11/12/2024

TË VEÇANTAT TRONDITËSE TË PORTRETIT…

0
Faslli-Haliti_Helidoni

– Faslli Haliti: poet dhe mësues –

Nga Visar Zhiti

Do të ishte tronditës portreti i Faslli Haliti, që pashë sot, ai triptik prindëror fytyrash, pikturuar nga i biri, Helidon Haliti art, me diçiturën e rreptë “3 vjet pa Poetin”.

Shikoja dhe sikur po e kuptoja më thellë dhe ndryshe mësuesin tim në rininë time të parë, mecenatin shpirtëror, jo vetëm timin, dhe i të tjerëve më tepër, po dhe mikun e shumë të rinjve si dhe imi, rrugëtimet tona dhe ndarjet për t’u bashkuar prapë, largimet metaforike për të qenë ata që do të donim të ishim, me kromatikën e fortë të të qenit bashkë sidoqoftë… me artin… si ky i Helidonit të tij… që e kam njohur qysh fëmijë dhe sot është piktor me njohje dhe me një bagazh të madh artistik. Ja, na propozoi një vështrim tjetër ngulmues për të parë në portretin e atit, sa nuk besoj se Faslli Haliti në Qiell të donte tjetër gjë më të bukur se ky triptik. Që dhëmb. Që bashkon familjarisht pikturën dhe poemën, të cilat Faslliu i kishte. Por ka ende më tej, një universalizim të asaj që shfaqet në fytyrën e njeriut, që vjen nga brenda, më thellë akoma, nga nëntoka e rrënjëve, por me prarime siperane, qiellore që bien prej natës, që kur është e përtejme, është më magjepsëse.

E shoh prapë triptikun prindëror të tre vjetorit të mungesës së Faslliut në një të vetëm, në pakohësinë e tablosë: njëri nga portretet ashtu ballazi si me relief, si i gdhendur në dru, rrudha të drunjta, flokët e bardhë si pllangë bore që nuk shkrin kurrë a si një agim, s’dihet në ç’makth dhe tjetri pakëz në profil, ka amësi pikëlluese, përlotje sysh dhe një ornament të beftë në faqe, flokët ende më të bardhë si të një bore më të pastër, ndërsa i tretë më i madh se dy të tjerët bashkë, vetëm një copëz fytyre, syri me një të kaltër të thyer dhe vetulla e harkuar paksa siç Faslliu e bënte shpesh, kur kishte një çudi, sikur vetëm kaq të kishte mbetur prej tij, më tipikja. Apo është autoportret? Autosy? Po, po…Dhe sa dhimbje ka, po dhe pakënaqësi e estetizuar, pikëllim më shumë si prej toke në vjeshtë me nuancat si baltë e verdhëllemtë, mbresa të pashlyeshme a metafora të poezisë së Faslliut. Dhe mall, sa mall i fshehtë me aq pamundësira… por është fuqia e birit, misioni i tij i shenjtë për të ribërë atin ashtu si ai vetë ribëri veten. Me art… dhe për të na e risjellë… Prindërit!

E shoh dhe kthehem në realitetet të tjera, në ato të kundërartit… me keq akoma, të kundërjetës…

Po ndërmend poemën “Dielli dhe rrëkerat”, që Faslli Halitit i solli shumë prapësi dhe i ndryshoi rrjedhën e jetës. E kam shkruar në librin tim:

​RRUGËT E FERRIT

…ja, ashtu si enët nëpër korridor e në dhomëzat e ngushta, pjata, legenë, që i vënë të mbledhin rrëketë e shiut që pikon brenda, edhe unë do të vija ndjenjat e mia kudo dhe ato do të mbusheshin me ëndrra, me dashuri…

​- Ty po ta tregoj të parit, sapo e shkrova, – më tha Faslli Haliti, me të cilin jo vetëm na qe forcuar miqësia, por na ishte bërë dhe e domosdoshme deri në mërzi. Më zgjati fletët e një poeme, “Dielli dhe rrëkerat”, – lexoje, – tha. Fillim pasditeje dhe ai dukej sikur sapo kishte dalë gjallë nga një makth ose do të shkonte drejt tij.

​E mbarova rrugës, duke ecur. Fletët më dridheshin.

​- E guximshme dhe goditëse. Të shtang, – thashë.

​- E kam shkruar nga pozitat e së mirës, – u ngazëllye Faslliu mësuesmërisht.

​- E fortë, – thashë unë.

​Dhe vërtet, për shkak të kësaj poeme filluan mbledhjet e zymta të Partisë me letrarët e Lushnjës, unë isha i ikur, student në Shkodër, kritika për nxirje të realitetit, por poema nuk është kundër socializmit dhe udhëheqësit të saj, drejton klasa punëtore te ne, ç’është ai shi që bie ashtu si në kapitalizëm?! Mos u ul, rri në këmbë, i tha sekretari i parë Faslliut në mbledhjen që zgjati nja 9 orë, deri pas mesnate.

​Im vëlla, Ilirjani, e kishte marrë vesh më parë komplotin që po i kurdisej atij, ia tregoi Bujari, gjoja disa shokë të tij gjimnazistë ishin shqetësuar për atë poemë revizioniste dhe kishin shkruar një letër, të cilën, thoshin, e kishte përgatitur më parë ai kritiku i njohur… Shkojnë e lajmërojnë Faslliun, që u alarmua dhe u nis vrik për në Tiranë, në Komitetin Qendror, kështu tregoi më pas, takoi Ramiz Alinë, i cili, për çudi, e priti mirë dhe e qetësoi, ndërkaq, me t’u kthyer, prapë mbledhje, poeti u dëbua në fshat, që të njohë jetën, të mësojë nga kooperativistët, të mblidhte dhe ai bar bashkë me ta, pleh kimik, organik, të prashiste.

​- Kur të merr malli të shkruash, ç’bën? – E pyeti im atë, që e njihte këtë dhembje, të qenët i ndaluar, madje përgjithmonë.

​- Asgjë, lyej derën, iu përgjigj pikëllueshëm ai.

​……………………………………………………………..

Mbylla librin… Lyej derën?! Sa e trishtë!  Nga kjo anë, nga brenda, ishe ti, me furçën në dorë, po nga tjetër, pas derës kush ishte? Kishte ngjeshur veshin e dëgjonte? Në derë do të trokisnin apo do ta shqyenin? Dhe furça e trembur do të binte përdhe që të zevendësohej me prangat? Për fat nuk ndodhi ashtu si me mua…

Dhe Helidoni e pa te këmbët atë furçë të kobshme, e ngriti gjithë nerva dhe nisi të pikturojë në një derë tjetër të një arti të ri e modern.

Dhe lëvrijnë penelat vetëtimthi në duart e tij… Shto dhe një rrëke tjetër mbi fytyrat, sa më gërryese… pranë e kaltra qiellore e syrit… dhe ca diell dëshpërues, jo më nga ai i djeshmi…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok