Tolerancë dhe dashuri, jo nxitje të urrejtjes ndërfetare!

0

Shkruan: Florim Zeqa

Traditën e mirë të bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare të trashëguar ndër shekuj duhet ta kultivojmë edhe në ditët e sotme. Edhe përkundër pushtimeve të gjata dhe barbare shqiptarët asnjëherë gjatë historisë nuk kanë pasur konflikte ndërfetare.

Jemi popull me origjinë dhe traditë kombëtare

Kosova e ka një popull të mrekullueshëm, ka pozitë gjeografike të lakmueshme nga të tjerët, ka burime të pashterrshme natyrore, ka pasuri të pafundme nëntokësore, ka kulturë shpirtërore të zhvilluar qysh nga civilizimet e hershme, por po i mungon lidershipi i ndershëm dhe i përgjegjshëm për rrethanat e kohës në të cilën po jetojmë.

Konflikte ndërfetare nuk kishim në të kaluarën, nuk kemi sot dhe as nuk do të kemi as në të ardhmen. Pasi shqiptarët i kanë 99 fije që i bashkojnë dhe vetëm një fije e hollë që i ndanë. I ndanë aspekti personal siq e ndan secilin njeri nga tjetri në rruzullin tokësorë.

Ngase çështja e besimit apo mosbesimit në një fe apo në një parti politike janë çështje krejtësisht personale të cilat nuk ndërlidhen me prejardhjen gjenetike të shqiptarëve, të njërës nga racat më të vjetra dhe më fisnike të popujve të botës.

Mirëpo origjinën dhe qytetërimin tonë të vjetër janë munduar të na zhdukin pushtuesit me zëvendësimin e racës dhe kulturave të huaja siq po ndodhë edhe sot në truallin e Dardanisë Antike të quajtur Kosovë.

Ndarjet ndërfetare nëse mund t’i quajmë ashtu në Kosovën e paraluftës së fundit ishin simbolike, të vogla dhe të papërfillshme. Gjithmonë shqiptarët i festat fetare kanë kremtuar bashkë dhe në harmoni të plotë me njëri-tjetrin, pra Bajram e Pashkë i kanë festuar bashkë.

Pa dashur të futem më thellë në historinë e prejardhjes së religjioneve tek shqiptarët, nga fëmijëria ime e mbajë mend, kur shkonim për festën e Pashkëve tek familjet e besimit të krishterë dhe ata na dhuronin vezë të ngjyrosura, kurse për festën e Bajramit vinin fëmijet e tyre tek ne dhe nënat dhe motrat tona ju dhuronin bonbone dhe karamele të llojeve të ndryshme.

Përderisa të rriturit (burrat) mysliman i cakërronin gotat e Rakisë me vëllëzërit e besimit katolik për festat e Pashkëve dhe Krishtlindjeve, ata të besimi të krishterë i shijonin të gjitha llojet e embëlsirave tek familjet myslimane në festën e Bajramit.

Andaj, konfesionet fetare në mesin e shqiptarëve duhet t’i kuptojmë si vlera të lashtësisë sonë, të rrënjeve tona të vjetra Iliro-Dardane, të ecjes dhe rrugëtimit tonë fetar nga paganizmi e deri tek besimet e ditëve të sotme, të cilat janë vlera të trashëguara të shqiptarëve ndër shekuj.

Pavarësisht ndërrimit të rrethanave gjeopolitike në botë, ne jemi ata që ishim dje, do të jemi edhe nesër si njëri ndër popujt me besim të fuqishëm në Zot dhe Atdhe. Besimet fetare janë rruga që e zgjedhin besimtarët për të qenë më afër krijuesit.

Edhe përkundër zhvillimit të hovshëm teknologjik dhe avancimit të shkencës, roli i besimeve fetare (religjioneve) pothuajse ka mbetur i njëjtë. Zhvillimi ekonomik i një shteti e determinon rolin e fesë në shoqëri. Sa më e lartë që të jetë ngritja arsimore e një kombi, aq më i vogël do të jetë ndikimi fetar në shoqëri dhe anasjelltas.

Më shumë dashuri dhe respekt ndaj vëllaut me besim tjetër fetar apo partiak

Në vend të përhapjes së gjuhës së urrejtjes ndërfetare, të përçojmë dashuri ndërvëllazërore brenda kombit tonë, të ndërtojmë ura bashkëpunimi pa dallime fetare, pse jo të nxiten edhe stimulohen akoma më shumë martesat e të rinjëve shqiptar mes besimeve të kundërta.

Kjo përveqse arma më e fuqishme kundër atyre që mbjellim urrejtje ndërfetare, e çon kombin tonë drejt unifikimit dhe prosperitetit, shtetin drejt zhvillimit ekonomik dhe barazimisë qytetare.

Thënë ndryshe, në vend të fjalorit ekstremist, ta përdorim fjalorin e butë shpirtërorë. Fjalët “ekstremizëm” dhe “radikalizëm” fetar të zavendësohen me fjalët e ëmbëla përplot dashuri dhe respekt ndaj vëllaut me besim tjetër fetar apo partiak.

Jo pa shkas po e permendi edhe një fakt, shqiptarët që jetojnë në vendet evro-perëndimore nuk janë të privuar nga besimet e tyre fetare. Secili mund të praktikojë dhe aplikojë fenë që i flen për zemër në shtëpi apo në objektet fetare të lejuara nga shtetet përkatëse dhe fjala “ekstremizëm fetar” nuk ekziston dhe askush nuk ndiqet nga shteti për lutjet ndaj Zotit në mënyrën që e preferon.

Për ne shqiptarët, si kombi më i shprishur që jemi në botë, para çdo religjioni dhe partie politike duhet ta kemi qenjen tonë kombëtare. Për arsye se ndjenja jonë shpirtërore, në veçanti e mërgimtarëve është gjithmonë më e etshme për komb dhe atdhe, e fare pak për besim fetar.

Atdhetarët edhe pse me mijëra kilometra largësi në mërgim, atdheun e mbajnë në zemër, kurse gjuhën dhe flamurin kombëtar i ruajnë dhe i kultivojnë me dashuri, duke i mbajtur në thellësinë e shpirtit si amanet nga të parët tanë, për t’ua përcjellur pasardhësve që po lindin dhe po rriten padrejtësisht në vendet e huaja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok