për këtëarsye filluan të botohen gazeta dhe revista të ndryshme, ku, spikatën pendat e shquara të diaporës në SHBA dhe Europë në veçanti.

Kështu në vitin 1962, meshtari dhe personaliteti i shquar i letrave shqipe mons dr. Zef Oroshi filloi të botoi revistën kulturore fetare “Jeta Katolike Shqiptare”, ku, spikatën pendat e shquara të mendimit intelektual shqiptar.

Monsinjor Oroshi e mbante në makinën e vet ciklostilin e botimit të revistës. Ai punonte me shumë përkushtim për revistën, sepse sipas tij ajo ishte edhe historia e komunitetit katolik shqiptaro amerikanë, për brezat që do të vijnë në SHBA.

Në këtë mënyrë, patrioti dhe kleriku i shquar, dr. Oroshi, mblodhi shqiptarët rreth Qendrës Fetare Kulturore të kishës katolike “Zoja e Kshillit të Mirë” (sot “Zoja e Shkodrës”, Harsdale New York), që u bë një vatër e ngrohtë e atdhedashurisë dhe e mallit për vendlindjen.

Kontributi im është modest. Me ardhjen time në vitin 1978 në SHBA, pas disa muajve në shtëpinë time, ku, unë banoja me gruan time, në Queens New York, erdhi kryetari i Vatrës asokohe Ahmet Dervishi, i shoqëruar nga  disa antarë të kryesisë  së Vatrës. Ai tha në bisedë se jam njoftuar nga miqët e mi, se një intelektual i ri ka mberritur nga Kosova dhe është mirë ta kemi në mesin tonë një kosovar.

Meqenëse kryetari i mëparshëm i degës së Vatrës në Queens kishte dhënë dorëheqjen, ata më sugjeruan mua që ta zëvendsoi atë. Nga ajo ditë, më emëruar kryetar për degën eQueens-itdhe antar i Kryesisë së Vatrës, me qendër në Boston.

Atje jam takuar shpesh me vatristë veteranë, të cilët sot fatkeqsisht janë asimiluar.Me thjeshtësi dhe modesti, kam kontribuar si kryetar i Vatrës në degën e saj në Queens New York.

Si është një ditë e zakonshme juaja?

Sapo ngrihem në mëngjes, unë hap kompiuterin dhe filloi të lexoj disa nga gazetat dhe revistat shqip, që janë online për trojet shqiptare.

Shqetësohem shumë kur shoh se po vazhdojnë polemikat pa fryt në politikë dhe shpesh edhe në disa fusha të jetës në Kosovë dhe Shqipëri.

Mbasi lexoj lajmet dhe dëgjoi edhe në You tube disa analiza apo debate kryesore kulturore dhe historike, largohem nga kompiuteri dhe filloi të lexoj librat, që janë pasioni dhe dëshira ime.

Mbas disa orëve filloi të hedh në kompiuter shënime të ndryshme biografike dhe historike, mbi figurat kryesore të diapsorës, të cilët i kam njohur nga afër.

Së bashku me bashkëshorten time Lizën, që gjithnjë ka punuar dhe punon me detyra të larta në QeverinëAmerikane, dalim dhe bëjmë vizita familjare. Më pëlqen të dal buzë oqeanit, të takohem me miq dhe shokë të vjetër dhe të rinj.

Nëse do të takonit disa të rinj shqiptarë që janë shumë të mërzitur dhe mezi ç’presin të ikin nga vendi, cila do të kishte qenë këshilla juaj?

Rënia e komunizmit në trojet shqiptare dhe çlirimi i Kosovës nga kolonizatorët serb, dikur na dha shpresën se vendi do të hyjë në rrugën normale të jetës së saj, sikurse kanë bërë shumë vende europiane.

Për të shpejtuar këto liri, që gëzojnë sot trojet tona, ne vijueshmërisht kemi organizuar demonstrata antikomuniste, për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri, rikthimin e fesë, dënimin e krimeve të komunizmit, sikurse edhe për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës martire.

Ne, sot jemi shumë të zhgënjyer, se politikanët atje nuk po dijnë të merren vesht me njeri-tjetrin, për të mirën e popullit të tyre, që i ka zgjedhur vazhdimisht po të njëjtit përsona prej shumë vitesh me votë të lirë.

Kjo ka bërë që rinia, të demoralizohet dhe të mendoj vetëm ikjen një orë e më parë nga vendlidja, për shkak të korrupsionit, papunësisë etj.

Njeriu habitet kur sheh këtu në New York, se shumë të rinj dhe të reja të shkolluar dhe me dy diploma universitare, që zotërojnë disa gjuhë të huaja, nuk munden të gjejnë punë në Kosovë dhe Shqipëri, sepse nepotizmi dhe farefisnia ka berë që asnjë prej të shkolluarve të mos gjejë punë atje.

Kosova dhe Shqipëria, për paaftësi të qeveritarëve dhe politikanëve në Parlament, po kalojnë herë pas here kriza ekonomike, politike, covid-19 etj., të cilat, ia shtojnë edhe më shumë streset dhe mosbesimin të rinjve, për një jetë më të mirë në këto treva.

Unë, kam takuar shumë prej të rinjve të kualifikuar në nivele të larta, të cilët gjejnë vështirësi për tu integruar në jëtën amerikane. Këtu gjetja e vendit të punës nuk është e lehtë edhe pse je me diplomë europiane.

Shumë prej shqiptarëve të ardhur rishtas arrijnë të bëjnë punë të rëndomta edhe pse ata janë me grada shkencore dhe shumë të kualifikuar. Pra, po largohen nga Kosova dhe Shqipëria, njerëz për të cilat ka më shumë nevojë vendi.

Le të flasim pak rreth aktivitetit tuaj si autor librash, si janë pritur, cili mendoni se ka qenë ndikimi që kanë patur tek lexuesit?

Librat e mia, janë më tepër vepra me profil historik, të cilat i janë përkushtuar personaliteve të shquara të diapsorës shqiptare dhe atyre në Shqipëri e Kosovë.

Disa gazeta, revista dhe website në internet, kanë bërë vlerësime pozitive, për këndvështrimin e ri që jam munduar tu jap librave të mia.

Cilat janë sipas jush problemet më të mëdha që kemi ne shqiptarët? Si mund të dilet prej tyre?

Fatkeqsisht, ne shqiptarët nuk mësojnë nga anët negative, që kemi kaluar gjatë historisë shumë shekullore. Të njëjtat gabime po përsëriten edhe sot.

Problemet e shqiptarëve nuk janë abstrakte ato shihen dhe provohen çdo ditë. Kushdo nga ne i di ato, sikurse kushdo nga ne e di se cila është rruga më e mirë, për të ecur përkrah shteteve të zhvilluara të Europës dhe botës.

Kur mendoni për fëmijërinë tuaj, cili është mendimi i parë që ju vjen në mendje? Cilat kanë qenë personazhet qendrorë në gjithë jetën tuaj, njerëz që mendoni se ju kanë frymëzuar?

Për fëmijërinë mendoj sa herë prehem me nostalgji për vitet e shkuara. Kisha një fëmijëri të lumtur asokohe, sepse isha një fëmi i përkdhelur nga e gjithë familja. Edhe sot i kujtoj, lojërat me shokët buzë lumit Drini i Bardhë.

Lugu i Drinit, vendlindja ime,është një vend i mrekullueshëm, të cilin më shumë e kam shëtitur pëllëmbë për pëllëmbë kur isha fëmi dhe në moshën e adolishëncës.

Pamjet janë mahnitëse, ku, fushat e gjelbërta në stinën e verës dhe në dimër bora i mbulonte pyjet e harlisura. Duke e parë nga lart, sheh se në mes të atyre fushave të begata kalonte si gjarpërushë lumi i vrullshëm Drini i Bardhë…

Njeriu më i dashur dhe kryesor i jetës time, qëështë edhe frymëzuesi, që sot e kam ende në zemër është babi im i dashur Nikollë Mrijaj.

Ai ishte një intelektual i kohës, që në katër komuna kryesore: Zllakuqan, Gurrakoc, Istog (Burim) dhe Klinë, ka qenë me detyra të larta, duke e filluar nga posti i kryetarit të komunës dhe punë tjera me rëndsi për kohën.

Vetë baba im, ka qenë i frymëzuar shumë nga babi i tij Pren Nikollë Mrijaj, i shkolluar në Austri, i cili në moshën 19-vjeçare është emëruar kryetar i Komunës së Zllakuqanit. Shkollimi, në familjen tonë, ka qenë një traditë e hershme…

Cilat janë projektet tuaja të afërta?

Pas shumë kërkesash, para pak ditësh më mbërriti këtu Dosja e Sigurimit për mons. dr. Zef Oroshin, që në të ardhmen do të përfshihet në një libër të ri, kushtuar meshtrarit tonë, të cilën e kam titulluar: “Një jetë i përgjuar”.

Kjo vepër e re, që kam në dorëshkrim,ështëe mbushur me “dokumente” apo shpifje origjinale, të marrë nga Arkivi Qendor i Shtetit në Tiranë, të cilat janë hartuar nga hafijet e Sigurimit, kur vetë meshtari mons. Oroshi ishte i arratisur nga Shqiperia.

Aty lexuesit për herë të parë do të shohin gjuhën e urretjes, me të cilën janë hartuar letrat dhe historitë fallco kundër meshtarit katolik mirditor të përvuajtur.

Ky është libri i katër, kushtuar përsonalitetit të shquar të diasporës sonë, themeluesit të Kishës së Parë Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”, në SHBA mons. dr. Zef Oroshit.

Keni ndonjë mesazh për lexuesit tanë?

Së pari, mendoj se shqiptarët duhet të punojnë shumë për t’u bashkuar dhe bashkëpunuar me njeri-tjetrin dhe jo të qendrojnë të shpërndarë dhe të urrejnë njeri-tjetrin, sikurse po bëjnë deri tani.

Epoka e Gjergj Kastriotit, për bashkim e bashkëpunim asokohe në luftë kundër pushtuesit, është shembulli më i mirë. Ai e mbrojti Arbërinë kundër Perandorisë Osmane më të fuqishme të të gjithë kohërave, së cilës vetë europianët i trembeshin.

Uroj, që edhe Kosova dhe Shqipëria, t’i bashkohen me civilizim dhe përparim shteteve me të përparuara dhe moderne të familjes europiane, duke ruajtur fizionominë e shteteve shqiptare dhe jo duke imituar të huajt, që nuk na duan të mirën si komb.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok