13/12/2024

Flet Dhimitër Gjoka “Mjeshtër i Madh: Ai zbërtheu në imazhe filmike poezinë“Vajzë e valëve”të Neço Mukos me ndihmën e Dhimitër Anagnostit

0
Dhimiter-Gjoka

– Leksionet e Piro Manit për regjinë ishin shumë të veçanta.
-Si mësoja nga provat e Robert Ndrenikës, Margarita Xhepës, Reshat Arbanës, Drita Haxhirajt,Viktor Zhustit, Anastas Kristoforit, Andon Qesarit, Roland Trebickës, Edmond Budinës
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
-Në Universitetin e Arteve ju keni mësuar shumë detaje nga aktrimi, regjia, apo skenarët. Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje nga Artet?
Unë mësova dhe ngulita në mendjen time kompozimet e planeve klasike; “planin bust”, “të mesëm”, “planin amerikan” si dhe “planin e madh”. Secili nga pedagogët kishte karakteristikat e veta profesionale në punën me aktorët. Planet mirëmendoheshin që me shkrimin e skenarit dhe më pas, ndërthurja e tyre ishte pastaj ajo që i jepte së tërës, në montazh, harmoninë e vendosjes së tyre, e cila ndikonte në rrjedhën llogjike të zhvillimit të ngjarjeve. Mësova gjithashtu se, si shkruhet një skenar dhe si realizohet një i tillë, jo vetëm në teori, por edhe në praktikë në sheshin e xhirimit, si punohet me aktorët në atë se çfarë kërkon regjisori! Prej tyre mësova për ndriçimin – se si bëhej në skena të ndryshme në funksion të ngjarjeve dhe se si regjisori e mendon një skenë për ndriçimin e saj kundrejt personazheve që veprojnë në të. Regjia e filmit ishte jashtëzakonisht e bukur dhe i kushtova më shumë kujdes, pasi për regjinë skenike kisha njohuri të mëparshme, të cilat i kisha fituar gjatë kohës kur aktivizohesha në teatrin profesionist të Vlorës.
– Kush nga pedagogët ju ka bërë përshtypje për detajet e zbërthimit të imazheve filmike?
Dhimitër Anagnosti ky mjeshtër i madh i regjisurës së filmit shqiptar na ilustronte bukur deri në detaje mënyrën se si edhe një poezi mund të zbërthehej në imazhe filmike dhe shembujt që na demostronte s’ishin të paktë. Mbaj mend se si zbërtheva një poezi në imazhe filmike. Mora poezinë“Vajzë e valëve”të Neço Mukos të përmendur më sipër, të cilën në fantazinë time u zbërthye bukur teorikisht në letër. Imagjinata që na mësoi Anagnosti të vinim në përdorim na e bëri të thjeshtë punën. Çdo varg i saj më kalonte në mend një panoramë filmike me plane të përzgjedhura nga portreti e deri në terenin ku vajza vepronte dhe priste. Zbërtheva bukur edhe dialogun që ajo bënte me zogjtë. Fantazia jonë na çonte larg, ku bukur dhe saktë në shumë mënyra shpërfaqnim mendimet tona të thjeshta për çdo fjalë, varg apo strofë të poezisë. Kalonim orë shumë të bukura dhe frutdhënëse, aq sa shpesh mendonim se përse mbaronte kaq shpejt leksioni? Anagnosti dinte se si të na bënte për vete. Na mbërthente me aftësinë e tij komunikuese, me kulturën e madhe kinematografike, që zotëronte. Veçova Dhimitër Anagnostin, por për mua mbeten në lartësinë e mjeshtrave të padiskutueshëm të kinematografisë shqiptare edhe regjisorët e tjerë të nderuar që pata fatin të isha student i tyre dhe që i kam përmendur më lart.
-Po për regjinë si orientoheshit në Akademinë e Arteve? Përveç teorisë ku dhe si përgatiteshit për praktikën e regjisë?
Në leksionet e regjisë skenike isha pjesë edhe e disa punëve në tavolinë në Teatrin Popullor, kur shkoja në orët e lira, sidomos paradite, të regjisorit të jashtëzakonshëm Piro Mani, energjik dhe zotërues i një kulture të madhe skenike. Të gjithë aktorët, që punuan me atë, por edhe ne si studentç të tij, e shikonim si një idhull të pakrahasueshëm. Leksionet e tij ishin shumë të veçanta, pasi eksperienca që mbartëte ishte jashtëzakonisht e madhe edhe për faktin që kishte studiuar jashtë vendit, në Moskë, kryeqytetin e Bashkimit Sovjetik. Mora pjesë si dëgjues në provat e tavolinës në disa seanca tek drama “Komunistët” e Ruzhdi Pulahës, dramaturg që di të gjejë detaje dhe të zbërthejë personazhe si rrallë kush. Mësova dhe pashë nga afër punën e jashtzakonshme që bënte Piro Mani me aktorët. Pjesë e trupës ishin aktorë të tillë të mëdhenj si Robert Ndrenika, Margarita Xhepa, Reshat Arbana, Drita Haxhiraj, Viktor Zhusti, Anastas Kristofori, Andon Qesari, Roland Trebicka, Edmond Budina, e plot të tjerë. Provat në tavolinë janë një shkollë e madhe për çdo të ri, që aspiron të bëhet regjisor. Unë nuk dua të sjell mesazhin që përcillte kjo dramë, por dua të theksoj interpretimin virtuoz të kësaj kaste aktorësh të jashtzakonshëm. Fantazia regjisoriale në zbërthimin e dialogut ishte e pafundme. Puna përgatitore e Piro Manit i bënte aktorët të ishin më rezultativ në trajtimin e rolit. Piro Mani kërkonte kulmet e dramës në disa akte të saj. Dhe këtë e arriti bukur. Shpërthimet e aktorëve ishin kaq të natyrshme dhe mjeshtërore, sa ngrinin peshë jo vetëm ne që ndiqnim nga afër punën në tavolinë, por edhe më pas spektatorin në sallë gjatë shfaqjes, si asnjëherë tjetër. Ishte vërtet fat i madh të ndiqje nga afër provat me Piron si regjisor në studion e punës. Qe një shkollë më shumë se leksionet që merrnim. Kur gjërat i shikonim konkretisht nuk kishte kënaqësi më të madhe. Unë mbushesha thellë në mendje dhe në shpirt me këtë profesion, të cilin e shikoja, e prekja dhe jetoja fort me të.
-Ju keni prezantuar me shumë sukses Festivalin e 19 së bashku me Silvana Braçe. Si e kujtoni këtë ditë?
Muaji i parë i dimrit, dhjetori, erdhi shpejt. Festivali i 19-të u zhvillua nga data 25 deri 27.12.1980. Timo Flloko, një nga pedagogët dhe artistët e talentuar të filmit shqiptar, në atë kohë, një ditë, teksa mbaruam orën e mësimit, do të më veçonte nga shokët e mi student, për të më propozuar që të drejtoja festivalin e nëntëmbëdhjetë të këngës në Radio Televizionin Shqiptar, që organizohej çdo muaj dhjetor. Bashkëshorjta e Timo Fllokos ishte Vera Grabocka, e talentuara e regjisurës televizive. Edhe pse kisha kohë që isha bashkëpuntor i jashtëm i Televizionit Shqiptar, nuk me ishte dhënë mundësia të takohesha me Verën. Deri atëherë, pavarësisht angazhimit tim në radio apo në televizion, me të ishim parë vetëm prej së largu. U takuam para godinës së televizionit në ditën dhe orën e caktuar. Së bashku me Vera Grabockën qe edhe një vajzë, e cila ishte përzgjedhur prej saj, për të qenë kolegia ime e festivalit. Quhej Silvana Braçe.
Prej asaj dite, për njëzet ditë e netë të tjera përveç mësimeve ditore, shkuarjes në Radio dhe daljes në ekran për emisionin e lajmeve, m’u shtua edhe puna për festivalin. Që në çastin e parë, vendosa të bëja të pamundurën për t’i përballuar të gjitha. Më ishin dhënë shanset dhe si çdokush që vihet përballë sprovave të tilla, sa të vështira, por edhe aq të bukura e me perspektivë, dëshiroja që t’i kapërceja me sukses. U konsultova me drejtuesit e Radios dhe njëkohësisht edhe me të Televizionit që të angazhohesha atë muaj disi më pak, sipas mundësive që ishin. Nisa të shkoja në arkivin e Televizionit për të parë ish-spikerët e festivaleve të kaluara, si e si, për të krijuar një ide më të plotë rreth prezantimit të tyre. I kisha ndjekur festivalet në vite si gjithë të tjerët pasi ishte aktiviteti më i rëndësishëm muzikor i vitit, por se kisha menduar se një ditë do të isha edhe unë pjesë e një të tilli. Pavarësisht daljeve të mia në ekran, festivali ishte jo vetëm një sfidë, por edhe një shkollë profesionale më vete. Gjithnjë e kujtoj me admirim punën e madhe që bëri me mua dhe Silvanën regjisorja Vera Grabocka, por edhe Timo Flloko, pedagogu im, i cili na ndenji pranë, sidomos për lëvizjet skenike, ecjen, qëndrimin para mikrofonit, por edhe se si do të prisnim këngëtarët në skenë. Fytyrë qeshur, me ecje të bukur dhe me vështrim të plotë tek spektatori në sallë – ishin fjalët e para që na adresoi Vera Grabocka. – Është festa e këngës dhe në festë njerëzit janë të qeshur e të dashur me njëri-tjetrin. E folura të jetë e ngrohtë, magjike dhe kjo do të mund të krijojë një komportim të shkëlqyer me spektatorin, teleshikuesit dhe këngëtarët që ftoni në skenë. Që të arrihet kjo nuk ka vështrim në tekst. Çdo gjë duhet e mësuar përmendësh dhe e thënë në mënyrën më të mirë të mundshme para kamerës dhe spektatorëve në sallë. – I fiksova mirë në kujtesën time këto fjalë të regjisores dhe nga ai çast them se i qëndrova besnik kërkesave.
Qysh në fillim, më bëri shumë përshtypje kolegia ime Silvana me të mësuarit e tekstit. Kishte aftësi që me një të lexuar të përvetësonte gjithë fjalët e shkruara dhe të ishte në gjëndje t’i komunikonte bukur. Zhuliana Jorganxhi, kjo femër e lartë, poete dhe redaktore e veçantë e teksteve tç këngëve, pranë redaksisë së muzikës në Radio Tirana, na solli skenarin e prezantimit të natës së parë të festivalit, të ndarë, secilit nga një kopje. Provat kalonin shumë mirë dhe me Silvanën arritëm të komportoheshim natyrshëm. Por problem do të ishte veshja si e imja ashtu edhe e saj. Unë nuk kisha një kostum timin. As ajo nuk kishte personale asgjë për natyrën e veshjes që kërkonte festivali. U lodhëm shumë, sa në një garderobë në tjetrën dhe më në fund unë gjeta dy kostume që më rrinin bukur në trup. Provat kalonin shumë mirë. Bujë e madhe siç bëhej rëndom kur vinte fund viti. Festivali ishte i vetmi argëtim kombëtar i muzikës së lehtë në Shqipëri që organizonte Radio Televizioni Shqiptar, ndaj edhe pritej nga të gjithë si festa më e bukur e këngës së lehtë shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok